Kina fuqia ekonomike e dytë botërore mbas 75 viteve të themelimit të saj

Fuqia ekonomike në rritje e Kinës e ka bërë atë të përfshihet gjithnjë e më shumë në politikat dhe projektet ekonomike globale, veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës.


Nga Prof. Dr. Petraq Milo

Përpara vitit 1979, Kina karakterizohej nga një ekonomi e planifikuar ose komanduese nga qendra. Një pjesë e madhe e prodhimit ekonomik të vendit drejtohej dhe kontrollohej nga shteti, i cili përcaktonte qëllimet e prodhimit, kontrollonte çmimet dhe ndante burimet në pjesën më të madhe të ekonomisë. Gjatë viteve 1950, të gjitha fermat individuale të Kinës u kolektivizuan. Për të mbështetur industrializimin e shpejtë gjatë viteve 1960 dhe 1970, qeveria qendrore ndërmori investime në shkallë të gjerë në kapitalin fizik dhe njerëzor. Si rezultat, deri në vitin 1978 gati tre të katërtat e prodhimit industrial prodhoheshin nga ndërmarrjet shtetërore të kontrolluara nga qendra, sipas objektivave të prodhimit të planifikuar. Ndërmarrjet private dhe firmat e investuara të huaja përgjithësisht u ndaluan. Meqenëse në shumë aspekte ekonomia administrohej dhe drejtohej nga qeveria qendrore, nuk kishte mekanizma tregu për të shpërndarë në mënyrë efikase burimet. Pak stimuj mbetej që firmat, punëtorët dhe fermerët të bëheshin më produktivë ose të shqetësoheshin për cilësinë e asaj që prodhonin.


Foto nga CGTN

Duke filluar nga viti 1979, Kina filloi disa reforma ekonomike, duke iniciuar stimuj për çmimet dhe pronësinë për fermerët, gjë që u mundësoi atyre të shisnin një pjesë të të korrave të tyre në tregun e lirë. Përveç kësaj, qeveria krijoi katër zona të veçanta ekonomike përgjatë bregdetit, me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja, nxitjen e eksporteve dhe importimin e produkteve të teknologjisë së lartë në Kinë. Reformat shtesë, që pasuan, synuan të decentralizonin politikëbërjen ekonomike në disa sektorë, veçanërisht në tregti. Kontrolli ekonomik i ndërmarrjeve të ndryshme i kaloi qeverisjes lokale duke i lejuar të vepronin dhe të konkurronin mbi parimet e tregut të lirë, dhe jo nën drejtimin dhe planifikimin shtetëror. Përveç kësaj, qytetarët u inkurajuan të hapnin bizneset e tyre. Rajone dhe qytete të tjera bregdetare u përcaktuan si qytete të hapura dhe zona zhvillimi, gjë që i lejoi ata të eksperimentonin me reformat e tregut të lirë dhe të ofronin stimuj tatimorë dhe tregtarë për të tërhequr investime të huaja. Përveç kësaj, kontrollet shtetërore të çmimeve për një gamë të gjerë produktesh u eliminuan gradualisht. Liberalizimi i tregtisë ishte gjithashtu një çelës kryesor për suksesin ekonomik të Kinës. Heqja e barrierave tregtare inkurajoi konkurrencë më të madhe dhe tërhoqi flukse hyrëse të investimeve të huaja.


Foto nga CGTN

Rritja e Kinës, nga një vend i varfër në zhvillim, në një fuqi të madhe ekonomike në rreth katër dekada, ka qenë spektakolare. Nga viti 1979 (kur filluan reformat ekonomike) deri në vitin 2017, Produkti i Brendshëm Bruto real i Kinës u rrit me një normë mesatare vjetore prej afro 10%. Sipas Bankës Botërore, Kina ka “përjetuar zgjerimin ekonomik më të shpejtë dhe me të qëndrueshëm njohur në histori – dhe ka nxjerrë më shumë se 800 milionë njerëz nga varfëria”. Vendi ka pasur përmirësime të konsiderueshme në aksesin në shëndetësi, arsim dhe shërbime të tjera gjatë së njëjtës periudhë. Kina tani është shndërruar në një vend me të ardhura të mesme të larta. Kina është shfaqur si një fuqi e madhe ekonomike globale, duke u renditur e para për sa i përket vlerës së shtuar të prodhimit të industrisë së manifakturës, të tregtisë së mallrave, si dhe volumit të stokut të rezervave valutore.

Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë për nga PBB nominale pas Shteteve të Bashkuara. Kina në vitin 2023 përbën rreth 17% të prodhimit global në terma nominalë. Kina është ekonomia më e madhe e prodhimit të manifakturës dhe eksportuese e mallrave në botë. Prodhimi industrial i manifakturës është orientuar drejt industrive të teknologjisë së lartë si automjetet elektrike, energjia e rinovueshme, telekomunikacioni dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit. Ai është gjithashtu tregu i konsumit me rritjen më të shpejtë në botë dhe importuesi i dytë më i madh i mallrave. Kina është gjithashtu konsumatori më i madh në botë i një game të gjerë të mallrave dhe përbën rreth gjysmën e konsumit global të metaleve. Kina në vitin 2023 është përfituesi i dytë më i madh i flukseve hyrëse të IHD-ve në mbarë botën dhe ka qenë një destinacion tërheqës për investimet e huaja që kur vendi u hap katër dekada më parë. Në vitin 2023, vlera e hyrjeve të investimeve të huaja direkte (IHD) në Kinë arriti në afërsisht 163.25 miliardë dollarë amerikanë. Në vitin 2023, fluksi i IHD-ve dalëse të Kinës përbënte 11.4 për qind të pjesës globale. Stoku i investimeve të huaja në vitin 2023 arrin në 177.29 miliardë USD dhe është duke forcuar statusin e saj në mesin e tre investitorëve kryesorë në botë.


Foto nga CGTN

Kina ka rezervat më të mëdha të këmbimit valutor në botë me vlerë 3.1 trilion dollarë, por nëse përfshihen aktivet valutore të bankave tregtare shtetërore të Kinës, vlera e rezervave të Kinës rritet në afro 4 trilion dollarë. Kina ka rezervën e gjashtë më të madhe të arit në botë, me mbi 2000 ton ar. Ajo shpenzon rreth 2.43% të PBB-së për kërkime dhe zhvillim të avancuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në 2023, numri i fuqisë punëtore vlerësohet të ketë arritur në rreth 779 milion punëtorë duke e renditur vendin e parë në botë. Në vitin 2022, Kina u rendit në vendin e 11-të më inovativ në botë, i treti në rajonin e Azisë dhe Oqeanisë dhe i dyti për vendet me një popullsi mbi 100 milionë banorë. Qeveria kineze e ka bërë inovacionin një prioritet kryesor në planifikimin e saj ekonomik përmes një sërë iniciativash të profilit të lartë, të tilla si “Made in China 2025”. Ky plan i shpallur në 2015 synon përmirësimin dhe modernizimin e prodhimit të Kinës në 10 sektorët kryesorë për ta bërë vendin një lojtar të madh global. Kina ka marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë me shumë vende. Nga 500 kompanitë më të mëdha në botë, 142 janë me seli në Kinë. Ajo ka katër nga dhjetë qendrat më konkurruese financiare në botë dhe tre nga dhjetë bursat më të mëdha në botë, si nga kapitalizimi i tregut, ashtu edhe nga vëllimi i tregtisë.

Ekonomistët në përgjithësi ia atribuojnë një pjesë të madhe të rritjes së shpejtë ekonomike të Kinës dy faktorëve kryesorë dhe rritjes së shpejtë të produktivitetit. Reformat ekonomike çuan në një efikasitet më të lartë në ekonomi, gjë që rriti prodhimin dhe rriti burimet për investime shtesë në ekonomi. Investimet kapitale në shkallë të gjerë janë të financuara nga kursime të mëdha vendase dhe investimeve të huaja. Këto kursime janë kanalizuar në një sistem financiar që ka ofruar kredi të subvencionuara shumë për infrastrukturën, prodhimin dhe investimet në pasuri të paluajtshme. Si rezultat, Kina ka rritur nivelin e saj të investimeve më shpejt se shumica e vendeve të tjera me një nivel të ngjashëm zhvillimi. Në 30 vitet që çuan deri në 2010, pjesa e investimeve në PBB-në e Kinës u rrit gradualisht nga 35% në 47% të PBB -së. Për krahasim, raporti tipik i investimeve ndaj PBB-së për ekonomitë e zhvilluara është rreth 20%. Pavarësisht niveleve tashmë të larta të investimeve, qeveria e Kinës vazhdoi me dy valë të tjera investimesh pas krizës financiare globale. E para ishte një përgjigje ndaj recesionit të madh duke zbatuar një program stimulues në shkallë të gjerë fokusuar në infrastrukturë dhe pasuri të paluajtshme, duke sjellë normat vjetore të rritjes së investimeve të aseteve fikse të financuara nga shteti në 2008 dhe 2009 në përkatësisht 36% dhe 60%. Vala e dytë e investimeve filloi në vitin 2020 si përgjigje ndaj pandemisë së koronavirusit, kur qeveria kineze mundësoi mbështetjen ndaj firmave me synimin për rritjen e prodhimit në të gjithë sektorët.


Foto nga CGTN

Rritja e fortë ekonomike është bazuar në investimet në prodhimin e manifakturës e orientuar drejt eksportit. Përpjekja e Kinës për t’u bërë e pavarur dhe për të zhvilluar më tej sektorin e saj të teknologjisë së lartë, nënkupton që shpenzimet e saj në infrastrukturë po ndryshojnë. Kina do të ketë më pak theks në ndërtimin e rrugëve dhe urave dhe më shumë në ndërtimin e infrastrukturës së re që synon zhvillimin e sektorëve, si rrjetet e telekomunikacionit, rrjetet hekurudhore të shpejtësisë së lartë dhe objektet e kërkimit dhe zhvillimit, të cilat mbështesin prodhimin e avancuar. Gjithashtu qeveria synon të mbështesë sektorë të teknologjisë së re si automjetet elektrike (EV), teknologjinë e mikroçipeve dhe materialet e reja.

