Ambasadori britanik: Parlamenti të jetë funksional!

King-Smith, intervistë për “Newsline” në ABC News, Politikanët shqiptarë duhet të punojnë për interesin qytetar.


Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King Smith deklaroi sot se, parlamenti në vend duhet të jetë funksional.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Smith u shpreh se, politikanët shqiptarë duhet të punojnë për interesin qytetar.

Smith shtoi se, Britania e Madhe ka sanksionuar individë të caktuar dhe konfirmoi se me ta nuk do të ketë bashkëpunim.

“Është shumë e rëndësishme që parlamenti të funksionojë në interes të demokracisë dhe të qytetarëve. Kjo është përgjegjësi e opozitës, edhe gjithashtu e shumicës. Është e rëndësishme që të gjithë politikanët të punojnë së bashku me këtë qëllim. Kuvendi është institucioni kyç për të çuar përpara interesin qytetar. Kuvendi dhe komisionet duhet të funksionojnë. Ne kemi qasje të gjerë, nuk përcaktojmë grupe individësh. Ka vendime specifike për individë specifikë dhe për ata nuk angazhohemi. Me të tjerët duam dialog, duam angazhim. Nuk më përket mua të shprehem për politikën e brendshme”, tha ai.

“Nuk do të komunikoj emra të listës së personave “non grata”. Nuk mund të komentoj. Pozicioni ynë është shumë i qartë. Vendimet për “non grata” janë specifike për individë, nuk janë për grupime. Kemi angazhim me individë që nuk janë të përcaktuar të tillë”, theksoi Smith.

Ambasadori Smith gjithashtu deklaroi se, investimet britanike në vendin tonë, aktualisht janë fokusuar në veri.

Smith u shpreh se, investimet janë përqendruar në këtë zonë, pasi ka lidhje të shqiptarëve nga veriu i Shqipërisë, me shqiptarë në Britaninë e Madhe.

Sipas tij, Dhoma britanike e Tregtisë ka filluar punën për të zgjeruar tregtinë në të gjithë vendin.

“Keni të drejtë. Ka pasur përpjekje të mëdha për të rritur investimet në veri të Shqipërisë. Kemi parë më tepër përpjekje për të sjellë aftësitë e duhura te të rinjtë, për t’i mundësuar atyre të kenë mundësi të punojnë në mënyrë më të efektshme në Shqipëri, në çdo fushë që do të zgjedhin. British Council do të investojë në shkolla, do t’i angazhojmë edhe në sektorin privat. Nuk bëhet fjalë vetëm për veriun, Dhoma e Tregtisë ka filluar punën për të zgjeruar tregtinë në të gjithë vendin. Po përqendrohemi aktualisht në veri, kemi lidhje midis shqiptarëve në Britani dhe në atyre në Shqipërinë e Veriut. Do të jetë një zonë ku do të investojmë. Gjatë viteve në vijim do të shohim më tepër biznese që përfitojnë dhe sektorin kombëtar që angazhohet në veri. Besoj se është e rëndësishme për të ardhmen. Jemi në rrugën e duhur. Kemi qasje të plotë për investime, fokusin e kemi në veri”, theksoi ai.

Ambasadori i Britanisë së Madhe foli edhe për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Ai e konsideron një moment të madh për Shqipërinë, por edhe Evropën, hapjen e bazës ajrore të Kuçovës, e cila tanimë do të shërbejë si bazë taktike e NATO-s në vendin tonë.

Smith u shpreh se, vendi ynë ka qenë anëtare kyç e NATO-s, që prej anëtarësimit të saj në aleancën ushtarake, 15 vite më parë.

“Ky është një moment i madh për Shqipërinë dhe Evropën, tregon partneritetin gjithmonë e në rritje që kemi. Shqipëria ka qenë anëtare kyç e NATO-s, që prej fillimit, festojmë 15 vite të anëtarësimit të Shqipërisë dhe 75-vjetorin e NATO-s si organizatë. Kjo aleancë nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme se tani. Ne e shohim këtë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës. Jam vërtet krenar për përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar që shërbejnë në Shqipëri, në një moment që Shqipëria luan një rol kaq të rëndësishëm në NATO për Evropën dhe për të gjithë botën”, theksoi ai.

Industria e ndërtimit si formalizimi i informalitetit urban, por jo komunitar!

Sfida qëndron në atë se si do të stimulohen proceset transformuese në nivel komuniteti, lagjeje, qyteti, që na mundësojnë një…

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Industria e ndërtimit si formalizimi i informalitetit urban, por jo komunitar!

Sfida qëndron në atë se si do të stimulohen proceset transformuese në nivel komuniteti, lagjeje, qyteti, që na mundësojnë një…