Përgjakja e egër, çfarë fshihet pas gravurave të famshme

Rrëfimet tronditëse të piktorit anglez Richard Caton Woodville


 Nga Adi Darsi

 Një përgjakje e egër dhe e pandërprerë. Kjo ka qenë marrëdhënia mes shqiptarëve e malazezëve, së paku përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX dhe në fillimet e shkekullit XX. Me dëshmi të dorës së parë, të përjetuara nga vetë autori, në shkrimin e mëposhtëm vijnë rrëfimet rrënqethëse, jo vetëm të asaj marrëdhënieje, por edhe të vetë mënyrës së jetesës në veri të Shqipërisë dhe në Maline Zi.

Nëse kërkon pamje të gjysmës së dytë të shekullit të XIX, kohë kur ende fotografia ishte një luks, në rrjet të shfaqen një seri grafikash e ilustrimesh fantastike. Një ndër autorët kryesorë të tyre është piktori britanik Richard Caton Woodville. I punësuar nga revista britanike ‘Illustrated London News’, nevojat e punës do ta hedhin atë edhe në veri të Shqipërisë. Vizita e tij duhet të ketë ndodhur rreth viteve 1880, vetë autori nuk jep vit të saktë. Përvojën e tij fantastike ai do ta përfshijë në vitin 1914 në librin e tij autobiografik të titulluar ‘Random Recollections’.(adresën e librit në anglisht e gjeni në fund të këtij shkrimi).

Komentet për situatat që ai përshkruan do ti konsideroja të tepërta, ndonëse në disa raste autori ka edhe pasaktësi. Ata duhet të mirëkuptohet nëse mbajmë parasyshë kohën dhe kushtet kur janë shkruar. Pavarësisht kësaj, kontributi i Woodville, si piktor, për çështjen shqiptare duhet të vlerësohet. Kjo për faktin se ai e solli atë me pamje në sy të publikut më të kultivuar të botës së asaj kohe.

Shkrimi i mëposhtëm është një kapitull më vete nga libri në fjalë, ndërsa pjesa që flet për gjuetinë, është shkëputur nga fundi i librit. Në vijim do të gjeni edhe një biografi të piktorit anglez, njëri nga më të mirënjohurit e kohës së tij.

NË SHQIPËRI DHE MAL TË ZI

Mbërritja në Shkodër

Në fund të Luftës Ruso-Turke u gjenda në Shkodër, kryeqendra e  Shqipërisë Veriore. Shkodra ishte plot me trupa turke dhe popullsia muhamedane ishte në një temperament të ndezur. Traktati i Berlinit ishte nënshkruar dhe çështja e kufirit midis Malit të Zi dhe Shqipërisë po shkaktonte telashe në qytet dhe në male. Zoti (më pas Sir) William Kirby Green ishte konsulli britanik në Shqipërinë e Veriut dhe i ngarkuar me punë në Mal të Zi, dhe ne vazhdimisht prisnim që të kishte një kryengritje të muhamedanëve që mund të zhdukte të gjithë të krishterët.

Meqenëse Ferik Riza Pasha, që ishte Komandant i Përgjithshëm dhe Guvernator, nuk bënte asgjë për të ndihmuar Komisionin Kufitar, z. Green vendosi të tërhiqej në Mal të Zi dhe të dërgonte familjen e tij në Korfuz, në shenjë proteste. Kështu, ne u nisëm një mëngjes rreth orës tre për udhëtim drejt bregdetit dhe z. Green më kërkoi të kujdesesha për djalin e tij 14 vjeç dhe vajzën e vogël 9 vjeçe. Ai ka qenë një nga udhëtimet më të mjera që kam bërë ndonjëherë në jetën time.

Nga kryeqendra deri në portin detar të Shën Gjinit (San Giovanni di Medua), ishte një udhëtim prej rreth njëzet milje. Natyrisht ishte errësirë, u nisëm rreth orës 3 të mëngjesit dhe zotit Green i duhej të kujdesej për gruan, nënën e tij, Margaret dhe të kunatën.

Gjëja e parë që më ndodhi në errësirë ishte se humba djalin e tij. Ai u zhduk, humbi s’di se ku. Problemet e mia sapo filluan. Para së gjithash, poni i vogëlushes nuk ecte në një hap me kalin tim, kështu që i lidha frerët e tij në samarin e kalit tim dhe e tërhoqa zvarrë trupërisht. Më pas mendova të provoja një mënyrë tjetër, duke ulur vajzën para meje në shalën e kalit tim, por bisha e vogël ashtu nuk eci fare, kështu që m’u desh ta ktheja fëmijën në shalën e saj dhe të filloja përsëri procesin e tërheqjes së ngadalshme. Pas kësaj, na u desh dy herë të notonim në lumë, i cili në atë kohë kishte me ujra të shumta. Për të shtuar telashet e mia, në një vendkalim, hasa në disa shqiptarë që po lëviznin armët e gjata dhe donin të më sulmonin. Me vete kisha vetëm revolen e rëndë të ushtrisë, por më në fund, pasi u konsultuam së bashku, më lanë të kaloja.

