Dinamikat e brishta të Ngushticës së Tajvanit dhe rreziqet që mbart një fjalim

Pekini mori shënim, dhe ishte pritshme që nuk do rrinte duarkryq. Më 23 maj pjesa kontinentale e Kinës njofton se do të nisë manovra ushtarake dy-ditore në veri, jug dhe lindje të Ngushticës së Tajvanit.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Lai Ching-te u betua si lideri i gjashtë i Tajvanit më 20 maj, një rol në të cilin ai pritet të vazhdojë të mbajë ishullin në të njëjtin drejtim të vendosur nga paraardhësja e tij Tsai Ing-Wen. Ardhja e Lai-t në pushtet shënoi një fitore të ngushtë për Partinë Demokratike Progresive (DPP). Ai bëri betimin e tij në ceremoninë e ishullit me një fjalim të gjatë dhe prezantoi një vizion të Tajvanit që ndryshon ndjeshëm nga kuptimi tradicional i marrëdhënieve të tij me Kinën. Ndërsa në dukje kërkonte “ndërtimin e një Tajvani të ri demokratik, paqësor dhe të begatë”, fjalët e tij përbëjnë një largim nga parimi i kahershëm i “një Kinë” dhe përbëjnë një sfidë madhore të kohëve tona. Pekini mori shënim, dhe ishte pritshme që nuk do rrinte duarkryq. Më 23 maj pjesa kontinentale e Kinës njofton se do të nisë manovra ushtarake dy-ditore në veri, jug dhe lindje të Ngushticës së Tajvanit.

Harta e Kinës (Foto: Faqja elektronike e Qeverisë Qendrore të RPK)

Ku mbështetet diskursi i Lai-t?

Lai prezantoi një përkufizim ose interpretim të ri të asaj që është Tajvani. Në përgjithësi, ai dëshiron të prezantohet si një udhëheqës paqedashës që përballet me një kundërshtar të fuqishëm. Kjo qasje ka për qëllim t’i tregojë qytetarëve të Tajvanit se ai mund të menaxhojë marrëdhëniet me kontinentin dhe të ruajë status quo-në. Por status-quo për Pekinin është një gjë, për Lai-in është diçka tjetër.

Rishkrimi i historisë është një lojë e rrezikshme që mund të çojë në konflikt, shprehen analistët kinezë. Ngushtica e Tajvanit, ka shqetësime për mungesën e të kuptuarit historik – siç shihet në retorikën që sugjeron Tajvanin si të ndarë nga Kina – gjë që mund të destabilizojë rajonin. Fjalimi i Lai-t e nënvizon këtë ndarje, duke e përshkruar pjesën kontinentale të Kinës si një armik dhe duke anashkaluar kontekstin historik.

Duke promovuar idenë e Tajvanit si një entitet politik të veçantë, Lai rrezikon të ndezë tensionet sërish. Në qendër të strategjisë së Lai-t është manipulimi i parimeve demokratike për të çuar përpara agjendën e tij për pavarësinë e Tajvanit. Duke inkuadruar aspiratat e Tajvanit në aspektin e demokracisë dhe lirisë, ai kërkon të mbledhë mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tij, ndërkohë që sfidon në të njëjtën kohë legjitimitetin e kornizës së “një Kinë”. Lai rrezikon të gërryejë konsensusin ndërkombëtar që mbështet stabilitetin dhe sigurinë globale. Përpjekjet e tij për të portretizuar Tajvanin si “viktimë” të “agresionit” janë po aq problematike. Portretizimi i ishullit si një kalimtar i pafajshëm injoron historinë komplekse dhe dinamikën e marrëdhënieve të ngushticës. Fjalimi i inaugurimit të Lai Ching-te përfaqëson një përshkallëzim të rëndësishëm në mosmarrëveshjen e vazhdueshme midis Tajvanit dhe pjesës kontinentale të Kinës.


Komanda e Teatrit Lindor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze filloi stërvitjen e përbashkët ushtarake rreth ishullit të Tajvanit/CMG

Reagimi i pjesës kontinentale të Kinës

Tensioni aktual përgjatë ngushticës së Tajvanit i atribuohet refuzimit të Lai-t dhe partisë së tij, për të njohur Konsensusin e vitit 1992, i cili mishëron parimin e “një Kinë”, që është pranuar nga të dyja palët. Pavarësisht nga ndryshimet në udhëheqjen e Tajvanit, pjesa kontinentale mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për ribashkim kombëtar dhe do të ndërmarrë veprime vendimtare kundër përpjekjeve separatiste. Ministria e Jashtme përsëriti qëndrimin se Tajvani është një pjesë integrale e Kinës, duke theksuar papajtueshmërinë e “pavarësisë së Tajvanit” me paqen ndërmjet të dyja brigjeve të ngushticës.

