“Die Welt”: Si e shpëtoi fshehurazi Bullgaria e varfër Ukrainën!

Një hulumtim i medias gjermane “Die Welt” ka sjellë një histori të pazbuluar deri më tani për ndihmën sekrete që Bullgaria-vendi më i varfër i Bashkimit Evropian-ia dha Ukrainës


Një hulumtim i medias gjermane “Die Welt” ka sjellë një histori të pazbuluar deri më tani për ndihmën sekrete që Bullgaria-vendi më i varfër i Bashkimit Evropian-ia dha Ukrainës, si në municion ashtu edhe në karburant. Edhe pse në mënyrë deklarative Bullgaria ishte pjesë e rrymës “Orban”, e cila ishte kundër mbështetjes së Ukrainës, diçka krejtësisht ndryshe po ndodhte në prapaskenë.

Më 25 shkurt, vetëm një ditë pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, në një takim jozyrtar të Këshillit Evropian në Bruksel, kryeministri bullgar Kiril Petkov u tha kolegëve të tij se presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky mund të ketë më pak se 48 orë jetë, se ai është në listën e Moskës për t’u vrarë dhe se Këshilli duhet të marrë menjëherë një vendim për sanksionet.

Në të njëjtën kohë, ministri i Financave, Assen Vasilev, pati marrë pjesë në takimin e ministrave të Financave të BE-së në Paris. Dhe kishte pavendosmëri, siç e ka përshkruar ai. Të gjithë ishin ende të tronditur nga sulmi. Pastaj Vasilev pati mbajtur një fjalim. Jo për shifrat dhe pasojat ekonomike, por për atë që Putini donte të thoshte me “denazifikimin e Ukrainës”. Ai iu referua përvojave të Bullgarisë.

“Kështu bënë rusët në Bullgari pas Luftës së Dytë Botërore, vranë mijëra disidentë, profesorë dhe priftërinj”, ka thënë Vasilev. Ai më pas kërkoi edhe miratimin urgjent të rezolutës, ndërsa pjesëmarrësit e takimit thanë se ministri bullgar ndryshoi disponimin e delegatëve të mbledhur.

Dy ditë më vonë, Brukseli i zbatoi këto masa. Në qarqet e BE-së quhet “propozimi bullgar”.

Më 19 prill, pak para vizitës së Petkovit në Kiev, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba udhëtoi për në Sofje, sepse kishte filluar një fazë e re dhe e pasigurt e luftës. Ukrainasit i shtynë pushtuesit nga rajoni i madh i Kievit dhe nga veriu, por shumë armë perëndimore ende nuk ishin dorëzuar. Luftimet ishin aq intensive, thotë Kuleba sot, saqë Ukrainës iu desh urgjentisht të plotësonte furnizimet e saj, veçanërisht municionet sovjetike.

Kjo është ajo që Zelensky mendoi se Kuleba mund të siguronte në misionin e tij në Sofje. Petkov tani thotë se qeveria e tij ka autorizuar ndërmjetësuesit që të eksportojnë, jo drejtpërdrejt në Ukrainë, por në kompani ndërmjetëse jashtë vendit.

“Industria jonë private ushtarake po prodhonte me avull të plotë”, ka thënë Petkov. Pamjet nga prilli tregojnë aeroplanë mallrash të ngarkuar me armë që fluturojnë midis Bullgarisë dhe Polonisë. Ajo që dihet është se aeroporti polak Rzeszow, 70 kilometra nga kufiri ukrainas, ruhet me kujdes nga NATO-ja.

“Ne jemi siguruar që rruga tokësore përmes Rumanisë dhe Hungarisë të jetë gjithashtu e hapur për kamionët”, ka thënë Petkov.

Kuleba ka konfirmuar këto dërgesa. Ka theksuar se nuk bëhet fjalë për ndihmën ushtarake që qeveria bullgare i jep drejtpërdrejt Ukrainës, “por se kompanitë ukrainase nga vendet e NATO-s patën mundësinë ta marrin atë që u nevojitet nga furnizuesit bullgarë”. SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë paguar për transportin.

Gjithçka dukej se u zbulua kur kreu i kompanisë shtetërore të eksportit ushtarak “Kintex”, Alexander Mihailov, u desh të jepte dorëheqjen pas një mosmarrëveshjeje politike dhe doli publikisht me shifrat, ndoshta me qëllimin për të tronditur qeverinë. Mihailov pati folur për eksporte me vlerë “2 miliardë euro” që nga fillimi i luftës. Pati përmendur edhe dërgesat e municionit për raketën Grad BM-21.