Kisha bërë vetëm dhjetë milje, apo pak më shumë kur humba plotësisht rrugën dhe, pasi u enda nëpër këneta, e gjeta veten rreth orës 6 pasdite buzë detit, në Shëngjin. Me të mbërritur, mora vajzën e vogël, e cila gjatë gjithë atyre kilometrave të lodhshme kishte thirrur e qarë për prindërit dhe e dorëzova tek zyrtari të telegrafës austriake. Në stacionin e telegrafës, pashë se djali Jack, që humba që në nisje, kishte mbërritur aty para meje. Më pas m’u desh të kthehesha me galop për të gjetur pjesën tjetër të karvanit dhe ata arritën pak më vonë të gjithë shëndoshë e mirë. Të nesërmen në mëngjes ata hipën në kryqëzorin britanik që i priste dhe zoti Green u tërbua kur unë refuzova ta shoqëroja, duke thënë se po kthehesha drejt vdekjes së sigurtë.

Rikthimi në Shkodër

Pasi ata ikën, unë u ktheva në Shkodër. Mbërrita aty në momentin që pazari po boshatisej. U rrethova menjëherë nga qindra shqiptarë, të cilët më përqafuan dhe më puthnin me shumë kënaqësi kur më panë se isha kthyer. Në atë kohë muhamedanët ishin në mes të agjërimit të Ramazanit, një periudhë që zgjat dyzet ditë, kohë gjatë së cilës temperamenti i tyre është në një gjendje shumë kritike dhe ndodhin shumë shpërthime fanatike. Çdo ditë, nga momenti kur dielli perëndonte, më duhej të haja darka të shumta dhe të pija raki e mastikë gjatë festave të tyre të natës. Në fakt bëhesha një prej tyre. U binda gjithashtu të vishem si shqiptar, për shkak të malësorëve të shumtë fanatikë që zbrisnin çdo ditë dhe që mund të dëshironin të fitonin lumturinë e përjetshme në Parajsë duke vrarë një ‘kaur’.

Kuzhinieri im në këtë kohë ishte një personazh i jashtëzakonshëm. Ai ishte një i krishterë i klasës së ulët të qytetit, natyrisht katolik romak, dhe kishte marrë disa njohuri për mënyrat e evropianëve, pasi kishte qenë në shërbim si kuzhinier në Konsullatën Britanike. Ai u pushua nga puna, unë mendoj, për shkak të paaftësisë së tij për të bërë dallimin mes pronës së tij dhe asaj të zotërisë së tij. Më pas ai shkoi në të njëjtin cilësi në një hotel të vogël të mbajtur nga dy vëllezër me origjinë gjysëm greke, nga Shqipëria e Jugut. Ai gatuante për mua kur qëndroja në hotel dhe kur shkova në një ekspeditë në fshat, i kërkova të vinte me mua. Ai pranoi ta bënte këtë, por tha se nuk mund të vinte menjëherë. Mendova se donte thjesht të njoftonte hotelierin. Por ai më shpjegoi se vonesa ishte për shkak të faktit se ishte mbështetja e vetme e nënës së tij, që ishte shumë e moshuar dhe e pafuqishme. Ai tha se nëse i duhej të udhëtonte me mua, nuk e dinte se si mund të organizonte t’i linte ca para, se përndryshe ajo vdiste nga uria. E lamë që unë të nisesha herët në agim dhe atë ta prisja në fshatin malor, disa kilometra larg Shkodrës, ku do të kaloja natën. I lashë një kalë me të cilin mund të vinte më shpejt për t’u ribashkuar me mua dhe për të gatuar darkën time në kohë.

U nisa në agim dhe vazhdova përpara, duke u ndalur nëpër vapë në një fshat rrëzë të maleve dhe duke rendur pasdite për në vendin ku do të flija atë natë. Sigurisht, kuzhinieri im u bashkua me mua në kohë dhe më gatoi një darkë shumë të këndshme. Të nesërmen në mëngjes e pyeta se çfarë kishte bërë për nënën e tij plakë. Ai më tha, me italishten e çalë me të cilën bisedonim, se plaka ishte shumë e rraskapitur dhe se nuk e kishte të gjatë. Unë i dija të gjitha këto, por doja të dija se çfarë kishte bërë ai për të, gjatë mungesës së tij. Ai më tha se sa e vështirë ishte për të siguruar jetesën, derisa më në fund u bëra i paduruar. Pastaj me qetësi tha se, meqë nëna e tij ishte aq e vjetër dhe e padobishme, kishte vendosur ta helmonte dhe se ishte ndaluar për ta varrosur siç i takon një djali të mirë. Ai ishte aq gënjeshtar, saqë vetë fakti që e tha këtë ishte pak a shumë dëshmia se ai nuk kishte bërë asgjë të tillë. Por gjithsesi jam i sigurt se ai ishte mjaft i aftë ‘të shpëtonte’ këdo që qëndronte me të, në këtë mënyrë, nëse arrinte ta bënte atë punë pa u ndëshkuar.

