Një dashuri e madhe dhe… një jetë e harxhuar për një ideal të rremë!

Dy të dashur, dy shkrimtarë të shekullit XX: Louis Aragon dhe Elsa Triolet. Ky çift ka hyrë tashmë në legjendën e dashnorëve të mëdhenj.


Nga Luan Rama

Dy të dashur, dy shkrimtarë të shekullit XX: Louis Aragon dhe Elsa Triolet. Ky çift ka hyrë tashmë në legjendën e dashnorëve të mëdhenj, siç kanë hyrë dashuritë e mëdha të Orfeut dhe Euridis, Tristan e Iseult, Heloïse e Abélard, Romeo e Juliette, Sand e Chopin apo Hugo e Juliette Drouet. Aragon i këndoi Triolet-së, ashtu siç i kishte kënduar Petrarka Laura-s, Ronsard Helenës, Lamartine Elvirës, Eluard Gala-s, Apollinaire Lou-së, etj. Një dashuri e mbrujtur nga fjala dhe poezia.

Ata ishin dy dashnorë, të cilët që kur u njohën, nuk u ndanë më, por e shoqëruan njëri-tjetrin gjer në vdekje: ai një fëmijë ilegjitim, francez, poet dhe një nga figurat e surrealizmit në atë kohë, ndërsa ajo një ruse, një emigrante çifute, që sapo kishte zbarkuar në Paris dhe kishte filluar të shkruante tregimet e para. Motra e saj ishte Lili Brink, e dashura e Majakovskit të madh, të vetvrarë.

Aragon-Triolet, një dashuri e pakufishme, e ngërthyer që në njohjen e tyre në Paris, në vitet 20’, kur ai e braktisi surrealizmin dhe u hodh më pas në krahët e luftës së proletariatit dhe të idealit marksist, Rezistencës. Eshtë e rrallë në historinë e letërsisë botërore, që një poet t’i referohet vazhdimisht të dashurës së tij. Kjo të kujton gjithashtu Raffaelon me portretin e Fornarina-s, të cilës i referohej gjithnjë, kujton Modiglianin me portretin dhe trupin e përhershëm të Jeanne-s, apo Picasso-n, që të dashurat e tij i mishëronte në artin e portretit. Kështu ishte dhe Aragon, për të cilin Elsa ishte frymëzimi i përhershëm dhe vetë ndjesia poetike, vargu, ashtu siç shkruante ai:

“Erdha drejt teje siç shkon lumi në det
me një veprim sakrifikova rrjedhën time dhe malet e mia
braktisa gjithçka për ty, miqtë, fëmijërinë
çdo pikë uji e jetës time ka marrë nga kripa e pafundësisë tënde
ti mbretëron mbi gjakun tim mbi ëndrrën time mbi çmenduritë e mia…”

Ata u njohën në “La Coupole”, atje ku një ditë më parë, Aragon kishte takuar Majakovskin. Atëherë, ajo ishte ndarë nga burri i saj André Triolet, një ushtarak francez, të cilin e kishte njohur në Moskë. Kur kishte ardhur në Paris, ajo kishte dëgjuar shumë për poetin Aragon. Në kafenetë e Montparnasse, në “Le Dôme”, “Closserie de Lilas”, në “La Rotonde” flitej shumë për surrealizmin dhe natyrisht emri i Aragonit ishte ndër më të dëgjuarit. Por ai në ato çaste vuante nga një dhimbje më e madhe: ndarja me bukuroshen Nancy… ishte në prag të vetvrasjes. Ishte kjo dashuri, ky pikëtakim që e shpëtoi atë. Kështu nisi jeta e tyre e përbashkët, e vështirë në fillim.

