Llazo Vangjeli, artisti monumental i Përmetit

Me rastin e 98-vjetorit të lindjes së Llazo Vangjelit, koreografit të famshëm dhe orkestrantit të talentuar përmetar.


Nga Dash Frashëri

“Një artist që lindi nga puna” (Koreografit dhe Orkestrantit Llazo Vangjeli).

Ky është libri biografik kushtuar njërit prej artistëve më unikë përmetarë, Llazo Vangjelit, shkruar me një përkushtim të rrallë nga ish-drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Përmet, autorit të mirënjohur Trifon Dafa.

Një libër që të bën krenar, kur lexon për biografinë jetësore dhe artistike, të “Xha Llazos”, të këtij artisti të mrekullueshëm dhe qytetari me kontribut të madh në zhvillimin e kulturës në rrethin e Përmetit.

Krenohesh me Llazo Vangjelin, i cili mbajti gjallë traditën kulturore përmetare, por edhe me mandolinën dhe vallet e krijuar prej tij, argëtoi dhe çlodhi mijëra njerëz në shumë breza, në atë qytetin e Përmetit, por dhe edhe më tej.

“Llazo ishte dhe mbeti njëri nga “ushtarët “më besnikë e më të dëgjuar të Ustait”, që nuk e ndau asnjëherë nga grupi, veçanërisht në aktivitete e koncerte zyrtare apo në festival kombëtare sikundër ishte ai i Gjirokastrës etj”, shkruan ish-drejtori tjetër i Shtëpisë së Kulturës, Niko Mihali, në një shkrim enkas për të.

Llazua qendronte pranë artistëve më të mëdhenj përmetarë si: usta Laveri, tenorit Sulejman Lame, orkestrantëve të dëgjuar Lefter Nurka, Krenar Mane, Zihni Dinos, Xhelal Zeqirit, etj.

Llazo ka një histori dhe një jetë të tërë  të lidhur me botën e pafund të artit, me kontribute që i kujtojmë dhe nuk rreshtim së foluri për ta.

Llazo mbetet  një personazh shumë publik që e mbajnë mend dhe e kujtojnë shumë njerëz dhe në veçanti për aftësinë që kish t’u mësonte fëmijëve,  vallet popullore, u impononte një dëshirë që duhej të ishte pjesë e kulturës së tyre, se nuk do ndjeheshin mirë të shkonin në një gazim familjar, në një dasmë apo kund e të ndjeheshin keq se nuk dinin të vallzonin vallet e popullit.

Llazo Vangjeli ishte nga ata artistë popullorë që gjer në ditët e fundit të jetës nuk u shkëput nga hobi i tij i preferuar që ishin vallet popullore, vallet e bukura të vendlindjes së tij, por edhe të shumë krahinave të tjera që ai dhe veç ua mësonte me aq pasion e dashuri dhjetëra vajzave të reja të shkollave tetëvjeçare te qytetit që më vonë do të mbushnin radhët e artit amator në shtëpine e kulturës, në skena a festivale të ndryshme kombëtare.

FËMIJËRIA

Llazo Vangjeli, lindi më 22 shkurt 1926, në fshatin Lipë, i konsideruar si “ballkoni i Përmetit”, një fshat ku jehonte kënga dhe vallja, një fshat i dëgjuar për kulturë dhe emra të shquar. Lipjotët punonin në Përmet dhe merreshin me tregti, zanate dhe transport. Llazua ishte fëmija i tretë i Thodhorit dhe Androniqit. I vëllai, Saqi dhe motra, Rozina, ishin më të mëdhenjtë.

I ati, Thodhori, i binte buzukut. Pikërisht, prej tij, Llazua i vogël , trashëgoi edhe dashurinë për muzikën dhe veglat muzikore, duke vënë në punë intuitën natyrore të tij. Kur ishte 14 vjeç, në 1940,  i vdes babai. E ëma, Androniqi, një grua e fortë, e dërgoi Llazon në plotoren e Përmetit, një shkollë me pesë klasë të asaj kohe. E nisi në 1934 dhe e mbaroi në 1938, me nota të shkëlqyera, duke shfaqur edhe cilësitë e tij në ekzekutimin e valleve, por edhe pasioni për violinën. Së bashku edhe me moshatarët, ai ishte organizatori i shfaqjeve të improvizuara artistike. Krijoi një orkestër të vogël me kushurinjtë, Kristul dhe Thoma Stefani. Sajonte valle. Ishte një djalë inteligjent dhe i talentuar, që po fitonte duatrotiketj dhe përgëzimet.

