Stërvitja e luftëtarëve palestinezë në Zall-Herr. Mesazhi që solli i dërguari i Arafatit dhe takimi me Enver Hoxhën

Gjatë kohës që stërviteshin në Zallherr, luftëtarët palestinezë u vizituan dhe nga një prej udhëheqësvee të Al-Fatahut, krahu politik i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, që udhëhiqej nga Jaser Arafati.


Nga Memorie.al

Këto ditë, kur të gjitha mediat i fillojnë e mbyllin lajmet me konfliktin më të fundit Palestinë-Izrael, në Shqipëri analistë e komentatorë të ndryshëm, ndër të tjera risjellin në vëmendjen e opinionit historinë e raporteve specifike që ka pasur në vite vendi ynë me këto dy shtete të përfshira në një ballafaqim të përgjakshëm.

Aktualisht, Shqipëria është sot një aleate e fortë e Izraelit, por nuk ka qënë kështu 30 vite më parë kur ishte pjesë e Aleancës Lindore dhe përgjërohej për komunizmin. Asokohe, vendi ynë në konfliktin Palestinë-Izrael, mbështeste hapur Palestinën, madje jo vetëm politikisht, por edhe ushtarakisht, duke stërvitur grupet e armatosura të “Al Fatah”- ut që drejtoheshin nga Jaser Arafati.

Pavarsisht se nuk i servireshin opinionit publik, Shqipëria e asaj periudhe, vizitohej nga dhjetëra luftëtarë palestinezë, të cilët u stërvitën për luftime nga ushtria shqiptare. Unë jam një nga dëshmitarët që kam parë nga afër e kam ndjekur në dinamik përgatitjen e 30 komandove palestineze që u stërvitën për gjashtë muaj në Zallherr të Tiranës në gjashtëmujorin e parë të vitit ’71. Është e arsyeshme që para se të tregoj historinë e atij demostrimi stërvitor me mysafirët e ardhur nga larg, të sjell një paarqitje të asaj që është duke ndodhur aktualisht në konfliktin më të ri e më të përgjakshëm Palestinë-Izrael…

NGA SHTATË TETORI E KËTEJ, ÇFARË PO NDODH NË ZONËN E KONFLIKTIT

Në 7 tetor të këtij viti, nisi një histori e re jo vetëm e raporteve Izrael-Palestinë. Ekstremistët e Hamasit(Organizatë politike dhe militante islamike sunite që aktualisht qeveris Rripin e Gazës, në dallim nga Fatah që qeveris pjesën tjetër më të madhe të këtij shteti, Bregun Perëndimor), në 7 tetor 2023 ndërmorën një sulm masiv me afro 5000 raketa në disa qytete e fshatra në Jug të Izraelit.

Vetëm ditën e parë, u vranë 70 izraelitë dhe u plagosen afro 800 të tjerë. Luftëtarët e HamasIT u futën në brendësi të Izraelit dhe morën në kontroll disa qytete e lagje të veçanta. Rrëmbyen mjete luftarake, kryesisht makina e tanke dhe shumë pengje. Qeveria e Izraelit me anë të Kryeministrit Netanjahu shpalli gjendjen e luftës, duke urdhëruar mobilizimin e përgjithshëm të rezervistëve.

Ai në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, përcaktoi tri përparësitë e veprimeve ushtarake: marrja e kontrollit të zonave/ qyteteve të pushtuara nga ekstremistët e Hamas, goditja me aviacion e objektivave ushtarake në Rripin e Gazës dhe rritja e gatishmërisë së forcave të armatosura për të mos lejuar përhapjen e situatave të tilla në pjesë të tjera të vendit. Duke iu drejtuar ekstremistëve të Hamas, ai i kërcënoi ata “se do të përballen me një sulm dhe me pasoja që nuk i kanë parë deri tani”. Në fakt, nga sulmet ajrore gjatë ditës së 7 tetorit ka pasur dëme, shkatërrime të shumta të objekteve e ndërtesave në Rripin e Gazës dhe shumë të vrarë.

Ndërkohë, luftimet kanë vazhduar gjatë gjithë këtyre ditëve, me pasoja shumë të rënda, së pari në jetë njerëzish. Aviacioni izraelit ka ndërmarrë një seri sulmesh mbi objekte të ndryshme në Rripin e Gazës.