Kur Franca u pushtua nga ushtritë hitleriane, i mobilizuar në front si mjek, meqë kishte studjuar për mjeksi, ai iku nga Normandia drejt brigjeve të Anglisë. Por si mund të qëndronte larg Elsës. Mungesa ishte e pakufishme, dashuria klithte në vetmi. Kështu, ai u kthye në Francën e pushtuar. Në vitin 1942, atëherë kur do të duhej të hidheshin në ilegalitet, Aragoni përfundonte librin e famshëm Sytë e Elsës, në të cilin shkruante:

«Sytë e tu janë aq të thellë, sa duke u përkulur të pij në to
pashë diejt të vinin të sodisnin vetveten
gjithë të dëshpëruarit do të hidheshin për të vdekur aty
sytë e tu janë aq të thellë sa në to unë humbas kujtesën…”

Po, ai i këndonte syve të Elsës, aty ku humbte kujtesa… Këndonte atëherë kur nazistët i kërkonin dhe kur Gestapo dërgonte urdhëresën: “Të arrestohet menjëherë Elsa Kagan, dashnorja e një të quajturi Aragon, dhe ai hebre…” Por në Carcassone, në Nice, Drôme apo Saint-Donat e gjetkë, futur në kasolle të fshehta, ai vazhdonte t’i këndonte Elsës:

“Në ato lëndina të kaltra sysh që rrufetë fshehin
ku insektet lënë pas dashuritë e tyre violente
i ngecur jam në rrjetën e yjeve që bien
si marinari që vdes në det në mes të muajit gusht…»

Kur 27 të burgosur u vranë në Chateaubriand si ndëshkim nga hitlerianët, Aragoni shkroi poemën Martirët, që ashtu si poema Liria, (Liberté) e Paul Eluard, do të shpërndahej nga rrjeti i Rezistencës franceze në të gjithë Francën. Po kështu ai shkroi veprën Arti poetik, kur gjermanët pushkatojnë disa luftëtarë të Rezistencës në Mont Valerian, pranë Parisit. Që të dy shkruanin për lirinë dhe forcën e fjalës së poezisë, shkruanin duke fshehur dorëshkrimet e tyre në kuti biskotash. Lufta po afronte lirinë.


Brerja e tmerrshme

Pas Luftës së Dytë Botërore, Paul Eluard, Louis Aragon, André Malraux, André Gide, etj, ishin ndër autorët më në zë të letërsisë franceze dhe që të katër me një shpresë për të ardhmen e proletariatit botëror. Por shpejt, shpresat e tyre do të veniteshin dhe bindjet do të ndryshonin. Që në librin e saj Takimi i të huajve, (Rendez-vous des etrangers), Elsa Triolet shkruante në atë kohë për klimën e urrejtjes e të frikës në rradhët e komunistëve francezë. Proçeset politike në Bashkimin Sovjetik dhe në gjithë Lindjen e Evropës linin gjurmë në shpirtrat e tyre, ashtu siç do të linte gjurmë vrasja e Gorkit me urdhër të Stalinit. Gorki ishte tmerruar nga proçeset kundër intelektualëve, madje kishte kërcënuar se do të fliste. Ai donte të shkonte në Itali, por shpejt atë e helmuan dhe bashkë me të u zhdukën nga kjo botë dhe ata që qëndronin rreth tij, mjeku i tij, sekretari dhe infermierët. Që në vitin 1957, në librin tjetër Monumenti, Elsa Triolet shkruante për historinë e një skulptori, të cilit i kërkojnë të bëjë një monument për Stalinin. Por në fund, ai vuri re se s’kishte bërë asgjë me vlerë. Ai do ta shkatërrojë veprën e tij, por Partia i bën presion dhe më së fundi e shtyjnë të marrë ca para dhe të pranojë. Të gjitha paratë, ai vendos t’ua japë të verbërve që kurrë s’do ta shohin atë vepër, gjersa më në fund ai vret veten… Ishte një histori reale që kishte ndodhur vite më parë në Pragë.
Në vitin 1959, Elsa ishte 60 vjeç. Ajo nuk donte që ata të heshtnin për atë çka ndodhte në Lindje si dhe në gjirin e komunistëve francezë. Në një letër, ajo i shkruante Aragonit, të dashurit të saj: ”Ti harron që ne jetojmë në epilogun e jetës sonë dhe se pastaj s’ka asgjë për të thënë… por të tjerët më pas do t’i thonë ato…” Ajo ishte tronditur nga proçeset politike që vazhdonin në Bashkimin Sovjetik dhe të vërtetat mbi atë çka ndodhte dhe për jetën në gulagët e Siberisë, ku mbylleshin e vdisnin të burgosurit politikë, mes të cilëve shumë intelektualë. Tek udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik ajo ndjente tashmë një frymë anti-semitizmi. Por dhe nga udhëheqësit komunistë francezë ajo e ndjente që atë e shikonin me sy jo të mirë, se gjoja ajo po e shtynte Aragonin t’i largohej Partisë së tij: «Ishte e lodhshme të shikoja që partia e burrit tim, – shkruante ajo – më shikonte si një të huaj. Për «idiotët» e Partisë Komuniste Franceze, a nuk isha në fund të fundit një ruse, në mos një «ruse e bardhë» dhe për më tepër një emigrante hebre e kundërvënë ndaj Bashkimit Sovjetik?»…