Shumë ekonomistë kanë arritur në përfundimin se përfitimet e produktivitetit kanë qenë një tjetër faktor kryesor në rritjen e shpejtë ekonomike të Kinës. Përmirësimet e produktivitetit u realizuan kryesisht nga një rialokim i burimeve në përdorime më produktive, veçanërisht në sektorë që më parë kontrolloheshin shumë nga qeveria qendrore, si bujqësia, tregtia dhe shërbimet. Reformat bujqësore nxitën prodhimin, duke i liruar punëtorët për tu punësuar në sektorin e prodhimit më produktiv të industrisë së manifakturës. Decentralizimi i ekonomisë çoi në ngritjen e ndërmarrjeve private të cilat prireshin të ndiqnin aktivitete më produktive sesa ndërmarrjet shtetërore të kontrolluara nga qendra dhe ishin më të orientuara nga tregu dhe më efikase. Gjithashtu, një pjesë më e madhe e ekonomisë (kryesisht sektori i eksportit) u ekspozua ndaj forcave konkurruese. Përveç kësaj, investimet e huaja direkte sollën teknologji dhe procese të reja që rritën efikasitetin.

Fuqia ekonomike në rritje e Kinës e ka bërë atë të përfshihet gjithnjë e më shumë në politikat dhe projektet ekonomike globale, veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës. Iniciativa e Kinës “Një Brez një Rrugë” përfaqëson një strategji të madhe nga Kina për të financuar infrastrukturën në të gjithë Azinë, Europën, Afrikën, dhe më gjerë. Iniciativat ekonomike të Kinës mund të zgjerojnë ndjeshëm tregjet e eksportit dhe investimeve për Kinën dhe të rrisin “fuqinë e butë” të saj globalisht. Problemet globale mjedisore nuk mund të zgjidhen pa angazhimin e Kinës. Duke pasur parasysh madhësinë e saj, Kina luan nje rol qendror për shumë çështje të zhvillimit rajonal dhe global. Ekonomia në rritje e Kinës është gjithashtu një burim i rëndësishëm i kërkesës globale.

Foto nga CGTN

Kina edhe me Shqipërinë ka një histori të pasur bashkëpunimi dhe marrëdhëniesh dypalëshe dhe viti 2024 shënon 75 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Në këto vite, ndërmjet të dyja vendeve tona janë lidhur mbi 60 marrëveshje ekonomike. Qeveria kineze përkrah dhe inkurajon kompanitë kineze për të investuar në Shqipëri në fushat e energjisë, infrastrukturës, shfrytëzimit të pasurive natyrore, etj. Në nivel të marrëdhënieve tregtare gjatë vitit 2023, vëllimi tregtar mes të dyja vendeve i kaloi të 1 miliardë dollarët, duke e renditur Kinën në partnerin e dytë tregtar të Shqipërisë. Kina është ngjitur në vendin e 5-të në botë, tek i cili eksportojmë, për nga vlera në treg e eksporteve tona. Investimet kineze në ekonominë shqiptare, pavarësisht potencialit të tyre të lartë, të shprehur gjerësisht në rajon, përmes nismës së përbotshme shumë të suksesshme kineze “Një Brez një Rrugë”, nuk janë ende në nivelin e duhur. Zonat e lira ekonomike janë një tjetër model biznesi që mund të ndiqet nga të dyja vendet tona.

Qeveria kineze e sheh rritjen ekonomike si jetike për ruajtjen e stabilitetit social. Qeveria kineze ka zbatuar politika për të rritur rolin e tregut në ekonomi, për të nxitur inovacionin, për t’i bërë shpenzimet konsumatore forcën lëvizëse të ekonomisë, për të zgjeruar mbulimin e rrjetit të sigurisë sociale, dhe për të inkurajuar zhvillimin e industrive më pak ndotëse. Aftësia e qeverisë kineze për të zbatuar reforma të tilla ka të ngjarë të përcaktojë nëse Kina do të mund të vazhdojë të mbajë ritme relativisht të shpejta të rritjes ekonomike.

Burimi: CRI.CN

Maratona e Tiranës, Veliaj: Promovim i kulturës dhe sportit

Tirana është gati të mirëpresë rreth katër mijë vrapues nga vende të ndryshme të botës, në Edicionin e 8-të.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Maratona e Tiranës, Veliaj: Promovim i kulturës dhe sportit

Tirana është gati të mirëpresë rreth katër mijë vrapues nga vende të ndryshme të botës, në Edicionin e 8-të.