Ministri i Jashtëm Wang Yi u bëri jehonë këtyre ndjenjave, duke deklaruar parimin “një Kinë” si thelbësor për ruajtjen e paqes në rajon. Ai paralajmëroi kundër çdo sfide, duke theksuar kotësinë e përpjekjeve të tilla. Wang theksoi mbështetjen ndërkombëtare për qëndrimin e Kinës për çështjen e Tajvanit, duke theksuar konsensusin midis vendeve të ndryshme, duke përfshirë anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), në kundërshtimin e “pavarësisë së Tajvanit”. Kryediplomati i Pekinit tha se politika e brendshme e Tajvanit nuk e ndryshon faktin se është pjesë e Kinës, duke i quajtur përpjekjet për pavarësinë e ishullit “të rrezikshme”.


Wang theksoi mbështetjen ndërkombëtare për qëndrimin e Kinës për çështjen e Tajvanit në mbledhjen e ministrave të jashtme të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO)/Ministria e Jashtme e Kinës

Wang kritikoi gjithashtu disa politikanë perëndimore, sidomos për ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës dhe shkelje të parimit të “një Kinë”. Ai dënoi veprime të tilla dhe konfirmoi vendosmërinë e Kinës për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial. Wang siguroi se përpjekjet e Kinës për të kundërshtuar “pavarësinë e Tajvanit” dhe për të arritur ribashkimin do të fitonin mbështetje të gjerë globalisht.

Në vazhdën e lidershipit të Lai-t në Tajvan, shqetësimet janë të mëdha në lidhje me qëndrimin e ishullit ndaj pavarësisë dhe implikimet e tij për gjithë rajonin. Përkushtimi i vetëshpallur i Lai-t ndaj pavarësisë së Tajvanit ngre frikën e përdorimit të mbështetjes së ShBA-së për t’iu kundërvënë Kinës, duke destabilizuar potencialisht rajonin.

Profesor Zhu Songling, një emër i njohur në Kinë për çështjet e ngushticës, shprehet se përdorimi i “kartës së Tajvanit” dëmton besimin midis Pekinit dhe Uashingtonit dhe përdorimi i çështjes së Tajvanit për qëllime politike minon përpjekjet drejt marrëdhënieve paqësore. Për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, ShBA-ja duhet të ndërpresë veprimet provokuese në lidhje me Tajvanin dhe të përmbahet nga mbështetja e lëvizjeve për pavarësi. Po kështu, DPP duhet të braktisë iluzionin e arritjes së pavarësisë me mbështetjen e ShBA-së dhe në vend të kësaj t’i japë përparësi shkëmbimeve dhe zhvillimit paqësor përgjatë ngushticës, analizon Zhu.


Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin/Ministria e Jashtme e Kinës

Pavarësisht se si ndryshon situata politike në lidhje me ishullin e Tajvanit, ajo nuk do të ndryshojë faktet historike dhe juridike që të dyja anët e ngushticës të Tajvanit i përkasin një Kine dhe tendenca historike qëndron që Kina përfundimisht do të ribashkohet në mënyrë të pashmangshme, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, pas fjalimit të Lai-t. Më tej, është vënë në dukje disa herë, se parimi “një Kinë” është një konsensus i përgjithshëm i komunitetit ndërkombëtar, është gjithashtu themeli politik dhe premisa që Kina të zhvillojë marrëdhëniet me vende të tjera në botë.

Shumica dërrmuese e vendeve, si dhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale, qëndrojnë me vendosmëri me qeverinë dhe popullin kinez, duke mbështetur kauzën e drejtë të Kinës për të kundërshtuar aktivitetet separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” dhe duke u përpjekur për ribashkim kombëtar. Kina dënon me forcë lëvizje të tilla dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin e saj kombëtar dhe integritetin territorial. Trendi i përgjithshëm i historisë është i pandalshëm. “Do të vijë dita kur Kina të ribashkohet plotësisht,” tha zëdhënësi i ministrisë.

Përfshirja e ShBA-së dhe shitja e armëve në Tajvan padyshim e përkeqësojnë situatën. Është e qartë se Lai kërkon të përafrohet me politikat e ShBA-së, por kjo nuk është në interesin më të mirë të Tajvanit. Ashpërsia e tonit të tij dhe rishkrimi i historisë nuk janë zgjidhje për sfidat politike të Tajvanit. Populli i Tajvanit duhet të riafirmojë identitetin e tij kinez dhe se çështja e statusit të Tajvanit duhet t’i lihet popullit të Kinës. Për më tepër, ekziston një dëshirë që Tajvani të mos përdoret si mjet pazaresh në negociatat midis fuqive të huaja dhe Pekinit.