Po, dhe Aragon ishte i një mendimi me të, jo thjesht se Elsa ishte dashuria e tij më e madhe, por dhe pse ai po e kuptonte se idea e marksizmit po degjeneronte, se stalinizmi po triumfonte përsëri në Bashkimin Sovjetik, se vetvrasja e Fadajevit ishte e njëllojtë me atë të Majakovskit: një protestë kundër dhunimit të lirisë. Dhe duke kënduar vargje për Elsën, ai shkruante:

«Po mbërrijmë në fund të udhëtimit tonë
kuajt nuk rendin më
dhe zëri i këmbanave po shuhet
gjithçka më ishte e gjatë dhe e ngadaltë
shtigjet shkojnë si plagë
peizazhi rreth nesh nuk ka më pemë por vetëm mëshirë
shekulli veç ngashërehet
kështu tmerrësisht ne s’kemi mundur të shohim
veçse martirin e vrasësit
e megjithatë kisha besuar, kisha besuar
oh, gishtërinjtë e tu të ngrohtë mbi gojën time
nuk jam unë që qaj fëmijën tim
por të tjerët, gruri i shkelur… »

Ishte Elsa ajo që e shtyu Aragonin që të shkruante për të mbrojtur Boris Pasternakun pas botimit të librit Doktor Zhivago. Pikërisht në këtë kohë, ata kishin në duar një dorëshkrim të një shkrimtari të panjohur: Aleksandër Solzhenicin: Një ditë e Ivan Denisoviç. Menjëherë, Elsa i shkroi motrës së saj Lili Brink “I. D. nuk ankohet. Sipas tij, gjithçka është në vazhdën e vet. Po kështu dhe ne, sepse ne e duam, duke humbur kështu shijen e jetës. Zemra ime është si pas një aksidenti me makinë, ku ka veç plagë të hapura. Dhe ndërkohë imagjinoj sesi mund të jetë për ty atje…» Vërtet, si mund të ishte për të dashurën e Majakovskit të vetvrarë, të cilën e përgjonte policia politike dhe detyrohej t’i shkruante motrës në mënyrë të tërthortë, të koduar?

