Prof.dr. Gëzim Hoxha: Dy monedha mesjetare nga gërmimet në qytetin e Lezhës

Nga gërmimet arkeologjike të vitit 2009 në Lezhë kanë dalë disa materiale arkeologjike dhe dy monedha mesjetare.


Nga Prof.dr. Gëzim Hoxha

-Ballafaqimi i gjetjeve monetare me rezultatet e gërmimeve relativisht të reja arkeologjike na ndihmon për të zbuluar më shumë aspekte të jetes në qytetet mesjetare të Shqipërisë.

Është me interes se, në gërmimet e vitit 1987, në kalanë e Shkodrës kanë nxjerrë në dritë një bllok guri me një stemë të gdhendur, e cila kontekstohet arkeologjikisht me material nga koha e feudalëve Balshaj, çka do të thotë përafërsisht ose e së njëjtës kohë me monedhat e Gjergjit të II Balsha, si kjo e gjetur në gërmimet e Lezhës.-

Nga gërmimet arkeologjike të vitit 2009 në Lezhë, mbi ambientin e nje baptisteri paleokristian, kanë dalë disa materiale arkeologjike dhe dy monedha mesjetare, të cilat për herë të parë po i bëjme objekt të një studimi dhe publikimi shkencor.

I. Së pari përmendim një grosh argjendi (grosso) të Gjergjit të II Balsha, i cili ka sunduar në vitet 1385-1405. Monedha e ka diametrin 20 mm. dhe peshën 1,15 gr.

Në faqe: brenda një rrethi anësor perlash është paraqitur me reliev të stampuar një simbol heraldik, stema ne trajte mburoje, e anuar paksa nga e djathta. Brenda stemës shihet koka e nje ujku, e drejtuar djathtas dhe sipër saj një përkrenare e kurorëzuar me një kurorë të hapur zambakësh. Mbi kurorën, nga e cila del përsëri pjesa e përparme dhe koka e një ujku, e kthyer djathtas, në shpinë të të cilit varet një mantel i stilizuar.Legjenda rrethore e monedhës, e vendosur nga e majta në të djathtë, e shkruar me germa të stilit të njohur venecian lexohet:

M. D. GORG. SRCIMIR. Një germë M, të vendosur në mes të fushës majtas paraqitjes figurative të sipërpërshkruar.

Në shpinë: po ashtu, brenda një medalioni rrethor perlash është paraqitur në pamje ballore në këmbë figura e mbrojtësit të qytetit të Shkodrës Shën Stefanit.

Koka e shenjtit me kësulëzën tipike të dinjitarëve të lartë kishtarë, është e rrethuar nga një nimbus rrethor prej perlash të vogla. Trupi i shejtit rrethohet gjithashtu nga një nimbus elipsoidal perlash, i cili takohet në pjesen e sipërme me nimbusin rrethor të kokës. Shenjti është veshur me një mantel të gjatë deri në fundin e këmbëve. Ai mban në dorën e djathtë temjanicën, e cila varet në tri lidhëset e saj. Ndërsa në dorën e majtë, të vendosur pranë gjoksit, duket libri i shenjtë – Ungjilli. Brenda medalionit qendror të faqes, në drejtimin e akrepave të orës, është shkruar legjenda me alfabet venecian: S. STANVI. SCVTRI.

Mbi bazën e këtyre të dhënave, kjo monedhë e gjetur në gërmimet e Lezhës të vitit 2009, identifikohet në mënyre të padyshimtë si një monedhë argjendi – grosh (grosso)të Gjergjit të II Balsha, të prerë në punishten e Shkodrës në mes viteve 1385-1405.

Monedha të tipit groshë (grosso) prej argjendi Gjergjit të II Balsha, me ikonografi dhe legjenda të njëjta, apo të përafërta, me monedhën nga Lezha, njohim kryesisht nga një literaturë, që është kryesisht e vjetruar: Po përmendimpunimet e autorëve si:Vincezo Lazari (1851), Nicolo Papadopoli Aldobrandini (1893, 1907, 1919), Vjekoslav Celestin (1899), Theodor Ippen (1901), Karl Stockert (1910), historianët Konstantin Jireček dhe Milan Shuflai apo arkeologët Leon Rey (1928) apo Giuseppe Castellani (1932). Një bazë e mirë përmbledhëse për këto monedha mesjetare e rajonit të Adriatikut Lindor mund të konsiderohet volumi i VI i Corpvs Nummorum Italicorum(1922), kushtuar monedhave të Dalmacisë dhe Shqipërisë. Po ashtu një ndihmë e mirë është edhe punimi i kohëve të fundit në trajtë katalogu i autorëve Martin Dimnik, Julian Dobrinić, i botuar në Londer ne vitin 2008. Vetëm nga kërkime të viteve të fundit janë botuar gjetje të vjetra nga fondi i Muzeut Historik në Shkodër apo gjetje të reja gërmimet arkeologjike në Kështjellën e Shkodrës apo në qytetin e Lezhës.

