Manastiri i Shën Naumit, qendër pelegrinazhi mbi 1100-vjeçare

Manastiri i Shën Naumit është themeluar rreth vitit 900. Kisha e manastirit është bizantine e tipit në formë kryqi.


Nga Andrea Llukani

Manastiri i Shën Naumit është themeluar rreth vitit 900. Mbi portën e manastirit është një mozaik, i cili paraqet një bujk duke punuar tokën. Në njërën anë të parmendës ka një ka dhe në anën tjetër një ari. Kjo ka të bëjë me një mrekulli të Shën Naumit. Dikur bujku që lëronte arat e manastirit vjen e i thotë Shën Naumit se një ari i kishte ngrënë një ka dhe i kishte mbetur parmenda vetëm me një ka. Atëherë Shën Naumi pasi mblodhi gjithë bujqit u tha: -Ejani të shihni mrekullinë, që bën Zoti edhe me kafshët e egra. Nuk vonoi shumë dhe në anën e pendës që kishte mbetur bosh erdhi e hyri ariu. Bujku e lëroi tokën me parmendën ku qenë mprehur bashkë një ka dhe një ari. Në kohën që do të lërohej toka e manastitit ariu vinte dhe bujku e vinte në parmendë bashkë me kaun. Kjo ndodhi për tre vjet rresht, sepse më pas Shën Naumi e la të lirë ariun dhe kaun nuk e mprehu më në parmendë. Kjo mrekulli e shenjtit është fiksuar edhe në vulën e manastirit. Një parmendë me një ari dhe një ka duke lëruar tokën.

Kisha e manastirit është bizantine e tipit në formë kryqi. Ikonastasi i kishës së Shën Naumit është punuar në vitin 1711. Në këtë vit janë pikturuar edhe ikonat e shenjta. Kjo vërtetohet nga një mbishkrim, i cili thotë: “Këto ikona janë pikturuar në kohën e të përndriturit dhe të shumënderuarit igumen zotit Gavril dhe bashkëudhëtarëve të tij kryemurgjve Hierofant dhe Theodhosia, nga dora e zografit Kostandin në vitin 1711”. Vite më vonë, më 1802, kisha e manastirit të Shën Naumit u dogj. Bashkë me kishën u dogj edhe arkivi e biblioteka. Manastiri arriti të rimëkëmbej falë aftësive të igumenit Stefan, i cili gëzonte simpatinë e Ali Pashë Tepelenës. Ky i fundit në shenjë mirënjohjeje kontribuoi me të holla për ndërtimin e kupolës, e cila mbulonte varrin e Shën Naumit. Igumeni Stefan siguroi fonde edhe për pikturimin e afreskeve të kishës. Në një mbishkrim thuhet që afresket janë punuar nga ikonografi Tërpo Zografi në vitin 1806.

Në vitin 1818 është ndërtuar guzhina e manastirit. Pranë guzhinës me shpenzimet e Ismail beut nga Plasa u hap një pus, i cili furnizonte me ujë të pijshëm një çisternë pranë tij. Më 1819 u ndërtua furra e bukës, ndërsa në vitin 1828 me shpenzimet e fisit Ballamaçi u ndërtua një urë e gurtë mbi lumin Drin. Në urë qe vendosur edhe një pllakë e gurtë, ku qenë gdhendur motivet e legjendës “Shën Naumi dhe ariu”. Në një pllakë tjetër thuhej se ura qe ndërtuar me kontributin e vllehëve të fisit Ballamaçi, në vitin 1828. Në vitin 1865 manastirin e Shën Naumit e ka vizituar konsulli austriak Johan Hann, i cili ka lënë shënimet e tij. Hajati i manastirit është ndërtuar në vitin 1877 me fondet e besimtares Parashqevi Kota nga qyteti i Korçës. Në vitin 1878 u ndërtua kulla ku rrinin rojet e manastirit. Manastiri i Shën Naumit ka qenë nën mbrojtjen e Hysein begut.

Panairi i Shën Naumit

Për shkak të fuqisë mrekullibërëse të Shën Naumit, manastiri ka qenë qendër pelegrinazhi, jo vetëm për popullsinë e krishterë, por edhe për atë myslimane. Panairi fillon në virgjile të së kremtes. Pelegrinët kalojnë natën duke u lutur në kishën e manastirit. Të nesërmen vijon ceremonia kishtare me pjesëmarrjen e hierarkëve më të lartë të kishës vendore. Tregtarë të shumtë nga Maqedonia, Bullgaria dhe Shqipëria shesin produktet, ndërsa grupet folklorike japin programin e tyre. Për të strehuar pelegrinët e shumtë që vinin nga vise të largëta të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, në ambientet e manastirit u ndërtuan konakë. Çdo qytet ose fshat mund të ndërtonte konakët e vet. Nga trojet shqiptare u ndërtuan konakët e korçarëve, të voskopojarëve etj. Në konakët e manastirit kishte salla të mëdha të ndërtuara nga tregtarët maqedonas: të Bitolës, të Strugës, të Ohrit etj.

Zjarret e shumtë e kanë shkatërruar manastirin. Ndër ta mund të përmendim zjarrin që ra në vitin 1875. Nga zjarri u dogjën dhomat e korçarëve, pallati i igumenit të manastirit, çardaku i Ohrit, çardaku i Voskopojës dhe dhomat e haxhi Sinës. U dogj edhe dhoma ku ruheshin sendet e shenjta të manastirit, kodikë, objekte liturgjike kishtare etj. Këto të fundit ruheshin në një sunduk. Ndër librat që u dogjën qenë edhe dy shërbesat, që qenë botuar në Shtypshkronjën e Voskopojës.


Studiuesi Andrea Llukani

Panairi i Shën Naumit mbahej më 23 dhjetor, ditën që kremtonte shenjti. Meqenëse e kremtja binte në ditë dimri dhe nga moti i keq vinin pak njerëz, në vitin 1727 me vendimin e Sinodit të Shenjtë të peshkopatës së Ohrit panairi u spostua më 20 qershor (sipas kalendarit të vjetër), për ta bërë pelegrinazhin më të plotë. Sot manastiri feston sipas kalendarit të ri, më 3 korrik. Edhe në kohën që Konferenca e Ambasadorëve ia ktheu manastirin Mbretërisë Serbe-Kroate e Sllovene panairi i Shën Naumit zhvillohej regullisht. Për lehtësimin e pelegrinazhit të shtetasve shqiptarë në manastirin e Shën Naumit, Konferenca Ambasadorëve më 6 nëntor 1925, hartoi një rezolutë.

Disa nga nenet e rezolutës janë: “U lejohet shtetasve shqiptarë, që në përputhje me dispozitat e këtij protokolli, të kalojnë lirshëm dhe gjatë gjithë vitit kufirin për të kryer pelegrinazh në manastirin e Shën Naumit. Kalimi i kufirit do të bëhet nga rruga, që nis nga fshati shqiptar Tushemisht, në jug të liqenit të Ohrit dhe të çon në manastirin e Shën Naumit, ose udha që ndjek pjesën e poshtme të luginës së Çëravës. Pelegrinazhi duhet të bëhet gjatë ditës, që nga lindja e diellit deri në perëndim të tij dhe pa armë. Pelegrinët duhet të jenë të pajisur me karta identiteti të lëshuara në gjuhën serbe e shqipe nga nënprefekti kompetent shqiptar.

Këto karta përveç përshkrimit fizik të pelegrinit, do të përmbajnë datën e krijimit të tyre si dhe firmën dhe vulën e autoritetit që i ka lëshuar. Ato do të jenë të vlefshme për një vit dhe do të mund të rinovohen pas skadimit të këtij afati. Me hyrjen e tyre në territorin e Mbretërisë Serbe-Kroate e Sllovene, pelegrinët, të pajisur me karta do të duhet të paraqiten në postën kufitare, e cila do të ngjisë vizën e saj dhe datën e kalimit mbi kartë. E njëjta procedurë do të duhet të kryhet në dalje. Pelegrinët mund të qëndrojnë në territorin e Mbretërisë Serbe-Kroate e Sllovene maksimumi tri ditë”.

Kulti i Shën Naumit

Kulti i Shën Naumit u përhap në Shqipëri. Atij i janë kushtuar ikona dhe afreske të shumtë. Një ikonë e Shën Naumit e pikturuar nga ikonografi Nikollë Guga në vitin 1759, është në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës. Afreske të Shën Naumit ka në faqet jugore të kishave të Shën Thanasit dhe Shën Kollit në Voskopojë. Gjithashtu një afresk i tij është në skajin lindor të arkadave të kishës së Shën Mihalit në Voskopojë. Një ikonë e Shën Naumit është në kishën e Shën Gjergjit në fshatin Shipskë.

Një afresk është në kishën e anargjendëve Kozma e Damjan në Vithkuq të Korçës, ku Shën Naumi paraqitet bashkë me Nikodhin Vithkuqarin. Shën Naumi bën pjesë në kultin e shtatë shenjtorëve sllavë, të cilët janë pikturuar në shumë kisha të Shqipërisë. Afresku më i vjetër që paraqet kultin e shtatë shenjtorëve “Οι αγιοι Επτάριθμοι” është në manastirin e Shën Naumit. Afresku daton më 1806 dhe është pikturuar nga Terpo Zografi. Një ikonë e shtatë shenjtorëve është në Muzeun Onufri në Berat.

Ikona është pikturuar në vitin 1812 nga Joan Çetiri. Në manastirin e Ardenicës është një afresk i shtatë shenjtorëve me përmasat 1,5 x 2m. Afresku është pikturuar nga Kostandin dhe Athanas Zografi në vitin 1744. Afreske të tjerë me shtatë shenjtorët gjenden në kishat e Libofshës dhe të Vanajt në Myzeqe. Një afresk është në manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, i cili daton më 1764.

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.