Publicisti Zylyftar Hoxha, një jetë mes televizionit, gazetave dhe librave

Mes publicistëve të sotëm, unë kam veçuar një mjeshtër të rrallë të fjalës, ku spikat një profesionalizëm i padiskutueshëm.


Nga Mihal Gjergji

Mes publicistëve të sotëm, unë kam veçuar një mjeshtër të rrallë të fjalës, Zylyftar Hoxhën. Aq i afeksinuar jam me krijimtarinë e tij publicistike, sa kam bërë një libër të tërë kritik për të, të titulluar “Drithërimat e fjalës – publicistika e Zylyftar Hoxhës”.

Ky mjeshtër, natyrisht është gazetar i vjetër por, ”i humbur” në masën e gazetarëve mediokër dhe militantë partiakë që e kanë rrethuar vazhdimisht dhe që janë përpjekur të mos dalë në dritë. Dikush e ka quajtur “punëtor mëditës” i gazetarisë dhe medias. Dhe ashtu ka qenë vërtet, ka provuar të gjitha përvojat, të gjitha gjinitë gazetareske, pa harruar asnjë herë atë që ka patur më për zemër, reportazhin letrar, ku spikat një profesionalizëm i padiskutueshëm.

S’është i vetmi që meriton vlerësime, por qëndron denjësisht krah më të mirëve. Dua të besoj se bindjen time s’do ta tradhtojë koha. Ai është një prej publicistëve më të lexuar. Janë të shumtë lexuesit, të specializuarit – jo! Gjithsesi, këta të fundit kanë heshtur, sikurse unë, të tjerë kanë guxuar të publikojnë mendimet e tyre.

Kam lexuar disa, të cilët kanë bërë objekt të shkrimeve të tyre autorin në fjalë, dikush krijimtarinë e tij, e të tjerë kryesisht atë. E pse mos ta them, jo rrallë kanë sjellë si në një procesverbal inventarizimi pjesë të shkëputura nga jeta e autorit; shkollimi, pasionet, vendet ku ka punuar etj. Interesin e kujt mund të zgjojnë trajtesa të tilla? Kujt i intereson privatësia e një autori? Ndoshta një numri të kufizuar. Kanë dashur të shprehin shumë dhe kanë thënë fare pak.

Zylyftari s’ka nevojë për lavde e dekorata, sepse kush i ka merituar ato, s’i nevojiten. Kështu shprehet edhe Balzaku në vlerësimet e tij për njerëzit e artit. Por kjo s’nënkupton harresën e plotë, për faktin se, virtyti, në të shumtën e rasteve vishet me lecka, ndërsa vesi me mëndafsh…

Përjetimet e tij përmes vëzhgimit të mprehtë e të detajuar, kanë lënë gjurmë, kanë ngjyrosur brendinë e tij. Pastaj, shpirti fillon të flasë përmes fjalëve. Pikërisht këtu mund të gjurmoni mitin personal të autorit, boshtin e tij krijues, tematikën që ka rrokur në veprën e vet. Aty janë të shtresëzuara asociacionet e ideve me ose të pandërgjegjshme, herë të shpallura mes gjuhës metaforike e herë të fshehura në strukturën e veprës. Aty bëjnë vend jeta dhe përjetimet e çdo krijuesi, bashkëjetojnë fëmijëria e vështirë me maturinë e mendimit.

Te Zylyftari, kanë mbi vete një tis të hollë e të ndritshëm si të thurur me ngjyrime ylberi.
Është dashuria. Ajo ngroh dhe të shpie te gurra ku ka pirë. Është mençuria popullore, ajo filozofi e pakrahasueshme gjykimi…

Kam lexuar edhe shkrime vlerësues mjaft interesante për autorin në fjalë, por pa emrat e tyre. S’e di pse kanë nguruar t’i vendosin, ndërsa i kanë publikuar në internet. Besoj se është me interes të afroj mendimet e njërit prej tyre, ndërsa në vijimësi edhe të një tjetër lexuesi që jep gjykime po kaq interesante:

“…Nuk ka ngjyrë kodoshllëku e poshtërsie oborri e oborrtarësh që nuk e kanë kapur me finesë penelatat e Zylyftarit. Te çdo kalim peneli të del para syve vetëm “e gjalla”, e lëvizshmja, jetësorja, realiteti! Vetëm një gazetar besnik ndaj tyre mund ta bëjë këtë. Shpërdorime pa masë, shtirje e hipokrizi pa masë, shpërdorim pa masë i djersës së popullit, ”lëkura” perëndimore dhe “truri” lindor i mbretit dhe i zymbylave që e rrethonin, varësia nga kapitali i huaj, ardhja në pushtet nëpërmjet cubllëkut e mercenarizmit, mentaliteti sundues turkoshak i pushtetit dhe i mbretit etj, janë vizatuar mjeshtërisht.