Miqtë e mi shqiptarë

Miqtë e mi të mëdhenj në këtë kohë ishin dy bejlerë shqiptarë, që të dy pronarë të pasur tokash. Njëri mbante emrin Beqir Çurça (në origjinal – Betchi Churcha), që do të thotë ‘qengj’. Për të provuar natyrën e tij prej qingji, ai kishte tashmë 45 vrasje në llogarinë e tij. Të fundit e kishte kryer vetëm pak ditë para kthimit tim në Shkodër. Ishte grindur me një burrë për një lojë bilardo, dhe menjëherë ishte tërhequr në pritje të rastit. Kur kundërshtari u shfaq, e qëlloi pas shpine. I vetmi i afërm i mbijetuar që kishte i vdekuri ishte babai i moshuar. Beqiri, për t’u siguruar që nuk do të mbetej njeri për të vazhduar gjakmarrjen, dërgoi shërbëtorin e tij zezak në kafene ku babai i viktimës sapo mori lajmin se dikush kishte qëlluar djalin e tij. Ndërsa plaku i gjorë doli për të parë trupin e djalit të tij, edhe ai u qëllua pas shpine nga Beqiri. Ai ishte një i poshtër, gazmor!

Beqiri më pëlqeu shumë dhe më siguroi se pas Ramazanit, për Bajram do të bënte një festë të mrekullueshme për nderin tim, me vajza cigane që do kërcenin dhe këndonin për në agim.

Shok gjiri i Beqirit ishte njëfarë Ibrahim Kastrati. Ai zotëronte të gjithë tokat fshatit Kastrat, në të cilin kishte lindur Skënderbeu, atdhetari i madh shqiptar, emri i vërtetë i të cilit ishte Gjergj Kastrioti, nga i cili kishte marrë emrin fshati. Ky Ibrahimi, gjatë qëndrimit tim, qëlloi një berber i cili i kërkoi të paguante shërbimin. Pak më vonë edhe ai vetë u qëllua nga një malësor në pazar.

Një mik tjetër i madh i imi ishte Nik Leka, një nga krerët kryesorë të fisit të Kelmendit. Ky zotëri, kur po bënte një shëtitje në pazar, u përball me një shitës për një borxh të papaguar. Duke qenë se nuk kishte shlyer borxhin ai e quajti Nik Lekën, që ishte një katolik roman, ‘qen të krishterë’. Aq deshi Niku, nxori menjëherë jataganin, e kapi shitësin pas koke për flokësh dhe me qetësi ia hoqi kokën, duke e nisur mahamedanin për në Parajsë. Më pas, duke vrapuar si rrufe nëpër pazar me trofeun e përgjakur në dorë, me një klithmë e egër zgjoi gjithë muhamedanët që vrapuan së bashku dhe pasoi një përballje e egër mes palëve që zgjati rreth gjysmë ore. Kjo betejë në miniaturë u zhvillua në një rrugë të ngushtë me mure të larta rreth njëqind metra të gjatë, me palët përkatëse që u përplasën me njëra-tjetrën nga të dy skajet e rrugës. Këtu më duhet të shtoj se pas kësaj, miku im Nik ishte shumë i kërkuar nga qeveria turke për këtë dhe për shumë gjakmarrje të tjera.

Pak pas kësaj, edhe miku im Beqiri, pati një fund të papritur. Isha shtrirë në krevat në hotelin e Toshlit, duke lexuar një roman, kur papritmas dëgjova një ‘Hape, Hape’ nga poshtë. Nga dritarja pashë një oficer dhe tre zaptije që qëllonin me karabina Winchester në portën e hotelit. Një kat më poshtë, miku im Beqir zbrazi revolet dhe shërbëtori po qëllonte me pushkën e tij Martini. Kur armët mbetën bosh, ai kërceu mbi ushtarët, që e qëlluan dy herë në krah, dy në kofshë dhe një në shpatullën e djathtë. Ai vrapoi në shtëpinë e motrës së tij aty afër, rrëmbyu një pushkë Snider nga muri. Në Shqipëri arma e zjarrit në shtëpi mbahet e mbushur. E vendosi në dritare, me dorën e majtë u nis të qëllonte togerin. Ky i fundit qëlloi një sekondë më shpejt dhe i ra në lule të ballit, duke lënë kështu të veja katër gratë e tij! Nga kjo mund të thuhet se qeveria turke në të vërtetë kishte filluar në atë kohë përpjekjet për të ndalur paligjshmërinë.

