Bashkëpunim dhe zhvillim me cilësi të lartë

Fjala e Xi Jinping në Samitin XVI të BRICS pasqyron dhe përmbledh filozofinë e së ardhmes.


Nga Dr. Enriko Ceko

Samiti i BRICS, i zhvilluar nga 22 deri më 24 tetor 2024 në Kazan të Rusisë, shënon një moment të rëndësishëm në aspektin e zhvillimeve të fundit ndërkombëtare dhe për bashkëpunimin e vendeve, kryesisht atyre në zhvillim, jo vetëm në përbërje të organizatës BRICS, por edhe në mbarë globin.

Roli i Kinës në këtë organizatë është thelbësor, sepse drejtuesit e saj politikë në vazhdimësi kanë ofruar dhe vazhdojnë të ofrojnë një vizion ambicioz për një rend global më të drejtë, të qëndrueshëm, mbi bazat e bashkëpunimit dhe zhvillimit me cilësi të lartë.


Presidenti kinez Xi Jinping/Xinhua

Me fokusin në këtë pikëpamje të bashkëpunimit dhe zhvillimit me cilësi të lartë, Pekini promovon iniciativa që përfshijnë inovacionin dhe energjinë e pastër, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje kolektive për të adresuar sfidat globale që lidhen me ndryshimet klimatike dhe krizën ekonomike, dhe, për më tepër, Kina luan një rol të rëndësishëm edhe në forcimin e lidhjeve tregtare dhe financiare brenda BRICS, duke nxitur një sistem të ri të qeverisjes globale, që reflekton interesat e vendeve në zhvillim.

Nga ana tjetër, Kina nxit edhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar përtej vendeve anëtare të kësaj organizate shumë të rëndësishme në nivel global, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë dhe përfaqësim të rritur të vendeve të Jugut Global në vendimmarrjet ndërkombëtare.

Me këtë angazhim, Kina argumenton qartë se BRICS mund dhe duhet të shndërrohet në një motor për zhvillim të qëndrueshëm, duke ofruar mbështetje për projekte infrastrukturore dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e vendeve anëtare.

Në samitin e 16-të të BRICS, ditën e mërkurë, 24 tetor 2024, Presidenti kinez Xi Jinping paraqiti një vizion të qartë dhe ambicioz për të ardhmen e këtij grupi vendesh, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në drejtim të zhvillimit me cilësi të lartë. Në një kohë kur sfidat globale janë në rritje, Presidenti Xi bëri thirrje për një angazhim të përbashkët dhe për një mekanizëm të fortë shumëpalësh që adreson nevojat e Jugut Global, etj.

Në vazhdim rendisim disa pika shumë të rëndësishme të fjalës së Presidentit të Kinës në këtë samit.

1 – Thirrja për Solidaritet dhe Bashkëpunim – Xi e përshëndeti vendimin për të ftuar vende të tjera si partnerë të mundshëm në BRICS, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm për forcimin e solidaritetit dhe bashkëpunimit mes vendeve anëtare dhe pjesës tjetër të vendeve të ndryshme të globit. Xi theksoi se BRICS duhet të veprojë si një forcë pararojë për reformimin e qeverisjes globale, duke promovuar një rend botëror më të drejtë, të qendrueshëm dhe edhe më të balancuar.

2 – Paqja dhe Siguria – Një nga pikat kryesore të fjalimit të tij ishte thirrja për forcimin e qasjes së BRICS për paqen. Xi inkurajoi vendet anëtare të mbështesin parimet e mos zgjerimit të konflikteve, mos përshkallëzimin dhe evitimin e provokimeve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e krizës në Ukrainë, ku Xi kërkoi një qasje të mençur, të përbashkët dhe ku edhe palët në konflikt të kenë mundësi të dëgjohen, për të de-përshkallëzuar sa më shpejt të jetë e mundur këtë konflikt që ka lindur ndoshta edhe nga ndërhyrje e pikëpamje separatiste të nxituara dhe të panevojshme, të nxitur nga palë të interesuara, parë kjo edhe në kuadër të zhvillimit rajonal dhe global.


Samiti i 16-të i BRICS-it/Xinhua

3 – Inovacioni dhe Zhvillimi me Cilësi të Lartë – Presidenti i Kinës e lidhi në fjalën e tij zhvillimin me cilësi të lartë me inovacionin si motor progresi. Vendosja e inovacionit, së bashku me faktorët e tjerë të prodhimit, në themel të zhvillimeve të fundit në modelin ekonomik të Kinës. Është një risi në filozofinë dhe praktikën e zhvillimit ekonomik dhe këto zhvillime, risi dhe suksese Kina dëshëron që t’i ndajë me vendet partnere dhe përtej.