Vështirësitë e kohës, e detyrojnë Llazon te mulliri i dajos së tij, Mihal Stefani, të cilin ai e ktheu në një qendër të vërtetë arti. Mulliri i Llazos ishte në një vend shumë piktoresk, gjendej mbi Përmet, pranë disa lëndivave të bukura. Pikërisht, aty zhvillonin koncertet e tyre, sazet e njohura si ato të Vangjel Leskovikut, Panoçët, etj. Duke u njohur me te, Llazua mësoi sekretet e mandolinës dhe violinës, ku më pas u bë një mjeshtër i vërtetë. Njohja me studentët që vazhdonin shkollat jashtë Përmetit, e bënë Llazon një mik të përjetshëm të librit dhe të krijonte bibliotekën e tij.

Në 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Italianët erdhën edhe në Përmet. Llazua, si një i ri inteligjent, nisi të mësojë italisht. Ata kur dëgjonin Llazon të luante muzikë, e përgëzonin “Bravo, pikolo… bravo, maestro”.

KORRIER DHE VETERAN I LUFTËS

Llazo Vangjeli bën pjesë në atë grup te rinjsh idealistë të vendlindjes së tij e të qytetit te Përmetit që në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare u bashkuan me formacione partizane që vepronin në krahinën tonë dhe si i ri antifashist dha kontributin e tij për lirinë, kontribut ky që do të vijonte më vonë edhe në ditet e para të çlirimit kur ai me dhjetra të tjerë mundoheshin të shëronin plagët e luftës, të rindërtonin gërmadhat e qytetit të djegur e shkatarrëruar, temë kjo shumë e preferuar për të.

Djem të shkolluar si: Dashnor Mamaqi, Alqi Kristo, Dhimitër Lamani, Bato Karafiili, Musa Mane, Janaq Toka, Ngjeli Gogo, Gogo Kozma, me të rinj të tjerë si Koço Lako, Fanjo Çiçako, Mihal Stefani, frymëzuan krahinën. Llazua u përfshi në luftë, duke bërë ndërlidhësin, korrierin dhe deri në aksione konkrete, ku një prej tyre ishte dhe rrëmbimi i një shaptilografi të italianëve, i cili shërbeu më pas për shtypjen e trakteve, mision që e kreu së bashku me Koço Lakon dhe Gogo Kozmain.

Llazua ishte Veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimitare, si figurë e lartë e popullit dhe e atdheut, dhënë me vendim të Ministrisë së Mbrotjes, siç shikohet edhe në dokumentin e mëposhtëm.

RINIA

Pas mbarimit të luftës, në 1944, Llazua u rifut në shkollën, tashmë shtatëvjeçare, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në 1947. Falë talentit të tij  në muzikë dhe në valle, Llazua u bë një figurë popullore. Me instrumenta në duar shkonte nga një fshat në tjetrin, për të dhën koncerte.

Në vitet 1947-1949 shkoi ushtar në Korçë. Në vitin 1950, kur mbushi 24 vjeç, zgjidhet Sekretar i Rinisë në fshatin Lipë. Nën drejtimin e Musa Manes, një kuadër me shumë kulturë, i  besoi Llazos aktivitetet me fëmijët, ku spikati më pas edhe talenti si koreograf i Llazos, por edhe si kostumograf. Pikërisht, në këtë kohë krijoi edhe vallen e famshme, “Vallen e gotave”.

“… Vitet ‘50. Isha ende fëmijë kur gjithmonë ndieja kënaqësi të madhe tek shikoja në skenë grupin e valleve të fshatit Lipë. Ishin moshatarët e mi, Spiro Londo, Minella e Qako Tasellari, Valter Londo, Valentina Tasellari, etj., që kërcenin aq bukur valle përmetare dhe valle nusesh. Midis tyre të linte mbresë, vallja e kërcyer me gota uji të vendosura në kokë. Djemtë kërcenin lirshëm po u derdhur gota. Të them të drejtën habitesha me shkathtësinë e tyre dhe i kisha zili. Kush punonte? Kush i mësonte vallë këta fëmijë? Ishte ai njeri, që gjithë jetën do punonte me fëmijët, vajza e djem përmetarë e këta deri në fund të jetës do t’i thërrisnin “Profesor”, “Mësues” apo “Xhaxhi”. Ishte Llazo Vangjeli, mjaft i apasionuar pas artit koreografik, përpunues dhe krijues i sa e sa valleve. I shoqëronte me mandolinën e tij, që iu bë pjesë e shpirtit”, shkruan Zihni Dino, Udhëheqës Artistik i Shoqatës Kulturore-Artistike “Mentor Xhemali”, Përmet, në librin e Trifon Dafës.