Kur Shtëpia botuese “Gallimard” botoi romanin e Kunderës Shakaja, (La Plaisanterie), Aragoni shkroi parathënien e këtij libri, ku ndër të tjera shkruante: «Ja ku në fundin e një nate, ne dëgjuam dënimin e iluzioneve tona të përherëshme. Ç’thoshte ai zë pas perdeve ende të mbyllura në agun e 21 gushtit? Thoshte se e ardhmja kishte ndodhur dhe se ky ishte një rifillim. Ky zë që nuk rresht më, që të detyron të quash krimin virtut, që ndërhyrjen brutale e quan ndihmë për popullin çekosllovak, kjo do të thotë tu nënshtrohesh atyre për tu shërbyer. Ky zë i gënjeshtrës gjatë gjysmë shekulli pretendon se flet në emër të shpresës së Njerëzimit. O miq, vallë kemi humbur gjithçka?…»

Ky ishte fundi i iluzioneve të Louis Aragon. Dhe krerët e Partisë Komuniste Franceze nuk dinin ç’të bënin me të. Ta flaknin nga rradhët e tyre?

Aragon ishte një intelektual i madh, me një rreth të gjërë intelektualësh, nga Pikaso e Matis e gjer tek një gjeneratë e madhe intelektualësh të rinj të së majtës franceze. Po kështu Aragon shkruan artikuj kritikë, duke marrë në mbrojtje profetët e lirisë në Lindjen e Europës. Një shkrim të tillë ai botoi në Les Lettres Françaises për librin e Arthur London, Rrëfimi, (L’Aveu), duke ngritur zërin kundër torturave, fabrikimit të proçeseve gjyqësore në Lindje kundër demokratëve të vërtetë, kundër dhunës ndaj fjalës së lirë dhe lirisë. ”Krimet nuk kanë vend në marksizëm!” – shkruante ai me forcë. Nga ana tjetër, Elsa shkruante po në revistën e tyre artikullin Rasti Andrei Sakharov, duke kritikuar një stalinizëm që po rilind në Bashkimin Sovjetik. “Për sa kohë që kjo vazhdon, – shkruante Elsa, – unë nuk mundem dot ta kuptoj këtë frikë dhe këtë urrejtje ndaj lirisë intelektuale të udhëheqësve sovjetikë”. Po këtë kohë, në librin e saj Vendosja në fjalë, në vitin 1969, ajo shkruante për gjendjen e intelektualëve në Lindjen europiane: “Mungesa e diellit, pamundësia për të dalë jashtë vendit, verbëria, humbja e lirisë, një ecje e kotë në labirinthet e errta, poshtërim…”

Pikërisht në vitin 1968, bashkë me Elsa Triolet, Simonne de Beauvoir dhe François Mauriac, Aragon nënshkruan një peticion kundër luftës në Vietnam. Po Aragon, në revistën e tij Les Lettres Françaises, ashtu si dhe Elsa, Simone Signoret, Ives Montand, Sartre, Beauvoir e shumë të tjerë, dënoi agresionin sovietik në Pragë, duke manifestuar në sheshet dhe rrugët e Parisit dhe të Evropës, duke shkruar për «fatkeqësinë e Çekosllovakisë së pushtuar nga ushtritë e huaja». Kjo deklaratë ishte një dënim i hapur ndaj politikës së Bashkimit Sovjetik. Ja pse gazeta zyrtare sovjetike Literaturnaja gazeta e kritikoi ashpër atë; ja pse dhe revista e tij, fill pas kësaj deklarate, u bllokua në Bashkimin Sovjetik dhe abonimet e saj u ndërprenë, jo vetëm në Bashkimin Sovjetik, por dhe në vendet e tjera në Lindje…
Ndryshe nga Partia Komuniste, gjatë lëvizjes së studentëve francezë në vitin 1968, Aragoni shkoi tek studentët dhe bashkë me udhëheqësin e tyre Cohn Bendit, mori altoparlantin tu fliste të rinjve për luftën e tyre. Po në 15 maj të atij viti, ai botoi një numër special në revistën e tij, «Spécial étudiants», ku mes të tjerave, në editorial, do të shkruhej: «Le të themi admirimin tonë për këta të rinj që i shajnë dhe që këto ditë e netë, kanë treguar vendosmëri e kurajo. Nëse Franca duket sot e ndarë më dysh, fajin e kanë ata që i shohin këta të rinj si njerëz të egër, ata që qëndrojnë në këmbë veçse me anë të shkopinjve, pushkëve dhe gazit lotsjellës. Ky maj në Paris hap një epokë të re dhe askush nuk dyshon në atë se populli francez i njeh mirë bijtë e vet…»
Vitet kalonin dhe Elsa gjithnjë e më shumë ndjente lodhje dhe dhimbje në trupin e saj. Ç’ndodhte vallë me të?… Një reumatizëm i përgjithshëm i pushtoi trupin. Tashmë ata flenë veçmas, edhe pse Aragon në vargjet e tij shkruan për dashurinë fizike me të dashurën e përjetshme të tij:

“Rrobat që hoqe në tokë ranë
Dhe zemrës time i thashë të heshtë
në thellësi të natës
Nuk kuptoja veten, unë moshën kisha humbur
Lakuriq në këtë botë të zezë pa vështrime e imazh
në thellësi të natës
Ti, zymbyli im, midis krahësh pushtuar
Që lëviz lehtë në shtrat kur unë mbërrij
në thellësi të natës…”

Harabeli që hesht në agim

Një ditë, kur poeti i madh Pablo Neruda kishte shkuar në shtëpinë e tyre në fshat, duke shëtitur, Elsa i kishte thënë Nerudës: “Pablo… ju nuk mund ta dini se çfarë urrejtje kanë akumuluar njerëzit në Bashkimin Sovjetik jo vetëm në vendet që ata kanë pushtuar, por dhe brenda vendit të tyre. Një ditë gjithçka do të shëmbet dhe do të përfundojë në gjakderdhje”. Pablo e kishte dëgjuar dhe e kishte parë me një vështrim të tronditur: vallë ishte ashtu?

Ato kohë Elsa sapo kishte botuar romanin më të bukur të saj: Harabeli që hesht në agim. Ishte sipari i veprës së saj që binte, duke lënë pas një çmim “Goncourt” me përmbledhjen me tregime Pengesa e parë dhe libra si Dredhitë, Shpirti, Trëndafil me kredi, Dëgjo-shiko, etj. Ato ditë të fundit të dashurisë së tyre, Aragoni e kishte shëtitur me makinë në pyllin përreth, duke e pështjellë në krahët e tij. Duke e shtrënguar dhe me lutje i kishte thënë: ”Do më kënaqje shumë sikur të shkruaje diçka përsëri…” Ndërsa ajo i ishte përgjigjur: “Jo vogëlushi im. Tashmë ka mbaruar gjithçka. S’kam më asgjë për të thënë”… Dhe dialogu i tyre i fundit ishte akoma më i dhimbshëm. Një dialog për dashurinë. Një çast, Elsa e kishte parë me një dashuri të rrallë dhe me sytë e saj të shndritshëm i kishte thënë: “Meqë asnjëherë nuk të kam thënë fjalën “të dua” dhe meqë ti e di mirë që unë nuk jam nga ato që flas lehtë, tani po të them i dashur: “Të dua!”… Aragoni e kishte shtrënguar fort në krahë dhe ashtu, e përqafuar ajo ishte shuar ngadalë…

Kur Elsa vdiq më 16 qershor të vitit 1970, miku i tyre i afërt, poeti Pablo Neruda, do të përshëndeste mbi varrin e saj duke thënë: “Mikja jonë jetoi shkëlqimet dhe dhimbjet e shekullit tonë… ajo nuk e njihte frikën. Ajo ishte si një shpatë me sytë blu!… Midis tyre foli dhe miku tjetër, aktori dhe regjisori J. L. Barrault: “Njerëz të tillë të habitshëm që i pandehim solidë, janë në fakt gjithë plagë. i pandehim të pathyer si patriarkët, kur në fakt ata janë të brishtë si xhami… Nëse sytë e Elsës, për disa kishin forcën e çelikut, për të tjerë ato sy kishin ngrohtësinë e qiellit…»

