Imazhi i ri i Shqipërisë motivi kryesor i boom-it turistik!

Duket se autoritetet më në fund kuptuan rëndësinë e madhe që ka imazhi i mirë i vendit


Nga Dritan Gremi

Duket se autoritetet më në fund kuptuan rëndësinë e madhe që ka imazhi i mirë i vendit. Mbi të gjitha kuptuan që “lufta” për përmirësimin e tij duhet bërë dhe fituar jashtë kufijve të Shqipërisë.

Për ta argumentuar më mirë këtë tezë, mjafton të bëjmë një analizë të shkurtër për të kuptuar se çfarë ka ndryshuar realisht vitin e fundit për t’u shpërblyer me një fluks kaq të madh turistësh.

Në fakt shumë pak, ose për të thënë asgje e rëndësishme nuk ka ndryshuar. Kemi të njëjtën infrastrukturë rrugore dhe rreth 90% e strukturave akomoduese janë të njëjtat e 2-3 viteve të fundit. Cilësia e shërbimeve gjithashtu nuk është përmirësuar, në mos është përkeqësuar. Kjo si pasojë e ikjes së profesionistëve të sektorit jashtë vendit.

Po atëherë çfarë ndodhi? Cilat janë arsyet e këtij boom-i të papritur turistësh të huaj, kryesisht italianë?

Arsyeja kryesore dhe e padiskutueshme lidhet padyshim me ndryshimin e imazhit të vendit. Imazhi i Shqipërisë, mbi të gjitha në shtetin fqinj, Italinë, ka ndryshuar. Sot Shqipëria nuk shihet më si vendi nga ku niseshin emigrantët e paligjshëm drejt brigjeve italiane, fillimisht me anije, e më pas me gomone. Sot shqiptarët nuk etiketohen më si trafikantë të qenieve njerëzore dhe të narkotikëve. Edhe pse fatkeqësisht roli i grupeve kriminale shqiptare është forcuar së tepërmi, kjo nuk reflektohet në panoramën e mediave të huaja, përkundrazi.

“Tsunami” mediatik që përfshiu vendin tonë, pikërisht në pikun e sezonit turistik, i dha një shtysë të fortë dhe të drejtëpërdrejtë fluksit të turistëve italianë, duke i dyfishuar prurjet, krahasimisht me vitin e kaluar.

Kryeministri Rama, me foton satirike të anijes “Vlora” që publikoi në rrjetet e tij sociale, bëri një gjetje vërtet gjeniale. Ai shkaktoi një efekt domino në mediat më të rëndësishme italiane, duke rrëmbyer titujt e faqeve të para të gazetave, por dhe kronikat e lajmeve në televizionet më prestigjoze të shtetit fqinj. Me një goditje prej “fuori classi” alla Maradona ai shënoi golin më të rëndësishëm të këtij viti, duke na dhënë dhe fitoren.

Kjo nuk është goditja e vetme mediatike që ai ka bërë për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë. Vizita e Kryeministres Meloni në vendin tonë, në 15 gusht, ditën e “Ferragosto-s”, pikërisht në kulmin e sezonit turistik, u pasqyrua gjerë në mediat italiane.

Gjithashtu, dërgimi i infermierëve shqiptarë në shtetin fqinj, disa vite më parë, në periudhën e Covid, ishte një tjetër lëvizje e zgjuar e cila mori të gjithë titujt e parë të gazetave dhe kronikave të asaj kohe. Ky gjest modest u shndërrua në një bombë mediatike dhe pasqyroi një Shqipëri tjetër, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e imazhit tonë.

Pra pa më të voglin dyshim, Kryeministri mund të kurorëzohet si lojtari më i mirë i i këtij viti dhe meriton një BRAVO!

Të flitet për Shqipërinë si një detinacion turistik është një fitore në luftën për imazhin e një vendi, por vetëm njëra anë e medaljes dhe kjo nuk mjafton!

Pikë së pari na nevojitet një strategji e përbashkët kombëtare e turizmit me vizionin e së ardhmes. Duhet një skuadër profesionistësh, me njerëz të aftë për t’u përballur me konkurencën e fortë të vendeve të Mesdheut, me ide të qarta mbi të gjitha për rritjen e performancës dhe standardeve.

Në kohët kur rrjetet sociale dhe influencerat janë të aftë ta shpërndajnë fjalën, shpesh edhe më fort se mediat apo ekranet televizive, për fat të mirë apo të keq e vërteta nuk mund të fshihet apo tjetërsohet.