Për Pekinin zyrtar, ka zhgënjim për mospërputhjen midis premtimeve të ShBA-së për të reduktuar shitjet e armëve në Tajvan dhe rritjes aktuale të shitjeve të tilla, gjë që kontribuon në rritjen e tensioneve. ShBA-ja shihet se kërkon pika hyrëse në Azi nëpërmjet aleancave dhe manovrave ushtarake, që të kujtojnë precedentë historikë që çuan në konflikt. Statusi i Tajvanit është i lidhur me kushtetutë me Kinën, pavarësisht përpjekjeve për ta përshkruar atë si të pavarur. Mungesa e vullnetit nga udhëheqja e Tajvanit për të pranuar këtë realitet ndërlikon përpjekjet për të ulur tensionet.


Tajpei (Foto:VCG)

Që nga fillimi i viteve 1950, elitat e Uashingtonit e kanë konsideruar Tajvanin një “aeroplanmbajtëse të pathyeshme/të pambytshme në Azinë Lindore”. Duhet pasur parasysh se në ato kohë kishte gjeneralë të cilët donin të përdornin Tajvanin për të nisur raketa kundër Kinës kontinentale. Pra, përdorimi i Tajvanit nuk është çështje e re, dhe mbështetja për separatistët në Tajvan dhe rritja e furnizimit të saj me ndihmë ushtarake nuk mund të ndahet nga fushata e përshkallëzuar për të rrethuar dhe kontrolluar Kinën.

Implikimet e 2024-ës për armatosjen e Tajvanit janë alarmante, pasi ato mund të përshkallëzojnë tensionet midis ShBA-së dhe Kinës. Diskutimet në Kongresin e ShBA në lidhje me statusin e Tajvanit dhe keqkarakterizimin e rezolutave të OKB-së nënvizojnë një keqkuptim themelor të politikës së “një Kine”. Përpjekjet për të sfiduar këtë politikë shihen si kundërproduktive.

Nga ana tjetër janë qytetarët e Tajvanit. Reagimi publik i tyre ndaj fjalimit ishte i dukshëm, veçanërisht i evidentuar nga luhatjet e menjëhershme në bursë dhe në tregun e aksioneve. Ashpërsia e retorikës i la shumë qytetarë në Tajvan të shqetësuar për një konfrontim të mundshëm. Ata nuk e duan një konflikt, as ballafaqim.

Së fundmi, ekziston një nevojë thelbësore për një kuptim më të thellë të realiteteve historike dhe gjeopolitike që rrethojnë Tajvanin, duke theksuar nevojën jetike për dialog dhe diplomaci për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Ideja që po “shitet” është se ruajtja e prosperitetit në mbarë botën dhe vendosja e Tajvanit si një pjesë kritike e zinxhirit të furnizimit global i shton një dimension ekonomik diskutimit tradicional gjeopolitik. Në qendër të retorikës së Lai-t është një përpjekje e qëllimshme për të ngritur statusin ndërkombëtar të Tajvanit, duke e portretizuar atë si një entitet sovran që meriton njohjen në skenën globale. Megjithatë, ky pohim kundërshton drejtpërdrejt konsensusin mbizotërues botëror se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës, një pikëpamje e mbështetur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Sot 183 shtete njohin vetëm Republikën Popullore të Kinës, dmth “një Kinë”. Për Kinën kjo është çështje e brendshme e saj, dhe “linja e kuqe” në çdo rast.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Gonxhja: Rritje me 60.1% e vizitorëve në kalatë dhe monumentet e kulturës

Ministri i MEKI: 66,323 vizitorë për periudhën Janar – Maj 2024

Global 360

G7 – Papa Françesku u kërkon udhëheqësve të ndalojnë armët e IA-së

Papa Françesku u ka bërë thirrje sot udhëheqësve të Grupit të Shtatë (G7) që të miratojnë një qasje të kujdesshme…

Diplovista

Bregu: Zero roaming me BE-në deri më 2027

Perspektiva e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor nuk është më një proces datash, BE-ja po ndryshon, ndoshta duhet të ndryshohet…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria, emigrantët dhe BE

Ndërsa procesi i votimit në vendet e BE edhe pak i afrohet fundit, pak ditë më parë kryeministrja e Italisë,…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Gonxhja: Rritje me 60.1% e vizitorëve në kalatë dhe monumentet e kulturës

Ministri i MEKI: 66,323 vizitorë për periudhën Janar – Maj 2024