Baketa dhe pena e mjeshtrit dhe profesorit muzikolog, Eno Kristo Koço

Lumturisht në këtë jubile të nderuar të 80-vjetorit Eno Koçoja është plot gjallëri shpirtërore dhe frymëzime krijuese


Nga Prof.Dr. Emil Lafe

Eno Koçon kush nuk e njeh! Është një nga më të shquarit në muzikën dhe muzikologjinë shqiptare. Nuk më takon të flas për punën e tij si dirigjent, as për ato që ka sjellë në artin muzikor dhe në jetën tonë muzikore. Si mjaft të tjerë muzikën e dua shumë, po ashtu edhe muzikantët, që japin për ne pjesë të shpirtit të tyre duke kompozuar, duke kënduar ose duke ekzekutuar. E di që kam një mangësi të madhe në njohuritë për muzikën dhe në aftësitë e mia muzikore. Vërtet i kam pasë mësuar mirë dikur në shkollën shtatëvjeçare ç’është pentagrami, çelësat dhe notat, por tani njoh vetëm çelësin e solit dhe emrat e shtatë notave. Gjithë të tjerat më janë fshirë nga kujtesa. Dikush ka thënë se kultura është ajo që na mbetet nga ato që kemi mësuar, lexuar, parë, pasi i kemi harruar të gjitha. Ndoshta edhe kjo quhet kulturë.

Prof. Dr. Emil Lafe

Hyra në lidhje me Eno Koçon me rastin e veprimtarive të Institutit Alb-Shkenca që në vitin e parë të themelimit të tij (2005). Ky Institut vullnetar, që e vijon veprimtarinë e vet duke organizuar takime shkencore të përvitshme me qarkullim Tiranë – Prishtinë – Shkup, ka synimin të afrojë e të bashkojë njerëzit tanë të shkencës e të artit, kudo që janë, për të shtruar e për të diskutuar së bashku problemet e shkencave të ndryshme në mjedisin shqiptar dhe për të ndërtuar bashkëpunime të frytshme. Që në takimet e para mësova se ai nuk ishte vetëm dirigjenti aq i përqendruar me bagetën në dorë, siç e kisha parë më fort në televizor (se në sallë dirigjentët na kthejnë shpinën dhe vetëm kur na përshëndesin në fillim të shfaqjes dhe kur marrin duartrokitjet në fund ua shohim buzëqeshjen).

Enoja jetonte dhe jeton jo vetëm brenda muzikës, po edhe brenda historisë dhe kulturës shqiptare, jetonte dhe jeton me një detyrë të trashëguar për të përhapur dritën e diturisë dhe të së vërtetës, për të çuar më tej misionin kulturor e moral ende të papërmbushur të Rilindjes Kombëtare, për ta bërë etnomuzikologjinë shqiptare një shkencë të përparuar, moderne dhe ndriçuese të shumë aspekteve kulturore-historike të etnosit tonë në zhvillimin e tij historik dhe në marrëdhëniet e ndërsjella me kulturat e rajonit.

Muzika origjinale e një populli buron nga strukturat e thella shpirtërore të tij, ashtu si edhe elemente të tjera të trashëgimisë kulturore dhe bashkë me to ndihmon për të nxjerrë nga errësira e për të rindërtuar deri diku periudhat e hershme të padokumentuara të historisë. Shumë degë të albanologjisë, si historia e arkeologjia, gjuhësia, etnologjia e etnografia punojnë për të ndriçuar më mirë e në mënyrë më të plotë procesin e ngjizjes e të konsolidimit të etnisë arbërore, që mori më pas emrin e sotshëm “shqiptare”. Enoja përpiqet t’i njohë e t’i përdorë arritjet e tyre, ndër to edhe të gjuhësisë. Në një nga librat e tij Enoja ka nxjerrë te kapaku i prapmë këtë vëzhgim të mprehtë të Eqrem Çabejt: “Është interesant që kënga e Çamëvet të fundit jugor të Shqipërisë u përngjan këngëve të Toskëvet, edhe masa e vargut është po ajo … Kësaj konkordance duhet t’i kundërshtojë fakti që Toskë e Çamër sot nuk banojnë më në një afërsi kontakti me njëri-tjetrin. Po ky kundërshtim zhduket historikisht, sepse në një periodë të caktuar të historisë shqiptare fiset labe duket të jenë futur si një pykë në midis dhe të kenë ndarë kështu një njësi të hershme më dysh. Shohim kështu sesi këngët popullore janë në gjendje të lëshojnë dritë edhe në historinë e fiseve tona.”