 Ky mjeshtër, natyrisht është gazetar i vjetër por, ”i humbur” në masën e gazetarëve mediokër dhe militantë partiakë që e kanë rrethuar vazhdimisht dhe që janë përpjekur të mos dalë në dritë.

 Por, Zylyftari e njeh notin shumë mirë sepse e mësoi në dallgë. Ka ditur t’ia dalë në krye me këmbënguljen dhe vendosmërinë e tij. E dinte se “gazetaria pushon kur nuk noton kundër rrymës” dhe kur nuk përsos mjeshtërinë e të shkruarit apo nuk përvetëson dinakërinë brehtiane
të përhapjes së të vërtetës edhe atje ku e vërteta nuk ka lëshuar rrënjë, ku ajo nuk lejohet të dalë lakuriq. Lakuriq si ky mbret!

Ndiqeni Zylyftar Hoxhën dhe kini për të parë besnikun e pamposhtur të së vërtetës, të së vërtetës që e duan njerëzit idealist. Qëndro indiferent ndaj mallkimeve të së keqes. Qëndro besnik i misionit të gazetarit të cilin një mendje e ndritur e ka përcaktuar si “shpirt revolte, i lindur e i bashkuar me aftësinë për të shkruar”.

  Ju i kini të dyja. Mos pusho e shkruaj të vërtetën. Ne e duam mbretin gjithnjë lakuriq. Nudo! Të dy bashkë me Tanja Visarjovën!
Tung!…”

 

Një përshkrim interesant që të lë pa fjalë. Autori i këtyre rreshtave e ka ndjerë publicistikën e Zylyftarit, e ka përjetuar atë. Por, ky është edhe qëllimi i librit dhe medias; të informojë dhe të edukojë, apo jo? Gjithmonë…

Doemos që Zylyftari është kalorës, por jo i pafat siç parapëlqen të cilësojë ai disa prej miqve të tij të letrave, autorë të mirënjohur, të ngjitur në lartësinë e klasës së artit. Ai luan me fjalën, si me një lodër. Fillimisht e nxjerr nga thellësitë, nga mademi, atje ku janë rrënjët tona, mandej e gdhend me daltën e mendimit, e laton me kujdes, e ushqen me prushin e shpirtit, që të ndrijë e të ngroh. Por kjo s’mjafton, andaj vazhdon ta veshë me ngjyrimet e artit, jo për marketing, sepse ai s’është tregtar. Tjetër gjë e shtyn dritën në kahen e vektorit të dukshëm për syrin tonë. Mjeshtri prodhon gjëra të bukura, të denja për shpirtrat tanë të trazuar.

Përtej kumtit që përcjellin thuajse gjithë autorët: – lexomëni dhe mua, njihuni me botën shpirtërore dhe idetë e mia, Zylyftari shkon më larg. Thirrja e tij lexohet edhe ndryshe: – a keni sy për të parë?

Ja, filloni me malin e Tomorrit, obeliskun tone kombëtar, djepin e Dodonës pellazge. Aty është historia jonë e panjohur, e përgjumur në thellësi të shekujve. Ngjituni në lartësi të tij, të paktën vetëm një herë në jetën tuaj e, prej andej, shikimi mbërrin deri në bregun e detit, atje ku fusha Muzakie puthet me kaltërsinë. Pastaj autori rend në çdo cep të dheut të tij. Sa e vogël ka mbetur Shqipëria! Fatkeqësisht! E shikon me kujdes, e fotografon për të ndalur kohën, rrëmon thellë në histori, takon njerëzit për të lexuar përjetimet, për të parë plagët e tyre, për të prekur ëndrrat, pastaj zërat e tyre na i sjell neve…

Krijimtaria e tij është në tavolinën time, por jo vetëm. edhe brenda meje. Ja që mund të bashkëbisedosh me atë, mund të flasësh pa drojë, sepse ai është aty, brenda veprës. Unë e pyes dhe ai më përgjigjet: “Ku s’më çon mendërisht ky arsenal mediatik me të cilin “kam luftuar” gati gjysmë shekulli?!… Tani ai rri në një kënd të bibliotekës sime si një pushkë e një luftëtari të vjetër, varur në gozhdë, por që “flet”…se ende nuk i është ftohur gryka!…”. Ai s’është larguar nga fronti, është ende në betejë. Vërtet interesante!

