Objektivat dhe sfidat e ekonomisë kineze në vitin 2024

Sipas ekspertëve, në vitin 2024, forca e brendshme nxitëse e ekonomisë kineze do të rritet dhe shtimi i investimeve do të përshpejtohet në krahasim me vitin 2023.


Sipas ekspertëve, në vitin 2024, forca e brendshme nxitëse e ekonomisë kineze do të rritet dhe shtimi i investimeve do të përshpejtohet në krahasim me vitin 2023. Me përmirësimin e situatës së punësimit, rimëkëmbjen e kërkesës së konsumit dhe zbatimin e politikave fiskale proaktive, parashikohet që konsumi i përgjithshëm në vitin 2024 do të shtohet në mënyrë të vazhdueshme, ekonomia do të vijojë të rimëkëmbet dhe bilanci ndërkombëtar i pagesave i vendit në përgjithësi do të mbetet i qëndrueshëm. Cilat do të jenë objektivat e ekonomisë kineze gjatë vitit 2024, rritja e saj dhe sfidat me të cilat pritet të përballet në situatën ndërkombëtare?

Eksperti i ekonomisë Dr. Enriko Ceko në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton pritshmëritë e ecurisë së ekonomisë kineze gjatë këtij viti


Eksperti i ekonomisë Dr. Enriko Ceko në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës

CMG: Ditët e fundit  Kryeministri kinez Li Qiang bëri thirrje për më shumë përpjekje për të nxitur forcat e reja prodhuese, për të promovuar zhvillimin me cilësi të lartë të vendit. Në Konferencën Qendrore të Punës Ekonomike që u mbajt në dhjetor të vitit të kaluar u kërkua nga ndërmarrjet të nxitin inovacionin teknologjik dhe të çojnë përpara zhvillimin e gjelbër. A kemi të bëjmë tashmë me modele të reja të zhvillimit ekonomik në ekonominë e dytë botërore?

Dr. Enriko Ceko: Kemi një zhvillim në të gjithë arenën ndërkombëtare në kërkim të modeleve ekonomike, të cilat të mos na detyrojnë që të kemi përplasje sociale. Në përgjithësi vendet që dolën pas Luftës së Dytë Botërore në bazë të burimeve njerëzore, natyrore dhe financiare që kishin ndërtuan modelet e tyre ekonomike. Çeshtja qendron pas vitit 90-të të shekullit të kaluar kemi një periudhë 25-30 vjeçare që në të gjitha vendet e rëndësishme të botës modeli ekonomik ka ecur në një rrugë të përzier zhvillimi deri sa duke ndjekur një model ekonomik të përzier fillojnë të gjejnë elementet që mund të përbëjnë modelin ekonomik për 45 vitet që vijnë. Sepse një model ekonomik ndërtohet për 40-50 vjet.

CMG: Është vetë zhvillimi që imponon modelin

Dr.Enriko Ceko: Patjetër. Në këtë moment dalin dy koncepte shumë të rëndësishme: struktura dhe superstruktura. Tek superstruktura bëjnë pjesë ligjet, sistemi politik dhe sistemi ekonomik, kurse te struktura përfshihen të gjithë aktorët të cilët marrin pjesë në zhvillimin e vendit në përputhje me ligjet, sistemin politik dhe atë ekonomik.

Struktura të ka Kina është në një moment shumë të përshtatshëm që të kalojë nga variant klasik i modeleve ekonomike kun ë themel ishte toka, puna dhe kapitali në një model ekonomik ku në themel të jetë sipërmarrja dhe inovacioni.

CMG: Kina ka dhe një përgjegjësi të madhe duke qenë ekonomia e dytë e botës.

Dr. Enriko Ceko: Është një model, i cili do të shërbejë si bazë edhe për të gjitha ekonomitë e tjera dhe jo vetëm për ato, të cilat janë të lidhura me ekonominë kineze. Në këtë kuadër përfshihet dhe zhvillimi i gjelbër.