Arrestimi i Preng Bib Dodës

Një episod mjaft qesharak ndodhi atë kohë po në Shkodër. Me ftesë të Riza Pashës, Preng Bib Doda, Princi i Mirditës, mbërriti në Shkodër me nja 4000 malësorët e tij të egër. Ai ishte shumë i kërkuar nga qeveria turke për punë të ndryshme të vogla, si për shembull grabitjen e karvaneve qeveritare dhe vjedhje të tjera. Dervish Pasha ishte dërguar në Shkodër me mision special, për ta arrestuar, por nuk guxoi ta bënte këtë për shkak të ndjekësve të tij të shumtë. Kështu ai i ofroi Preng Bib Dodës një drekë të mrekullueshme dhe pas atij vakti i tha: ‘Desha të të tregoj rrugën time të re ushtarake për në Shëngjin’. Dervish Pasha në atë kohë kishte të vetmen karrocë në Shkodër, dhe ai e ftoi Princin ta bënin rrugën së bashku me të. Mirditorët pasues të Princit, duke qenë se ecnin në këmbë, shumë shpejt mbetën pas. Udhëtimi vazhdoi derisa arritën në breg të detit, ku, jo shumë larg, ishte ankoruar një anije. Dervishi i tha nën zë Princit: ‘Më vjen shumë keq, por do të më duhet të të fus në atë barkë me armë’. Më pas ai u dërgua në kalanë e Galipolit, dhe me aq sa di unë mund të jetë ende atje, nëse nuk ka vdekur nga ndonjë filxhan me kafe shumë ‘e fortë’.

Një herë, kur e vizitova Preng Bib Dodën, në kalanë e tij pranë Krujës, (autori duhet të ketë qenë në Orosh, a.d.) ndjekësit e tij më pritën në portën e kalasë. I pyeta se cili ishte Princi. Ata më kërkuan të prezantohem dhe unë u dhashë një letër prezantimi nga zoti Green. Sapo mori dhe lexoi letrën, njëri prej tyre iku si lepur, dhe mua mu desh të pres rreth gjysmë ore, derisa më në fund më futën brenda dhe Preng Bib Doda më priti mes një garde ushtarësh të armatosur, i veshur me një kostum të plotë me armaturë argjendi, që i ngjante shumë japonezëve të lashtë. Kjo duhet të ketë pasur një peshë të madhe dhe e gjithë pritja mori një notë tejet mesjetare.

Kruja, (!!!) kryeqyteti i Mirditës, është ndërtuar në majë të një shkëmbi të lartë dhe dikur ka qenë azili për të gjithë të plagosurit dhe banditët më të këqij në Shqipëri. Atje ata ishin krejtësisht të sigurt, pasi asksh nuk do të mund të ngjitej lart mbi ata shkëmbinj të thepisur. E gjitha kjo ka ndryshuar që kur turqit ndërtuan një rrugë deri atje. Turqit luftuan me mirditorët për katër vjet, dhe pas kësaj kohe u desh të hiqnin dorë nga rrethimi i dëshpëruar, pavarësisht se kishin rreth 80.000 trupa në betejë.

Është befasuese sasia e monedhave të lashta romake dhe greke, shisheve lotsjellëse, vazove, madje edhe armëve, që gjenden në Shqipëri. Një numër i madh armësh të shekullit të XV, shpata, sixhade dhe pjata argjendi, u zbuluan në Tivar pas Luftës Ruso-Turke. Ata kishin mbetur atje të harruara në bodrume, për më shumë se katër shekuj, të fshehura nga venecianët, para dorëzimit të qytetit turqve në fund të shekullit të XV. Ishte artileria e malazezëve që bombardoi dhe zbuloi këto bodrume thesaresh.

Ishte mjaft kurioze të shikoje se disa nga burrat që lëviznin në qytet ose fshat në këtë rajon nuk kishin hundë. Jo nga natyra, por nga një arsye tjetër. Ky gjymtim, shqiptarëve u ishte bërë nga malësorët e Malit të Zi, pasi kishin rënë në duart e tyre si robër lufte, në mënyrë që ata të njiheshin nëse kapeshin për herë të dytë. Nëse kjo ndodhte taksa që paguanin ishte koka e tyre.

