Turqia, një prej partnerëve strategjikë të Shqipërisë!

Konferencë shkencore kushtuar 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë


Nga Mimi Kodheli,
Kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë

I nderuar Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Gjinushi,
I dashur z. Rakipi,
Shkëlqesi Ambasador i Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Atay,
Zonja e Zotërinj

Ndihem e privilegjuar që jam sot këtu në ambientet e Akademisë për të marrë pjesë dhe folur mbi marrdheniet e vendit tonë me një vend si Turqia, në 100-vjetorin e këtyre marrdhënieve.

Mendoj se marrdhëniet dypaleshe midis dy vendeve, kur në mes është një shekull, janë gjithmone sa interesante për t’u studiuar e marrë mësime aq dhe me ulje-ngritje.

Këtë e tregon vetë historia, e cila 100 vite më parë vinte e lodhur prej një periudhe 5-shekullore të pushtimit Otoman, por nga ana tjetër edhe me plot shqiptarë që ishin bërë pjesë e historisë së Perandorisë Otomane, pse jo dhe pjesë e Republikës së re Turke qe po lindte asokohe.

Ndaj dhe jo rastësisht Qeveria Shqiptare e vitit 1921, që para themelimit të Republikës së Turqisë, hapi në Stamboll Zyrën e Pasaportave shqiptare, pasi shteti shqiptar duhej të kujdesej për fatin e shumë shqiptarëve që banonin prej kohësh në Turqi si dhe për pasuritë e tyre atje. Kjo Zyrë u pranua nga Perandoria e cunguar turke dhe filloi lëshimin e pasaportave dhe vizave shqiptare si dhe interesimin për mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare në Stamboll dhe në Izmir.

Në mars të vitit 1922, qeveria shqiptare kërkoi nga qeveria e re osmane të njihte zyrtarisht veprimet e kësaj Zyre e në këto kushte u arrit të përfundohej një Protokoll Konsullor midis dy palëve.
Që nga qershori 1922 shteti shqiptar kishte Konsullatën e tij në Stamboll.

Pas themelimit të Republikës së Turqisë në vitin1923, autoritetet turke nuk e morën parasysh aktivitetin e Konsullatës shqiptare në Stamboll me argumentin se midis Shqipërisë dhe Republikës turke nuk ishin vendosur akoma marrëdhëniet diplomatike. Konsullata në Stamboll u mbyll.

Me pas, me dëshirën reciproke të dy qeverive, më 15 dhjetor 1923 u nënshkrua në Ankara Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Turqisë, i cili shënon edhe aktin formal të vendosjes të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Në nenin 2 të këtij Traktati thuhej “Dy Anët e Nalta Kontraktuese janë dakord për të vendosur marrëdhënie diplomatike midis dy shteteve në konformitet me parimet e të drejtave të njerëzve”.

Dërgata shqiptare në Ankara drejtohej nga Eshref bey Frashëri, kryetar i Parlamentit, Xhafer bey Vila, Sekretar i Përgjithshëm i MPJ, dhe Nezir bey Leskoviku, ish-konsull në Stamboll.

Traktati hyri në fuqi më 15 qershor 1925. Më 27 tetor 1925 u rihap Konsullata shqiptare në Stamboll. Më 13 prill 1926, në Ankara paraqiti letrat kredenciale përfaqësuesi i parë shqiptar në Turqi Rauf Fico, në rangun e Ministrit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë. Po në vitin 1926 paraqiti letrat kredenciale edhe Ministri i parë Fuqiplotë i Turqisë në Tiranë Tahir Lutfi Beu.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, 7 prill 1939 dhe shkrirjes së shërbimit të jashtëm shqiptar me atë italian në 5 qershor 1939, përfaqësitë e huaja u larguan nga Shqipëria. Edhe legata turke u mbyll, por ndryshe nga të tjerët qeveria turke la në Tiranë një Konsullatë turke pasi Ankaraja zyrtare nuk e njohu pushtimin fashist të Shqipërisë.

Po kështu vazhdoi punën edhe Konsullata shqiptare në Stamboll.

Pas çlirimit të vendit dhe marrjes së pushtetit nga PK, qeveria e re komuniste nuk njihte asgjë nga marrëdhëniet me jashtë të qeverive të mëparshme dhe asnjë nga traktatet e nënshkruara prej tyre.
Konsulli turk Musaffer Kamil Bayur u detyrua të largohej nga Shqipëria, në 19 korrik 1945. Pak muaj më vonë u mbyll edhe Konsullata e Përgjithshme e monarkisë shqiptare në Stamboll.

Ky dëbim i konsullit turk, do të ndikonte së tepërmi në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Menjëherë pas përfundimit të Luftës II Botërore, kur në marrëdhëniet ndërkombëtare po kristalizoheshin dy blloqet politiko-ushtarake që do të përfshiheshin në Luftën e Ftohtë mes tyre, Turqia u orientua drejt Perëndimit. Ajo u anëtarësua në Këshillin e Evropës që në vitin 1949 dhe në NATO në v. 1951. Si e tillë, për një kohë të gjatë ajo nuk ndërmori ndonjë hap për njohjen e qeverisë komuniste shqiptare dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Duke mos trashëguar asnjë problem ndërshtetëror me Shqipërinë, Republika e Turqisë votoi pro pranimit të Shqipërisë në OKB në vitin 1955, dhe pala shqiptare shprehu falënderimet e saj për këtë akt miqësor nëpërmjet përfaqësuesit të saj në Sofje.