CMG: Që është i imponuar nga zhvillimi, se më pare nuk ka qenë kaq i spikatur

default
Eksportet e Kinës (Foto CFP)

Dr. Enriko Ceko: Më përpara në rang botëror ishte një marrëveshje për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, përcaktimi i Objektivave të Mijëvjeçarit, por u kuptua që modeli, i cili pretendohej se mund të çonte botën përpara thjesht në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm nuk mjafton pa ekonominë e gjelbër.

Nëse i referohemi Kongresit të 19-të të PKK-së, për here të pare presidenti i Kinës Xi Jinping  hodhi  idenë që njeriu dhe natyra janë një kështu që njeriu duhet të mbështesë natyrën në mënyrë që edhe natyra të mbështesë njeriun.

Ndërsa në Kongresin e 20-të të PKK-së zhvillimi i gjelbër u përcaktua si themeli i zhvillimit ekonomik të vendit për modelin e ri ekonomik. Zhvillimi i gjelbër konsiston në shfrytëzimin e burimeve natyrore, njerëzore dhe financiare pa dëmtuar mjedisin, duke i dhënë mundësi brezave që vijnë që të jetojnë më mire se ne. Në këtë kuadër koncepti i zhvillimit të gjelbër kërkon inovacion, zhvillim teknologjik, por dhe një marrëdhënie më të mire midis punëdhënësve dhe punëmarrësve.

Kina ka marrë disa iniciativa edhe në nivel ndërkombëtar për këtë çeshtje dhe në Samitin e fundit të vendeve të G20-ës, por dhe atë të BRICS-it, si dhe në Samitin e OKB-së për Zhvillimin e Qendrueshëm Kina luajti një rol shumë të madh në negociatat për përcaktimin e parametrave klimaterikë të viteve që vijnë.

CMG: Në konferencën e pare për shtyp të këtij viti të ministrit të Financave të Kinës Lan Fo’an u theksua zgjerimi i shpenzimeve fiskale në vitin 2024 për të nxitur rritjen ekonomike, në përputhje me objektivat e politikës ekonomike të qeverisë qendrore për këtë vit. Në përgjigje të pasigurive të jashtme, si pritet të reagojë ekonomia kineze?

Dr. Enriko Ceko: Parashikimet e specialistëve janë që ekonomia kineze në tremujorin e pare të këtij viti do të ndjekë trendin e vitit që shkoi, por motori i ekonomisë kineze do të vihet në funksionim të plotë gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë, duke hedhur baza shumë të mira që në tremujorin e fundit të vitit 2024 Kina të arrijë një konsolidim financiar shumë të suksesshëm krahasuar me të paktën 10 vitet e fundit.

Ku synon zgjerimi i veprimtarisë fiskale? Bëhet fjalë që buxheti i shtetit që krijohet me të ardhurat e ekonomisë kineze nga taksapaguesit dhe nga veprimtaria tjetër ekonomike, t’i shërbejë zgjerimit të veprimtarisë ekonomike. Nëse do të shohim me kujdes llojet e industrive që ka Kina, duke iu përmbajtur listës së industrive të OKB-së, Kina është i vetmi vend në botë që e ka të gjithë listen e industrive. Nëse bëjmë një krahasim me vendet e Ballkanit, ato renditen te tridhjetë vendet e fundit sa i përket listës së industrive që i ka të zhvilluara.

Sigurisht në këtë listë ka industri që funksionojnë  me kapacitet të plotë, ka industri që janë të zhvilluara, si dhe industri që janë akoma në faze fillestare. Pikësisht zgjerimi i veprimtarisë fiskale synon që industritë që sapo kanë lindur të ndihmohen, të zgjerohen që të shërbejnë në rezultatin final që do të jetë tremujori i fundit i vitit 2024.

Zgjerimi i veprimtarisë fiskale nga ana teknike do të realizohet nëpërmjet emetimit nga qeveria kineze të shumë bonove të thesarit nëpërmjet të cilave do të financohen biznese që do të aplikojnë inovacionin teknologjik dhe ekonominë e gjelbër.

Është shumë e rëndësishme që të gjitha bizneset e reja, start-up-et por dhe ato biznese që janë në fazën e zgjerimit të synojnë që të bëjnë rinovim teknologjik duke reduktuar emetimin e dyoksidit të karbonit në atmosferë.