Për Enon mësova më shumë, kur për shkak të detyrës redaktova zërin që ka shkruar për të në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” (2008-2009) studiuesja Hamide Stringa:

Dirigjent, muzikolog, Artist i merituar. Lindi në Tiranë më 1 prill 1943 në familjen e muzikantëve Kristo e Tefta Tashko Koço. Ndoqi degën e violinës në Liceun artistik “Jordan Misja”. Në vitet 1959–1961 studioi për violinë në Shkollën muzikore “Rimski Korsakov” në Leningrad. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik vijoi studimet e larta dhe u diplomua në Konservatorin Shtetëror të Tiranës (1966). Punoi gjashtë vjet si violinist në Orkestrën Simfonike të RTSH; më 1977 u diplomua për dirigjim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1978 u emërua dirigjent i Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionin Shqiptar. Gjatë viteve 1978–1990 zhvilloi veprimtari të dendur koncertore brenda dhe jashtë vendit, duke treguar midis të tjerash interesa të veçantë për traditën muzikore shqiptare të gjysmës së parë të shek. XX. Ekzekutoi për herë të parë veprat simfonike të Fan S. Nolit, Martin Gjokës (1890–1940) dhe Murat Shehut (1897–1978). Si dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTSH ka regjistruar një varg koncertesh dhe muzikë filmash. Prej v. 1991 është vendosur në Angli (Lids), ku punon si dirigjent i Filarmonisë së Universitetit dhe ka drejtuar disa Orkestra Simfonike dhe kore vendëse; ka bashkëpunuar me orkestra simfonike të Kajros, të Vroclavit, me orkestrën simfonike “George Enesku” të Bukureshtit, të RAI-t (Torino), të Kosovës, me Teatrin e Operës të Shkupit, duke vijuar njëkohësisht edhe veprimtarinë në Shqipëri me Orkestrën simfonike të TOB dhe të RTSH. Ka fituar gradën “Doctor of Philosophy” në Universitetin e Lidsit. Ka botuar monografitë: “Kënga lirike qytetare në v. 1930” (2002), edhe anglisht “Albanian Urban lyric Song in the 1930s” (2004), “Kënga karakteristike korçare” (2003), “Shostakoviç dhe Kadare” (2005).

Këtyre botimeve u duhen shtuar edhe: “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj” (2000), “A Family of Song: Reflections of Albanian Urban Lyrik Song in the Mediterranean” (2005), “Familja dhe jeta” (2010), “Vëzhgime kritike” (2010), “Gaqo Çako, legjenda e gjallë e tenorit” (2013), “Udhëtim i isos vokale” (2014) dhe anglisht “A Journey of the Vocal Ison” (2015), “Orkestra Simfonike e Radios, e sotme dhe e djeshme, po e nesërme?” (2015), “Tefta Tashko Koço familja dhe bashkëkohësit e saj në imazhe” (Album, 2016), Libërth me dorëshkrime këngësh (1936-1945) nga Tefta Tashko Koço & Kristo Koço” (2017),Gjon Kolë Kujxhija, ‘një ilir i ndezun” (2017), “Bota e muzikës shqiptare” (2019), “Çesk Zadeja në 95-vjetorin e lindjes”(2022), Neço Muko dhe grupi i tij” (2022). Të gjitha këto dëshmojnë se Eno Koçoja është një punëtor i fortë, ka përbrenda “demonin” e krijimit dhe ka ditur të fitojë e të zbatojë metodat bashkëkohore të kërkimit në fushën e vet. Në këta tridhjetë vjet që jeton e punon ndërmjet Anglisë dhe Shqipërisë, ka arritur të njohë dhe të përvetësojë shumë anë profesionale nga mjedisi muzikor e shkencor i atjeshëm.

Prej njohjes së parë takimet dhe letërkëmbimi me Enon kanë qenë të vijueshme. Ndonëse jeton një pjesë të mirë të vitit si i mërguar, me mendje e me zemër është këtu dhe unë përpiqem t’i dërgoj nga Tirana ngrohtësinë (jo vetëm klimatike) e vendlindjes nëpërmjet letrave të mia. Kam përfituar shumë nga takimet me të dhe nga studimet e tij. Enoja nuk është thjesht një studiues i zellshëm në fushën e muzikologjisë. Ai përfaqëson një histori. Është nipi i veprimtarit të shquar të Rilindjes Athanas Tashko (1863–1915), të cilit nuk i është bërë ende nderimi që meriton. Jetën dhe punët e tij, që kishin mbetur pak të njohura, Enoja na i ka sjellë përpara, që t’i njohim e të mësojmë prej tyre, me librin e vëllimshëm “Athanas Tashko” (2015, 533 fq.). Në krye të librit ka vënë fjalët e gjyshit të nderuar: “Atdhetaria ime nuk është për reklamë, për qejf a për interes – është detyrë njeriu me ndjenja të njerëzinjta.” Nuk e di se kur i ka lexuar i nipi këto fjalë për herë të parë, por mua më është dukur sikur i ka ditur e i ka ndjekur edhe para se t’i lexonte. Enoja ka një nderim të veçantë për brezin e atyre që e bënë Shqipërinë dhe është përpjekur të mësojë shumë e më shumë nga jeta dhe punët e tyre. Kjo e ka çuar të njohë e të mbledhë kujtime e të dhëna të çmuara nga një varg njerëzish të shquar të brezit pasardhës. Puna që ka bërë për të nxjerrë në dritë muzikën e Fan Nolit, të Martin Gjokës, të Murat Shehut, trashëgiminë e Gjon Kolë Kujxhisë janë në këtë hulli ku e ka udhëhequr ideali i Athanas Tashkos.