Tri muaj më vonë, kur trupi i saj u vendos në oborrin e asaj shtëpie në fshat, në atë shtëpi që dikur kishte qenë një mulli, Aragoni hidhte një nga një trëndafilë të kuq mbi arkivol, duke harruar se njerëzit prisnin që të mbaronte ceremonia. Ai ishte me Elsën, duke i hedhur trëndafilë, ngadalë, si në një muzikë baroke, apo në një nga “stinët” e Vivaldit. Trëndafilë të pambarimtë në një çast të gjatë që për të kishte përmasat e një shekulli. Ashtu siç kishte shprehur dëshirën ajo, miku i Aragon-it, violonçelisti Rostropoviç, shkoi dhe luajti pranë varrit të saj Sarabande-n e Bach. Në oborr, siç kishte dashur ajo, u vu një manjetofon që transmetonte një muzikë të ëmbël. Ishte muzika e tyre e preferuar që tashmë endej mbi varr. Elsa në qiell, në tinguj dhe në vargun e tij të trishtë.
Që pas vdekjes së Elsës, Lili Brink vendosi të qëndronte ca kohë pranë dhimbjes së tij.

Një ditë, kur miku i saj Pozner e kërkonte në telefon dhe ai e kishte pyetur Aragonin nëse Lili ishte aty, ai i ishte përgjigjur: “Zonjën Brink?… dhe ashtu si zakonisht, Aragon kishte thirrur drejt sallonit të madh: “Elsa! Elsa!”… Thirri përsëri dhe pastaj, siç kujton Pozner, më së fundi kishte thënë: “Ah, Lili!”… Ai akoma jetonte me Elsën. Jo më kot… një ditë ai i kishte thënë mikut të tij të vjetër, Pierre Seghers, botuesit të poetëve të mëdhenj të botës: «Nëse të thonë se jam çmendur, duhet ta besosh!» Madje një natë, kur François Nourissier dhe miq të tjerë ishin rreth tij në shtëpinë e vetmuar, papritur, pasi u kishte lexuar miqve një poezi, ai ishte ngritur duke u thënë: «Ejani të shohim Elsën!»… Ishte një lloj deliri. Kështu, në vetmi, për muaj të tërë, në atë përhumbje në oborrin e heshtur të Moulin de Saint-Arnault, në Yvelines, ai mendonte dhe shkruante përsëri për Elsën, si gjithë këto dekada që kishin kaluar bashkë: “Vargje për Elsën”. Mes këtyre poezive, në “Një meshë për Elsën”, ai këndonte:

“Do të them meshën e Elsës si një pardon për atë që dua
me fjalët që ranë nga foleja fjalët e ditëve që pikojnë shi,
me fjalët e hidhura të ëmbla si kjo jetë e ne të dyve
me fjalët e kohës së humbur, të fantazmës dhe të blasfemit
do të them meshën e Elsës që të mbuloj fjalët e ujqërve
meshën e Elsës me pëllëmbët e hapura për gozhdat që të ngulen
meshën e Elsës në qiellin e zi të torturave
meshën e Elsës kur të më pështjellin me hithra
meshën e Elsës gjersa shpirti të më dalë
dhe që zemra të më çahet gjersa trupi të bëhet kufomë”.

