Mbretëresha Geraldinë, “Trëndafili i Bardhë” i Shqipërisë

Me rastin e 8 Marsit – Nuk ka portret më të kompletuar se ajo: një simbol i mirësisë dhe dashurisë për shqiptarët


Nga Dash Frashëri, botuesi i TiranaDiplomat.com

Të shkruaja një portret për Mbretëreshë Geraldinë, “Trëndafilin e Bardhë” të Hungarisë dhe “Nënën Mbretërëshë” të Shqipërisë, zgjodha 8 Marsin, të njohur ndërkombëtarisht si “Festa e Grave”.

Nuk ka portret më të kompletuar si ajo e Mbretëreshës Geraldinë, një simboli të mirësisë, diturisë dhe dashurisë për shqiptarët. Ajo kontribuoi në themelimin e Kryqit të Kuq Shqiptar; hapjen e Radio Tiranës; Maternitetit Modern të Kryeqytetit, etj.

VAJZË E MARSHALLIT TË MADH TË HUNGARISË

Geraldina u lind, më 27 prill 1915 në Budapest. Ajo ishte e bija e Kontit Gyula Apponyi de Nagy-Appony (1873–1924) i familjes e fisnikërisë së kryehershme hungareze Appony, dhe e Gladys Virginia Steuart (1891–1947), nga një familje hungarezo-amerikanë (nëna e saj ishte lindur në SHBA), ndërsa babai i saj ishte “Marshalli i Madh” i Oborrit Mbretëror të Hungarisë.

E mbetur jetime qysh në moshën 9-vjeçare (babai i saj ndërroi jetë në vitin 1924), nën përkujdesjen e gjyshërve Aponny, Kontesha Geraldinë u dërgua në një shkollë angleze në Menton të Francës.

E DIPLOMUAR PËR SHKENCA SHOQËRORE DHE FINANCIARE

Gjyshërit e Saj Aponny, e dërguan në kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum, afër Vjenës në Austri, ku mbaroi fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare.

Kontesha Geraldinë iu përkushtua me gjithë shpirt stenografisë, sociologjisë, historisë dhe letërsisë.

KRYECICERONE E MUZEUT KOMBËTAR TË HUNGARISË

Një ndihmesë në edukimin e saj dha edhe biblioteka e familjes, e cila ishte shumë e pasur, me rreth 30.000 libra.

Për shumë kohë, Kontesha Geraldinë, për shkak të zotërimit të dijeve enciklopedike dhe gjuhëve të huaja të shumta, mbuloi detyrën e kryecicerones pranë Muzeut Kombëtar të Hungarisë.

MARTESA ME MBRETIN ZOG

Geraldina u prezantua në dhjetor 1937 me Mbretin Zog I të shqiptarëve, i cili kishte parë një fotografi të saj. Ajo vizitoi Mbretërinë Shqiptare dhe brenda pak ditësh çifti u fejua për t’u martuar. E njohur si “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”, Geraldina u ngrit në statusin mbretëror si Princesha Geraldine e Shqipërisë përpara dasmës së saj.

Më 27 prill 1938, në Tiranë, Shqipëri, Geraldina u martua me Mbretin në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe Konti Galeazzo Ciano, i dërguari dhe dhëndri i Il Duçes dhe kryeministrit të Italisë, Benito Mussolini.

Ajo ishte katolike romake dhe mbreti Zog ishte mysliman. Geraldina veshi një diademë të re diamanti, të porositur posaçërisht nga argjendaritë austriake, me motive të trëndafilit të bardhë për nusen dhe dhisë heraldike për dhëndrin. Ata shkuan në muajin e tyre të mjaltit me një Mercedes-Benz 540K ngjyrë të kuqe të hapur, dhuratë nga Adolf Hitleri.

Më 5 prill 1939, lindi Leka Zogu, i cili u bë Mbreti i ardhshëm i shqiptarëve, deri në 30 nëntor 2011, kur ai ndërroi jetë.

