Pengesat që do ta shtyjnë sërish zgjerimin e ri të Bashkimit Evropian

Zgjerimi – ose ndërtimi i shteteve anëtare, për të përdorur një term në modë nga mesi i viteve 2000 – mbetet instrumenti më i fuqishëm që ka në dispozicion blloku 27-anëtarësh


Nga Dimitar Bechev, “Carnegie Europe”

Zgjerimi i Bashkimit Evropian është kthyer sërish në modë. Disa ditë para samiti të Këshillit Evropian që do të mblidhet në datat 14-15 dhjetor, ka shumë hamendësime nëse drejtuesit e lartë të BE-së do t’i japin apo jo dritën jeshile fillimit të bisedimeve të anëtarësimit në BE me Ukrainën.

Edhe Moldavia, që ashtu si fqinji i saj lindor mori statusin e kandidatit në qershor 2022, shpreson se do të jetë i mundur fillimi i negociatave të pranimit. Në Ballkan, Bosnje Hercegovina shpreson të bëjë një hap të madh në këtë proces, dhe disa shtete anëtare po lobojnë për të. Duke folur për “Financial Times” në muajin nëntor, Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg e paralajmëroi BE që të mos e harrojë Ballkanin Perëndimor, ndërsa e akuzoi Brukselin se e sheh rajonin “me lupë” dhe Ukrainën me “syze rozë”.

Për të qenë të sinqertë, kur bëhet fjalë për gjeopolitikën, ka arsye të shqetësohemi se BE-ja nuk e ka kapërcyer miopinë e saj proverbiale. Është e vërtetë që agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, i ka zgjuar nga gjumi politikë-bërësit në Bruksel, Berlin dhe Paris, duke u kujtuar atyre vlerën strategjike që ka zgjerimi.

Tek e fundit, unioni ka pak mjete të tjera politike në dispozicion për t’iu kundërpërgjigjur sfidave të sigurisë në periferinë e tij. Ai nuk zotëron ushtri të përhershme apo kapacitete në fushën e sigurisë. Shtetet anëtare kanë ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën, por kolektivisht nuk kanë bërë një punë të shkëlqyer, për ta thënë në mënyrë elegante, në rritjen e prodhimit të municioneve për të furnizuar linjat e frontit dhe për të rimbushur rezervat kombëtare.

Zgjerimi – ose ndërtimi i shteteve anëtare, për të përdorur një term në modë nga mesi i viteve 2000 – mbetet instrumenti më i fuqishëm që ka në dispozicion blloku 27-anëtarësh. Megjithatë, politika e zgjerimit është jofunksionale dhe ka të ngjarë të mbetet e tillë, pavarësisht se çfarë do të vendosë javën e ardhshme Këshilli Evropian.

Siç e kam thënë edhe më parë, procesi i zgjerimit vuan si nga deficiti i ofertës po ashtu edhe nga ai i kërkesës. Në anën e ofertës, shtetet anëtare dhe qeveritë e tyre nuk kanë qenë të prirura ta ndjekin atë nga frika se kjo do të gjenerojë kosto krahas përfitimeve, qoftë kjo shtytje e brendshme, pakësimi i ndikimit mbi institucionet e Brukselit, më pak para nga buxheti i BE-së apo të meta të tjera.

Me ç’duket, agresioni i Rusisë ka ndryshuar llogaritë, dhe këto ditë edhe më skeptikët ndaj zgjerimit si Franca, janë më të prirur ndaj idesë për të hapur derën e unionit. Megjithatë, ka edhe vendeve bllokuese. Për shembull Hungaria e Viktor Orbán, do ta kushtëzojë miratimin e fillimit të bisedimeve të pranimit të Ukrainës, me zhbllokimin e transfertave të ngrira nga buxheti i BE-së, përfshirë instrumentin e BE-së pas ‘Covid Generation Next’.

Ndërkohë, Holanda nën drejtimin e mundshëm të Geert Wilders, mund të kthehet lehtësisht në një kundërshtare, duke e lidhur zgjerimin me rritjen e emigrimit. Lista e pengesave është e gjatë.

Dhe ndonëse BE-ja mund të vendosë votimin me shumicë të cilësuar për zgjerimin për të frenuar sabotatorët, sërish traktati i pranimit për Malin e Zi, Ukrainën apo çdo vend tjetër duhet të nënshkruhet dhe ratifikohet nga 27 shtetet anëtare.