Por më pas gjithçka u hesht përsëri. Mediat ndërkombëtare mbetën të fokusuara në dërgimin e armëve perëndimore, duke përfshirë raketat “Himars” amerikane. Partia Socialiste në qeverinë bullgare kërcënonte vazhdimisht se do të prishte koalicionin nëse kishte ndonjë mbështetje të drejtpërdrejtë për Kievin, por nuk mundi, sepse një mbështetje e tillë zyrtarisht nuk ekzistonte.

Përveç municioneve, Bullgaria dërgoi në Ukrainë sasi të mëdha nafte. Vasilev kujton takimin e Bankës Botërore në Uashington në pranverë. Aty, një zyrtar ukrainas ka thënë se ushtarëve të Kievit po u mbaronte karburanti. Bullgaria ka një rafineri pranë Burgasit në Detin e Zi, që drejtohet nga një filial i grupit rus “Lukoilit” dhe furnizohet me cisterna nga Rusia.

Vasilev ka thënë se ai inkurajoi “Lukoilin” në Bullgari të eksportojë naftë të tepërt në Ukrainë. Reagimi ishte pozitiv dhe punonjësit dënuan gjithashtu luftën e Putinit. Vetë Bullgaria ka nevojë për rreth gjysmën e karburantit të prodhuar nga rafineria; pjesa tjetër, thotë ai, u dërgua në Ukrainë. Dhe këtë herë, furnizimi i kompanive vendase u bë përmes kompanive të huaja ndërmjetësuese.

Kievi ka konfirmuar se kompanitë ukrainase morën naftë bullgare në këtë fazë jashtëzakonisht të rëndësishme.

“Kamionët dhe cisternat shkonin rregullisht në Ukrainë nëpërmjet Rumanisë dhe në disa raste karburanti ngarkohej gjithashtu në trenat e mallrave”, ka thënë Vasilev.

Moska nuk qëndroi duarkryq, ndaj nisi sulmet kibernetike ndaj Bullgarisë në maj të vitit të kaluar. Nga sulmet janë prekur kompanitë e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe postat, si dhe ka pasur edhe pengesa në pagesën e pensioneve. Ata gjithashtu u përpoqën të korruptonin përfaqësuesit dhe të depërtonin në qeveri. Midis marsit dhe qershorit, Bullgaria dëboi rreth 70 punonjës të ambasadës ruse për spiunazh.

Para luftës, Moska e dinte se Bullgaria ishte vendi i BE-së më i varur nga gazi rus dhe vendosi të jepte shembull për të tjerët. Më 27 prill, Gazpromi zgjodhi Bullgarinë si vendin e parë të BE-së që ia ndaloi eksportin e gazit. Por Sofia nuk u dorëzua. Në 24 orë, kryeministri Petkov paraqiti një zgjidhje që do t’u mundësonte gati 7 milionë banorëve bullgarë të mbijetojnë pa gazin nga Rusia. Ai siguroi dy cisterna me gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja me të njëjtin çmim për metër kub që ngarkohej nga Gazprom.

Qeveria e Petkovit u rrëzua me një votë mosbesimi parlamentar gjatë verës. Në këtë, rol luajtën edhe forcat proruse. Deri në vjeshtë, Petkovi dhe Vasilevi ishin vetëm përkohësisht në detyrë. Që atëherë, vendi ka qenë në bllokadë politike, por qëndrimi ndaj Ukrainës ka ndryshuar disi.

Në dhjetor, parlamenti vendosi të lejojë zyrtarisht dërgesat e armëve në Ukrainë.

“Ne i jemi thellësisht mirënjohës Bullgarisë për këtë. Është e pabesueshme se me sa këmbëngulje po përpiqen këto forca ta tërheqin Bullgarinë në anën e agresorëve dhe kasapëve”, pati thënë Kuleba atë kohë.

Petkovi dhe Vasilevi tashmë kanë shkruar historinë me ndihmën e tyre sekrete për Ukrainën, shkruan “Die Welt”. Me partinë e tyre “Ndryshimet e vazhdueshme”, ata duan të konkurrojnë sërish në zgjedhjet e ardhshme dhe të vazhdojnë luftën e tyre për Bullgarinë, e cila po lufton me korrupsionin. Petkov këmbëngul se një gjë është e pakthyeshme.

“Ne treguam se bota është e mundur pa varësinë dhe frikën nga Rusia”, ka thënë ai.

EU4Justice, ekipet e inspektimit të ILD-së eksperienca profesionale në Spanjë

Inspektorë dhe ndihmës inspektorë të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në dy ekipe zhvilluan dy vizita njëjavore pune…

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

EU4Justice, ekipet e inspektimit të ILD-së eksperienca profesionale në Spanjë

Inspektorë dhe ndihmës inspektorë të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në dy ekipe zhvilluan dy vizita njëjavore pune…