Frederik Miteran – miku i madh francez i Shqipërisë!

Cdo gjë rreth Shqipërisë për të kishte një interes të madh. Ky njeri shkoi i paqtë dhe i mbushur me dashuri!


Nga Luan Rama

Kishte heshtje dje në kishën e St. Thomas d’Aquin në Paris.

Frederik Miteran e kishin vendosur në këmbët e ikonës së Shën Thomas d’Aquin, patronit të librit dhe arteve.

Shumë miq të ish ministrit dhe akademikut francez kishin ardhur pranë tij ta përcillnin për herë të fundit e midis tyre dhe shqiptarë.

Organo dhe psalme për njeriun që gjithë jetën jetoi me librin, kinemanë, artet.

Liz MacCombe këndonte një gospel. Kishte ardhur ta përcillte mikun e saj me gospelin amerikan, mikun e aktorëve dhe njerëzve të filmit. Dhe zëri i saj ngrihej lart në kubenë e kishës plot drithërimë dhe forcë.. I rëndë, si një këngë zije ai zë që gati të shkulte shpirtin nga dhimbja.

Mu duk se gjithë Parisi ishte brenda asaj salle dhe jashtë pragut të kishës.

Një personazh prustian shkonte nga bota e të gjallëve i shoqëruar me psalme të Shën Palit. Shkonte me një “Ave Maria” të Gounod, para syve të përlotur të miqve të tij me përshëndetje nga njerëz të familjes, të afërm, artistë, ish ministra, presidentë, të cilët kujtonin njeriun që e deshi aq shumë Francën, historinë dhe kulturën e saj, me gjithë forcën e shpirtit të tij.

Mes tyre dhe ambasadori shqiptar Dritan Tole, një mik i tij i afërt, gati i familjes, i cili kujtoi aty dashurinë e madhe të Frederikut për Shqipërinë që nuk arriti dot këto kohë të ulej të shkruante librin “Ata që e duan Shqipërinë” dhe që ditët e fundit para se të vdiste, bashkë me Tolën, kishin veçuar librat e shumtë për biibliotekën e Tiranës, e cila, siç shprehej në mesazhin e tij kryeministri shqiptar do të quhej « Bibilioteka Frederik Miteran”. Pranë tij dhe mikja shqiptare Liria Begeja, mikja e afër e Fredo-s siç e quanin miqtë e afërt artistin e letrarin e madh. Po kështu dhe miku i tij Julien Roche.

Në atë sallë, dje kishte shumë miq që kishin punuar me të për dekada me rradhë kur ai ishte kineast, ministër i Kulturës, akademik apo drejtor i “Villa Medicis” në Romë, apo “ambasadori i dytë” në Itali.
Kujtime familjare, prekëse, me nismat e tij në rrugën e artit, kujtime nga botuesit e librave, pasi ai ka botuar shumë libra, madje dhe dorëshrimet e tij të fundit, e krahas tyre dhe shkrimi i një libri për mikun e tij Brad Pitt, të botuar një vit më parë.

Ky njeri fisnik dhe erudit e kis te pasion dhe një ushqim jetik librin, filmin.

Organet binin, psalmet këndoheshin dhe ndërkohë kujtoja njohjen time të parë me të në fillimet e viteve ’90, kur realizonte filmin e tij me aktorë “Madame Batterfly”. Luc Barnier, burri i Liria Begesë, ky njeri bujar, njerëzor dhe mjeshtër i montazhit në këtë film, si dhe mik i vjetër i Fredos, më kishte marrë në ekipin e montazhit. Kujtoj Frederikun, gjithnjë të qeshur, delikat plot elegance, me humorin e tij karakteristik, këtë njeri që ishëronte në vetvete një personazh filmik. E kujtoj atë dhe kur shumë vite më parë foli në varrin e të mrekullueshmit Luc Barnier në varrezat e Montparnasse. Ishte montazheri i tij në filmin “Prilli i thyer” që do realizonte Liria Begeja në malet e Korsikës në mungesë për ta xhiruar atë film në Shqipërinë e ndaluar. Frederik Miteran ishte producenti I filmit që me shumë pak para arriti që ai film të realizohej. Kishte vite që Frederik kishte realizuar filmin e tij “Letra dashurie nga Somalia”. një film plot humanizëm, ku zëri i tij karakteristik kishte gjithnjë atë elegancë, poezi dhe melankoli, zë i cili i kishin bërë të veçantë filmat e tij. Atë zë e kemi dëgjuar dhe në filmin dokumentar “Trëndafili i Bardhë”, për mbretëreshën Geraldinë; e kemi dëgjuar dhe në filmin dokumentar për Apolloninë e arkeologut francez Léon Rey. Kur Frederik u pranua në Akademinë Franceze, atë mbrëmje, në bisedë me të ai më tha shkarazi se atë film ma kishte dedikuar mua. E mora në një formë tjetër, thjesht për bisedat që kishim bërë për Léon Rey. Por më vonë, kur pashë filmin ku në krye të tij pashë se ma kishte dedikuar mua mu duk një gjest i jashtëzakonshëm nga miku francez, bërë me thjeshtësinë dhe delikatesën më të madhe.

