Shën Mëria në folklor!

Në krijimet e popullit, këngët dhe legjendat që i referohen figurës së Shën Mërisë shprehet shprestaria e besimtarëve


Nga Andrea Llukani

SHËN MËRIA NË FOLKLOR

Figura e Shën Mërisë ka një përdorim shumë të gjerë në traditën popullore. Në krijimet e popullit, këngët dhe legjendat që i referohen figurës së Shën Mërisë shprehet shprestaria e besimtarëve. Kemi shumë lutje prekëse drejtuar Shën Mërisë, gjithashtu besimtarët betoheshin për Shën Mërinë etj. Më 15 gusht në ditën e Fjetjes së Shën Mërisë besimtarët këndonin:

Rri, moj zonj Shën Mëri,
ndë atë fron me flori,
mba orë, mba korë,
mba zotnë Krisht në dorë.

Gjergj Fishta ka krijuar vjershën “Të grishunit”.

Ajo po nder halle t’ona
Tash na njet doren ndimtare,
Pse, si heret si ne e vona,
Asht diftue njimend Shqyptare,
Vetë perherë ka’i ba hije
Ksajë së hijshmes tokë Shqypnije.
Pra ksajë Virgjen fatmire,
Qi a’ e kulluet si rrezja e diellit,
Të tanë gaz e të tanë hire,
Nanë e Hy’it e nanë e kshillit,
Ti kushtohet p’rherë Shqypnija
Si ndër t’mira ashtu nder t’kqija.

Poeti arbëresh Jul Variboba në vitin 1762 ka krijuar vjershën “Gjella e Shën Mërisë virgjër”.

Oj jet’ e ëmbël, o Shën mëri,
vjershin e ri ea na mbiso;
si do shurbier, si ti t’pëlkier,
ti bashk’ me ne nga e këndo.

Na ning ti të vandonjim,
ti të nderonjim si meriton;
se je fanmirë se na do mirë,
këta si thomi, këjo baston.

Cili njeri sa i lart’je,
sa gracje ke, mund nimëronjë?
vet’ Zoti inë ti di vandinë,
jatër gjuhë s’di ti këndonjë.

Nd’atë direkt çi fjet karta,
vetëm sa lart ti qeve vënë;
neve të tjerët të bjerrt’, të mjerët,
gjarpri mëkatat na pat ngrënë.

E bër’ aposta për Tënëzonë,
shkele Dimonë, i re pir mort;
ti vetëm qeve porsa u leve,
ndi trut’ ia ngjoke, ia ngjoke fort.

Jot ëm’ Shin Ana me Shin Xhakinë,
fimilë s’kinë e, pjot me lot,
e shertëruan, e argjëruan,
ashtu ti bjetin ka Inzot.

Me vute e meshë e raciuna,
me divuciuna e me hjidhi,
të kunçipirti, të parturi,
Shin Ana e mirë ndi pjakëri.

Kur ti u leve, e qiell e dhe,
bëri hare ndir gjith’ kundat;
haret’ i solle kur ti dolle,
dolle si dielli e pamëkat.

Tri vjet u mbille ndi një kuvend
bëre kutiend ti Tënëzon’;
i dhe nji lule, nji trëndafile,
i dhe të virgjit çi lulëzon.

Andaj Zotinë tij t’u prejar,
t’u namuruar e mir’ të dish:
e të bekoi, të shënjtëroi,
e shpirti kurim t’e bëri kish’.

Nj’ëngjëll aposta të suall mbashatën,
të suall uratën ndi kit modh’;
-O e lumja grua, Ti si e thua?
Ti Zoti im’për ëm’ të zgjodh.

Ti rispëndove:-U’jam e virgjër,
Si nji e virgjër mund jetë ëmë?
Këjo mbashatë ning ësht’uratë;
pir nji të virgjër ësht’ më se nëmë.

Ëngjëlli foli:-Jo, se Zotin’
tek vete hin, ning e danon,
virgjitatet e puritatet;
tek më e nget, më e ngjaron.

Si pasiki tek dielli hin,
ai ning e nxin, e dritësin.
mos kij pahur, mos kij timur:
vet’Shpirti shëjt’ vjen e të mbjon.

