Modernizimi i sistemit financiar me karakteristikat kineze

Presidenti kinez Xi Jinping, në hapjen e sesionit studimor në Akademinë Kombëtare nënvizoi qëndrimin e përkushtuar të Kinës në rrugën e zhvillimit financiar me karakteristikat kineze


Nga Prof. Dr. Petraq Milo

Presidenti kinez Xi Jinping, në hapjen e sesionit studimor në Akademinë Kombëtare nënvizoi qëndrimin e përkushtuar të Kinës në rrugën e zhvillimit financiar me karakteristikat kineze dhe nxitjen e zhvillimit cilësor të sektorit financiar. Duke ju përmbajtur ligjeve objektive të zhvillimit financiar modern, rruga e zhvillimit financiar me karakteristika kineze gëzon veçori që i përshtaten më mirë kushteve kombëtare të vendit dhe ka elementë të ndryshëm nga modeli financiar perëndimor.

Sistemi financiar i Kinës ka bërë shumë përparime, dhe aktualisht është sistemi i dytë më i madh në botë. Sistemi financiar vazhdon të reformohet duke kombinuar parimet e tregut dhe ndërhyrjet e forta të qeverisë. Pavarësisht reformave për të përfshirë shumë elementë të tregut, sistemi financiar ka dallime nga sistemet perëndimore. Kufizimet dhe kontrollet mbeten deri në një masë të caktuar në disa tregje kyçe, si IPO-të[1], normat e interesit, dhe flukset e kapitalit. Një kuptim i qartë i dallimeve kryesore midis sistemit financiar kinez dhe atij perëndimor është thelbësor kur bëhet fjalë për hartimin dhe zbatimin e reformave rregullatore financiare në Kinë.

Modeli i Kinës përfshin ndërhyrje të rregullta dhe intensive të qeverisë në tregjet financiare, ndërkohë që politikëbërësit perëndimorë shpesh përmbahen nga ndërhyrjet thelbësore jashtë periudhave të krizave. Megjithëse Kina ka adoptuar shumë elementë të ekonomive perëndimore, që nga fillimi i reformave të saj ekonomike në fund të viteve 1970, ajo ende mbështetet shumë në ndërhyrjet e shpeshta dhe intensive të shtetit. Ndërhyrja e shtetit ose “dora e dukshme” e qeverisë kineze në një ekonomi të komanduar ndërvepron me ligjet e tregut ose “dorën e padukshme” për të nxitur rritjen dhe stabilitetin. Gjatë katër dekadave të fundit, modeli kinez ka arritur të tregojë një zhvillim të lartë ekonomik dhe të qëndrueshëm, si dhe të nxjerrë miliona njerëz nga varfëria.


Qendra financiare e Shenzhen-it/VCG

Misioni i sistemit financiar është që të mbështesë objektivat e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Financimi i përgjithshëm për ekonominë reale i njohur gjithashtu si “Financimi Total Social” është prezantuar nga Banka Popullore e Kinës[2] në vitin 2011 për të treguar rëndësinë dhe madhësinë e mbështetjes financiare nga i gjithë sistemi financiar për ekonominë reale. Sistemi financiar ka parandaluar dhe zbutur me vendosmëri rreziqet e mëdha ekonomike dhe financiare, si dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në arritjen e qëllimit për ndërtimin e një shoqërie mesatarisht të prosperuar në të gjitha aspektet dhe realizimin e Objektivit të Parë të Njëqindvjetorit.

