Interesat dhe sfidat e përbashkëta midis Kinës dhe SHBA-ve!

Ka zëra se zoti Wang po përgatit gjithashtu një takim të radhës të presidentit Xi me presidentin amerikan Biden në SHBA.


Nga Enver Bytyçi

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi, bëri një vizitë në SHBA. Duket se është vizita e kthimit që ai ia bën homologut të tij amerikan, Antony Blinken. Takimi i parë në Uashington ishte ai midis dy shefave të diplomacisë së dy vendeve më të fuqishme të botës. Gjatë vizitës tri ditore zoti Wang takoi gjithashtu presidentin amerikan, Joe Biden. Në këto takime ai vuri theksin në nevojën e një marrëdhënieje midis Kinës dhe SHBA të shëndetshme dhe të matur. Që do të thotë se është fjala për uljen toneve dhe përpjekjeve për konflikt midis dy vendeve. Sipas agjencisë kineze, Xinhua, në takimin e zotit Wang me presidentin Biden të premten e shkuar u vu në dukje fakti që të dy vendet kanë bërë përparim në marrëdhëniet e tyre pas takimit të dy presidentëve në Bali dhe se ato kanë ardhur shpejt në përmirësim të dukshëm.


Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi u takua me homologun e tij amerikan, Antony Blinken/Ministria e Jashtme e Kinës

Kjo vizitë e shefit të diplomacisë kineze në Uashington është e para në një hark kohor prej shumë vitesh. Por është njëkohësisht më e rëndësishmja për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Pikërisht këto zhvillime duket se po i detyrojnë SHBA-të të kërkojë rrugë e mundësi për çtensionimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Kina ka qenë gjithmonë fleksibël në këto synime dhe mban gjithnjë një qëndrim të balancuar për bashkëpunim pa kushte.

Natyrshëm temë e bisedave ishin ngjarjet në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme, shtendosja e marrëdhënieve në raport me çështjen e Tajvanit dhe sidomos lidhjet ekonomike e tregtare midis dy vendeve. Ministri Wang në bisedë me sekretarin Blinken vuri theksin edhe në një çështje parimore shumë interesante. Ai kërkoi që marrëdhënia midis të dy vendeve të mos ndërtohet bazuar në fuqinë ushtarake të palëve, por në përpjekjet për të respektuar ligjin dhe normat ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Pekini i përmbahet me korrektësi parimit të marrëdhënieve të barabarta e në respekt të interesave të secilit vend. Në këtë kuptim del se Republika Popullore e Kinës mbështet një marrëdhënie të sinqertë me SHBA-të në funksion të interesave dhe sfidave të përbashkëta.


Presidenti amerikan, Joe Biden takoi Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi/Ministria e Jashtme e Kinës

Megjithatë midis Kinës dhe SHBA-ve ka diferenca në qëndrimet e tyre mbi vatrat e krizave dhe konflikteve në botë, për çështje ekonomike, si dhe në përpjekjet e palëve në respekt të ligjit e të drejtës ndërkombëtare, si dhe kartës së OKB-së. Përpjekjet kineze në këtë drejtim kanë qenë dhe janë më konstruktive, të bazuara në të drejtën dhe interesin e paqes së njerëzimit.

Më 24 qershor të këtij viti presidenti Xi Jinping kishte pritur në Pallatin e Madh të Popullit sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Në atë takim kreu i shtetit kinez i pati kërkuar shefit amerikan të diplomacisë përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke theksuar se bota ka nevojë për këtë. Dhe e vërteta është se një marrëdhënie e ekuilibruar dhe e balancuar Kinë-SHBA i jep njerëzimit shpresë për një jetë më të mirë. I njëjti arsyetim u përdor edhe në takimin e së premtes të ministrit të Kinës, Wang dhe presidentit Biden.


Më 24 qershor të vitit 2023, presidenti Xi Jinping kishte pritur në Pallatin e Madh të Popullit sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken./Xinnhua

Ndërkohë duhet pranuar se marrëdhëniet ekonomike e tregtare qëndrojnë në themel të interesave të përbashkëta. Në vitin 2022 shkëmbimet eksport-import u rritën me 2.2 për qind dhe kapën shumën mbi 690 miliard dollarë amerikanë. Kjo shifër është afërsisht e barabartë me buxhetin amerikan për mbrojtjen. Kurse importet amerikane nga Kina u rritën me 6.5 për qind. Kjo do të thotë se biznesi i të dy vendeve ka nevojë për njëri-tjetrin dhe politika ka detyrë t‘u përgjigjet këtyre kërkesave. Pas Kanadasë dhe Meksikës, Kina është partneri tregtar më i madh i SHBA-ve. Dhe kjo përbën një arsye të mjaftueshme për marrëdhënie korrekte dhe reciproke midis të dy vendeve.

Ka zëra se zoti Wang po përgatit gjithashtu një takim të radhës të presidentit Xi me presidentin amerikan Biden në SHBA. Me shumë gjasa ky takim do të realizohet në nëntor gjatë një samiti në San Françisko të APEC, në të cilin do të jenë të pranishëm të dy presidentët. Një takim midis Xi dhe Biden mund të shënojë nisjen e iniciativave të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të kontribuojë shumë për zgjidhjen e dy vatrave të krizave të mëdha të kohëve të sotme, asaj të Ukrainës dhe Lindjes së Mesme. Por edhe për respektimin me korrektësi të rendit dhe ligjit ndërkombëtar. Mund të shënojë madje një etapë të re, kur këto dy vende më të fuqishmet e globit të marrin përgjegjësi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…

Global 360

CNN zbulon prapaskenën e tërheqjes së Biden

Vendimi përfundimtar i Presidentit Joe Biden për t’u larguar nga gara u mor në 48 orët e fundit

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…