Zoica Kokoshari, një jetë mes poezisë, pikturës dhe bamirësisë!

Atje në Luksemburgun e vogël, Zoica ushtron artin dhe boton poezi. Gjithashtu është edhe filantropiste.


Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh

Jeta aktive edhe pse mosha po vrapon tutje, na ka krijuar një lloj sportiviteti me natyrë optimiste. Takohemi me njerëz të ndryshëm në moshë, bindje, karakter, gjini, natyra interesante dhe i ndërtojmë komunikimet në shtratin joshës të bisedave.

Nuk e kisha takuar ndonjëherë Zoica Kokosharin. Por nga rrjetet sociale më ishte vrarë veshi, me emrin e fortlakuar Sonja Cocochanel. Doli që ishte e njëjta. Jo rrallë pseodonimet ia kalojnë në jehonë dhe vetë origjinalit të emrit. Kështu më duket se ndodh edhe me Zoica Kokosharin.

Herët, fort herët që nga shtatëvjeçarja, kam patur në klasë Lefteri Kokoshari. Më pas teksa kudhra e jetës filloi të kalisë karakterin e një të rrituri, u njoha dhe komunikova më dy Kokosharë të tjerë, që janë Vasili dhe Kristo. Burra zotni. Shumë seriozë dhe korrektë. Fytyrat e tyre ia nxjerrin në pah karakterin e fortë, si kockë e pathyer dhe i përcjell në publik tepër të qendrueshëm.

Vasili piktor aktiv, me profil intersant. E Kristo, i jati Zoicës, duke çfrytëzuar timbrin e zërit shumë skenik, i bënë fajde rolet në teatër dhe kinematografi. Kam parasysh këtu filmin “Kur ndahesh nga shokët”, prodhim i kinostudios shqiptare në vitin 1986. Kristo Kokoshari luan në atë film, ku rolin kryesor e luan mitiki i skenës Kadri Roshi.

Por Kokosharët vinin tek unë fis që nuk trazon, por urtësinë, mirësinë dhe qetësinë e kanë bekim nga Zoti. Bindem për këtë, kur në ditët e fundit takohem me Kokosharin e katërt. Është kjo pra që nis të tregoj: Zoica, por që në elektronikë vendos një lloj diktati, me emrin ngacmues dhe enigmatik Sonja Cocochanel.

Ia çmova nismën e takimit, me një njeri të regjur të letrave, prej simpatisë në të shkruar së pari dhe së dyti si durrsakë që pjekjen me njëri tjetrin, e kanë dëshirë të theksuar. Nga elektronika mësova edhe për angazhimet e saj në poezi, por nuk e dija se edhe pikturonte, por edhe se ishte e dhënë shumë pas bamirësisë. Këto i mësova, pasi ngamë bisedën për më se një orë, me Zoicën e Kokosharëve.

I njohim durrsakët. Jam këtu tash prej 73 vitesh. Por ka shumë ende të panjohur. Një e tillë është edhe kjo Kokoshare, e formalizuar dhe formatizuar në elektronikë si Sonja Cocochanel. Interesante kjo. Megjithëse vendosur në fytyrë syze me xhama të errëta, shikimi ishte aq zhbirues, sa që e thyente qelqin optik dhe vendosesh mbi tavolinë sinqeriteti i historisë së një zonje të fortë, të vuajtur, sfiduese ndaj situatave të trishta dhe të dhimbshme që ka kaluar. Por në një gjë bashkoheshim së bashku: në sinqeritet dhe optimizëm.

Kishte plane. Donte të ngrej shoqatë bamirësie në Durrës. Mbase edhe më tej. Këmbëngulëse për të dalë këtu, ndonëse ka ende vështirësi për t’i kaluar. Por beson, beson shumë. Jeton në Luksemburg. Por jo rrallë shikohet në Durrës. Në arkivën e pamjeve, ruan foto me shumë durrsakë dhe e vështron tek ndjek shumicën e veprimtarive artistike, që organizohen në vendlindjen tonë.

Atje në Luksemburgun e vogël si teritor, por shumë të madh në mirqenie, ka ndërtuar jetën. Ushtron artin dhe e ka edhe si mjet jetese. Angazhohet edhe në bamirësi. Është edhe poete. Pra është edhe piktore. Gjithashtu pra, është edhe filantropiste.

Humbas unë, humbet edhe ti

Në bukurinë tënde humbas përherë,
Humbas unë, edhe yjet humbasin.
Me fat jam unë, dhe yjet në qiej,
Me yjet e qiellit, kam lidhur fatin!
Do bëhem e tëra gurë orteku,
Nëse del hëna dhe të rrëmben.
Pa ty dhe yjet, më mirë e vdekur!

U futa në poezinë e saj. Doja informacion. Kjo sigurisht, pasi u ndamë nga ai takim që më befasoi. Takimet me njerëzit janë pjesa më e artë e jetës time, pasi aty ke rast të ndërtosh shkrimet bazuar jo në përralla, as në ëndërra, por në realitete që vijnë ashtu siç ndodhin.

Më tregoi kjo Zoica Kokoshari gjëra nga jeta e saj, disa prej të cilave më trishtonin, e disa të tjera me vendosnin optimizmin si detyrim që më gëzonte.

Ka një djalë dhe një vajzë. Natyrisht me të huaj martuar, sepse vitet e shumta që ka lënë Durrësin, e kanë kushtëzuar këtë. Djali avokat i njohur në Luksemburg, e vajza me autoritetin e zanatit të saj jeton në Belgjikë. Ka katër nipër dhe mbesa. Dhe familja është poezia më e bukur e kësaj jete, që quhet e saja, e Zoica Kokosharit, e Sonja Cocochanel.

Ishte kafeja e dytë, që konsumoja në pak orë. Rast shumë i rrallë në mëngjeset e mia. Por biseda me këtë Kokoshare të katërt, ma rrëmbeu këtë kafe si shak për të përqendruar vëmëndjen në bisedë. Humor kishte kjo Zoicë kështu. Por edhe trishtim jo pak kjo Zoicë, gjithashtu kështu. Përvoja në zanat dhe në takime me njerëzit, na çarmatosi nga emocionet dhe shtruar i ndërtuam dialogjet, me optimizëm dhe besim brenda.

Nuk kam arritur të njihem, me pikturat e Kokoshares tonë. Dhe me krijimtarinë letrare aq sa kam mundur. Me bamirësinë, do të kemi rast të njihemi kur ta ketë ngritur shoqatën e dëshiruar. Dhe atëherë jo vetëm unë, por të gjithë do të mësojnë më shumë dhe për më mirë për Zoica Kokosharin, apo Sonja Cocochanel.

E ndërsa Zoica po largohej, e shikoja në rrugëtimin e saj drejt arsyjes e bindjeve dhe përsërita brenda vetes dy vargjet e poezisë :

Me fatin jam unë dhe yjet në qiej,
Me yjet e qiellit, kam lidhur fatin!

___________
Durrës: 13 shkurt 2024

Shkodra shpallet Qyteti Evropian i Sportit 2025

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dha lajmin nga Parlamenti Evropian në Bruksel se Shkodra është shpallur Qyteti Evropian…

Global 360

”Politico”: Meloni personi më i fuqishëm në Evropë në 2025

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka fituar titullin e personit më të fuqishëm në Evropë të dhënë nga gazeta ”Politico” në…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Shkodra shpallet Qyteti Evropian i Sportit 2025

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dha lajmin nga Parlamenti Evropian në Bruksel se Shkodra është shpallur Qyteti Evropian…