E marketuar si një destinacion për pushime të lira, duket se Shqipëria arriti të joshte, por njëkohësisht edhe të zhgënjente.

Vendi i bukur, me natyrën e kombinuar, e etiketuar si Maldivevet e Europës duket se nuk mjaftoi për të përmbushur pritshmëritë e atyre që kërkuan cilësi, me idenë se po vinin të gjenin çmime të lira.

Edhe pse gjetja e cilësisë me një kosto të lirë është shpesh mision i pamundur, zërat pro dhe kundër pushimeve në Shqipëri nuk munguan as këtë verë. Nga një anë ishin vetë turistët që në disa raste nuk i përmbushën pritshmëritë e tyre, e në krahun tjetër ishim vetë ne, që pas trumbetimit të Maldiveve të Europës si një oaz pushimesh me kosto të lirë, duket se arritëm të sjellim në vend vetëm turistë “low cost”, që do të thotë me kohë të shkurtër qëndrimi, me akomodim në rulota apo çadra, e rrjedhimisht me më pak të ardhura se pritshmëritë tona.

Është e qartë se një det i bukur dhe ca reklamë në rrjetet sociale apo mediatike, nuk mjafton për t’u kthyer në një destinacion turistik, e për më tepër për të mbijetuar si i tillë në zemër të Mesdheut, ku grekët, italianët, spanjollët apo kroatët na konkurojnë tashmë me përvoja disa dhjetra vjeçare, e me një kulturë të afirmuar në të bërit turizëm.

Sigurisht që deti i bukur, mikpritja, kulinaria apo çmimet relativisht më të lira se në Europë na ndihmuan për të tërhequr vëmendjen dhe shtuar shifrat. Por mungesa e vetëdijes dhe përvojës, paftësia për të vlerësuar kapacitetet tona reale, cilësinë e shërbimeve që ofrojmë në raport me tregun dhe vendet e rajonit, mungesa e eksperiencës për të thithur targetin e duhur të turistëve që na përshtatet me tepër, të gjitha këto na sollën kaos. Për fat të keq kaosi mbretëron edhe në mënyrën e dhënies së shërbimeve, e përgjithësisht në konceptin e të bërit turizëm.

Mënyra kaotike dhe mungesa e strategjive dhe ideve të qarta, mungesa e strukturave të specializuara hoteliere, problemet me infrastrukturën dhe transportin interburan, shërbimi, mugesa e stafit të kualifikuar apo situata me plehrat duket se nuk na avantazhuan edhe këtë verë.

Pyetja është se ç’do të ndodhë më tej? Nëse turistët e këtij viti do të mbeten një okazion apo do të pasohen nga të tjerë varet vetëm nga ne. Të kesh një strategji për turizmin nuk do të thotë vetëm të bësh numra. Pikë së pari duhet të kesh ide të qarta, se kë, si, dhe nga do ta sjellësh turistin, në mënyrë që t’i ofrosh shërbimet dhe ofertat e duhura. Ndërsa ajo çka është akoma më e rëndësishme dhe që nuk duhet ta harrojmë kurrë është pritshmëria. Turistët nuk duhet të kenë pritshmëri të gabuara në mënyrë që të mos zhgënjehen.

Duhet të kemi aftësinë të projektojmë në afatmesëm dhe afatgjatë strategjinë tonë me një model zhvillimi unik, i cili nuk duhet të jetë kopje e asjnë modeli tjetër. Ky model duhet të karakterizohet nga tradita, kultura, historia, kulinaria, e mbi të gjitha të ngrejë sa më lart brandin “made in albania”, duke na bërë të gjithëve të ndjehemi krenarë që jemi Shqiptarë.

Vetëm kështu do mundim të shkojmë sa më larg në këtë sektor dhe t’i sjellim sa më shumë të ardhura ekonomisë. Përndryshe boom-i i trumbetuar si sukses do të rrezikonte të kthehej në boomerang, me pasoja të parekuperueshme, ku lajmi më pikant i verës do të mbetej jahti me vela i Jeff Bezos që vjen të furnizohet me karburant.

Marrë nga “My Albania

Gonxhja: Rreth 12 mijë vizitorë vetëm të shtunën në muzetë e vendit

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit publikon foto nga muzetë, në të cilat janë mbajtur edhe aktivitete artistike e kulturore.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Gonxhja: Rreth 12 mijë vizitorë vetëm të shtunën në muzetë e vendit

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit publikon foto nga muzetë, në të cilat janë mbajtur edhe aktivitete artistike e kulturore.