Xhevahir Spahiu, “Mjeshtri i Madh” i poezisë shqiptare!

Poeti Xhevahir Spahiu mbush 78 vjeç. Gazetari Zylyftar Hoxha: “Xhepat e Xhevos të mbushur me motive vjershash”


Nga Zylyftar Hoxha

Dje, më 1 mars, poeti Xhevahir Spahiu mbush plot 78 vjeç, urime poetit! Do të kishim dëshirë që me këtë rast t’i kishim bërë një vështrim të shkurtër, retrospektivë, jetës së tij sizifiane, por fatkeqësisht, mundësinë e kemi tepër të kufizuar, kemi në dispozicion vetëm tri, e shumta, katër faqe kompjuterike. Ajo që po themi është pak për të, i kërkojmë ndjesë që po i biem kaq shkurt, kaq “shkopërisht”, siç thotë ai. Megjithatë, ç’rëndësi ka fjala jonë, kur atij i flet puna dhe vepra e vetë. Për kujtesë lexuesit në këtë ditë të shënuar të tij, natyrisht, edhe  tonën, do të mundohemi të risjellim në vëmendje forcën vullkanike të këtij titani krijues, që, siç thotë vetë në një poezi: Tek tingujt vdes/Tek ngjyrat çmendem/Tek fjala vdes çmendem përmendem.

Një vepër që nuk do të vdesë kurrë

Xhevahir Spahiu është shkrimtar i njohur shqiptar, një nga poetët më të spikatur të poezisë shqipe qoftë në idetë dhe mesazhet që mbart, por edhe në një teknikë dhe në ngjyrë të veçantë dhe të pakrahasueshme me poetë të tjerë. Poezia e tij është përfaqësuar gjerësisht në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të botuara gjatë 30 vjetëve të fundit në Shqipëri dhe në gjuhë të huaja.

Veprat e tij analizohen në tekstet e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, ku janë botuar dhe pjesë,  në të gjitha kategoritë e shkollave, që nga cikli i ulët e deri në shkollat e larta. Nuk ka botime antologjike, brenda dhe jashtë vendit, ku poezia e tij të mos zërë vend krahas përfaqësuesve më të shquar. Libra dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë së tij poetike janë botuar në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht, japonisht, kroatisht, hebraisht etj.

 “I pabindur”, por i drejtë dhe i pathyeshëm

Gjatë  50 vjetëve autorin e kanë larguar nga puna si dhe i kanë hequr të drejtën e botimit disa herë radhazi për “gabime ideologjike” dhe frymë antikonformise në krijimtari, në vitet1973, 1974, 1977, 1979-1980, 1984-1986. Në vitin 1977-1978 e largojnë nga “Zëri popullit” dhe e çojnë në minierën e Valiasit; në vitet 1986 e heqin nga revista “Nëntori” dhe e çojnë mësues të thjeshtë në shkollat e natës, pasi kishte lejuar të botoheshin novela të “gabuara”. Në vitin 1973 iu ndalua botimi i librit poetik “Bota ku eci”.  Libri poetik “Zgjimi i thellësive” në vitin 1979 u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton. Krahas këtyre,  autori u rrezikua edhe për shkak të vëllait të tij të burgosur politik. Kështu, herë i pushuar nga puna për “gabime ideologjike” e herë i privuar nga e drejta e botimit, herë me shtëpi e herë pa shtëpi, herë i përndjekur, por vazhdimisht i pabindur, gjatë peripecive të kësaj jete, ai nuk u thye e ndërkohë nuk la cep të Shqipërisë pa e njohur e pa u kënduar jetës dhe dramave të saj. Dritëhijet e saj frymëzuan pareshtur serinë e librave të tij të mrekullueshëm poetikë.