Një nga karakteristikat e dallueshme të sistemit financiar janë ndërhyrjet intensive të qeverisë në sistemin financiar. Liberalizimi financiar i tregut lejohet për sa kohë që nuk cënon monopolin e shtetit. Në një sistem perëndimor krizat financiare janë si pandemitë. Gjatë lulëzimit ekonomik institucionet konkurrojnë për të huazuar sa më shumë para për të investuar në më shumë aksione sesa mund të përballojnë me burimet e tyre. Ndërsa gjatë krizave, secili institucion financiar vrapon për të dalë nga kriza duke përkeqësuar akoma më shumë rënien ekonomike dhe financiare. Dallimi institucional i sistemit financiar në Kinë është që rritja apo ulja e huazimit të institucioneve financiare në treg lidhet drejtpërdrejt me politikat e shtetit. Pjesa më e madhe e huazimit për firmat shtetërore dhe qeverisjen lokale realizohet nga bankat shtetërore. Ndërhyrjet dhe garancitë e qeverisë parandalojnë panikun dhe krizat. Si nënvizojnë dhe në analizën e tyre Brunnermeier, Sockin & Xiong[3]mbi modelin kinez të administrimit të sistemit financiar ndërhyrja e qeverisë ndihmon në stabilizimin e tregjeve të aktiveve financiare.

Një tipar tjetër i rëndësishëm i sistemit financiar është ndërhyrja aktive e qeverisë kundrejt luhatjeve afatshkurtra të tregut financiar. Qeveria kineze e bën këtë nëpërmjet ndryshimeve të shpeshta të politikave, duke përdorur një gamë të gjerë instrumentash si ndryshimet në normat e interesit, kërkesat e rezervës bankare për të stampuar taksat në tregtimin e aksioneve, pezullimet dhe kontrollet e kuotave në emetimet e ofertës publike fillestare (IPO), ndryshimet e tarifave të hipotekës, ndryshimin e kërkesave për pagesën e parë, si dhe tregtimin e drejtpërdrejtë në tregjet e aktiveve përmes institucioneve të sponsorizuara nga qeveria.

Ndërhyrja e qeverisë ndihmon në uljen e paqëndrueshmërisë së tregut dhe promovimin e stabilitetit financiar. Pavarësisht nga avantazhet e përfshirjes së vazhdueshme të qeverisë në tregjet financiare, politikëbërësit perëndimorë shpesh përmbahen nga ndërhyrjet thelbësore të politikave jashtë periudhave të krizës nga shqetësimi se një ndërhyrje e tillë mund të shtrëmbërojë tregjet financiare dhe të jetë më e dëmshme se sa e dobishme. Alan Greenspan dhe Ben Bernanke, ndërsa kryesonin Bordin e Rezervës Federale të SHBA-së, shprehën hezitimin e tyre për të ndërhyrë ndaj krizës në tregjet e aktiveve[4].

Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë të Kinës (CSRC)[5], ka përdorur rregullisht instrumenta të ndryshëm të politikave për t’u ndërhyrë ndaj cikleve në tregun e kapitaleve, dhe jo vetëm për të mbështetur tregun gjatë krizave, por dhe për të ngadalësuar tregun gjatë lulëzimit të tij. Për shembull, CSRC ka ndryshuar shumë shpesh normën e taksës së transaksionit për tregtimin e aksioneve duke rritur normën e taksës gjatë lulëzimit të tregut dhe duke e ulur atë gjatë rënies së tregut. Politikëbërësit në qeveritë perëndimore shpesh hezitojnë të ndërhyjnë gjatë lulëzimit të tregut të aktiveve. CSRC ka përdorur gjithashtu kontrollin e saj të emetimit të IPO-ve për ndërhyrje në ciklet e tregut të aktiveve, duke rritur kuotat e emetimit gjatë lulëzimit të tregut dhe pezullimin e emetimit gjatë rënies së tij.


Qendra financiare e Shangai-t/VCG

Qeveria kineze ka ndërhyrë në mënyrë aktive edhe në tregje të tjera përveç bursës. Sipas Liu dhe Xiong [6] tregu i pasurive të paluajtshme ka ndoshta edhe më shumë rëndësi për ekonominë kineze për shkak të ekspozimit të konsiderueshëm të qeverisjes lokale, zhvilluesve të pasurive të paluajtshme, firmave dhe familjeve që përdorin asetet e pasurive të paluajtshme si kolateral për financimin e borxhit. Qeveria kineze ka përdorur një gamë të gjerë masash për t’u ndërhyrë ndaj cikleve të tregut të pasurive të paluajtshme. Gjatë lulëzimit ekonomik, qeveria tenton të rrisë ofertën e tokës për zhvillimin e pasurive të paluajtshme, kufizon blerjet e shtëpive për investim në qytetet e mëdha si nga banorët ashtu edhe nga jorezidentët, si dhe rrit parapagimet e hipotekës dhe normat e hipotekës për blerjet e shtëpive primare dhe atyre për investim, Gjatë rënies ekonomike qeveria tenton t’i kthejë këto masa. Për më tepër, Banka Popullore e Kinës (PBC) miraton gjithashtu politika monetare kundërciklike për të ndihmuar përpjekjet e qeverisë për të ndërhyrë kundër cikleve të tregut të pasurive të paluajtshme.

Një karakteristikë tjetër e sistemit financiar gjatë dekadës së fundit është përpjekja e madhe e qeverisë për të ndërkombëtarizuar monedhën e saj Renminbi (RMB) dhe për të liberalizuar llogaritë kapitale. Procesi i ndërkombëtarizimit të monedhës kineze është rezultat i rritjes së importeve dhe eksporteve, rritjes së investimeve të huaja të Kinës dhe në veçanti të atyre në kuadrin e iniciativës një Brez një Rrugë, i zgjerimit të rrjetit global të shkëmbimeve të monedhës renminbi dhe bankave zyrtare të kleringut, dhe përfshirja e renminbit në shportën e të Drejtave Speciale të Tërheqjes (SDR).

Presidenti Xi, theksoi se : “një vend me fuqi të madhe financiare duhet gjithashtu të ndjehet krenarë me një sërë elementësh kryesorë financiarë, si një monedhë e fortë, një bankë qendrore e fortë, institucione të forta financiare, qendra të forta financiare ndërkombëtare, mbikëqyrje dhe rregullim të fortë financiar si dhe një grup të fortë ekspertësh financiarë të talentuar”. Për këtë është e domosdoshme të përshpejtohet ndërtimi i një sektori financiar të fortë, për të forcuar plotësisht rregullimin financiar, për të përmirësuar sistemin financiar, për të optimizuar shërbimet financiare dhe për të parandaluar dhe zbutur në mënyrë efektive rreziqet financiare.

_________

[1] IPO është një ofertë publike fillestare, në të cilën aksionet e një kompanie private vihen në dispozicion të publikut për herë të parë. Një IPO lejon një kompani të rrise kapitalin e saj nga investitorë publikë

[2] PBC, banka qendrore e Kinës

[3] Brunnermeier, Sockin & Xiong : “China’s Model of Managing the Financial System”, 2018

[4] Brunnermeier, Sockin & Xiong : “China’s Model of Managing the Financial System”, 2018

[5] Rregullatori i tregut të aksioneve të Kinës,

[6] Liu C. and Xiong : “China’s Real Estate Market”, The Handbook of China’s Financial System (Princeton, NJ, USA: Princeton University Press) 181–207, 2020

Burimi: CRI.CN

Katër marrëveshjet e arritura në Samitin Ballkani Perëndimor-BE

Na ulja e kostove të transaksioneve bankare te korsitë e gjelbra

Global 360

Rezoluta e PE: Mungesa e suksesit në dialogun Kosovë-Serbi dëmton besueshmërinë e BE-së

PE-ja i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog, në mënyrë që të ketë përparim.

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

“La dolce vita”, një kontrapunkt aktual edhe i shoqërisë sonë

Një botë kukullash, një botë teatri. Botë që duket në dritë, po që s'ka më dritë.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Katër marrëveshjet e arritura në Samitin Ballkani Perëndimor-BE

Na ulja e kostove të transaksioneve bankare te korsitë e gjelbra