Xi, në këtë kuadër, bëri thirrje për një BRICS të gjelbër, ku vendet të punojnë për promovimin e praktikave të qëndrueshme në industritë e ndryshme, sektorin e energjetikës, sektorin e minierave etj, duke vënë theksin në burimet e rinovueshme dhe faktin se kjo qasje është në përputhje dhe në harmoni të plotë edhe me teorinë e zhvillimit të qëndrueshëm, teori që thekson rëndësinë e ruajtjes së burimeve natyrore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, lidhur ngushtë kjo edhe me 17 objektivat e zhvillimit të qendrueshëm deri në vitin 2030 të Kombeve të Bashkuara dhe përtej kësaj.

4 – Reformat në Sistemin Financiar Ndërkombëtar – Është e dukshme se në ditët tona shfaqet më shumë se e nevojshme, pothuajse deri në kufijtë e domosdoshmërisë, një reformim dhe një riformësim i arkitekturës financiare ndërkombëtare. Për këtë Xi kërkon një rol edhe më të madh të Bankës së Re për Zhvillim dhe një përafrim edhe më të mirë të sistemit financiar global me dinamikat në ndryshim të ekonomisë globale, si një qasje që pasqyron në mënyrë më bashkëkohore parimet e transnacionalizmit, parime sipas të cilave sfidat globale mund dhe duhet që të përballohen me bashkëpunim ndërkombëtar dhe jo me përçarje dhe individualitet, që nxitet edhe për shkak të fuqisë ekonomike dhe ushtarake të ndonjë shteti apo njësie rajonale.

5 – Mbrojtja e Bashkëjetesës dhe Harmonisë – Në fjalimin e tij, Xi gjithashtu bëri thirrje për mbrojtjen e bashkëjetesës paqësore dhe harmonisë midis qytetërimeve si një nga vlerat e rëndësishme të njerëzimit. Ai njoftoi se Kina do krijojë 10 qendra mësimore jashtë shtetit në vendet e BRICS, me qëllim ofrimin e mundësive për trajnim për punonjësit e sistemit arsimor, studentët, etj, si një synim dhe përpjekje reale për të forcuar lidhjet kulturore dhe për të ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në rang rajonal dhe global.

6 – Rritja e Zërit të Vendeve në Zhvillim – Xi nënvizoi se në këtë qeverisje globale, përparësia e BRICS është rritja e përfaqësimit dhe zërit të vendeve në zhvillim si një pikë e rëndësishme në teorinë e zhvillimit, ku promovimi i barazisë dhe drejtësisë në sistemin ndërkombëtar është thelbësor për arritjen e qëllimeve të zhvillimit me cilësi dhe bashkëpunimit ndërkombëtar transnacional.

Në mbështetje të fjalës së Presidentit të Kinës Xi Jinping, liderët e BRICS u zotuan të ruajnë multilateralizmin dhe të mbështesin një qeverisje globale që përfshin të gjithë aktorët, me angazhimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe konsultimit, duke respektuar shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve. Në këtë kontekst, BRICS kërkon të avancojë në një botë shumëpolare, ku të gjithë aktorët të kenë zë dhe përfaqësim të drejtë.


Presidenti kinez Xi Jinping/Xinhua

Ky samit doli edhe me një deklaratë të rëndësishme në lidhje me vendet partnere të BRICS, një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të grupit dhe forcimit të bashkëpunimit, gjë që padyshim ndihmon në rritjen e ndikimit të BRICS në arenën ndërkombëtare dhe në promovimin e një rendi global të qendrueshëm, që reflekton interesat e vendeve në zhvillim.

Si përfundim mund të thuhet pa dyshim se fjalimi i Presidentit të Kinës, Xi Jinping, në Samitin e XVI të BRICS pasqyron një vizion ambicioz dhe të qëndrueshëm për të ardhmen e këtij grupi vendesh, që po bëhet përherë e më i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare dhe për zhvillimet bashkëkohore globale.

Me theksin në bashkëpunimin për zhvillimin me cilësi të lartë, paqen dhe sigurinë globale, inovacionin dhe drejtësinë, Xi ka përcaktuar një rrugë të qartë për rolin e sotëm dhe të ardhshëm të BRICS në skenën ndërkombëtare, si një mjet dhe mundësi reale për të përmirësuar kushtet e jetesës për mbarë qytetarët e globit dhe për të adresuar sfidat globale në mënyrë edhe më efektive dhe edhe më të qëndrueshme si për ekonominë botërore, ashtu dhe për mbarë globin.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Arti në luftë!

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kurator studiuesi Mehmet Gëzhilli.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Arti në luftë!

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kurator studiuesi Mehmet Gëzhilli.