Xhevahir Spahiu (mes). Foto e vitit 1992

Jeta e Xhevos, udhë dhe poezi

Ka qenë dhe është një nga udhëtarët më të palodhur në Shqipëri. Nuk ka lënë cep të Shqipërisë dhe Kosovës pa shkelur. Edhe tani, pas sëmundjes, vazhdon udhëtimet. Orgesi, djali i tij i madh, nuk ka lënë vend pa e çuar, nga veriu në jug. Vëru re poezive të tij; si dhe njerëzit, kanë vendlindje, kanë adresë, kanë gjeografinë e tyre. Por edhe po nuk e patën, midis rreshtave kuptohet koha dhe vendi ku janë ngjizur. Xhepat e Xhevos në atë kohë e në këtë kohë rrinë plot copa letrash, me motive vjershash, me penelata të shpejta, që më  vonë piqen në saçin krijues të autorit. Rrallë të gjesh një poezi të bërë në tavolinën e punës së tij. Jo, ato janë bërë udhës. Ndaj dhe përmbledhja më e plotë dhe më e përzgjedhur e tij është quajtur “Udha”. Se, si shumë fjalë të shqipes, edhe fjala “udhë” ka origjinën e saj nga pellazgjishtja e vjetër. Odhiseu e mori emrin nga udha (udhë-odhise), se bëri udhë të gjatë për të ardhur në Itakë. “U mbodhise” thotë një fjalë e vjetër shqipe, në kuptimin, u vonove. U mbodhise, mbete (mbë)në udhë. A s’mbeti kështu edhe Odhiseu!…Se i pëlqen udha, ndaj Xhevahir Spahiu mbetet një nga poetët më dinamikë, poet i lëvizjes, i luftës, i ecjes, i zhvillimit.