Nga ana tjetër kjo e përkeqëson problemin e zgjerimit nga ana e kërkesës. Nëse anëtarësimi është në rastin më të mirë një perspektivë afatgjatë, atëherë pse vendet kandidate duhet të pajtohen me kërkesat e BE-së për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit, për të reformuar gjyqësorin apo për të zbatuar – me mirëbesim – rregullat e Brukselit mbi ekonominë ose politikat publike?

Ballkani Perëndimor, është një shembull i qartë i udhëheqësve që flasin për Evropën, por që ecin drejt saj vetëm kur u përshtatet. Ekziston një arsye për të besuar se nëse do të anëtarësohen ndonjëherë në BE, vende si Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do të imitonin Hungarinë ose Bullgarinë, dhe jo Suedinë, madje as Slloveninë apo Kroacinë.

Ndërkohë, popullsia ballkanike është bërë cinike. Me përjashtimin e mundshëm të Serbisë, mbështetja për anëtarësim në BE mbetet e lartë në të gjithë rajonin. Por njerëzit janë të vetëdijshëm se mënyra më e sigurt për t’iu bashkuar BE-së është ta bëjnë këtë individualisht, thjesht duke emigruar në Vjenë, Mynih ose Milano, në vend se të presin një ose dy dekada para se vendi i tyre të kalojë nëpër ‘portat e arta’ të Brukselit.

Për këtë arsye, reagimi dominues në Ballkanin Perëndimor ndaj faktit se edhe Ukraina dhe Moldavia janë pjesë e paketës së zgjerimit është indiferenca, dhe jo zemërimi që ata të dy i kanë kaluar në radhë. “Neve na u premtua anëtarësimi në BE rreth njëzet vjet më parë. Dhe shikoni ku jemi, të lënë në harresë. Edhe ju do të mësoni leksionin tuaj”.

Gjithsesi, kjo nuk e ndryshon faktin që BE-ja do të vazhdojë të nxisë një tërheqje magnetike tek fqinjët. Me apo pa një anëtarësim formal, si Ballkani Perëndimor, po ashtu Ukraina dhe Moldavia do të integrohen gjithnjë e më shumë në sferën e BE-së në vitet në vijim.

Për shembull, ukrainasit ka të ngjarë që ta ruajnë qasjen e tyre në tregjet e punës së BE-së, si një çmim ngushëllues për mos-anëtarësimin. Ndërkohë, Ballkani Perëndimor do të përfshihet edhe më thellë në tregun e përbashkët të BE-së, një prioritet politik sipas një dokumenti franko-gjerman të publikuar këtë shtator, që shqyrton mënyrat se si të reformohet BE-ja përpara zgjerimit të saj.

Të gjithë fqinjët e BE-së do të jenë nën presion për të hyrë në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, përndryshe do të paguajnë para ekstra për të pasur të drejtë të eksportojnë produktet e tyre në bllok që janë prodhuar nga industri tradicionale shumë ndotëse. Vendet kandidate mund të kualifikohen për financim shtesë, për të qenë në përputhje me politikat dhe legjislacionin e BE-së.

Evropianizimi do të ecë përpara, edhe nëse Brukseli mund ta ketë të vështirë që ta shndërrojë atë në një levë për të ndikuar mbi politikën dhe zgjedhjet e politikave të sigurisë në periferinë evropiane. Kur Ursula Von der Leyen mori në vitin 2019 detyrën si kryetare e Komisionit Evropian, ajo foli për konceptin e një “Komisioni gjeopolitik”. Fakti është se BE-ja ka shkuar në atë drejtim që nga 24 shkurti 2022. Megjithatë, duhet të jemi realistë se çfarë mund të arrijë dhe çfarë jo zgjerimi i mëtejshëm.

Industria e ndërtimit si formalizimi i informalitetit urban, por jo komunitar!

Sfida qëndron në atë se si do të stimulohen proceset transformuese në nivel komuniteti, lagjeje, qyteti, që na mundësojnë një…

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Industria e ndërtimit si formalizimi i informalitetit urban, por jo komunitar!

Sfida qëndron në atë se si do të stimulohen proceset transformuese në nivel komuniteti, lagjeje, qyteti, që na mundësojnë një…