Zylyftari nuk shkruan me referenca, e ka minimizuar deri në mënjanim të plotë këtë proces, për shkak se i referohet më të lartës dhe më të ndritshmes, filozofisë së popullit. Kjo është një veçori e krijimtarisë së këtij autori. Atdheu është frymë, është shenjtërim, një diell që na ngroh brenda kraharorit, secilin prej nesh, por ka edhe peshën e rëndë të kryqit, është edhe “buka e uritur”, siç shprehet poeti ynë, Fatos Arapi. Po kjo s’e pengon Zylyftarin ta dojë vendin e tij, madje me shumë dashuri.
Sikur ta dinin që jam duke bërë objekt analize krijimtarinë e Zylyftar Hoxhës, më erdhi në ndihmë në kohën e duhur një autor tjetër anonim, sepse ndan të njëjtat mendime me mua:

“Te libri “Orakuj të harruar” janë disa perla të një dore atdhetare që dridhet nga malli kur shkruan për këtë trevë, e cila tej e tej ka një histori luftërash dhe në çdo pëllëmbë mban flori. Floriri më i ndritshëm është njeriu i kësaj krahine, krenar për ekzistencën e vet mes këngësh e
plumbash, mes gurësh e lisash…

Shumëkujt që e lexon Zylyftar Hoxhën i bie në sy menjëherë se, me lapsin e tij të mprehtë, në përshkrimet e reportazhet e sjell Skraparin, por jo vetëm atë, në mes të Tiranës. “Merreni, thotë, se u ka marrë malli!”

U vini veshin numrave: sundon dyshi. Ekzistenca e të dyve: skraparlliu dhe Tomori; kënga dhe dyfeku; lakrori dhe çyreku; nusja dhe dhëndëri; gjarpri dhe varri; lumi dhe ura; dëbora dhe mali; mësuesi dhe nxënësi; mekami dhe bektashinjtë; gjenerali dhe ushtarët; udhëheqësi dhe
fshatari; Vala gjermane dhe Ilmiu sevranlli; plaku me përvojë dhe i riu i guximshëm; poeti dhe lexuesi; i sinqerti i kudogjendur e faqebardhë dhe i pabesi i maskuar faqezi; burrërori dhe servili; punëtori dhe dembeli; fitorja e përhershme (por me aq sakrifica) dhe humbja e përkohshme (dhe aq e dhimbshme); e bukura dhe e shëmtuara; e vjetra plagosëse dhe e reja ngadhënjyese…

Portrete që të duket se je duke u dhënë dorën për t’i ngjatjetuar, ndonëse përshkruhen me fjalë të kursyera. Në libër renditen edhe çetat e Skraparit për liri e pavarësi; luftëtarët e tyre me pushkë e me penë. Autori gjen vend të na shkruajë për Gramshin e Tomorricës që dikur ishte qytet, por nxjerr se nga ky fshat ka dalë arkitekt Kasëmi që bëri emër në kohën e Perandorisë Osmane. Edhe frashërllinjtë tanë të mëdhenj, origjinën e tyre e kanë pikërisht nga ky fshat. Por ai vijon e flet edhe për Antonio Gramshin e shumë figura të tjera.

 Shkruan për heronj si Lace Backa e Kahreman Ylli, e të tjerë që e deshën Skraparin e luftuan për të. Ai nxjerr në pah se skraparlliu pushkën dhe mikpritjen nuk i ndante. Edhe kur flinte dyfekun e mbante te buxhaku, nën jastëk. Bukur janë përshkruar traditat, mikpritja, zakonet e bukura, këngët e vallet që këndohen e hidhen në ato zona. Ndjenjat e tij janë ulur këmbëkryq në ato vatra, me bukën e ponicës në dorë dhe pjatat me fasule laragushe aq të shijshme. Aty edhe me gjizën e shakullit edhe turshitë. Kadaja përpara e kënga zien. Jashtë dëbora qëndis faqet e maleve. Janë të përziera bashkë ndjenjat dhe mallëngjimi, krenaria dhe krijimtaria…

Xhebro Gjika në Ostrovicë, një madhështi skraparovlonjate! Një pikturë shpirti. Xhevahir Spahiu, një lloj Naimi i ditëve tona, siç shprehet ambasadori ynë në Kroaci, edhe pse është lindur në Malind. Një poet sa i  madh aq shpirtdelikat, sa i thellë në vargun dhe fjalën e tij poetike, margaritar, aq i parë vëngër (nga disa që dine të shohin veç ashtu); Iljaz Kapxhiu (i spikaturi, në mos i vetmi në ato përmasa, në Skrapar),“gjembi” therës aq i saktë për anët negative të shoqërisë socialiste, që historikisht nuk duhet mohuar. Ndonëse me fjalë të thjeshta, humori i shndritshëm i Iljazit që mbetet një…kapak për të gjitha tenxheret boshe apo plot të kohës. Ai ishte mjeshtër i fjalës kritike për të mirën e njerëzve; e Zylua, me të drejtë, i mëshon shumë kësaj ane: humori të luajë rolin e një force lëvizëse të shoqërisë e jo të vulgarizojë apo të poshtërojë…