Nisur nga numri i madh i shqiptarëve me banim në Turqi, pasurive të tyre të vëna para vitit 1945 dhe po ashtu emigracioni kosovar atje, po nëpërmjet ambasadorit shqiptar në Sofje e më vonë edhe atij në Moskë, gjatë viteve 1955-1956 qeveria shqiptare bëri disa sondazhe pranë ambasadorëve turq në këto vende për vendosje të marrëdhënieve diplomatike, por pa rezultat.

Me kërkesën e qeverisë shqiptare, MPJ e Bullgarisë i kërkoi Ankarasë zyrtare në vitin 1956 miratimin për përfaqësimin e interesave shqiptare në Turqi nëpërmjet ambasadës bullgare atje. Kjo nuk u pranua nga pala turke me argumentin se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë ishte çështje kohe.

Arsyeja e paraqitur ishte fakti që qeveria shqiptare kishte dëbuar konsullin turk nga Shqipëria në vitet 1945-1946, Turqit me të njëjtin argument kishin refuzuar edhe një kërkesë të tillë të bërë nga qeveria jugosllave në vitin 1947, pa dijeninë e qeverisë shqiptare.

Më pas një kërkesë të tillë e bëri edhe Çekosllovakia për mbrojtjen e interesave shqiptare në Turqi, por që u refuzua.

Ndërkohë që në OKB Shqipëria mbështeti Sirinë, duke i dalë kundër Turqisë apo mbrojti parimin e vetëvendosjes së popullit qipriot duke kundërshtuar pretendimet greke e turke në ish-koloninë angleze, para turqve diskutohej përsëri cilësia e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe sa e pavarur do të ishte Shqipëria, atëherë pjesë e bllokut lindor, në marrëdhëniet e saj me jashtë.

Në fillim të vitit 1958, midis Ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë në Paris dhe Ambasadorit turk atje filluan bisedimet për (ri)vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Nisur nga lidhjet historike midis dy popujve, si dhe për të fituar mbështetjen e Shqipërisë në problematika të ndryshme të politikës së saj rajonale, e jo vetëm, si dhe nisur nga prezenca e popullsisë shqiptare në Turqi, qeveria turke mirëpriti propozimin jozyrtar shqiptar ne vitin 1958.

Ambasadori turk në Paris, i kërkoi homologut shqiptar formalizimin e propozimit të qeverisë shqiptare për rivendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Formulimi turk u anashkalua nga qeveria shqiptare. Më 4 shkurt 1958, pas miratimit nga MPJ, legata e Shqipërisë në Paris i bëri një notë zyrtare Ambasadës turke atje, ku shprehej dëshira e qeverisë shqiptare për vendosje të marrëdhënieve diplomatike dhe shkëmbim Ministrash Fuqiplotë e të Jashtëzakonshëm. Nota u dorëzua më 11 shkurt.

Më 4 qershor 1958 pala turke, po nëpërmjet përfaqësisë të saj në Paris u përgjigj pozitivisht me notë diplomatike për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Në 27 maj 1959, dorëzoi kredencialet në Ankara Ministri i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplote i RP të Shqipërisë në Turqi, Skënder Konica dhe legata shqiptare filloi rregullisht nga funksionimi i saj. Në Tiranë, Ministri Fuqiplotë i Turqisë Hasan Nurelgin paraqiti letrat kredenciale më 7 korrik 1959.

Këtu rifilloi një bashkëpunim i gjatë midis dy vendeve, me amplitudën e vet të luhatjeve në dinamiken e tij, por pa probleme mes tyre dhe me dëshirën e mirë të avancimit të tyre përpara deri në fillim të viteve ’90-të, kur për politikën e jashtme shqiptare filloi një periudhë cilësisht e re në prioritete, përmbajtje, e formë.

Sot Turqia është me të drejtë një prej partnerëve tanë strategjike. Të dy vendet tona jane anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe aderojnë ne shumë e shumë organizma ndërkombetare.

Sot, ne punojme së bashku jo vetem për shkak të lidhjeve dhe historive të perbashkëta të së shkuarës, por për një të ardhme më të sigurt e më të begatë, për të dy vendet tona, rajonet dhe interesat e përbashkëta, në të mire të dy popujve tanë.

Pa as me të voglin dyshim në dime që miku ynë i shtrire midis dy kontinentesh është gjithmonë i gatshëm të na mbështesë e të bashkëpunojë ashtu siç ne dime ta bëjmë këtë gjë më së miri.

Ju faleminderit!

(Fjala e mbajtur në Konferencën shkencore ndërkombëtare kushtuar 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Turqisë)

Lexo më shumë nga

Hoxha takim me ambasadoren franceze: Bashkëpunim për çështjet e sigurisë dhe migracionit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilloi sot bashkëbisedim me ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Hoxha takim me ambasadoren franceze: Bashkëpunim për çështjet e sigurisë dhe migracionit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilloi sot bashkëbisedim me ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.