Sa kohë kaloi kështu, përhumbur në mjegull, në zi? Një vit, dy?… Dhimbja ishte aq e madhe sa përmes atij rrebeshi të papushuar lotësh, ai kërkoi të dalë në dritë, në jetë, të përfundojë këtë itinerar njerëzor. Ai kishte shumë për të thënë. Të gjithë mendonin se Aragoni, dashnori i jashtëzakonshëm me humbjen e Elsës do të vriste veten, ashtu siç kishte tentuar në rini të tij, kur i zhgënjyer nga dashuria me bukuroshen Nancy, ai ishte gati në vetvrasje. Ishte Elsa që u shfaq dhe e pengoi të shkonte drejt asaj gremine. Ata u takuan rastësisht, në “La Coupole”, në bulevardin Montparnasse, kur një ditë më parë ai kishte njohur Majakovskin. Ata gjetën kështu njëri-tjetrin dhe që nga ajo kohë, ata e ngjizën dashurinë e tyre bashkë me vargjet, letërsinë, por dhe me zhgënjimet e ëndrrave të tyre, të një gjenerate të tërë.

Tashmë në oborr ai endej pa Elsën. E kërkonte gjithnjë në imazhet e tij, në kujtesë. Asgjë nuk kishte lëvizur në atë shtëpi, as shtrati, as gota e saj, as rrobat.

Nëpër mjergull

Më së fundi, poeti e la pas oborrin e dhimbshëm me varrin e të dashurës mitike, në Moulin de Saint-Arnault… Filloi të dalë nëpër rrugët e Parisit. Në fillim mbrëmjeve, kur binte nata dhe kur hija e tij humbiste «incognito» në turmën njerëzore, e cila i dukej e huaj dhe e ftohtë. Pastaj, filloi jeta e klubeve dhe e takimeve djaloshare, djem të bukur, homoseksualë, poetë e piktorë, kur për të kapërcyer delirin e dhimbjes, ai kërkoi të humbiste në një tjetër ndjesi. Pikërisht në këto kohë, kur ai u rikthye në “dandizmin” e tij të kohës surrealiste, kur filloi të vishej me modën e Yves-Saint Laurent, kur la mustaqe dhe zgjati flokët, ai u lidh me një poet të ri, Jean Ristat, një djalosh i talentuar, ndërkohë që komunistët dhe antikomunistët filluan të pëshpërisin për bredhjet e tij misterioze me të rinj. Flisnin për «perversitetin e borgjezisë së vogël», duke e parë atë si një përfaqësues të kësaj borgjezie. Në librin Avec Aragon, (Me Aragonin), Ristat kujton miqësinë e fortë me Aragonin, i cili mbante në dorë një unazë të bukur, me një diamant të madh dhe të verdhë, e cila kishte qenë e Lord Byron. Ai e kishte blerë atë në Zvicër, gjatë një udhëtimi. “Ai më foli për Byron, i cili i donte gratë si dhe burrat njëkohësisht. Një ditë ai e hoqi unazën nga gishti dhe më tregoi se ishte një unazë që do t’i lihej dikujt, mua… Ai më tha: «Këtë unazë do ta jap kur të vdes!»…

Valsi i lamtumirës

Në tetor të vitit 1972, Aragoni shkroi Valsin e lamtumirës, (La Valse des adieux), për të cilën komunistët zyrtarë e kritikuan, të tjerë i mbajtën mëri dhe udhëheqësit e shanë si një tradhëtar të kauzës së tyre. “Sa më përket mua, – shkruante ai, – unë kam brenda vetes fundin e humnerës… ju a them këtë juve që keni kohë të përfitoni nga ky mësim i jetës time dhe i ëndrrave të mia… Duhet të shikoni më larg nga vetja juaj. Nga përvoja unë e di se kjo gjë është e vështirë dhe të bën të vuash. Por nëse doni të dini të paktën një gjë për të cilën unë krenohem, ju them se në këtë jetën time, të harxhuar kot, kam mësuar që kur të vuaj, të mos klith më. Dhe kjo tani po më shërben…” Me këtë mesazh, Aragoni hiqte dorë përfundimisht nga të gjitha iluzionet e një të ardhme nën himnet komuniste.