 Petro Marko, ky detar demon i bregut tonë, që kurrë s’u përkul…Dhimtër Shuteriqi në Çorovodë…Një episod tjetër tepër të rrallë për të madhin e të mëdhenjve në letrat dhe historinë shqiptare, Fan S. Nolin dhe Skraparin…Sulejman Qafa e Tefik Rama, Medi Kushe e Vala Tunger, për të mos harruar Dritëro Agollin, të madhin e popullorin e të gjithëve…, galeri personazhesh që me anë të detajit dalin të plotë në madhështinë e tyre. Por për lexuesin,
personazhi më intim, i goditur dhe tepër i dashur, është edhe vetë autori…”

E, përsëri unë them se mungon diçka. A do mjaftonin shënimet e Xhevahir Spahiut, analiza e Jovan Janos , mendimet e Naim Zotos, Namik Selmanit, Fatos Baxhakut, Ilmi Qazimit, etj?

Mungon edhe zëri i qindra e qindra lexuesve të tjerë, të cilët, i ka prekur magjia e fjalës së mjeshtrit, por ende s’janë shprehur. Mos harroni, edhe zëri im mungon.

Një intervistë ndryshe

E gjykova të arsyeshme se, një intervistë me Zylyftar Hoxhën do kishte më shumë vlerë. Nuk është një intervistë klasike, me pyetje dhe përgjigje. Jo është një bisedë “e vjedhur” e bërë herëpas here, për krijimtarinë e tij, sa herë që takoheshim bashkë.

“Babai im, Ismaili, jetoi dhe vdiq bashkë me idealin e tij. Vetëm ai e kuptonte fëshfërimën e gjetheve të lisit, gjuhën e tyre, dhe ndjente nga larg erërat që zbrisnin nga lartësitë Tomorrit. Me pëllëmbët e tij të argasura nga puna, ledhatonte gurin dhe parmendën e bujkut. Dinte të bënte miq, i kishte lezet trapezi.

Nëna ime, Qazimeja, e qeshur si dielli. Zoti i dha dhjetë fëmijë, të bukur dhe të shëndetshëm,  i plotësoi dashurinë e munguar të prindërve. E dha shpirtin tepër e hidhëruar. Kishte vite që e kishte braktisur gëzimin njerëzor. Sytë e saj kullonin lot të hidhur.

Në vitin 1993 humbi djalin, Kastriotin 30 vjeçar. Sapo ishte fejuar. Varfëria e detyroi të shkonte në shtetin fqinj, në Greqi. I duheshin lekët për të ndërtuar strehën e tij të re. Fati s’i buzëqeshi. Humbi jetën në një aksident. Ne s’morëm asnjë njoftim, emigrantët e pyetur nga policia s’e njihnin. E varrosi Bashkia e qytetit në Lamie.

 Nëna kërkonte djalin, të qante te varri i tij. Sa shumë ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Ishte djali i vogël. Ç’të bënim? Duhet të mbushte pesë vjet atje, pastaj ta sillnim në Shqipëri. Kam shkuar me njërin nga vëllezërit e mi, për të parë vendin ku prehej. Varrin ja gjetëm të mbuluar me karafila. Një sportist me emër ishte krah tij. Takuam nënën e këtij djali fatkeq.

 –Janë shok, na tha ajo, jetojnë në të njëjtën banesë.  Unë u sjell karafila të freskët çdo ditë…

  Oh, Nënat! Ato janë njëlloj të dhembshura në gjithë botën, si nëna ime, Qazimeja. E sollëm Kastriotin pas pesë vjetësh, mirëpo tashmë nëna ime kishte marrë tatëpjetën. Vetëm qante, ashtu, zemërcoptuar. Pinte duhan dhe ndonjë kafe të hidhur. Pastaj ju dorëzua vdekjes. Ajo plagë ka mbetur e hapur për motrat dhe vëllezërit, është një plagë që dhemb, por jo si ajo e nënës. Ajo ka formën e varrit.

 Kam dy fëmijë që i dua shumë, Eraldin dhe Orgetën. Nuk e di, ato që kam shkruar, a do t’i njihni si krijesat e mia? Më dhimbsen edhe ato.