Për Shën Mërinë virgjëreshë Zef Skiro ka krijuar këngën “Këndojem, këndojem”, e cila e paraqet Hyjlindësen si perëndeshë të jetës.

O virgjërë e fjeshtë, më e bardhë se dëbora,
o vashë e dëlir, si një pëllumbeshë,
rreth ballit të bukur të shkrepën kurora,
se e jetës e e qiellit ti je perëndeshë.

Thimi Mitko në librin “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” ka botuar këngën “Atie lart nd’ato syri”.

Atie lart nd’ato syri,
Zënëke zonj’ e shën Mëri.
Shkoi zoti Krisht i gjallë,
Tyke kuvënduarë,
Tyke mpsalltëruarë:
-Ç’bën, shën Mëri këtu?
-Po bënj dhe, po bënj kodhe.
O thumba-thumbuari!
O gozhdë-gozhduari!
Kush të të kujtojë ndë natë,
Gjë të keqe ay mos patë,
As për farë, as për fis.
As për motër’ e për vëlla,
As për nën’ e për baba,
Se jam shpatë perëndie,
I vinj rreth asaj shtëpie,
Jam mbi krye asaj fëmije.

Kjo këngë është kënduar më 1878. Pjetër Budi në librin “Doktrina e Kërshtenë” ka shkruar vjershën “In honorem beatae mariae Virginis”, e cila përkthehet “Për nder të së bekuarës Virgjëreshës Mari”.

O n qiellshit ndima jonë,
Zotnja e shënë Mëri,
nktheu mbë nevojë tonë
ke dergjemi ndë të zi.

E lutunë për mkatet tonë
mos biemë ndë mëni,
të gjindemi ndë e vonë
duam faqeje cë ti.

Qi sdripi për mpkatet tonë’
n qiellshit atje ke rri,
me ndritm zemëratë tonë
t’erratë me madhështi.

E në me na lëshuom,
senxhirit ke qemë ram,
burgu c’errë e n’ cë helmuom
shintënë dritë me pam.

Ndaj shintënit (t)ë ti
ndaj engjit (t)ë levduom,
të mëmëdha Regjëni
për jetët me zotënuom.

Thimi Mitko tek këngët e mbledhura nga arbëreshët flet për “Ra kamban’ e Shënmërisë”.

Ra kamban’ e Shënmërisë,
ngreu, vajëz-o, të veç në kishë,
ra kambana dy, tri herë,
ngreu, vajëz-o, të rrish ndë derë.
Prifti me priftëreshënë,
van’ të vielën vreshtënë.
Erdhën torrë-torrë dhrisë,
u kukullosnë të dyzë.

Arbëreshët e Kalabrisë këndojnë këngën “Shën Mëria u vesh me ar”. Autori i kësaj kënge ka mbetur anonim.

Shën Mëria u vesh me ar
Vate ndë kopësht të mblidhë di lule
Ju përgjegj Zoti Krisht:
-Ato lule mos m’i ngjit!
Shkuan tre të mallëdhirm
Me qakëz ndë dorë
Shkuan tre me dhjetë kumborë
Ç’bien ndë pashkë e ndë natalle.
Kush i gjegjën e nëng i mëson
Dhjetë vambë zjarr shkon.

San Giacomo të Italisë këndohet kënga “La piu bella creatura”:

Më e bukura kopile
Çë shkërqen si trondofile,
Je ti Zonja Shën Mëri,
Si je ti neng është njeri,
Ë paraisi faqja jote
Kush e ruan bëhet dhivote,
Gjith belicët e t’in Zoti,
Ndato faqe i mbiodhe sod.
Jan di yjëzë e lipisi;
Çë do ruan namurarn
Çë do sheh e rikriarn.
Pjot me ar janë ato duar
Tën Zot kan për tërzuar,
Lipisiar sa jo më
Ndë Parais nëng le gjë
Rregjëron ti qiell e dhe
Gjith ndë kemb suxhiet i ke,
Puru ti më gjithë zëmër
I do si bij, puru se jan të nëmuj
Kët shpirt nxirja armikut,
Bëja këtë shkat të ligut;
Gjithë vit e gjith mot
Bëj të rri me t’in Zot.
Kur i ndëndi këta sy
Sa të shom, oj Shën Mëri?


