Frano Kulli, publicisti i lirizmit të Lezhës dhe ëmbëlsisë së shkodranishtes

Refleksione mbi librat publicistikë “Kohë e përlyeme” dhe “Djerrinave të kohës” të publicistit të njohur.


Nga Marash Mirashi

Të bisedojmë dhe të shkëmbejmë mendime për publicistikën, sigurisht që është një gjë me mjaft vlerë, kur kjo ndodh mes profesionistësh të gazetarisë, por të flasësh posaçërisht për publicistikën e mikut tonë të përbashkët Frano Kulli, është padyshim një emocion i veçantë. Këtë privilegj na e jep bashkëkohësia, të cilës ne i bashkangjitim pikëpamjet tona, vetëdijen tonë, stilin tonë dhe nësë e zotërojmë, edhe elegancën e fjalës tonë, për të cilën më duhet të pohoj se si rrallëkush, Frano e ka pjesë të subkoshiencës së tij, aristokracinë e të shprehurit, që pak më lart e quajta eleganca e fjalës.

I rritur profesionalisht në një familje gjigande mediatike, siç është Radiotelevizioni Shqiptar, mes teorive estetike dhe dashurisë ndaj të bukurës, e gjej veten, për fat, brenda kufinjve të mundësisë dhe të modestisë që të pohoj se Frano është një intelektual kumbues i kohës tonë, një personalitet i pikturuar me fjalë.

Pothuajse për tre dekada me rradhë, kolegu ynë, fort i nderuar, ia ka arritur me sukses të plotë që ta orientojë publicistikën larg kufinjve të politikës, për ta vënë atë më afër realitetit tokësor, duke krijuar një trend të ri, më pranë peisazhit njerëzor dhe historik, duke lënë në vetminë e tyre, opinionet, analizat editorialet dhe programet televizive trushpëlarëse të natës, që në fakt nuk janë asgjë më shumë sesa zgjatime të lodhshme dhe pa kurfarë mesazhi të politikës së ditës. Publicistika e Franos është diçkja tjetër. Ajo shpeshherë kacafytet me politikën dhe qeverinë, sidomos kur kjo nuk tregon vëmendjen e duhur, apo neglizhon ato fusha, të cilat vetë publicisti i nderuar i ka target të shkrimeve të tij.

Eshtë interesant fakti se në të dy titujt e librave të fundit publicistikë të Franos, gjejmë fjalën kohë, një fjalë kozmike kjo që tregon njëherësh edhe pafundësinë e përmasës por edhe përmasën e segmentit. Autori i librave publicistikë “Kohë e përlyeme” dhe “Djerrinave të kohës” është në sintoni të plotë me kohën, duke marrë kumte nga e shkuara e duke çuar mesazhe nga e ardhmja. Si një njohës dhe njëherësh edhe ushtrues aktiv i publicistikës, e them me siguri që brezat, do t’i jenë mirënjohës autorit, për prurjet e një segmenti kohor të ikur dhe që nuk mund ta kthesh më pas, përveçse me dëshmi, dhe libra si gurë kilometrikë në një rrugëtim plot kthesa, ngjitje dhe zbritje, ashtu siç në fakt, është edhe rrugëtimi i historisë. Në këtë pikpamje, dua të them që dekada më vonë, kur ne të mos jemi fizikisht, por do të mund të jetojmë aq sa e meritojme, përmes librave, publicistika e Franos do të dalë akoma e më në pah, si dëshmi e kohës së shkuar, që për fat nuk është mbytur në vakum informacioni.

Ajo çfarë unë vë re tek shkrimet e Frano Kullit, është shqisa e hollë e një studiuesi i cili u vesh shkrimeve të tij, një karakter gati memuaristik, një bërthame ku shkrimtarët e së nesërmes, mbase mund të ndërtojnë mbi gjithë keto peisazhe te fjalës, sinopse per vepra letrare, sepse sipas shijes time, publicistika e Franos mund të lexohet edhe si letërsi.