NË SHËRBIM TË SHQIPTARËVE

Mbretëresha e Shqiptarëve Geraldina, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri, u impenjua maksimalisht për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë.

Mbretëresha Geraldinë kontriboi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret.
Vizitat e shpeshta që bënte në këto ambiente, ishin “vizita pune” për të. Mbretëresha Geraldinë u impenjua totalisht edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre.

Mbretëresha Geraldinë punoi shumë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri, dhe dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e spitalit Ushtarak në Tiranë.

KRYQ I KUQ SHQIPTAR

Ajo solli nga Austria një numër të madh mjekësh për drejtimin e Spitalit Ushtarak. Mbretëresha Geraldinë kontribuoi në ngritjen e maternitetit të parë shqiptar në Tiranë.

Një nga projektet që mbahet mend edhe nga bashkëkohës të asaj periudhe, është mobilizimi dhe ngritja e fushëveprimit të Kryqit të Kuq shqiptar.
Gjithashtu, Mbretëresha Geraldinë mundësoi hapjen e edicionit të parë emetues radiofonik në Radio Tirana.

EMPANCIMI I SHOQËRISË RURALE

Prioritet i punës së Saj ishte emancipimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, për ngritjen e vetëdijes së saj dhe në veçanti emancipimi i pjesës rurale të popullsisë.

Përveç përkushtimit të Saj në të mirë të popullit shqiptar, Mbretëresha Geraldinë gjente kohë të përkujdesej për mbarëvajtjen e Familjes së Saj, sikundër ishte ndikimi për një edukim sa më cilësor të trashëgimtarit të Fronit Mbretëror.

JETA NË MËRGIM: ANGLI, FRANCË, EGJIPT

Mbretërimi i Zogut u ndërpre nga pushtimi italian i Shqipërisë në prill 1939 dhe familja u largua nga vendi në mërgim. Nga prilli 1939, Geraldina dhe Mbreti Zogu u larguan nga Shqipëria nëpërmjet Greqisë dhe Turqisë dhe u vendosën në Francë, e më pas në Angli.

Ata jetuan në hotelin Ritz, Londër, në Ascot dhe, për pjesën më të madhe të luftës, në Parmoor House, Frieth, Buckinghamshire, Angli. Më 1946 shkuan në Egjipt, e më pas në 1952 në Francë.

Mbreti Zog I vdiq në Hauts-de-Seine, Francë, në vitin 1961 dhe djali i tyre, Princi i Kurorës Leka, u shpall Mbret Leka I nga qeveria mbretërore në mërgim. Pas kësaj, Familja Mbretërore u zhvendos në Spanjë, Rodezi dhe më pas në Afrikën e Jugut.

RIKTHIMI I MADH NË SHQIPËRI

Pas vdekjes së të shoqit, Geraldina ajo njihej si “Nëna Mbretëreshë e Shqipërisë”. Në qershor 2002, Geraldina u kthye nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, pasi ligji u ndryshua për ta lejuar atë.

E PËRCJELLË ME RESPEKT NGA SHQIPTARËT

Mbretëresha Geraldinë, bashkëshortja besnike e Mbretit Zogu I, nëna e Leka Zogut I (1939-2011), dhe gjyshja e Princit Leka II, ndërroi jetë në Tiranë, më 22 tetor 2002, në moshën 87-vjeçare, e përcjellë me respekt nga shqiptarët që i deshi aq shumë.

Mbretëresha Geraldinë prehet në Varrezën Mbretërore në Tiranë.

Për nder të saj, vajza e Princit Leka dhe Princeshës Elia, ka marrë emrin Geraldinë, e bekuar së fundi me bekimin apostolik të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut.

Peleshi në Hungari, viziton qendrën e Inovacionit të Kërkimit dhe Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Peleshi në Hungari, viziton qendrën e Inovacionit të Kërkimit dhe Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.