Kërcënim serioz 

Bëra një udhëtim deri në një vend të quajtur Gusigne, (Guci) në kohën kur, gjenerali malazez Petrovich, synonte ta pushtonte atë vend dhe gjithë Plavën, që i qe dorëzuar Malit të Zi nga  Traktati i Berlinit. Për rrjedhojë shqiptarët rezistuan fort. Kur arrita afër Gucisë, lufta kishte mbaruar dhe shqiptarët po marshonin triumfalisht në qytet me mbi pesëqind koka malazezësh në bajoneta. Të gjitha kokat u mbërthyen në hunj rreth xhamive dhe disa ditë më vonë mund t’i shihje duke u rrotulluar nëpër kanale, si ushqim për qentë e parisë.

Sapo mbërrita në Guci, qëndrimi im u ndërpre menjëherë dhe m’u desh të bëja një largim të shpejtë, pasi mora informacion nga një murg françeskan se disa nga malësorët fanatikë kishin vendosur që unë mund të dukesha më mirë pa kokë në trup. Kështu u nisa me fratin piktoresk, i cili dukej shumë luftarak, mbuluar me zhgunin e tij të kaftë françeskan, me mustaqe të rënda kalorsiake dhe një fes turk anash kokës, me një revole e rëndë Gasser në brez dhe një pushkë Martini në krah. Pas një udhëtimi prej nja njëzet miljesh, mbërritëm në një han në Koplik. Sapo na vunë përpara kafe dhe ujë të freskët, ia behën katër boshnjakë me pamje të tmerrshme. Ata u ulën, për fat të keq, midis nesh dhe armëve tona të zjarrit, të cilat i varëm në mur. Burrat i thanë murgut se ishin urdhëruar të çonin kokën time në Guci. Gjërat filluan të dukeshin të çuditshme për mua, për të mos thënë të frikshme. Ai u shpjegoi atyre se po habitej që njerëz aq mikpritës, pasi kishin pranuar kafen time, donin të bënin diçka të tillë. Por argumenti nuk dukej se pinte ujë. Fati im, në momentin e duhur vjen shoku im i madh Nik Leka me nja gjashtë malësorë. Pasi ia shpjeguan situatën, ai u kujtoi xhelatëve të mi të mundshëm se ishin në Kelmend, dhe se unë kisha mbrojtjen e tij dhe ata nuk mund të më preknin. Ai i urdhëroi që të largoheshin menjëherë dhe mua më tha të kthehesha në Shkodër.

Qeverisja turke

Qeveria turke ka preferuar gjithmonë të mos ndërhyjë në asnjë mënyrë në sherret e përgjakshme të shqiptarëve, duke i lënë ata të fshijnë njëri-tjetrin me egërsinë e tyre. Kur vriten tridhjetë a dyzet nga secila palë, ata që humbin numrin më të vogël të njerëzve, shpërblejnë kundërshtarët me një numër bagëtish dhe kështu merr fund seria e vrasjeve dhe nderi vendoset në vend.

Njëfarë pashai i një pashallëku të Shqipërisë ra në dashuri me një zonjë austriake jashtëzakonisht të pashme, burri i së cilës kishte një biznes në qytet. Pashai mendoi me vete: Si ta kap zonjën? Gjeti një tregtar në qytet, e çoi te burri i zonjës që t’i jepte hua 50 lira. Ai i ofroi kushte të lehta dhe paratë mund ti ktheshin kur të donte ai. Kur pashai plak mori vesh se ai i shpenzoi 50 lirat, e arrestoi. I tha se ishte neveritur nga fakti se i kishte marrë hua 50 lira një tregtari të varfër në qytet dhe se nuk kishte ndërmend t’ja kthente ato. Për këtë veprim ai vendosi ta mbyllte në burg në Kështjellë, deri kur të gjente paratë. Gjëja e fundit që u dëgjua për zonjën e bukur ishte se ajo ishte shtuar në haremin e Pashait.

Po ky Pasha kishte në komandën e tij një sasi të madhe parashë për shërbimet sekrete. Unë, një ditë, kam bërë dërgesën për të nëpër linjat shqiptare për tek malazezët. Kur u ktheva në Shkodër më dha 100 paund për punën time; shumë kjo e konsiderueshme në atë vend. Ai tha se nuk duhet të kem frikë ti marr, pasi për të kishte qenë absolutisht e nevojshme t’i hiqte qafe ata para. Ky zotëri kishte qenë atashe ushtarak në ambasadën turke në Londër.

Një herë më tha: Ah! Londra, atje isha krejtësisht i lumtur kur mbaja pranë vetes një nga zonjat tuaja të bukura angleze, çibukët e mi për të pirë duhan dhe një shishe shampanje të mirë.