Deri në fund të ditës së datës 11 tetor, për shkak të luftimeve të ashpra, rezultojnë gjithsej rreth 2100 të vrarë, nga të cilët rreth 1200 nga ana izraelite dhe 900 nga ana palestineze në Rripin e Gazës. Ky numër mund të jetë më i madh, sepse shumë viktimat nuk janë identifikuar ende. Po ashtu, janë bërë shkatërrime të mëdha të ndërtesave dhe objekteve të tjera në Izrael e sidomos në Rripin e Gazës. Afro 300 mijë rezervistë janë gati të fillojnë operacionin sipas objektivave të përcaktuara për ndëshkimin e organizatorëve, pëkrahësve dhe mbështetësve, si dhe për paralizimin e veprimtarisë së mëtejshme terroriste të Hamas.

Sigurisht, nga ky sulm do të ketë viktima të panumërta edhe nga civilët. Të shohim se si do zhvillohen ngjarjet. Hamasi i ka kërkuar mbështetje Hezbollah-ut në Liban për të goditur Izraelin nga Veriu, me qëllim të rimarrin tokat e humbura. Ndërkohë, Izraeli ka paralajmëruar goditje të ashpra. Në këto kushte, situata do jetë shumë e komplikuar dhe mund të rezultojë me pasoja të rënda sidomos në jetë njerëzore. Efektet dhe pasojat e kësaj lufte do të varen nga dy faktorë: Së pari, nga vetë izraelitët dhe palestinezët. Duan ata të vazhdojnë me këta kalvarë gjaku mes dy popujve, apo duan të bëjnë paqe e të jetojnë në siguri e prosperitet. Së dyti, nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht nga SHBA, ngase BE dhe shtete të tjera të fuqishme, për shembull Rusia, Kina, etj., nuk kanë ndonjë ndikim të madh në këtë rajon te palestinezët e sidomos tek izraelitët.

Nga këta faktorë, roli i SHBA-së është vendimtar për disa arsye. E para, sepse Izraeli është një shtet i lidhur shumë me Amerikën. Në Amerikë ka një lob të fuqishëm hebre, sa që shpeshherë ka ndikuar në politikëbërjen e SHBA, sidomos në ato që kanë patur si objekt çështjet e Lindjes së Mesme e, më konkretisht, çështjet që kanë patur të bënin me Izraelin dhe Palestinën. E dyta, SHBA shpesh është angazhuar në zgjidhjen e konfliktit mes Palestinës dhe Izraelit. Edhe pse herë me arritje e herë me dështime, SHBA ka përvojë të gjatë në këtë drejtim.

Të presim. Por, historia e luftës dhe e konflikteve midis palestinezëve dhe izraelitëve ka treguar se procesi i paqes mes tyre, më shumë se një proces në të mirë të dy popujve e të qytetarëve të të dy vendeve, është parë si proces në interes të grupeve të mëdha financiare, ushtarake e politike, të cilët synimet e tyre i arrijnë më shunë nga lufta se sa nga paqja mes dy popujve. Pra, SHBA dhe të tjerë aktorë që mund të angazhohen në zgjidhjen e këtij konflikti gati shekullor, duhet ta ndajnë mendjen. Do bëjnë paqe apo do bëjnë sikur duan paqe dhe t’i lënë dy palët në një konflikt të përhershëm. Kam frikë se, për arsye e për interesa të ndryshme të qarqeve politike e financiare në Amerikë, por edhe në vende të tjera në botë, situata të lihet kështu, hiq e mos e këput. Ndërkohë që, në tavolina ndërkombëtare, flitet për paqe mes Izraelit e Palestinës, në prapaskenë bëhen llogari e afera të tjera.

VITI 1971, KUR STËRVISNIM PALESTINEZËT NË ZALL-HERR

Gjatë gjithë këtyre ditëve që po zhvillohen luftime, kujtesa më është kthyer shumë vite pas, në vitin 1971 kur, në ishDetashmentin e Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Zall-herr, u stërvitën ushtarakisht 30 militantë të rinj palestinezë, për një periudhë gjashtëmujore. Palestinezët, të rinj në moshë, kishin ardhur nga shtete të ndryshme arabe, por edhe nga vende evropiane. Një pjesë syresh vinin nga radhët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës, e themeluar që në vitin 1964 me qëllim të çlirimit të Palestinës përmes luftës së armatosur, pra nga radhët e luftëtarëve që e njihnin luftën dhe fushën e betejës.