Jeta dhe krijimtaria e poetit akademik Xhevahir Spahiu
Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit. Kreu studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1967).
Ka punuar gazetar në “Zërin e popullit” (1968–1977), redaktor në revistën “Nëntori” (1978– 1986), mësues (1986–1989), libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit (1989–1993), sekretar I përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1993–1998) dhe kryetar i saj (1998– 2001).
Ka botuar librat “Vdekje perëndive” (1977), “Zgjimi i thellësive” (1979), “Nesër jam aty” (1987), “Kohë e krisur” (1991), “Ferrparajsa” (1994), ‘Pezull” (1996), “Rreziku” (2001) etj., si edhe përmbledhjen me poezi të zgjedhura “Udha” (I, II, 2005). Ka fituar disa çmime kombëtare. Poezi e libra të tij janë përkthyer në disa gjuhë. Mban Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Publikime (Monografi, Vepra kolektive, Përmbledhje studimesh).
Libra me poezi:
“Mëngjes sirenash”, 1970;
“Vdekje perëndive”, 1977;
“Zgjimi i thellësive”, 1979;
“Agime shqiptare”, 1981;
“Nesër jam aty”, 1987;
“Heshtje s’ka”, 1989;
“Kohë e krisur”, 1991;
“Ferrparasja”, 1994;
“Pezull”, 1996;
“Rreziku”, 2001. Përmbledhja e zgjedhur në kolonën “Poezia Shqipe”, botuar më 1990.
Përmbledhja e zgjedhur “Udha” I,II, botuar në vitin 2005. Në Kosovë kanë dalë tri përmbledhje të zgjedhura poetike:
“Epikë” (bashkautor), 1978;
“Vdekje perëndive”, 1981;
“Tek rrënja e fjalëve”, 1988.
Përmbledhje me poezi “Vetëtimë”, 2013
Libra me poezi për fëmijë:
“Ti qytet i dashur”, 1973;
“Zambakët e Mamicës”, 1981;
“Ekrani i kaltër”, 1982;
“Kitaristët e vegjël, 1983;
“Kryeartëzat”, 1987;
“Dielli i lodrave”, 1990;
“Zogj të kaltër”, (përmbledhje e zgjedhur, 1999).
Ribotim i librit me poezi për fëmijë “Zogj të kaltër”, 2010.
Përmbledhje me eseistikë dhe reportazhe letrare:
“Dyer dhe zemra të hapura”, 1978;
“Bashkëkohësit”, 1980;
“Plaku i këngës”, monografi (bashkautor), 2002.
Libra me përkthime nga poezia botërore:
“Zemra pa mure”, 1992;
“Këtej nuk kalon askush”, 1997;
“Përtej meje”,1999;
“Zotit”, 2004.
Botime në gjuhë të huaj: Libra dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë poetike janë botuar në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht, japonisht, kineze, kroatisht, hebraisht etj.
Eseja “Nderim Perliçevit”, botuar në maqedonisht, 2007. Botim i vëllimit me poezi, në gjuhën frënge, prezantuar në Francë 2011.
Çmime letrare: Çmimi II në Konkursin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut për reportazhin letrar “Labëri, Labëri”, 1969.
Çmimi I “Reportazhe të vogla të kohës së madhe” në Konkursin Kombëtar letraro-artistik “30- vjetori i Çlirimit të Atdheut”, 1974.
Çmimi i LSHA për “Kitaristët e vegjël”, si libri më i mirë për fëmijë i vitit 1983.
Çmime letrare kombëtare nga revistat “Nëntori”, “Hosteni”, gazetat “Drita”, “Pionieri”, etj. Fitues i filmit dokumentar, 1984. Fitues i filmit dokumentar, 1986.
Çmimi Letrar Kombëtar “Migjeni” për librin më të mirë të vitit 1987 “Nesër jam aty”. Çmimi I në Konkursin Letrar Kombëtar për librin “Heshtje s’ka”, 1989.
Çmimi Letrar Kombëtar “Migjeni” për librin më të mirë të vitit 1991 “Kohë e krisur”.
Çmimi Special në Konkursin Ndërkombëtar “Les muses d’Or”, Paris 1993.
Çmimi Letrar Kombëtar për librin më të mirë të vitit 1994 “Ferrparajsa”, (dhënë nga Ministria e Kulturës).
Çmimi Letrar Kombëtar “Velija” për librin më të mirë të vitit 1996 “Pezull”.
Çmimi I për tekstet poetike në Festivalet Kombëtare të Muzikës së Lehtë si dhe disa çmime të dyta, në vitet 1976, 1979, 1989, 1995.
Çmimi Letrar i Karrierës: “Një jetë poetike”, 2001 (nga LSHA).
Çmimi “Mësonjëtorja e parë” për librin “Rreziku”, 2001.
“Diploma de Excelenta” akorduar nga Ministria e Kulturës e Rumanisë në Festivalin Ndërkombëtar “Netët e Poezisë të Curtea de Arges”, 2003.
Çmimi “Nositi” nga Festivali Ndërkombëtar “Poeteka”, Durrës, 2006. Fitues i çmimit “Poezia, art i fjalës”, dhënë nga Shoqata e artistëve “Pushkin”, Tetovë, 20007.
Fitues i çmimit “Penda e Artë”, dhënë nga Bashkia Berat, 2010., etj.
Tituj: Titulli “Qytetar Nderi”, dhënë nga Këshilli Bashkiak, Skrapar 2005. Titulli “Nderi i Frashërit”, dhënë nga Këshilli i Komunës së Frashërit, 2005.
Titulli “Nderi i Martaneshit”, dhënë nga Komuna e Martaneshit, 2006.
Urdhra dhe medalje:
Medalja “Naim Frashëri”, 1972.
Medalja e Punës, 1974.
Urdhri “Naim Frashëri” ,kl.II, 1982.
Urdhri “Mjeshtër i Madh” dhënë nga Presidenti i Republikës, Tiranë 2005.

“Sweet sixteen” — 16-vjeçarja e ëmbël Violeta Beshiri!

Vajzë e hijshme, e bukur si zanë dhe me një zë potent. Violeta është pranvera e këngës durrsake.

Global 360

Baku Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026

Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, është emëruar Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026 nga Federata Evropiane e Kryeqyteteve dhe Qyteteve…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

“Sweet sixteen” — 16-vjeçarja e ëmbël Violeta Beshiri!

Vajzë e hijshme, e bukur si zanë dhe me një zë potent. Violeta është pranvera e këngës durrsake.