Vizitat në Malin e Zi

Në të gjithë kufirin mes Shqipërisë e Malit të Zi, lufta praktikisht nuk pushon kurrë. Të dyja palët qëllojnë gjithmonë mbi njëra-tjetrën. Në fakt, lufta është mënyra e jetesës së tyre, pasi të gjithë në këto vende ecin gjithmonë të armatosur rëndë. Tundimi për të qëlluar është shumë i fortë për t’u rezistuar. Në Mal të Zi e vetmja fabrikë që ekziston është ajo për prodhimin e municioneve. Ky vend, me popullsinë e tij të vogël prej rreth 225,000 banorë, me një ushtri prej mbi 38,000 burrash në terren, secili prej tyre luftarak, madje edhe gratë në kohë lufte drejtojnë transportin dhe prapavijat. Ata e përdorin pushkën si çdo burrë. Gjatë Luftës Ruso-Turke, një grup prej rreth 30 grashë në një kështjellë të lashtë veneciane pranë Rijekës, në brigjet e liqenit të Shkodrës, mbajtën të mbërthyer në betejë mbi një mijë ushtarë turq e shqiptarë.

Një ditë dimri shkova në Cettinje, kryeqyteti i Malit të Zi, për të dërguar një letër. Bora ishte mjaft e trashë. Mu desh të kaloja në Kotorr për të dërguar një numër skicash e vizatimesh për në Angli. Kështu shkova tek i pari i vendit dhe e pyeta nëse mund të më siguronte një ndihmës. Ai tha se nuk ishte gjë e lehtë. Pastaj shkoi në burg dhe u kthye me njërin prej të burgosurve, duke më thënë se nëse rrëshqiste në dëborë, apo ngrinte së ftohti gjatë rrugëtimit nuk kishte fare problem! Më vonë mora vesh se shërbimi postar, në kohë dimri, bëhej në atë mënyrë.

Gjatë Pashkëve në Mal të Zi duhet të hash një numër të madh vezësh të ziera dhe të pish aq shumë gota slivovice ose rakie, duke bërë vizita shtëpi më shtëpi. Kjo më ndodhi kur shoqëroja ushtrinë malazeze në Podgoricë. Ata më çuan nëpër qytet dhe mu desh të ha e të pi pa fund te të gjithë miqtë e tyre të shumtë. Rezultati mund të merret me mend. Por unë pata rastin të hakmerrem! Në Tivar, ditën e ditëlindjes së Princit, dhashë ‘grushtin e nderit’ mbi Shtabin e Ushtrisë, i përbërë në pjesën më e madhe nga miqtë e Podgoricës. Mora rreth dy duzina shishe rum, me disa litra slivovice, i përzieva së bashku, e ëmbëlsova plotësisht dhe shtova një sasi limoni të prerë në feta. Grushti qe i plotë dhe mbi ata shpirtra të pastër. Stafi i Shtabit të nesërmen në mëngjes, ishin të gjithë me dhimbje koke.

Një ditë pashë disa gra që ecnin duke mbajtur kuti shumë të rënda me gëzhoja predhash dhe mbajtëse për armët fushore, secila me peshë rreth 75 kg. Ata i mbanin në një rrugë të pjerrët me lehtësi të madhe. Forca e këtyre grave për të mbajtur ngarkesa të rënda në mal, ishte mahnitëse.

Një herë kur doja të shkoja nga Rijeka në Cettinje, mora një vajzë të re malazeze për të mbajtur arkën time, të mbushur plot me rroba e sende të rënda, që peshonin e pakta 80 kg. Ajo e ngriti atë, e vendosi në shpinë dhe filloi të ngjitej malit, në një pjerrtësi gati 45 gradë, aq lehtësisht sikur të mos mbante asgjë fare. Ndërkohë unë me vetëm një shkop në dorë, me vështërësi ndaloja dhe merrja frymë çdo pesë minuta. Vajza buzëqeshi, ma bëri me shenjë të afrohem, më dha dorën e më ndihmoi e prekur nga keqardhja dhe gulçimi im.

Veshja piktoreske kombëtare, më vjen keq ta them, tashmë ka filluar të zhduket, pasi ushtria është veshur tani me rroba kaki, dhe në qytete shihet se shumica përdorin kostum evropian. Por truprojat e Princit ende mbajnë një lloj veshje dhe armature të vjetër sllave. Disa nga këto kostume thuhet se datojnë nga Perandoria Serbe e 600  viteve më parë.

Malazezët janë një racë burrash shumë të gjatë. Rrallë sheh burrë që është nën 5 këmbë e 10 inç lartësi. Edhe gratë janë po aq të gjata.