Për përgatitjen e tyre u hartua një program gjashtëmujor, në të cilin vendin kryesor e zinte përgatitja taktike, ku përfshiheshin tema të stërvitjes vetmore, të skuadrës e të grupit të luftëtarëve. E gjithë kjo përgatitje mbështetej në përvojën e përgatitjes së reparteve tona të zbulimit, çka afrohej edhe me luftën guerile që ata do të zhvillonin në vendin e tyre. Programi parashikonte me përparësi sidomos njohje armatimi dhe përgatitje për qitje me të gjitha llojet e armëve të lehta, nga granatate dorës, pistoleta, pushkë, automatik, mitroloz i lehtë e i rënde, top 75 mm dhe granatahedhës kundër tank, mortaja 60 dhe 81 mm. Pra, me të gjithë arsenalin e armëve që mund të përdorë një luftëtar në fushëbetejë.

Veç këtyre dy komponentëve, në programin e përgatitjes ushtarake u planëzuan edhe komponentë të tjerë si përgatitje xhenjere (sidomos mjetet e luftës me eksplozivë), përgatitje për mbrojtjen kundër kimike (veçanërisht përdorimin e kundër gazit dhe të kostumeve të mbrojtjes kundërkimike për të vepruar në terrene të ndotur kimikisht), përgatitje topografike (kryesisht orientimi dhe levizja me hartë), përgatitje fizike (veçanërisht aftësimi i tyre për të kaluar pengesat e terrenit gjatë veprimeve luftarake e sidomos për të përvetësuar elementet e luftimit trup me trup).

Të gjithë djemtë ishin shumë të interesuar për të përfituar në maksimum nga ky program. Aktivizimi i tyre nuk kishte nevojë të nxitej apo të kërkohej nga instruktori. I tërë grupi, por veçanërisht ata që vinin nga rradhët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës, pra, ata që vinin nga lufta, ishin gjithë sy e veshë. Nuk ishte kollaj ta kaloje një argument shkel e shko. Ishin të interesuar sidomos për luftën në qytet, për luftën kundër mjeteve ajrore, sidomos helikopterëve, si dhe për përdorimin e mjeteve të luftës me eksploziva. Ne, edhe pse nuk kishim përvojë të shumtë, sidomos për luftën në qytet dhe kundër mjeteve ajrore, u munduam t’u japim sa më shumë njohuri. Ndërsa për luftën me eksplozivë u zhvilluan një mori temash e praktikash në terren.

Pavarësisht nga disa probleme të mësimdhënies, sidomos fakti që mësimi jepej në gjuhën shqipe, në anglisht, arabisht, etj., programi u përvetësua në një nivel shumë të mirë. Për nga volumi dhe cilësia, programi që u aplikua me ta, asokohe barazohej me njohuritë që merrte një student ushtarak në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në programin dyvjeçar. Pra, në nivelin e një oficeri trupe në shkallët e parë të karrierës.

Ka ndodhur që në bisedat e atyre ditëve me të rinjtë palestinezë kemi folur edhe për argumente që e kapërcenin përmbajtjen e programit, ku përfshiehshin çështje të politikës dhe të konflikteve ushtarake. Një nga këto argumente ishte ekzistenca e Izraelit. Pjesa më e madhe e tyre nuk e pranonte ekzistencën e këtij shteti. Kishin mendimin që cilido hebre mund të qëndronte në ato troje si qytetar i Palestinës, por të tjerët duhej të ktheheshin në vendet nga kishin ardhur. Ishte kjo një bindje e verbër e tyre, të cilën as e vinin në diskutim. Në këtë çështje, me sa më kujtohet, për aq sa kishim informacion, pretendimi i tyre, në mos jo i padrejtë, më dukej i parealizueshëm.