Edhe pse Elsa kishte vdekur, ai vazhdonte të jetonte me të. Në vitin 1974, ai botoi romanin Teatër/Roman, çka i jep fund gjithë veprës së tij romaneske. Po kështu ai shkruan dhe një pjesë teatrale me një akt, ku si personazhe janë ai, Elsa dhe një radio. Jetonte midis kujtimit të Elsës dhe fundit të jetës që duhej të jetonte.

Dhe përsëri ai shkruante Vargje për Elsën:

«Ti më ke mësuar alfabetin e dhimbjes
tani di t’i lexoj ngashërimet
të gjitha kanë emrin tënd
veç emrin tënd, emrin tënd të thyer
prej trëndafili gjethe-rënë
emri tënd, një kopësht pasioni…”

Po, në mëngjes, në mesditë, në mbrëmje, gjithnjë Elsa. Dhe ai nuk rreshti së shkruari për të, pasi ajo ishte bërë një “alter-ego” e tij, ajo i kishte hapur sytë për jetën që kishin jetuar dhe se duhej të thonin të vërtetën:

«Ti më vështrove me sytë e tu gjer në horizontin e zbrazët
sytë e tu të larë nga kujtesa
ti më vështrove me sytë e pastërt të harresës
më vështrove përtej kujtesës
përtej refreneve bredharake
përtej trëndafilëve të zverdhur
përtej lumturive në ditë zije
përtej ditëve të shuara
ti më vështrove me sytë e tu blu të harresës…»

Gjer në fund të jetës së tij, Aragon kërkoi të thotë të vërtetën, të thotë atë që jeta e tij shkoi kot, për një ideal të rremë. Gjer në moshën 80 vjeçare, ai kishte energjinë e një djaloshi kur ishte fjala për të mbrojtur fjalën e lirë. Ja pse ai shkoi gjer në Moskë, për të kërkuar lirimin e regjisorit të shquar gjeorgjian Sergei Paraxhanov, i cili mbahej si i burgosur politik. Vetëm kur ai kërcënoi në ambasadën sovjetike në Paris, se do të bënte skandal dhe do t’i dorëzonte të gjitha dekoratat dhe çmimet sovjetike, vetëm atëherë, Paraxhanovi u lirua.

Kur François Mitterand do të vendoste kandidaturën e tij për president në vitin 1981, ai ishte nga të parët që e mbështeti atë. Dhe kur Mittérandt do t’i akordonte dekoratën e “Legjionit të Nderit” në pallatin presidencial, Aragoni do t’i thoshte: ”Një nder shumë i madh, President”. Por Mitterandt me finesën dhe zgjuarsinë e tij, do t’i përgjigjej: ”Shumë nder, por dhe shumë pak për ju!”…

Pothuaj një vit më vonë, më 24 dhjetor 1982, ditën e “Krishtlindjeve”, Louis Aragon, i dashuri i Elsa Triolet-së, do të shuhej në apartamentin e tij, në vetmi. Ai tashmë i kishte thënë poezitë dhe klithmat e tij të dashurisë, e kishte thënë zhgënjimin e një jete të shkuar kot për një ideal të rremë, e kishte thënë artin poetik të një poeti të madh… E megjithatë, një thënie tij duket e habitshme: ”Nuk ka dashuri të lumtur”. Vallë, dashuritë e mëdha janë aq të dhimbshme, saqë shkohet drejt sacrificës?… dhe lumturia është veçse një përvëlim shpirtrash?

Me sa duket, duhet të jetë kështu…
Një dashuri e madhe dhe…
një jetë e harxhuar për një ideal të rremë!

Gonxhja: “The Albanian Key” do të hyjë në historinë e artit shqiptar!

Skulptura monumentale është një vepër publike mahnitëse nga mjeshtri shqiptaro-italian Alfred Mirashi-Milot

Global 360

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Gonxhja: “The Albanian Key” do të hyjë në historinë e artit shqiptar!

Skulptura monumentale është një vepër publike mahnitëse nga mjeshtri shqiptaro-italian Alfred Mirashi-Milot