 Kam gruan, Lavdijen. E kam marrë nga dheu im. Flasim një gjuhë dhe kuptohemi aq mirë.

 Nuk kam parti, jam dy herë jetim. Mi kanë marrë të gjitha, Edhe gazetën “Dielli i Tomorrit” edhe shoqatën. Sa shumë jemi lodhur, bashkë me Xhevahirin dhe skrapallinjtë e tjerë, vetëm ne e dimë.

 Kam lindur ditën e Shëngjergjit, por jam rregjistruar vonë, më 8 qërshor 1947. Kam mbetur i varfër, por vetëm ekonomikisht. Perëndia ime është ky popull flori. Të zgjedhurit e mi janë banorët rreth malit të Tomorrit, pastaj, trapezin e kanë mbushur të ftuarit. Ata kanë bujtur nga çdo cep i Shqipërisë. Këta s’mund të mi marrë askush. S’munden. As fjalën time. Brenda saj është e vërteta. E kam kërkuar me stërmundim dhe ua solla. Tashmë jam 75-vjeçar, kam nevojë të prehem…

 Kam motra dhe vëllezër, nipër dhe mbesa, miq dhe kundërshtarë. Kam dhe të vdekurit mi. Shkoj e çmallem me ta, u shpie lule dhe ndez qirinj. Njeriu ka nevojë edhe të qajë, të derdhë lot, sepse qan zemra jo syri. Shtatëdhjetë e pesë vite janë sa shtatë jetë, apo jo? Kupat e zhgënjimit i kam pirë shumë herë, e tashmë, si ai që është djegur nga qulli, i fryj kosit…

 Kam gjysmë shekulli që shkruaj dhe botoj (shkrimi i parë ka qenë në vitin 1966 në “Zëri i Rinisë” dhe i fundit, s’mund ta them, sepse vazhdoj të shkruaj), kam lidhur jetën dhe kam ushqyer fëmijët me këtë profesion; sepse e kam dashur si një profesion jetësor që të lidh me njerëzit dhe që prodhon fryte dashurie; sepse ka qenë një zeje ndjenje dhe pasioni; sepse i kam bërë gjimnastikë mendjes dhe e kam atë të freskët dhe të begatë më shumë se asnjë herë tjetër. Do të më shajë ndonjëri se mburrem dhe nuk tregohem pak modest, kur them di të shkruaj. Le të thonë ç’të duan. Unë di të shkruaj, jo se them vetë, por lexuesit e mi të shumtë…”

 Zylyftari qëndron i heshtur brenda fisnikërisë së tij. Rrugëtimi i tij është i gjatë; fillon me “Flakërimat” që mbajnë brenda sarkazmat therëse, pastaj, për “Orakuj të harruar”, merr përsipër barrën e rëndë të rrëfimtarit të palodhur, për muzeun natyror dhe njerëzor të Skraparit, ndalon pak te veshjet e çmuara, të cilave s’ua dinë vlerën ata që i mbajnë – “Edhe ti o Brut!?” dhe vazhdon me “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë historike dhe kulturore”, evidenton histori interesante nga gjithë trevat shqiptare, eshtra të mbetura mbi e nën dhe, heronj të qarë e të paqarë, personalitete të shquara të mbetura në humbëtirën e kohës; libri më i fundit, “Neki Sula, dy libra në një, monografi dhe dhe Zaloshnja histori”. Aktualisht në pension, pa sponsorizim dhe ndihmë tjetër, drejton një gazetë online, të organizuar dhe kuruar bukur, shumë të ndjekur, “Orakujt e Tomorrit”.

 Nuk e di ku do të ndalë. Unë jam duke kërkuar gjurmët në udhën ku ka shkelur. Mirëpo zëri që zbret nga lart më kujton se duhet të ndalem këtu, sepse, “sikur biri i Adamit të kishte një luginë me flori, me siguri do kërkonte dhe një tjetër, e nuk e ngop gojën e tij vetëm se dheu.”

 

Java Kulturore e Francës / Shfaqja ujore “Fous de Bassin”, Veliaj: Për herë të parë në Tiranë!

E veçanta e Javës Kulturore të Francës është shfaqja ujore dhe piroteknike "Fous de Bassin" e cila vjen nga Ilotopie.

Global 360

Baku Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026

Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, është emëruar Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026 nga Federata Evropiane e Kryeqyteteve dhe Qyteteve…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Java Kulturore e Francës / Shfaqja ujore “Fous de Bassin”, Veliaj: Për herë të parë në Tiranë!

E veçanta e Javës Kulturore të Francës është shfaqja ujore dhe piroteknike "Fous de Bassin" e cila vjen nga Ilotopie.