Deri në 1971, Izraeli kishte treguar se mund ta mbronte ekzistencën e tij. Kishte edhe nga ata, sidomos ata të arsimuar në Perëndim, të cilët e pranonin ekzistencën e Izraelit, por e dënonin politikën e tij kundër palestinezëve. Në këtë rast, u jepja më shumë të drejtë dhe e quaja më të mundëshme arritjen e qëllimit të tyre, çlirimin e territoreve të pushtuara nga Izraeli dhe ngritjen e shtetit të tyre, shtetit të Palestinës. Periudha që drejtova përgatitjen ushtarake të grupit të palestinezëve është një nga përvojat më të mira në karrierën time ushtarake. Kjo, për arsye se ishte një grup i një vendi tjetër dhe për shkak se shumë prej tyre vinin direkt nga fusha e luftës, çka përbënte një përvojë të veçantë edhe për mua.

Gjatë kohës që stërviteshin në Zallherr, luftëtarët palestinezë u vizituan dhe nga një prej udhëheqësvee të Al-Fatahut, krahu politik i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, që udhëhiqej nga Jaser Arafati, i cili vlerësoi miqësinë midis dy popujve tanë dhe falënderoi grupin e ushtarakëve që kishin stërvitur trupën e tij. Pas ’90-s, ka pasur shumë interes mbi përgatitjen e këtij grupi. Më kanë pyetur shumë veta e kam dhënë madje dhe intervista. Në një rast kam qenë edhe në një emision televiziv.

Në të gjitha rastet kam konstatuar se synimi ka qenë që ky grup të konsiderohej grup terrorist. Kjo lidhej me turravrapin për të demaskuar politikën e partisë në pushtet në kohën e komunizmit dhe të Enver Hoxhës në mbështetje të luftrave çlirimtare dhe të luftrave për liri e pavarësi. Unë, as atëherë më 1971 dhe as edhe pas viteve ’90 nuk kam qenë i këtij opinioni. Për mua, ata ishin luftëtarë të popullit palestinez, që përgatiteshin të luftonin për lirinë dhe shtetin e tyre, për një shtet në paqe e në siguri me gjithë fqinjët në Lindjen e Mesme.

Sigurisht që, si në çdo luftë, ka edhe akte e veprime ekstreme, edhe në luftën e palestinezëve ka pasur akte vetjake apo veprime terroriste. Si i tillë është konsideruar sulmi i grupit “Shtatori i Zi” në Lojrat Olimpike në Munih të Gjermanisë, ashtu siç është konsideruar nga opinioni i gjërë publik, shumë shtete dhe institucione ndërkombëtare edhe sulmi i Hamasit këto ditë mbi Izraelin. Nuk marr përsipër të them se çfarë kanë bërë e çfarë mund të bënin “ushtarët” e mi palestinezë, nëse ende janë në jetë (në vitin 1971, të gjithë ishin rreth të 30-ave), por nuk do të dëshiroja dhe nuk do të doja të ishin pjesë dhe aktivë në aktet terroriste të Hamasit.

SULMI I HAMASIT, FRYNË ERË LUFTE

Duke e mbyllur këtë shënim-reflektim, dua të nënvizoj se paqja në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet kurrë për aq kohë sa nuk do të zgjidhet problemi i popullit dhe i shtetit të Palestinës. Ashtu si edhe izraelitët, edhe palestinezët janë popuj të trojeve të tyre dhe secili prej tyre meriton dhe duhet të ketë territorin, lirinë dhe shtetin përkatës. Komuniteti ndërkombëtar, OKB-ja, Këshilli i Sigurimit, organizata të tjera rajonale dhe shtetet e fuqishme si SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe, Kina, Rusia, Turqia, Arabia Saudite, Irani, etj., më shumë se të merren me pasojat e konflikteve të tilla ushtarake, duke marrë anën e njërës apo tjetrës palë, duhet të merren, në radhë të parë e mbi të gjitha, me shkakun dhe të guxojnë të presin nyjen gordiane.