Prerje të tilla monetare në qytetin e Shkodrës janë e njohur që nga zotërimi i qytetit prej mbretërisë feudale të Rashës dhe veçanërisht prej familjes feudale të Balshajve. Në kohën e Gjergjit të II Balsha(1385-1403), qyteti i Shkodrës ka prerë rreth 20 tipe follarësh. Pak më pas kemi edhe një larmi monedhash argjendi në periudhën e sundimit venedikas, të cilat kanë të pasqyruar në shpinën e tyre luanin e Shën Markut.
Boshllëqet kohore të vërejtura, në serinë e këtyre prerjeve monetare të Shkodrës veneciane, janë ose për arësye të mungesës së prerjeve nga punishtja e qytetit, ose për shkakun se, disa prej monedhave të prera në sasi shumë të pakët nuk janë ruajtur në koleksionet numizmatike ose nuk janë gjetur nga gërmimet e derisotme arkeologjike.

Prerjet e monedhave dhe qarkullimi monetar në qytetet mesjetare shqiptare përbëjnë aspekte të rëndësishëm të jetës, sidomos në shekujt XIII-XV.Në aktivitetin e vitit 2017 mbajtur këtu në Bankën e Shqipërisë, jemi shprehur për një aktivitet të dendur monetar në Shkodrën venedikase, përderisa në një interval prej 45 vjetësh, jane dalluar, mbi 40 emisione të reja prerjesh monetare nga punishtja e Shkodrës.

Ballafaqimi i gjetjeve monetare me rezultatet e gërmimeve relativisht të reja arkeologjike na ndihmon për të zbuluar më shumë aspekte të jetes në qytetet mesjetare të Shqipërisë.

Është me interes se, në gërmimet e vitit 1987, në kalanë e Shkodrës kanë nxjerrë në dritë një bllok guri me një stemë të gdhendur, e cila kontekstohet arkeologjikisht me material nga koha e feudalëve Balshaj, çka do të thotë përafërsisht ose e së njëjtës kohë me monedhat e Gjergjit të II Balsha, si kjo e gjetur në gërmimet e Lezhës.

Po ashtu, në një stemë tjetër,nga Drishti, e gëdhendur në gur, paraqitet me njëikonografi shumë të përafërt. Konsulli austrohungarez Theodor Ipenn e ka riprodhuar me fotografi dhe mendon se i përket një familjeje feudale vendëse.

Një rezultat tjetër arkeologjik mund të kontekstohet historikisht me monedhën e Gjergjit të II Balsha në Lezhë. Gërmimet e shpëtimit në nëntorin e vitit 2003, në qytetin e poshtëm, buzë shtratit të dikurshëm të lumit Drin, kanë nxjerrë në dritë gjurmë të padyshimta te bankinës së portit mesjetar të Lezhës. Faktikisht, ky portka ekzistuar qysh në periudhen antike, dheme sa duket,ka funsionuar edhe në kohën e Balshajve dhe më vonë gjatë Mesjetës (citim burimi). Por, materiali arkeologjik më domethenës, i gjetur këtu, i përket shekullit të XV, kur venedikasit e zotëronin këtë port lumor.

Krahas të dhënave historike-burimore dhe arkeologjike, një dëshmi epigrafike e vitit 1456, në një bllok guri me mbishkrim venecian, qëndron sot si arkitra mbi portën jugore të kishës Shën Mëria Nunciatë në Lezhë.

Atë Flavio Cavallini e ka botuar këtë mbishkrim në një artikull të tij në revistën arkeologjike “Iliria”. Në komentimin e tij ai arsyeton se emri i gëdhendur në këtë mbishkrim LEGRO. PARON. DEL. NAVILIO. ishte pronari i një flote të vogël, që merrej me transportin e mallrave në Drin. Karakteri i germave të këtij mbishkrimi dhe dialekti gjuhësor na e dëshmojnë qartë origjinën e tij veneciane, çka ndër të tjera e konfirmon edhe analogjia kaligrafike me shkrimin e legjendave në monedhat veneciane bashkëkohëse të gjetura si në Shkodër ashtu edhe në Lezhë.

Përveç mbishkrimit me pronarin e anijeve ( paron del navilio ), burimet historike të kohës na e përmendin mjaft herë skelën lumore të Lezhës dhe madje edhe nëpunësinë qe lidhej me këtë skelë dhe funksionimin e saj. Në një dokument të 3 shtatorit 1463 gjejmë të përmendur një “Stefanus della Siega admiratusAlesii”(1463-1502), i cili ishte komandanti i flotës. Një a m i r a i a, m i r a i a, m i r a l i a, m i r a l i j a, e permendin dokumentet burimore, në vitet 1350 – 1406 edhe në Vlorë dhe akoma deri në shekullin e XV në Artë (armiralio Arte).