Gjuetia

Sporti me armë u bë një mani për mua dhe koleksioni im i armëve sportive dhe pushkëve, si dhe kallamave të peshkimit bëhej çdo ditë e më i madh. Gjatë kalimit tim në Shqipëri dhe Mal të Zi pas Luftës Ruso-Turke, mora me vete armë sportive. Në Cetinjë bëra shumë pyetje në lidhje me gjasat për të marrë çantën e gjuetisë në krah. Më këshilluan të provoja zonën Pira. Me të mbërritur atje, organizova një ekspeditë të vogël prej tre personash, me kuaj për të mbajtur ushqimet dhe bagazhet. Natën e parë qëndruam në një han. Aty më thanë për një ari shumë të madh dhe të egër që kishte pushtuar zonën. Kështu dolëm për gjah që herët në mëngjes.

Pasi u ramë rreth tre herë zonave të mbuluara, papritur mu ngrit para një hullabaloo i madh dhe burrat vrapuan drejt meje, më kapën e më tërhoqën zvarrë. Shpëtova paq. Më pas ata më treguan një objekt që ngjitej në anën e kundërt të maleve, dhe kur mora armën time për ta qëlluar, pashë rreth njëqind metra larg një kafshë gri me madhësinë e një qeni, duke u ngjitur në kodër me shpejtësi. Donte të çante rrethimin e të emigronte në Bosnje. Por nuk mundi. Kështu përfundoi ekspedita ime e parë dhe e vetme e gjuetisë në Malin e Zi.

Nga Mali i Zi shkova në Shkodër. Në Shqipëri pata një përvojë vërtet të mirë në rrafshinën e madhe të mbuluar me gjelbërim, që shtrihet nga qyteti deri në kufirin malazez gati dyzet milje larg. Ka mundësi që përherë të hasësh në lepur, në tre ose katër thëllëza, apo disa shapka, madje dhe një ose dy fazanë të egër. Kjo nuk është keq për një gjueti njëditore me dy armë. Kam dalë shpesh me një gjuetar shqiptar të zjarrtë, i cili ishte aq i mprehtë dhe po aq i mirë me çiften e tij sa çdo gjuetar i zoti që gjen në Angli.

Gjuajtja e shpendëve pranë Lezhës, në Drin, në jug të Shkodrës, është vërtet e mirë dhe mund të bëhen çanta të mëdha me gjah. Pas kësaj shkova në Mirditë për të provuar ariun, derrin dhe drerin. Ka ende drerë dhe dhi të egra më thanë, deri në kufirin serb, por dyshoj shumë. Megjithatë, gjuetia në të gjithë vendin është e bollshme dhe e larmishme. Ky është një vend ku askush nuk ëndërron të ecë as 500 metra larg shtëpisë pa pushkën në krah dhe revolet në brez. Në malësitë shqiptare gjen ariun, ujkun, derrin, drerin, kaprollin, dhinë e egër, fazanët, shapkat, sigurisht lepujt, dhe një larmi shumë e madhe dhelprash. Kam parë drerë të kuq duke kullotur në malet në lindje të Prizrenit mes bagëtive herët në mëngjes, por nuk pata asnjë shans për të qëlluar nga frika se mos qëlloja bagëtitë. Zogjtë e kafshët e egra gjenden kudo në malësitë shqiptare, dhe nuk është çudi, të shumta po aq sa në Austri apo Tirol.

KUSH ËSHTË RICHARD CATON WOODVILLE

Richard Caton Woodville Jr. ishte një artist dhe ilustrator anglez, i mirënjohur si një nga piktorët më pjellorë dhe më të talentuar për tablotë e betejave luftarake të shekullit të 19-të dhe 20-të. Ai ishte i biri i Richard Caton Woodville Sr, një amerikan i cili ishte gjithashtu artist i talentuar.

Në autobiografinë e tij të vitit 1914, piktori shkruan: ‘Unë kam lindur në Stanhope Gardens, Gloucester Road, më 7 janar 1856, dhe kështu jam londinez nga lindja. Babai im, që pati të njëjtin emër si unë, ishte amerikan, djali i William Woodville, një bankier në Baltimore, që rridhte nga John Woodville, kushëriri i gruas sw, Eduardit IV, mbretëreshës Elizabeth. Gjyshi i tij, William Woodville, babai i bankierit pati shkuar në SHBA në fund të shekullit të XVIII. Babai im lindi në 1826 dhe u arsimua si mjek. Ai gjithmonë kishte prirje të mëdha në art dhe pasi ushtroi disa vite profesionin e mjekut, vendosi të bëhej artist dhe shkoi për studime në Duseldorf. Aty u njoh me nënën time, që emrin e vajzërisë e kishte Antoinette Schnitzler, me baba gjerman e nënë ruse. Ata u martuan në vitin 1854’.