Enoja mbeti jetim nga e ëma kur ishte katër vjeç dhe pas dy vjetësh humbi edhe të atin, Kristo Koço, bariton. Ato që kam lexuar herë pas here për prindërit e Enos, më sillnin ndër mend vjershën “Annabel Lee” të Edgar Allan Poe-së në përkthimin nolian. Më dukej sikur fjalët e saj i nxirrte nga shpirti vetë gjëmëmadhi Kristo Koço: … duheshim më tepër se me dashuri, Me një dashuri që dhe engjëjt atje lart në lavdi, Që të dyve na kishin zili… Edhe motrat e saj engjëllesha Ma rrëmbyen, ma mbyllën në varr, se e desha… I ati i Enos nuk e përballoi dhembjen e ndarjes nga Tefta e dashur, dhe … as Engjëjt e qiellit në erë, As demonët përposh në skëterrë shpirtin e tij s’mundnin ta shqitnin nga shpirti i saj. Pas dy vjetësh, më 1949 edhe ai mbylli sytë përjetë “në një vend atje afër në det…”, ku kurohej. Kristo Koçoja, bariton, kishte kryer shkollën e mesme në Bukuresht dhe liceun muzikor “Frescobaldi” në Milano.

Kur e njeh Enon nga afër vëren, se herë-herë i del nga thellësia dhembja e një fëmijërie të shkuar pa ngrohtësinë e familjes prindërore. Por ai, duke u rritur e duke i njohur nga kujtimet e nga të shkruarat, e rindërtoi familjen e munguar dhe duket se u rrit pranë tyre. Librin studimor “Udhëtim i isos voklae” ia ka kushtuar kujtimit të nënës, “sopranos Tefta Tashko Koço, e cila përgjatë gjithë jetës sime ka qenë mentori im, frymëzuesja dhe engjëlli im mbrojtës, së cilës do t’i jem përjetësisht mirënjohës”. Enoja ngazëllohet e lumturohet në gjirin e familjes, që ka ardhur këto ditë e plotë t’i festojë 80-vjetorin edhe në Boboshticën e dashur të fisit të Koçollarëve, ku i ka rrënjët dhe nga i buron një ndjenjë krenarie e dinjiteti njerëzor. Edhe ai, ashtu si prindërit, ka një familje ku muzika zbukuron dhe gjallëron jetën e brezave. Fshati dhe bashkëfshatarët që i kanë dhënë lëvizjes kombëtare, luftës për çlirim, dijes dhe artit një varg njerëzish të përmendur, e këndell dhe e frymëzon. Mbrojtja dhe përtëritja e pasurisë kulturore dhe traditave të jetës shoqërore të Boboshticës, shqetësimi për të ruajtur gjërat që i kanë shpëtuar kohës janë pandarë nga mendimi dhe puna e Enos. E ndër to edhe tradita e muzikës kishtare ortodokse, një ndër fushat e zgjedhura të studimit dhe një shqetësim brejtës për ruajtjen e saj dhe të traditës noliane në Kishën Autoqefale Shqiptare.

Lumturisht në këtë jubile të nderuar të 80-vjetorit Eno Koçoja është plot gjallëri shpirtërore dhe frymëzime krijuese. Bashkë me të gjithë miqtë e kolegët e tij të muzikës e të muzikologjisë edhe me dashamirët e shumtë që ka anembanë, ndër ta edhe unë, i urojmë nga zemra shëndet të plotë edhe për shumë e shumë vite të tjera, të mbushura me krijimtari e me vepra të reja dhe me gëzime për ecuri të mbarë të jetës kulturore e muzikore shqiptare.

————————-
Botuar te gazeta “Dita”, 01.04.2023

Profesor Emil Lafe është ndër emrat më të rëndësishëm të gjuhësisë shqiptare dhe aktualisht mban pozicionin e Kryetarit të shoqatës së gjuhëtarëve shqiptarë, si dhe të drejtorit të revistës shkencore “Continuum” botim i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).

“National Geographic”: Riviera Shqiptare – zbuloni destinacionin magjepsës të Ballkanit

Juan Calleja shkruan në një artikull të edicionit spanjoll të “National Geographic”.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Tragjedia e një shoqërie përmes fatit të një gruaje dhe fëmijëve të saj…

Një nënë i dha fund jetës, duke u vetëmbytur së bashku me tre fëmijët e saj të mitur.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

“National Geographic”: Riviera Shqiptare – zbuloni destinacionin magjepsës të Ballkanit

Juan Calleja shkruan në një artikull të edicionit spanjoll të “National Geographic”.