Koreografi i famshëm shqiptar, “Artisti i Merituar” Gëzim Kaceli, thoshte për Llazon: “Sinqerisht, e dua këtë burrë. Është njeri i thjeshtë,  i pandjerë, i papërtuar. Llazua sikur ka lindur për valle, për koreografi”.

Vite më pas do mblidhte vajza të reja të shkollave apo qendrave të punës, të Ndërmarrjes së Prodhimeve Bujqësore të Tregtisë e Grumbullimit etj dhe ngjiste në skenë vallet e Buhalit e të Nasibesë, vallen e Osman Takes e atë të Dangëllisë, si dhe valle të tjera që ai i improvizonte në çast e që vajzat e vogëla i kërcenin plot finesë dhe elegancë.

“Llazua la te njerëzit, jo vetëm urtësinë, dashurinë, humanizmin dhe respektin, që i kishte veti dalluese të karakterit të tij, por na la shpirtin e valleve. Idetë, fabulat e tij, të mbledhura me kujdes e të mbështetura në tabanin popullor, të cilat u bënë të njohura në të gjithël vendin. Ato hynë në fondin e arteve të valleve shqiptare, duke u debutuar edhe në shumë skena të botës,.Ai la një mori vallesh te fëmijët, ku veçohen ajo e titulluar “Vallja me gota” dhe “Fluturat”, shkruan autori i librit, Trifon Dafa.

FAMILJA

Në shtator 1951, në fshatin Lipë, emërohet mësuese, Ermioni Zhamo, bashkëshortja e ardhshme e Llazos. Një vajzë e re e pashme, me të cilën Llazua ra në dashuri me shikimin e parë. Lindi një bashkëpunimi i bukur midis tyre, i cili solli edhe krijimin e “Valles së nuses”.

Një koreografi e krijuar me shumë pasion dhe dashuri, e cila u bë shumë shpejt e famshme në të gjithë zonën. Kur u ekzekutua në Gjirokastër kjo valle, ngriti peshë gjithë sallën dhe tërhoqi vëmendjen e shtypit të kohës. Gazetari i njohur, Fiqiri Vogli shkruajti një shkrim enkas në gazetën “Bashkimi”.

Një vit, më pas, në gusht të vitit 1952, Llazua dhe Ermionin u martuan, duke krijuar një familje të shëndoshë, me tre fëmijë të shkëlqyer: Thodhorin, Qirjakon dhe Elvirën. Ditën e dasmës interpretuan për të nderuar çiftin, Laveri, Xhemali, Mentori, Mazari, etj.  Një martesë që vazhdoi pesëdhjet vjet, deri ditën që Llazo Vangjeli, ndërroi jetë në vitin 2003.

Qirjakoja, djali i vogël, ndoqi gjurmët e babait të tij, duke qenë edhe ai një muzikant virtuoz dhe tani është një organizator i shkëlqyer i “Sazeve të Përmetit”. Edhe Qirjakua, i cili shquhej për një zë të bukur si këngëtar në Shtëpinë e Pionierit,  e nisi “zanatin” njësoj si Llazua, në fillim punoi me buzukun, pastaj me mandolinën, të cilat i përvetësoi shumë shpejt. Qirjakua vazhdoi shkollën e muzikës dhe më pas punoi në Shtëpinë e Kulturës.

KOREOGRAF I TALENTUAR

Sazet e Laver Bariut, këtij mjeshtri të madh të këngës në vitet ‘50 e pas do të ishin një nga formacionet më elegante të muzikës popullore përmetare e pse jo edhe kombëtare dhe këtu krahas Lefterit, Asllanit, Xhelalit, Qemal Panocit, Krenarit e të tjerëve do të ishte edhe vendi i Llazo Vangjelit me atë violinën e tij që e zbukuronte dukshëm formacionin e sazeve.

Në vitet që do të vinin ai përgatit, si një koreograf i talentuar, grupe valltarësh për në festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës, në festivalin e Beratit, në koncerte të ndryshme kombëtare e lokale e në veçanti në ato koncertet unikale që zhvilloheshin çdo muaj maj në qytetin tonë, në qytetin e trëndafilave, ku grupet popullore do të zbrisnin nga fshati e qendrat e punës e do te prezantonin artin e popullit në sheshin e qytetit.

