Një primitiv modern në atelierin e Helidon Halitit

Vallë ky piktor modern ishte frymëzuar nga murgjit e autoportreteve? Cili është ky piktor-murg?


Nga Luan Rama

Mjaftojnë veç disa tablo të një piktori për të kuptuar origjinalitetin e tij në raport me mendimin, ngjyrën dhe kompozicionin, në raport me artin dhe shijen e epokës që jetojmë dhe ngasjen që sjellin në lëmin social, artistik e filozofik.

Në atelierin e Helidon Halitit ishte hera e parë që shkelja dhe një orë më vonë u largova duke mbartur të ngjizur në sy ato vetportrete, që rradhazi, ato më çuan në kohra të tjera.

Nga njëri vetportret në tjetrin gjithnjë e më shumë e shihja autorin si një murg, i ngjashëm me çka kisha parë në traditën kishtare shqiptare të Muzeut Mesjetar të Korçës, madje përfytyrimet më çonin më tej, drejt autorëve primitivë botërore, ata që çmoheshin aq shumë nga autorët e Rilindjes apo të fillimit të epokës moderne siç ishte Matisse, i cili i befasuar nga ato portrete shenjtësh dhe vetportrete të piktorëve të vjetër, kishte shkruar për piktorët e gjeneratës së tij: ”Duhet të vini këtu të mësoni, sepse tek primitivët mund të gjesh frymëzimin…”

Shikoja vetportretet e Halitit dhe pyesja veten: C’ndodh kështu? Më ngjan se jam mes shenjtësh, mes pergamenësh “enlluminé”, të purpurta, ku shkronjësit e teksteve biblike, në miniaturat linin dhe portretin e tyre.

A nuk kishte ndodhur kështu me anonimët dhe primitivët e kishave të Ohrit dhe Prespës apo kishave malore shqiptare.

Dhe përsëri thoja me vete: “Përse vetëm vetportrete të krijuara rradhazi në muaj dhe kohë kovidi që qëndronin ashtu, si në korridoret dhe oborret e abacive dhe manastireve të vjetra, ku “scriptori” kishte gjetur vetveten. Vallë ky piktor modern ishte frymëzuar nga murgjit e autoportreteve? Cili është ky piktor-murg? Cilës kishë i përkiste? Padyshim i ritit bizantin mbi të cilin mjeshtrat shqiptarë të traditës pikturale u frymëzuan dhe dhanë kryeveprat e tyre edhe pse nuk i shohim autoportretet e tyre. Në fakt është fryma ajo çka është e ngjashme mes tyre…

Në gjithçka të pikturuar, në të njëjtën fytyrë, ku ndonjëherë njëri sy është goditur me një të rënë të fortë peneli, çka s’mund ta shohim, në atë botë homogjene për të shprehur një ide, ndjen vërtet dorën e një mjeshtri.

Theofan Greku pikturonte fytyrën e tij ashtu si Andrej Rublev të shekullit XV, të cilët na lanë ikona të mrekullueshme, çka bënë që artistët e Europës të kthenin sytë nga primitivët. Ja pse në këto vetportrete unë gjej një përafri me primitivët e Lindjes, me fytyrat e shenjta apo të besnikëve të shenjtëve, me vuajtjet e tyre, dhimbjet e përjetuara në një kohë të gjatë, aq sa marrim formë nën një penel të përkyer, në linjat apo brazdat që hapen në fytyrë, në të kuqen që flakëron apo të zezën që ku është mpiksur një trisht i madh, tejet kohor, vetportrete ku janë mpiksur mbi telejo vetmia, vuajtja, habja ndaj tokës e qiellit, mosbesimi dhe dyshimi mbi ekzistencën e zotit.

Ky murg i sotëm, i quajtur Helidon Haliti (që shumë vite më parë kishte humbur në botën e legjendave dhe miteve, prirë nga Kënga e Kostandinit) duket se frymon në një kohë të papërcatuar, jashtë sistemeve shoqërore, të cilat duket se nuk i pëlqejnë. C’rëndësi ka sistemi kur liderët e tyre mendojnë gjithnjë vetëm për lavde, pushtet, pasuri. Kështu artisti tërhiqet në atelierin e tij, bëhet murg, jeton si murg, mendon si i tillë dhe i hakërrehet fytyrës së tij si një Job që Zoti i dërgonte sfida pas sfidash, vuajtje pas vuajtjesh, që të shikonte nëse ky njeri do t’i qëndronte besnik apo jo. Madje në disa vetportrete, murgu-piktor ka vendosur dhe shkronja, dy-tri rreshta, duke imituar shkronjësit e heshtur të “scriptoria”-ve të mijëvjeçarit të parë.

Një vetportret në violet dhe okër, e gjatë, krenare; më tutje një tjetër vetportret që duket se na vjen nga larg, nga një epokë blu, si në kohën e shkëlqimeve të mëdha të Konstantinopojës… Ja një tjetër fytyrë eshprishur siç duket nga luftrat e panumurta ku vetëm sytë i shndrijnë në blunë e një deti të thellë. Në një tjetër vetportret, është murgu i revoltuar, artisti-murg që klith me heshtjen e tij, e më tutje sozia e Job, mundimtarit klasik, të handakosurit të të Dhjatës së Vjetër me një gjysmë fytyrë të gjymtuar nga zija. Kaq shumë vetportrete ku Haliti ka jetuar me historinë dhe përkushtimin e njeriut, pavarësisht nga sfidat që ka patur përballë. Ai ka mbijetuar në të gjallë dhe përtej vdekjes së tij. Mësimi i vetportreteve të një Da Vinçi, Raffaelo, Tiziano, Cranah, Lippi e më pas Rembrandt është pararendës për të gjitha gjeneratat e pikturës së kësaj bote.

E njëjta fytyrë na shfaqet dhe rishfaqet, dhe ne jemi gjithnjë përballë habisë, kënaqësisë, përjetimit artistik. Ai është gjithnjë ballë nesh, pa fjalë, edhe pse ne lexojmë në sytë e tij, në ashpërsinë e fytyrës, në ngjeshjen e fortë të penelit s’dihet nga ç’zemëratë, madje dhe në krijimin e një damari që ka kërcyer, në momentet e një shpërfytyrimi apo të një dehjeje ku e kuqja ekarlate prin. Fytyra e vet artistit na heton me syrin e tij zhbirues si të dojë të zbulojë tek ne nëse e pranojmë që artistit i duhet të krijojë në vetmi. Edhe pse vuan shpesh nga indiferenca shoqërore ai është në vetvete prijës i shoqërisë, gjithnjë drejt të resë, modernes, pavarësisht nga epokat pasi arti i madh në çdo kohë është modern, mbetet modern.

Mud të kisha shkruar për tablotë e panumurta të tij, portrete apo akuarele të mrekullueshme dhe tepër delikate me një elegancë fluide dhe shumë poetike, do kisha shkruar me kënaqësi veçanërisht ato mistike, të përrallës dhe legjendës, por ky cikël vetportretesh më ngjan i veçantë në pikturën e sotme shqiptare për optikën e tij dhe kohën që ato mbartin mbi fytyrë: murgj të të gjitha kohrave! Në fund të fundit, piktorët u ngjajnë shumë murgjëve…

————-
Botuar në EX LIBRIS
————-

Lexo më shumë nga

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.