CMG: Në këtë drejtim Kina ka vendosur disa objektiva ambicioze për t’u realizuar në vitet 2030 dhe 2060.


Kryeministri kinez Li Qiang në konferencë për shtyp (Foto Xinhua)

Dr. Enriko Ceko: Po, madje edhe pse kjo gjë ka kosto për ekonominë kineze, të ruajë ritmet e ruajtjes dhe të zhvillimit jo thjesht se kjo ekonomi synon të jetë e dyta apo e para në botë, por që kjo ekonomi t’i shërbejë edhe popullit të Kinës dhe pjesës tjetër të komunitetit ndërkombëtar drejt një të ardhmeje më të mire.

Eshtë interesante që janë parashikuar gati 300 miliardë juanë të shpërndarë bono thesari kryesisht nëpërmjet politikave rajonale dhe sektoriale në mënyrë që i gjithë territori i Kinës të jetë i mbuluar me këtë lloj investimi. Mënyra se si do të kthehen këto bono thesari, që janë në fakt hua që jep qeveria për zhvillimin e vendit, do të jetë ky një rikthim në mënyrë të butë që edhe subjektet që do të përfitojnë nga këto bono të thesarit, nga investime të tjera dhe sistemi bankar, të kenë mundësi të rriten shpejt, por dhe të ndikojnë në ekonominë e vendit me synim kryesor rritjen e konsumit.

CMG: Pas konfliktit Rusi-Ukrainë, destinacionet kryesore të eksportit të Kinës po zhvendosen nga SHBA-ja dhe Evropa drejt vendeve anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore  ASEAN dhe ekonomive të tjera në zhvillim. Këtë vit a do të jenë shtylla të rëndësishme për eksportet kineze bashkëpunimi në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” dhe Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal

Dr. Enriko Ceko: Nëse do të shikojmë vendet e ASEAN-it ato kanë një karakteristikë në krahasim me vendet e tjera të botës sepse janë të gjitha vende me ekonomi emergjente. Ekonomia emergjente është shumë vibrante me tendencë për rritje të lartë ekonomike, si dhe është një ekonomi që kërkon të zhvillojë një game të gjerë produktesh dhe shërbimesh dhe kërkon të realizojë një integrim të ekonomive të vendeve të ASEAN-it me ekonomitë e mëdha.

Në këtë shoqatë bëjnë pjesë vende si Tajlanda, Singapori, Indonezia; Vietnami dhe janë ekonomi që të paktën 10 vitet e fundit, me përkashtim të periudhës së pandemisë, kanë patur rritje ekonomike të lartë. Gjithashtu këto janë ekonomi të cilat kanë treguar fuqinë e tyre dhe janë future në zinxhirin ndërkombëtar të produkteve dhe shërbimeve. Këto ekonomi së bashku me ekonominë e Kinës i kanë dhënë një mbështetje shumë të madhe ekonomisë botërore.

Bëhet fjalë për rreth 4 milion kilometra katrorë dhe rreth 600 milion banorë ndaj është një fuqi shumë e madhe ekonomike.

CMG: Ndaj së cilës nuk mund të jemi indiferentë, sepse ndërveprimet mes këtyre ekonomike ndikojnë në të gjithë globin

Dr. Enriko Ceko: Patjetër. Nëse shikojmë marrëdhëniet e Kinës me vendet e tjera, ky vend ka një qasje të re diplomatike, që t’i shërbejë sigurisë globale, qytetërimit global. Cila është diferenca mes qasjes globale dhe asaj lokale. Le t’i referohemi Evropës. Britania e Madhe doli nga BE-ja sepse ka qasje globale, ndërsa Gjermania ka qasje evropiane, pra lokale. Ndërsa Franca është duke zgjedhur të ketë qasje globale dhe të konkurrojë me Britaninë e Madhe apo të ketë qasje lokale dhe të konkurrojë me Gjermaninë, brenda komunitetit evropian?