Zef Serembre (1843-1901) ka krijuar vjershën “Shën Mërisë Virgjër”.

I grisa gjunjët edhe gjuhën thajta,
për ljotërat që shtura sitë u thanë,
më thertin shpirtin, zëmërën ma vranë,
edhe kekj e më kekj nga dita vajta.

E besa së më ndihu çë të mbajta:
mose dita të zeza ngraha më ranë;
endrrat dhe shpresat posi ljulje vanë,
gjindja më kjielli dhunë përse t’u kjiajtja.

Nani çë bënj, o mëmë, u te kjo gjellë?
dita më heljmon, nata më vret,
soti më vrenë e nesëri më nxinë.

Zëmëra te ti vjen me mall të thellë,
po ti rri larhu e nëmuria më pret,
e te një det heljmeçë njo më mbinë.

Gjergj Fishta në poezinë “Të lemt e Zonjës” flet për lindjen e Shën Mërisë.

Po thonë Anës e Joakimit
se i hyll vajze u paske le,
si ajo drita prej agimit,
si ajo voesa e nadjes s’re:
syni i sajë, nji rreze di’llit,
shtati i sajë gjeth drandofillit:
sji Pranverë n’blerim të vet!
sur po qeshka syni e ftyra
nëpër rreze të bindueshme
thue po u ndeka atë herë pasqyra,
m’t cillen pirun mendja e amshueshme,
t’natyrës s’vet sheh t’kthelltat jije,
edhe gjallë t’hyjnueshmen Dije
m’nja si vedin e perfton.

Mitrush Kuteli në poezinë “Kartë nga Shëndaumi” ndër të tjera shkruan:

Kjo zonjë e rëndë Shërmëri,
Kjo nënë e vuar Shermëri,
Veshur me ‘rgjënd e me flori,
Në dorë një qiri.

I bie më gju, bëj metani,
Një herë, dy, dyzet e tri,
“E madhe je, moj Shërmëri,
Ti dorëlarë me flori.

Aleks Tarketa në shekullin e XV ka krijuar këngën “O Virgjëreshë e Shenjtë”.

O virgjëreshë e shenjtë, burim i gjallë mëshire
Me devocionin të gjithëlutemi e të nderojmë
Për mirësinë tënde e përdëllesën e pafund.
Ndërhy për ne të lutem, për mëkatin e Adamit,
Kur unë mëkatoj më shenjtëro te kryqi i shenjtë,
Për atë që çdo njeri i vetëm është në botë
Me mosbesim e shpresë thërret me zë të lartë.
Këtë altar e ka bërë Aleksi i Tarketës
Në Shqipëri i lindur, kapedan i oborrit të Baregas
Më 13 të gushtit në vitin 1480.
Sa më tepër që i mendoj shtohen të mirat
Që më ke bërë mua, o Virgjëreshë e kulluar
Në madhështinë, nderimet të gjithë të dashurve.
Shumë m’u lartësua figura jote e bukur
Në moshë të vogël u largova nga Shqipëria e erdha
Te imzot i lartë, duka Franceska Sforca
Tek ai unë i shkreti u rrita e u lartësova,
Duke i nderuar me përfitim të madh
Përmbi meritat e mia e të gjindjes sime
Për këto urdhëra unë me kurajo, o Virgjëreshë
Të lutem përsëri e kur të iki nga kjo jetë
Për shpëtimin tim mos më moho asgjë,
Prandaj stolisa altarin me figurën tëndë,
Ku unë do lexohem si Aleksi debitor
Megjithqë kjo është shumë pak për Ty!

Këtë këngë e ka përkthyer nga italishtja dituraku Moikom Zeqo dhe është botuar në librin “Poetë Shqiptarë” të Anton Paplekës.

Gonxhja: Mirëpresim investimet direkte bavareze në energji dhe infrastrukturë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit priti ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Eric Beißwenger.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Gonxhja: Mirëpresim investimet direkte bavareze në energji dhe infrastrukturë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit priti ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Eric Beißwenger.