Sigurisht që një publicist nuk është historian, por ai shkruan në histori, ashtu siç dhe nuk është gjuhëtar, por që jeton në gjuhë. Kështu që me kalimin e viteve dhe dekadave, shkrimet publicistike sigurisht që marrin edhe karakter historik. Në këtë aspekt, publicistika e Franos është e rëndësishme, pasi u transmeton brezave të ardhshëm një material jetësor, dëshmi konkrete dhe fakte të padëgjuara më parë. Mjafton të kujtoj se në njërin prej librave, kemi një indeks të emrave që janë përmendur ndër shkrime. Krahas emrit, është numri i faqes, ku secili lexues, sipas dëshirës mund të eksplorojë për personazhin e përmendur, të cilët nuk janë pak por shumë. Ata rrokin hapësira kohore të ndryshme, qindravjeçare, gjeografi dhe peisazhe të ndryshme, profesione, mentalitete, dije, kulturë dhe vizione të mëdha. Personazhe që të tronditin, që të lënë pa fjalë, personazhe që të duken mitikë, e në fakt janë po kaq të njerëzishëm sa dhe vetë portreti i Franos, që ashtu i përhumbur në studimet e shkrimet e tij, ngjan për nga buzëqeshja, sjellja e përkorë, përkushtimi, dija dhe përvuejtnia, me secilin prej etërve françeskanë të përshkruar në librat e tij.

Sigurisht që mjeshtëria rritet përmes përvojës të të shkruarit dhe të jetuarit me shqetësimet të mëdha të kohës, me impresionet e fituara gjatë një karriere kushtuar fjalës, studimit dhe mendimit estetik. Tek Frano Kulli, unë shoh gazetarin e talentuar dhe njëherësh, të angazhuar në rrjedhat e një realiteti, përmes të cilit kalon Shqipëria. Ai lë gjurmë në publicistikë përmes shkrimeve të tij ekspres, duke na treguar dritën, ose duke nxjerrë në dritë fakte, personazhe, dukuri si dhe peisazhin plot mjegull të mentalitetit njerëzor. Frano operon me termat dhe temat që i ka më për zemër, duke dhënë shpirtin e tij, duke e vendosur veten në një raport të rrafshtë me realitetin. Ai operon me faktin, fjalën, fotografinë, kujtesën, përsiatjen, personazhin dhe ngjarjen duke na sjellë si në një film, zhvillime sociale dhe historike në kohë të ndryshme, duke e mbushur vakumin me ajrin e një lirie që mundet të ta dhurojë vetëm leximi.

Gjuha e përdorur në shkrimet e dy librave që sot kemi në bibliotekat tona, “Kohë e përlyeme” dhe “Djerrinave të kohës”, leksiku i pasur dhe vertikaliteti i analizës, flasin për një stekë të lartë që publicisti ka vendosur, si një ftesë për të gjithë gazetarët e publicistët qe kanë pasion shkrimtarinë ndryshe, larg shablloneve reportazheske, ku autori i hedh tekstit të tij, ngjyrat e një realizmi magjik.

Duke lexuar shkrimet e mikut tonë publicist Frano Kulli, të krijohet ideja se je ulur diku në një karrige të vjetër, me shenjat e qarta të stilit klasik, në një nga kafenetë e njohura të viteve ’30, ku korifenjtë e mendimit shqiptar, flasin për fatet e Shqipërisë, me një shqipe muzikale që ka përmasat e Sapës, lirizmin e Lezhës dhe ëmbëlsinë e shkodranishtes.

Ibrahimaj në Përmet, prezanton projektin pilot të pagesave të shpejta

Në tre qytete të vendit, Tiranë, Dibër dhe Përmet po zbatohet një projekt pilot për edukimin e qytetarëve për pagesa…

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Liria e fjalës e rrezikuar nga media…

Rënia e besueshmërisë së medias ka ardhur edhe si pasojë e minimit të profesionit nga brenda.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Ibrahimaj në Përmet, prezanton projektin pilot të pagesave të shpejta

Në tre qytete të vendit, Tiranë, Dibër dhe Përmet po zbatohet një projekt pilot për edukimin e qytetarëve për pagesa…