Woodville studioi në Rusi dhe më pas në shkollën e pikturës në Düsseldorf. Në autobiografi ai shkruan: ‘U shkollova, ose më saktë u zvarrita, në Rusi dhe më pas në Gjermani. Shumë shpejt fillova të shfaqja shenja të instinktit të trashëguar për artin. Ashtu si babai im studiova në Duseldorf në vitet 1876 dhe 1877. Studentët ishin të të gjitha kombësive gjermanë, anglezë, amerikanë, rusë, francezë, italianë dhe turq dhe moshat e tyre varionin nga 16-40 vjeç. Ishte një tubim kozmopolit, që studionte aty ku më parë kishin qenë dhe Albert Durer, Hans Holbein dhe piktorë të tjerë të njohur gjermanë’. Vitet e studimit në Gjermani piktori i cilëson si vitet më të bukura të jetës së tij. Ai i përmbylli studimet në Paris në studion e piktorit Jean-Leon Gerome.

Në vijim ai thotë Më pas erdha në Londër pikërisht në kohën kur Lufta Ruso-Turke ishte në lulëzim të plotë dhe kur publiku britanik po hynte në një nga periudhat e tij të interesit më të lartë për pikturat dhe vizatimet e betejave’.

Woodville e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij duke punuar për revistën Illustrated London News, por punimet e tij shfaqen edhe në revista tjera. Për këtë kohë piktori shkruan: Ishte viti 1877 që unë ofrova vizatimin tim të parë për Illustrated London News. E dërgova atje pasi e konsideroja atë ditarin e ilustruar më të mirë në botë. Menjëherë nisa punë për atë revistë, për të cilën punova për shumë vite me radhë’.

Richard Caton Woodville i përjetoi fillimisht betejat nga vija e parë e frontit. Ai u dërgua nga Illustrated London News për të raportuar mbi Luftën Ruso-Turke (1877–1878), më pas në Luftën Anglo-Egjiptiane të vitit 1882, ku ai bashkë me artistin dhe mikun e tij Alphonse-Marie-Adolphe de Neuville, bënë shumë foto, piktura dhe vizatime të betejave. Në vijim ai shëtit në të gjithë vendet kryesore europiane, në Indi, Arabi, Egjipt, Marok etj. Pjesë e udhëtimeve të tij ishte edhe Shqipëria e Mali i Zi.

Më pas u bë piktori i familjes mbretërore britanike. Ai tregon: Piktura ime e parë me familjen tonë mbretërore ishte në tetor 1882 kur isha në Egjipt, dhe mu kërkua të pikturoj një pamje të Dukës së Connaught dhe rojeve në betejën e Tel-el-Kebir. Sigurisht që ishte nder i madh për mua dhe pranova me mirënjohje e kënaqësi.Piktura u vendos me urdhër mbretëror në Akademi në 1884… Unë pikturova shumë pamje të Madhërisë së Saj. Më e rëndësishmja për mua ka qenë dasma e H.R.H. Princesha Beatrice me H.H Princin Henry të Batenberg. Puna më mori shumë kohë, pasi kishte numër të madh portretesh. Jam ngrysur dhe gdhirë për gjashtë javë rrjesht në Kështjellën Windsor për të realizuar atë pikturë’.

Në 1879, Woodville hapi ekspozitën e tij të parë në Akademinë Mbretërore me 21 tablo betejash. Veprat e tij trajtuan pothuajse të gjitha luftërat britanike të kohës, nga luftërat boere deri betejat e Luftës së Parë Botërore. Ai rikrijoi skena të betejave historike në vaj dhe akuarel. Illustrated London News e kërkoi të bënte një seri speciale me betejat më të famshme të historisë britanike. Woodville kishte pasion të thellë për Ushtrinë Britanike dhe u bashkua me të që në 1879 dhe qëndroi aty deri më 1914 kur doli në rezervë si kapiten.

Ai u martua me Annie Elizabeth Hill më 1877 dhe pati dy djem binjakë, Anthony, aktor dhe William, piktor. Më 1892 u divorcua. Pavarësisht suksesit pati probleme të shumta financiare. Më 17 gusht 1927, u gjet i qëlluar në studion e tij. Një hetim përcaktoi se ai ishte i sëmurë dhe kreu vetëvrasje. Woodville është ende i ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Ushtrisë, në Akademinë Mbretërore, në Galerinë Tate dhe Galerinë e Arteve Walker.

Përgatiti: Adi Darsi

Adresa Random Recollections:https://archive.org/details/randomrecollecti00woodrich 

Lexo më shumë nga

Plani i ri i rritjes i BE-së, Rama: Askush s’mban peng më asnjë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Plani i Ri i Rritjes ekonomike nga BE për vendet e rajonit “na jep…

Global 360

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Plani i ri i rritjes i BE-së, Rama: Askush s’mban peng më asnjë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Plani i Ri i Rritjes ekonomike nga BE për vendet e rajonit “na jep…