Këtu kemi teorinë lidhjeve të vjetra të kolonializmit në Evropë dhe rivendosjes së këtyre lidhjeve, por  Kina është larg këtyre qasjeve, të cilat kërkojnë një rikthim të marrëdhënieve ndërkombëtare tradicionale, sepse nuk e ka patur këtë qasje.  Kina është e fuqishme dhe kërkon të respektohet, siç është shprehur dhe ish sekretari amerikan i shtetit Kissinger.

Duke patur një qasje globale Kina realizon një balance të fuqive në arenën ndërkombëtare midis SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian. Kjo qasje globale i përkon shumë mire Kinës që të ketë edhe një qasje drejt vendeve të ASEAN-it sepse për vetë mënyrën se si është ndërtuar ekonomia e këtyre vendeve, ato mund të ndihmohen nga ekonomia kineze. Nga ana tjetër dhe ekonomitë e vendeve të ASEAN-it mund të ndihmojnë me lëndë të para, produkte dhe shërbime ekonominë kineze.

Kështu krijohet një network shumë i mire në atë rajon që mund të shërbejë dhe në të ardhmen si një qendër tjetër polare e botës. Në Konferencën Qendrore të Punës Ekonomike të Kinës të zhvilluar në dhjetor të vitit të kaluar u hodh ideja që diplomacia ekonomike kineze të shërbejë për një botë shumëpolare.


Zhvillimi i industrisë së makinave elektrike në Kinë (Foto CFP)

CMG: Vendosja e pritshme e tarifave të karbonit nga Bashkimi Evropian mund të rrisë barrën tarifore për eksportet e Kinës në Evropë. Rrjedhimisht, këtë vit do të ketë disa presione të jashtme mbi tregtinë e jashtme të Kinës, ku do të nevojiten shpejt më shumë masa politike për t’i lehtësuar ato. Vlerësimi juaj për këtë?

Dr. Enriko Ceko: BE ka filluar të aplikojë taksën e karbonit dhe do të aplikohet në disa etapa. Në të vërtetë taksa e karbonit drejtohet ndaj industrive që emetojnë dyoksid karboni në atmosferë, siç janë industritë e makinave, prodhimi i çelikut apo karburanteve fosile. Kina nuk është fort e lidhur me këtë çeshtje, sepse ka marrë një iniciativë që deri në vitin 2060 do të jetë neutrale ndaj emetimit të karbonit në territorin e saj, madje ka marrë një angazhim që ta realizojë këtë 10 vjet më pare, pra në 2050. Kjo është një iniciativë shumë e mire, ndonëse me kosto për ekonominë kineze.

Kur flasim për industritë që do të jenë subjekt i taksës së karbonit, Kina ka vetëm çeshtjen e çelikut, sepse ka produkte dhe shërbime të lidhura me industrinë e çelikut, për të cilin Evropa është e interesuar. Ndërkohë Kina nuk preket nga karburantet fosile sepse vendi nuk eksporton këto karburante në Evropë, si dhe çeshtja e makinave për Kinën është e zgjidhur se aktualisht luan rol global në prodhimin e automjeteve me energji elektrike.

Nga ana tjetër do të përmendja një deklaratë të prodhuesve evropianë të këtyre industrive, të cilët e kanë kundështuar këtë nismë të Bashkimit Evropian për vendosjen e taksës së karbonit , sepse nëse kjo taksë vendoset së pari duhet t’u vendoset industrive evropiane. Kjo nuk mund të jetë e njëkahshme.

Intervistoi  Eda Merepeza

Mete dhe Sejko takime me drejtues të BB dhe FMN, diskutime mbi thellimin e reformave

Ministri i Financave, Ervin Mete, si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në nisje të takimeve të pranverës…

Global 360

Osmani shpall të mërkurën ditë zie në Kosovë pas vrasjes së dy grave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën e 17 prillit ditë zie në vend, pas vrasjes së…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Fjala është e para!

Na pëlqejnë fjalët e mençura dhe i marrim me vete! Ndaj fjala mbetet e para dhe e fundit si ajri…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Mete dhe Sejko takime me drejtues të BB dhe FMN, diskutime mbi thellimin e reformave

Ministri i Financave, Ervin Mete, si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në nisje të takimeve të pranverës…