Ashtu siç përshkruhet edhe në gërmimet e mëparëshme të arkeologut Frano Prendi, pranë kishës së Shën Kollit kemi gjetur përsërifragmente enësh prej qelqi venecian, enësh prej majolike e glazure fine dhe orendi të tjera shtëpiake të luksit. Ky material na konfirmon një banim intensiv në një nga ambientet jetësore, të lidhura me kishën e4 Shën Kollit në shekullin e XV.

II. Një monedhë tjetër, e një kohe rreth 3 shekuj më vonë, është gjetur po ashtu në hapësiren e gërmimeve mbi baptisterin paleokristian në një thellësi më të cekët se monedha e sipërtrajtuar.Kjo monedhë prej bakri e ka diametrin 29,5 mm. dhe peshën 7, 30 gr.

Në faqen e monedhës ka një medalion rrethor të realizuar me një linjë të thjeshtë në reliev. Në fushën brenda medalionit lexohet legjendae njohur ? DALMA ET ALBAN *, e kufizuar nga sipër dhe poshtë nga dy asterikse.

Në shpinën e monedhës është paraqitur figura e stilizuar e luanit të Shën Markut, të rrethuar me nimbusin eliptik dhe legjendën: * SAN’ MARC • VEN. Nën segmentin e monedhës është vendosur shifra romake •II•.Me këto të dhëna ikonografike, epigrafike dhe gjithashtu ato dokumentare historike, rezulton se prerja e kësaj monedhë është miratuar me dekretin e Senatit të Republikës së Venedikut me 17 gusht të vitit 1684. Ajo është një prerje e tipit “gazzetta”, e dalë nga punishtja veneciane në Zara te Dalmacisë.

Pas pushtimit të pothuajse të gjithë territoreve shqiptare nga turqit, është vërejtur se nuk kanë qarkulluar më monedha të prerjeve vendase. Konkretisht për Lezhën pas vdekjes së Skënderbeut dhe pas pushtimit turk, kronisti venecian Sanudo thotë se “ lezhjanët, disa u bartën në Ulqin, disa te tjerë në Pulje apo gjetiu„.

Republika e Venedikut arriti të ruante ende aktivitetin e prerjes monetare në disa pika të Adriatikut Lindor si në Kotorr, Zara (Zadari i sotëm) apo vendeve të tjera në këtë bregdet.

Dokumentacioni historik dhe vetë gjetjet arkeologjike tregojnë se monedhat prej bakri dhe pak me rrallë ato prej argjendi me legjenden DALMAT ET ALBAN, me versione emisioneh te ndryshme, ka vazhduar të ekzistojë deri në vitin 1796, kur për të fundit herë u bë një emetim i kufizuar i tyre, me pesha që nuk korrespondonin më me prerjet e zakonëshme të “gazzetta „ – ve.

Nga burimet historike të këtij intervali kohor mësojmë se: Në mezin e shekullit të XVII Lezha kishte rreth 500 shtëpi.Në shekullin e XVIII ky qytet shërbeu më tepër si një shtojcë e portit të Shkodrës për shkarkimin e anijeve, që nuk hynin dot në Bunë, pasi në këtë kohë porti lumor në Shkodër ndihmohej nga porte te tjera më të vogla si porti i Lezhës, porti i Ulqinit dhe porti i Tivarit, skela e Shirgjit etj. Në shek XIXishte i njohur panairi i qytetit te Lezhës. Rreth vitit 1872 Lezha kishte 80 dyqane.

Monedha jonë e Lezhës me mbishkrimin DALMA ET ALBAN vjen nga një kohë ( fundi XVII fillimi i XVIII), që është mesi i periudhës së sundimit otoman të territoreve shqiptare. Si e tillë është një piketë interesante mbështetëse arkeologjike, që hedh dritë mbi këtë moment interesant historik të qytetit.

Janë gjurmët e portit antik dhe mesjetar të Lezhës,që mbeten si dëshmi materiale të qëndrueshme për të gjithë periudhën mesjetare në trajtim. Kryesisht nga ky vend, kanë kalur mallrat dhe monedhat e përdorura në këtë qytet. Dy monedhat mesjetare, të gjetura në gërmimet e këtushme, janë dëshmi materiale me vlerë, që na nxisin për të rindërtuar copëza të panjohura të jetës së këtij qyteti si pjesë aktive e Arbërisë Venedike dhe në periudhën e pushtimit turk.

www.akad.gov.al

-Kumtesa e prof. dr.Gëzim Hoxhës, Kryetarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (ASHSH) në konferencën shkencore “Mesjeta, pararendëse e një sistemi monetar të mirorganizuar” në bashkëpunim me Muzeun e Bankës së Shqipërisë-

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Njerëzit me informacion të gabuar janë të rrezikshëm, njerëzit e indoktrinuar me propagandë janë shejtanë budallenj.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Liria e fjalës e rrezikuar nga media…

Rënia e besueshmërisë së medias ka ardhur edhe si pasojë e minimit të profesionit nga brenda.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Njerëzit me informacion të gabuar janë të rrezikshëm, njerëzit e indoktrinuar me propagandë janë shejtanë budallenj.