“Për miqtë e mrekullueshëm që i kemi vetëm në zemër”

Bashkë me Omer Kaleshin dhe Moikom Zeqon një ditë ne morëm rrugën drejt Librarisë “Shakespeare and Company”


Nga Luan Rama

Doni një libër në gjuhën angleze, një roman nga më të fundit të botuar në Amerikë apo Angli ose një vëllim poetik a kritikë letrare? Shkoni në Shakespeare and Company dhe atje do të gjeni libra nga autorët më në zë të letërsisë anglosaksone të ditëve tona, por jo vetëm aq, por dhe të traditës, duke filluar me të famshmin Shakeaspeare!

Shakespeare and Company ndodhet buzë Senës. Dritaret e saj shohin nga katedralja e Notre-Dame. Është një librari mitike e letërsisë në gjuhën angleze, emri i së cilës lidhet me atë që e krijoi dhe e pagëzoi kështu: Sylvia Beach, një studente amerikane e Sorbonës, bija e një pastori amerikan që punonte në Kishën Amerikane në Paris dhe që për dashurinë e librave ajo hapi në fillim në Rue Odeon librarinë Shakespeare and Company. Kjo ka ndodhur në nëntor të vitit 1919, fill pas amnistisë dhe fundit të Luftës së Parë Botërore, kohë kur mjaft amerikanë do të zbarkonin në Paris për të shijuar këtë vend jo puritan e konservator si Amerika, por si një vend që pas tragjedisë dhe kasaphanës së madhe donte të shijonte jetën e lirë.

Bashkë me Omer Kaleshin dhe Moikom Zeqon një ditë ne morëm rrugën drejt kësaj librarie, meqë kisha dëshirë t’u tregoja miqve të mi atë librari aq interesante dhe gati të padukshme kur vjen në Paris, pasi duke qenë në cep të Quartièr Latin, të gjithë vizitojnë atë dhe Notre-Dame dhe të rrallë janë ata që e dinë se aty pranë duhet të shohin dhe këtë librari me një histori të veçantë që u mbijetoi kohërave. Një mjedis librarie me librat e prezantuar jashtë dhe brenda, rafte, autorë, fotografi të vendosura ashtu si dikur zonjusha Beach vendoste fotografitë e mëdha të autorëve të shquar amerikanë. Ngjisim shkallë druri dhe ja te gjendemi në kthina, po me libra, një dhomë ku pothuaj çdo muaj, sipas një burse, një letrar i ri vjen të banojë këtu, të shkruajë, pa paguar para, duke qenë kështu një pinjoll i Shakespeare and Company. Kur Sylvia Beach e ngriti këtë lloj librarie, ajo e bëri këtë dhe si një shenjë dashurie që kishte për të dashurën e saj, francezen Adrienne Monnier dhe ajo librare, me librarinë e saj të librit francez, dy hapa më larg. Ato kishin një apartament sipër librarisë në Rue de l’Odeon dhe një nga bashkëpunëtorët e parë të Shakespeare and Company ishte i madhi James Joyce që kishte shkruar veprën e tij Ulysse (Uliksi) dhe që botuesja angleze, për shkak të censurës së ushtruar ndaj tij, më së fundi refuzoi ta botonte.

Mosbotimi i Uliksit, për James Joyce ishte një goditje e madhe, pasi ai mendonte se kjo do të ishte një nga veprat e jetës së tij. “Kur e mora vesh dhe një ditë i thashë se mund t’ia botoja dhe unë, – kujtonte Sylvia, – ai e pranoi menjëherë kërkesën time të një botueseje të vogël. Të nesërmen, kur erdhi sërish, isha e lumtur të pikasja fytyrën e tij të gëzuar. Sa për mua mund ta imagjinoni lumturinë të isha botuesja e një libri, të cilin e doja më shumë se çdo libër tjetër në botë.”

Joyce në atë kohë shkonte çdo ditë në librarinë e Sylvia-s, edhe pse vetë ai banonte në cep të Parisit, në Bois de Boulogne dhe kishte probleme me sytë, pasi ishte operuar nga një glaukomë. Kur Sylvia e shikonte në rrugë, tek zbriste nga Rue de l’Odeon, asaj i dukej sikur vinte një Melancoly Jesus, si një Jezu melankolik, siç do ta mbiquante më vonë ajo bashkë me të dashurën e saj Adrienne. Shpejt, Shakespeare and Company u bë një nga vendet e privilegjuara të intelektualëve francezë, por dhe amerikanë që ndodheshin në Francë, siç ishin Heminguej, Fitzgerald, Altman, Ezra Paund e të tjerë. Valery Larbaud sapo ishte kthyer nga Shqipëria për t’u treguar miqve të Shakespeare and Company për atë vend simpatik, siç do ta përshkruante dhe në shkrimin e tij Una settimana Albanese. Ai ishte përkthyes i Uliksit të Joyce dhe i përhershëm në kompaninë e letrarëve atje. Por Hemingueji zinte një vend të veçantë. Sylvia Beach e konsideronte Heminguejin Mon meilleur client (Klienti im më i mirë), duke shtuar se ne “kishim admirimin më të madh për të, jo vetëm pse vinte shpesh, por sepse shpenzonte paratë për librat që blinte”.

Ja si e kujtonte ajo njohjen me amerikanin dhe bashkëpatriotin e saj simpatik: “Një ditë hyri në librari një burrë i ri brun, shtatlartë dhe me mustaqe. Ngrita kokën dhe me zë të ulët ai më tha se ishte Ernest Hemingueji. E ftova të ulej dhe duke biseduar mësova se ishte nga Çikago dhe sapo kishte kaluar dy vjet në një spital të Italisë që të mjekonte këmbën nga plaga që kishte marrë në gju gjatë luftës. E shikoja Heminguejin tek hiqte këpucën, çorapen e duke më treguar këmbën e tij me shenjat e plagëve që i kishte ngado …”.

Edhe Hemingueji, në kujtimet e tij parisiane, botuar në librin Parisi një festë e pambarimtë të botuar në vitet ‘60, i kujtonte me ngrohtësi vizitat e tij në Shakespeare and Company, duke zbritur nga Saint-Michel drejt Odeonit dhe ku humbiste mes librave. Takimet me Sylvia-n ishin një kënaqësi e veçantë. “Atëherë nuk kisha para të blija libra, – kujtonte ai. – Shkoja dhe i merrja hua në Shakespeare and Company në bibliotekën-librari të Sylvia Beach, në 2, Rue de l’Odéon që i shtonte një notë ngrohtësie e gëzimi asaj rruge të ftohtë të rrahur nga era, me atë sobë të madhe në dimër, tavolinat e raftet zbukuruara nga librat, me etazherin përpara rezervuar për librat e rinj ku në mure ishin fotografitë e shkrimtarëve të mëdhenj, të gjallë apo të vdekur.

Sylvia kishte një fytyrë të gjallë me tipare të theksuara, me ata sy të zinj e plot dritë si të një kafshe të vogël e plot shkëlqime si të një vajze të re, me ato flokë të zeza valë-valë të mbledhura pas për të nxjerrë në pah ballin e saj të bukur. Ajo është e dashur, plot gëzim dhe simpati ndaj të gjithëve, plot shaka e shpoti. S’kam njohur njeri tjetër që të ishte aq e sjellshme ndaj meje sa ajo …

Atëherë isha i ndrojtur të hyja në librari, sepse nuk kisha para, por ajo më tha se mund të paguaja kur të kisha dhe se mund të merrja libra sa të doja.

Ajo s’kishte asnjë arsye të më besonte. Sylvia nuk më njihte dhe adresa që i dhashë, 74, Rue Cardinal Lemoine ishte nga ato më mjeranet në Paris. Por Sylvia ishte e këndshme, mikpritëse dh mbrapa saj, nëpër mure, nga lart-poshtë dhe në thellësi të librarisë, ishte pasuria e një biblioteke të tërë. E nisa leximin me Turgenievin, duke marrë dy vëllimet e librit Tregimet e një gjuetari, si dhe një nga librat e parë të D. H. Lawreance, më duket se ishte Dashnorë dhe bij. Sylvia më tha të marr dhe libra të tjerë nëse doja. Zgjodha Lufta e Paqja, si dhe Lojtari e tregime të tjera të Dostojevskit …”

Pushtimi i Francës ishte një periudhë e vështirë dhe dramatike për Shakespeare and company. Sylvia ishte bijë e një hebreu, por dhe amerikane njëkohësisht; dy të dashurat survejoheshin, e madje në kujtimet e saj, Sylvia kujton dhe historinë me një oficer nazist, i cili kur hyri në librarinë e saj dhe kërkoi një libër, ajo i tha se nuk shitet, por se “ishte thjesht për ekspozim”. Sigurisht, nazisti e kuptoi … Dhe Sylvian e internuan në Vittel, por falë një miku “vishist” të librarisë, ajo rierdhi përsëri në Paris, por pa u shfaqur shumë. Adrienne Monnier, e dashura e Sylvia-s, e cila kishte krijuar Shoqatën e Miqve të Librit, rreth së cilës mblidheshin dhe francezët Paul Valery, André Gide etj.,
kujtonte atë kohë kur Parisi sapo ishte çliruar, madje ishte dita e dytë e çlirimit. Në librin e saj me kujtime Rue de l’Odeon, duke folur për Heminguejin, ajo kujtonte dhe këtë pasazh që lidhej me ardhjen e tij më 26 gusht 1944, me një makinë me inicialet B.B.C. dhe një ekip që e drejtonte ai vetë: “ … A e dini cili na vizitoi atë ditë që çlirohej Parisi? Ishte Ernest Hemingueji. Papritur dëgjuam dikë që thërriste: ‘Sylvia, Sylvia!’ Ne vrapuam pas dritares dhe Saillet na tha: ‘Është Hemingueji’. Sylvia i zbriti shkallët katër e nga katër dhe ja tek pamë të ngritur hopa nga dy krahët e tij gjigante si të një Mikelanxheloje me këmbët që i tundeshin në ajër. Po, ishte Hemingueji, më gjigant se asnjëherë, pa kapele, me mëngët e shpërveshura, si ai njeriu i shpellave, por me një vështrim fin, të qetë dhe studioz pas syzeve …”.


Pas lufte, Shakespeare and Company nuk e zhvilloi më veprimtarinë e saj. Sylvia iku në Amerikë dhe vdiq më 1962-shin. Po kështu më pas dhe Adrienne. Por një nga miqtë e Sylvia-s, George Witman, jo poeti që njohim i vëllimit poetik Fije bari, do ta vazhdonte traditën e kësaj librarie. Libraria me të njëjtin emër u hap buzë Senës, aty ku është sot, duke ruajtur fizionominë e dikurshme të saj.

Në vitin 1954, në kthim nga Amerika, duke kërkuar të shkonte në Shakespeare and Company, shkrimtarja franko-amerikane Anais Nin dhe e dashura e Henry Miller, shkruante në kujtimet e saj: “Shakespeare and Company ishte si një shtëpi alla Utrillo, e cila me ato dritare të vogla dukej se mezi qëndronte në këmbë. Aty gjendej George Whitman, një njeri me mjekër, që s’të tërhiqte nga ana e jashtme, dhe si një shenjt aty mes librave ua zgjaste të tjerëve, atyre që vinin të strehoheshin atje, njerëz pa një dysh në xhep. Aty, pas banakut, në atë dhomë gjithë rrangulla, me një tavolinë dhe një sobë gazi, ai nuk nxitonte të shiste librat e vet.

Të gjithë ata që vinin të kërkonin libra, qëndronin e bisedonin me të, ndërkohë që George përpiqej të shkruante letra, të hapte zarfet e tij dhe të porosiste libra. Një shkallare e habitshme dhe shumë e vogël ngjitej rrotull duke të çuar në dhomën e tij dhe ku në atë dhomë të përbashkët shpresonte të strehonte Henry Miller dhe vizitorë të tjerë. Banja ishte dhe tri kate poshtë bodrumit. Në hyrje të ndërtesës kishte dhe një dhomë tjetër mbushur plot libra, ku në një ndarje gatuhej për të gjithë. Pra nuk ishte më ajo Shakespeare and Company e Sylvia Beach që frekuentohej nga André Gide, François Mauriac, James Joyce apo Henry Miller …”.

Libraria Shakespeare and company edhe sot është një vend prehjeje. Shpesh, një kafe atje, për të rikujtuar shkrimtarët e mëdhenj dhe ëndrrat e rinisë sonë. Shpirtrat e shkrimtarëve amerikanë e anglezë enden aty, në atë atmosferë mitike, magjie, ndjellëse, ku njeriu e ndien veten disi pa peshë, me një frymëmarrje poetike, arti. Shkrimtarët jetojnë gjithnjë, në jetën dhe festën tonë efemere!

Atë ditë me diell, duke zbritur shkallët e drunjta të Shakespeare and Company, bashkë me Moikom Zeqon dhe Omer Kaleshin ne përshëndetëm libraren simpatike dhe dolëm në rrugë përballë Senës, ku anash saj, në të djathtë, dukeshin majat e katedrales së Notre-Dame de Paris, e ngritur aty pothuaj një mijë vjet më parë se ajo librari. Mendoja për Sylvia Beach dhe dashurinë e librave, për sakrificat e librarëve të thjeshtë që shpesh sakrifikojnë gjithçka që libri të jetojë, që në faqet e tij, gjeneratat, vetë bota të lexojë dhe njohë historinë, artin dhe dashurinë njerëzore …

E duke shkuar kështu buzë Senës, m’u shfaq imazh i Friend Books House në Tiranë, ku një djalosh shpirtmadh, Lati Muhedini, prej vitesh e ka kthyer kafenenë e tij në një shtëpi të madhe libri, duke përvijuar një traditë sa të lashtë aq dhe moderne, ku libri të jetë sa më pranë qytetarit, njeriut, dijes. Tradita vazhdon: nga Parisi në Tiranë dhe në gjithë botën e qytetëruar.

Hasani takim me homologen belge: Forcim i dialogut politik

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi sot në Bruksel një takim me homologen belge, Hadja Lahbib.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Hasani takim me homologen belge: Forcim i dialogut politik

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi sot në Bruksel një takim me homologen belge, Hadja Lahbib.