“Ishin ditë aq të bukura ato sa ngelën në mendje e të kujtohen me respekt ata dhjetra artistë të tjerë që vinin nga Tirana për koncertet e 24 Majit, të cilët tek Llazoja do të gjenin mbështetje si për sajdisje e akomodim, por edhe për amatorë të talentuar që mund të ngjiteshin në skenë. Ish-drejtori i Shtëpisë së Kulturës në ato vite, Sofokli Tole këtë situatë kaq festive që krijohej e hodhi në vargje që edhe sot kanë mbetur impresionuese:

Zbresin vajzat nga Dhëmbeli,
Koreograf Llazo Vangjeli,
Asistent Gëzim Kaceli,
Dhe Bogdani prapa ngeli

Këta të fundit Gëzimi, Bogdani e t ë tjerë ishin ndër koreografët e mirë të institucioneve qendrore në Tiranë, por kur vinin në Përmet e ndjeheshin mirë në shoqërinë e këtyre valltarëve popullorë të Liljanës, Fildanes, Vjollcës si dhe të Llazos. Por nje pasion i veçantë dhe jo vetëm i veçantë, por edhe shumë unikal i Llazo Vangjelit ishte puna e palodhur që bënte me fëmijët e vegjël duke qenë drejtues i rrethit të valleve në Qendrën Kulturore të Fëmijeve për dhjetëra vjet”, shkruan Niko Mihali, në një artikull të tij të publikuar në “Tirana Diplomat”.

 

VLERËSIMET E KOLEGËVE

Muzikantët me të cilët Llazua punoi për disa dekada, miq të tij, specialistë të muzikës, e vlerësojnë në maksimum kontributin e tij.

“Llazoja ishte një njeri i madh në një qytet të vogël. I veçantë në botën, karakterin dhe artin e tij. I palodhur”, e kujton Lefter Nurka, një nga muzikantët e mëdhenj të Përmetit.

Miku  i tij, kinoperatori Ramazan Islami, me të cilin Llazua punoi në kinemanë e qytetit, e kujton: “E kam takuar për herë të parë në vitin 1968. Ishte i apasionuar në mënyrë të jashtëzakonshme me artin, muzikën dhe vallet popullore, me të gjitha grupmoshat. E njihinin me emrin “Llazoja i valleve”, ose “Llazoja i Kinemasë”.

Kantautori Ylli Muço e kujton kështu: “Llazua ishte një artist i formuar. Ai bëri bujë në koreografi, por nuk mbeti pas dhe në orkestër. Orkestrina e Përmetit e kishte violinën apo buzukun e Llazos si kripa në gjellë, si rigoni apo dhjozmua që i japin aromën”.

Llazo Vangjeli dinte te punonte e t’i mblidhte çdo herë këta fëmijë, të organizonte koncerte në çdo festë lokale e kombëtare, t’u shfaqte filma nga më të mirët, t’i trajtonte edhe aq mirë sa ato linin kokën për profesorin e tyre. Holli i kinemasë se qytetit në shoqërinë e klarinetës së Zanit dhe mandolinës së Llazos ishte gjithmonë plot nga këto vajza të vogla që vallzonin kaq me finesë e bukuri sa të mrekullonin.

Me këto grupe fëmijësh profesori i valles zbukuronte sheshin e qytetit në shumë festa, në shumë pritje e përcjellje dhe që nga ky shesh pastaj nisej me këto flutura të bukura për në festivale sa në Stamboll, në Rumani, në Maqedoni, në Greqi, në Televizionin Shqiptar, në koncertin e Vitit te Ri etj ku edhe nderohej me çmime e diploma të ndryshme, diploma këto të cilat ishin dobësitë e tij.

Në vitet ‘90 Llazo Vangjeli do të jetë një nga anëtarët më të rregullt të Shoqërisë Kulturore “Elena Gjika”, do të marrë pjesë në shumë koncerte si në Berat, Sarandë e gjer në Rumani, ku veç valles dinte të fitonte zemrat e qytetarëve të huaj edhe me ato lodrat e ndryshme që veç ai dinte se si i bënte dhe i mrekullonte ata me humorin e tij.

Dhe pse ishte i tillë, pasionant dhe i papërtuar, i pranishëm për më se gjysmë shekulli në jetën kulturore të qytetit të Përmetit ai ishte nderuar me urdhrin ”Naim Frashëri”, me “Medaljen e Punës” me shumë diploma e fletënderi, me shumë artikuj në faqet e shtypit dhe mbi të gjitha këtë dashuri, respekt e dhimbshuri e shprehu edhe njëherë populli i qytetit të tij kur e përcolli për në banesën e fundit me një kortezh të pafund.

***

Ky përvjetor i ditëlindjes së tij -sot ai do të mbushte 98 vjeç – na e sjell më afër xha Llazon, jetën dhe punën e tij fisnike.  Ai mbetet një lapidar i vërtetë arti.

Tirane, më 22 shkurt 2024.

Balla: Policia shpëton pesë turistë britanikë në “Shpellën e Pëllumbasit”

Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Balla: Policia shpëton pesë turistë britanikë në “Shpellën e Pëllumbasit”

Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë.