Kina ka një rrugë të gjatë për t’u bërë superfuqi botërore!

Statusi i superfuqisë botërore, është një burim i krenarisë kombëtare dhe sjell përfitime të mëdha ekonomike dhe politike – Nga Gideon Rachman “Financial Times”


Nga Gideon Rachman, “Financial Times

A dëshiron Kina të jetë një superfuqi botërore? Të paktën në Shtëpinë e Bardhë, duket se ka jo pak dyshime. Rush Doshi, drejtor mbi çështjen e Kinës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Presidentit Joe Biden, sapo ka botuar një libër të ri në të cilin ai argumenton se Pekini po ndjek një “strategji madhore” për të “zhvendosur rendin ndërkombëtar të drejtuar nga Amerika”me synimin për t’u bërë kombi më i fuqishëm në botë.

Statusi i superfuqisë botërore, është një burim i krenarisë kombëtare dhe sjell përfitime të mëdha ekonomike dhe politike. Por ai bart gjithashtu edhe kosto, rreziqe dhe ngarkesa të shumta. Vetëm javën e kaluar, 9 shtetas kinezë u vranë gjatë një sulm terrorist në Pakistan, një vend që aktualisht është në sferën e ndikimit të Pekinit.

Thirrjet për hakmarrje në qarqet nacionaliste në Kinë, i bëjnë jehonë reagimit amerikan sa herë që terroristët kanë shënjestruar qytetarët e SHBA-së. Kinezët, ashtu si amerikanët, janë të mërzitur dhe të hutuar kur shohin që përpjekjet e tyre për të sjellë paqe dhe zhvillim, në mënyrën siç e shohin ata, priten me akte të dhunshme.

Pra,përpjekja për t`u bërë një superfuqi botërore është një punë e ndërlikuar. Ajo kërkon t`u jepet përgjigje një sërë pyetjesh të lidhura me aftësitë, synimet dhe vullnetin. Sa për të përdorur një analogji sportive, ju mund të jeni një tenist jashtëzakonisht i talentuar dhe të dëshironi vërtet të shpalleni një ditë kampion bote, por sërish të mos jeni të gatshëm të bëni sakrifica për ta kthyer ëndrrën në realitet.

Dallimi midis aftësive, aspiratës dhe vullnetit është më i rëndësishëm në fushën ushtarake. Gjatë viteve të fundit, Kina e ka transformuar potencialin e saj për të luftuar. Aktualisht marina kineze kamë shumë anije se ajo amerikane.

Disa oficerë të lartë ushtarakë amerikanë dyshojnë hapur nëse SHBA-ja do të mund të dominojë në një betejë mbi ishullin e Tajvanit. Qeveria e Presidentit Xi Jinping synon të shfaqë në çdo rast fuqinë ushtarake në parada ushtarake të zhvilluara në Pekin,në media dhe internet ka shumë retorikë luftarake dhe nacionaliste.

Vitin e shkuar, trupat kineze u përfshinë në një përleshje vdekjeprurëse me ato indiane në një rajon të kontestuar rrëzë Himalajave. Gjithsesi, Evan Medeiros, drejtor i çështjeve aziatike në Shtëpinë e Bardhë në kohën e presidentit Barack Obama, thotë se mbetet e paqartë nëse Kina është e gatshme apo e aftë të marrë përsipër barrën e të qenit një fuqi ushtarake globale e stilit të SHBA-së.

Kina nuk është angazhuar në një luftë që kur u përplas me Vietnamin në vitin 1979, dhe mburret me “ngritjen e saj paqësore”. Ndryshe nga SHBA, Pekini ka hezituar historikisht që të premtojë mbrojtjen e miqve dhe aleatëve të tij.

Kina ka vetëm një bazë ushtarake jashtë shtetit në Xhibuti në Afrikën lindore, krahasuar me qindra baza ushtarake amerikane jashtë SHBA-së. Nëse qeveria apo populli kinez ngurrojnë të shkojnë në luftë, kjo është pa dyshim meritë e tyre.

Por luftërat kanë tentuar të jenë mjeti me të cilin ngrihen superfuqitë e reja, nga Britania e shekullit XIX-të deri tek Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja në shekullin XX. Pesha ekonomike e Kinës, si fuqia dhe prodhuesja më e madh tregtare në botë, i jep asaj një fuqi të konsiderueshme politike në skenën ndërkombëtare.

Shpesh ndodh që vendet që varen nga tregtia apo investimet kineze, hezitojnë të përplasen me Pekinin – gjë që shpjegon pjesërisht edhe reagimin e heshtur global ndaj politikave të Kinës për internimet masive të ujgurëve në Xinjiang.

Por fuqia ekonomike e Pekinit nuk është gjithmonë vendimtare. Ndonëse Kina është partnerja më e madh tregtare e Japonisë, Koresë së Jugut dhe Australisë, këto vende e kanë sfiduar hera-herës Pekinin. Koreano-jugorët e lejuan SHBA-në të vendoste një sistem të mbrojtjes raketore në territorin e tyre; Japonia ka refuzuar të lëshojë në mosmarrëveshjet territoriale mes tyre; ndërsa Australia e tërboi Pekinin kur bëri thirrje për një hetim mbi origjinën e Covid-19.

Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia janë demokraci, ndaj janë shumë të kujdesshëm për të mos rënë në orbitën politike të një shteti autoritar njëpartiak. Po ashtu këto 3 shtete janë aleatë të traktatit të SHBA-së dhe kanë bazat ushtarake amerikane në territorin e tyre, gjë që mund t’u japë atyre besimin për të refuzuar ndikimin e Kinës.

Nganjëherë Kina lë të kuptohet se nuk mund t’u besohet garancive të sigurisë që ofron Amerika. Por besueshmëria e sistemit të aleancës amerikane do të binte vetëm nëse Uashingtoni nuk do të ndërhynte nëse Kina do të sulmonte një aleat të SHBA-së.

Fatmirësisht, nuk ka asnjë provë reale që të tregojë se Kina tashmë është e përgatitur ta marrë parasysh këtë rrezik, madje edhe me Tajvanin, që nuk ka një garanci të qartë të mbrojtjes nga Amerika.

Në vend se të përpiqet që të minojë rrjetin global të aleancave dhe bazave amerikane, Kina mund të përpiqet që të ndërtojë sistemin e saj alternativ. Doshi argumenton se Kina po përgatitet që të zgjerojë praninë e saj ushtarake globale – ndoshta duke shtuar një komponent ushtarak, krahas objekteve portuale civile që ka blerë apo zhvilluar në të gjithë botën.

Por megjithëse është e besueshme se mund të ndodhë, ky lloj zgjerimi nuk ka ndodhur ende. Edhe nëse Kina do të kishte një prani detare në porte të tilla si Guadar në Pakistan,apo Hambantota në Sri Lanka, duket se nuk ka gjasa që Pekini të ofrojë garancitë e sigurisë, si ato që kanë bindur shumë vende të mirëpresin trupat dhe bazat amerikane.

SHBA-ja është e përkushtuar të mbrojë 29 aleatët e saj në NATO, dhe ndërkohë ka ofruar mbrojtje ushtarake për afro 30 vende të tjera, përfshirë Japoninë, Australinë, Korenë e Jugut dhe pjesën më të madhe të Amerikës Latine.

Nëse Kina nuk dëshiron apo nuk është në gjendje që të ketë një prani ushtarake globale që e rivalizon atë të SHBA-së, atëherë asaj mund t’i duhet të gjejë një mënyrë të re për të qenë një superfuqi, ose të heqë dorë nga ambicia./ Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Migracioni i paligjshëm, Balla: Të gatshëm për bashkëpunim në nivel operacional, mbështetje më të fortë nga BE

Ministri i Brendshëm Taulant Balla: Falë angazhimit të institucioneve ligjzbatuese, gjatë vitit 2024 ka patur një ulje të rasteve të…

Global 360

Baku Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026

Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, është emëruar Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026 nga Federata Evropiane e Kryeqyteteve dhe Qyteteve…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Kthehuni në Itakë!

Sot në Athinë, ne pamë se kjo diasporë nuk ka më nevojë të shtohet por të kthehet në atdhe.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Migracioni i paligjshëm, Balla: Të gatshëm për bashkëpunim në nivel operacional, mbështetje më të fortë nga BE

Ministri i Brendshëm Taulant Balla: Falë angazhimit të institucioneve ligjzbatuese, gjatë vitit 2024 ka patur një ulje të rasteve të…