T’i japin dhe t’i garantojnë të drejtën e shtetit edhe Palestinës, palestinezëve. Sigurisht siç kanë rrjedhur ngjarjet, pozicionet që kanë sot palët, përbetimet për hakmarrje, përbetimet për të paguar çdo sulm me jetën e një pengu, e të tjera, kjo nuk është e lehtë. Por, duhet ta bëjnë. Palestina të ketë shtetin e vet, të njohur e të respektuar ndërkombëtarisht. Ndryshe, situata mund të bëhet e rrezikshme, jo vetëm për këto dy vende, por edhe me gjërë, për të gjithë Lindjen e Mesme, madje për të gjithë pellgun e Mesdheut.

Si ushtarak, nuk mund të rri pa cekur edhe anën tjetër të kësaj lufte. Anën që ka të bëjë me ne, me vendin tonë, me gatishmërinë tonë për t’u përballur me situata të tilla të rrezikshme.

E para, përkundër çfarë mendojnë të shumtët e shqiptarëve, edhe politikanë e shtetarë, fatkeqësisht edhe kuadro të lartë të Forcave të Armatosura, rreziku i luftës nuk është i tejkaluar. Këtë tregoi sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, sulmi terrorist serb në Banjskë Kosovë e tani sulmi i Hamasit kundër Izraelit.

E dyta, në literaturën ushtarake thuhet se befasia është element i rëndësishëm i fitores, por edhe i dështimit në luftë. Cili e harron këtë parim, e ka të sigurt dështimin. Edhe Izraeli që ka një shërbim inteligjent ekselent, nuk e përballoi befasinë. Nuk di, mos i paragjykoj, por nuk besoj se ne e vlerësojmë seriozisht këtë element. Mund të na zënë shumë kollaj në befasi. Kjo do të ishte me pasoja të rënda për gjithë aktivitetin tonë politik, diplomatik dhe ushtarak në një përballje ushtarake me kundërshtarët tanë.

Së treti, mbrojtja e popullsisë nga goditjet ajrore. Në Izrael, në çdo shtëpi, një dhomë ishte bunker. Interesante. Nuk e kisha dëgjuar. Kisha dëgjuar për strehimet e Zvicrës. Te ne, këto as që mund të imagjinohen. Jo vetëm që nuk projektohen më ndërtime të tilla, por madje mund të vihesh në lojë nëse mendon që në çdo banesë një dhomë të jetë dhomë “bunker”. Por, kjo nuk ka përse të përligjë faktin që të gjitha objektet mbrojtëse, edhe ato të mbrojtjes së popullatës, janë shkatërruar plotësisht. Koha po tregon dhe me siguri do tregojë domosdoshmërinë e të tilla objektesh mbrojtëse.

Së fundi, a mendon njeri te ne për organizimin e vetëmbrojtjes popullore? Cili e mbron popullatën në kushtet e mungesës së reparteve, njësive ushtarake? Shikoni çfarë ndodhi në disa qyteza, apo zona, ku Izraeli nuk kishte reparte gatishmërie: luftëtarët e Hamasit u futën në territorin e Izraelit, dhunuan, vranë, rrëmbyen qindra fëmijë, të rinj, të reja dhe tani i përdorin si pengje. A kemi ne plane, skema të organizimit të vetëmbrojtjes edhe në ato zona ku nuk ka dhe nuk parashikohen të dislokohen reparte të Ushtrisë?! Ka edhe çështje të tjera që duhen rimarrë në konsideratë kur bëhet fjalë për përballimin e një agresioni ushtarak.

Një nga këto është çështja e thirrjes së rezervistëve. Izraeli, me një popullsi prej rreth 9 milionë banorësh, brenda një dite mobilizoi mbi 300 mijë rezervistë, për të përballuar një gjendje lufte dhe për ta fituar atë. Nuk jam i sigurtë, por pyes: po Shqipëria, sa mund, apo sa duhet të mobilizojë në kushte të tilla, të cilat askush nuk ve dorën në zjarr se nuk do të ndodhin? Për sa kohë mund të mobilizojmë numrin e domosdoshëm të rezervistëve? Këto, e shumë e shumë pyetje të tjera, nuk duhet të mbeten pa përgjigje. Që të mos jetë vonë!

Lexo më shumë nga

“E mbaj vendin bosh për ty!”

"Pritja për ty nuk shuhet kurrë tek unë..."

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

“E mbaj vendin bosh për ty!”

"Pritja për ty nuk shuhet kurrë tek unë..."