Ajo që spikaste në qenien e tij fisnike ishte gjithnjë ajo thjeshtësi zemre dhe dashuria për njeriun pavarësisht se cilit popull i përkiste. Ai ishte mik i afërt i tunizianëve, marokenëve, persianëve, por dhe shqiptarëve. Ja pse me të drejtë, të gjithë ne e konsideronim “Miku i madh francez i Shqipërisë”. Sa herë shkonte në Shqipëri ai donte gjithnjë të mësonte më shumë nga historia dhe kultura shqiptare duke lënë përkujtime dashurie, si të ishte një mik familjar i thjeshtë dhe me zemër të madhe. Në vitet ’90 shpesh e gjeje mbrëmjeve në shtëpinë e Liria Begesë dhe e dëgjoje të shprehte dëshirën për të bërë diçka për Shqipërinë. Frederik, Jusuf… bisedat për artin dhe historinë, pasi Fredo ishte një historian i vërtetë, çka e tregoi me librat e tij.

Në fillim të viteve ’90, pas sallave kinematografike “Art et Essai”, Fredo drejtonte sallat e kinemasë “Entrepot” në zemër të Parisit, ku filmi ishte mjaft popullor tek kinofilët. Më kujtohet organizimi i filmave, Piro Milkani, Saimir Kumbaro etj në këtë “Javë të filmit shqiptar”. Kështu, Aventura shqiptare e Frederik Miteran vazhdonte. Sa shumë Shqipëri ne zemrën e tij! E tillë ishte dhe bota e filmit botëror brenda tij, kohë kur adhuronte mjeshtrit më të mëdhenj të botës, traditën filmike por dhe regjisorët e kohës moderne si Fellini, Ozu, Polanski e shumë të tjerë. Ishte kjo dashuri për filmin që e shtyu këtë pinjoll prustian të drejtonte cikle televizive për filmin siç ishin “Etoiles et toiles” apo « Du côté de chez Fredo ». Mbrëmjeve të vonë në Paris, ndiqja emisionet e tij dhe kjo tashmë bën pjesë e nostalgjisë time.

Edhe pse i sëmurë rëndë, para më shumë se një muaj ai erdhi në La Maison de l’Albanie për të parë ekspozitën e mikut të tij Wandrouille Potez, një historian arti, i cili kishte qenë në Shqipëri dhe kishte bredhur maleve në këmbë, duke jetuar me barinjtë duke fotografuar kisha ortodokse në shkrepat malore, të lëna pas dore por që ruanin në vetvete një trashëgimi të çmuar. Më kujtohet kur më mori në telefon dhe më kërkoi të lidhesha më këtë historian e fotograf. Cdo gjë rreth Shqipërisë për të kishte një interes të madh: kultura, libri, filmi apo java filmike shqiptare që mendohej të organizohej këtë shtator.

E ndërkohë dëgjoj përsëri organo, psalme, Brahms dhe një De Profundis të zgjedhur me siguri nga vetë ai. Pastaj një tjetër gospel nga amerikania MacCombe që rezononte në kubenë kishtare me magjinë dhe mistikën e saj.

Dhe krahas tij vargje të L’Ecclesiaste të lexuar nga Alice Mitterand:

“Ka një kohë për gjithçka dhe për çdo gjë nën këtë qiell dhe në orën e vet,
Kohë për të lindur dhe për të vdekur,
Kohë për të mbjellë, kohë për të shkatërruar,
Kohë për të ndërtuar dhe kohë për të rrënuar,
Kohë për të rënkuar dhe kohë për të qeshur,
Kohë për të dashur puthje dhe për të mallkuar,
Kohë për të ndjekur një ëndërr apo për ti ndaluar ato,
Kohë lufte dhe paqeje.
… Pra, më së fundi
them se ka veç një gjë të mirë për Njeriun: të gëzohet!

Së fundi, shikoj njerëzit që ngrihen ti japin përshëndetjen e fundit : bijtë e tij, vëllezërit, Nicolas Sarcozy, Jack Lang, Rachida Dati e personalitete të shumtë, miq të zemrës së tij. Premtimi i ambasadorit i vendosur dhe prekës. Dhe ishte e çuditshme që në atë ceremoi franceze, në zemër të Parisit për humbjen e një prej përfaqësuesve të denjë të kulturës franceze, Shqipëria të ishte në evidencë. Shqipëria ! Një dashuri ! Ndoshta disa prej të pranishmëve do tu dukej disi e çuditshme kjo dashuri e përkushtim i veçantë për vendin tim nga ky personalitet i shquar.

Duke shkruar këto rradhë nuk mund të mos përmend vargjet e poetit Hefz që miku i tij persan lexoi për Frederikun :

« Nëse do të përshkosh shkretëtirën / për të arritur qëllimin tënd /shko, mos u shqetëso / nga plagët dhe gjembat… »

Ky njeri shkoi i paqtë dhe i mbushur me dashuri!

Lexo më shumë nga

Peleshi në Hungari, viziton qendrën e Inovacionit të Kërkimit dhe Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Peleshi në Hungari, viziton qendrën e Inovacionit të Kërkimit dhe Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.