Kadare: Përfshirja e Vjosës në UNESCO sjell zhvillim ekonomik e turizëm të qëndrueshëm

UNESCO do të dërgojë një mision këshillues në Shqipëri, lidhur me përgatitjen e dosjes


UNESCO pritet të dërgojë së shpejti një mision këshillues në Shqipëri, i cili do të asistojë autoritetet shqiptare lidhur me përgatitjen e dosjes për regjistrimin e lumit Vjosa dhe pellgut të tij si Rezervë biosferike e UNESCO-s.

Lajmin e konfirmoi në një intervistë për ATSH-në, ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, e cila foli edhe për përfitimet që do t’i vijnë komunitetit nga përfshirja e Vjosës në UNESCO.

I konsideruar si lumit i fundit i egër në Europë, kthimi i Vjosës në një rezervat biosfere të mbrojtur nga UNESCO merr një rëndësi jetike për zhvillimin e gjithë zonës që përshkohet nga Vjosa.

Kadare theksoi se aplikimi për t’u regjistruar si Rezervë Biosferike e UNESCO-s do të bazohet në tre prioritete: përmirësimi i cilësisë së ujit, masat kundër shpyllëzimit dhe rigjallërimi i fshatrave nëpërmjet turizmit rural.

Nisur nga kjo, Kadare u shpreh se regjistrimi si Rezervë Biosferike e UNESCO-s, jo vetëm synon mbrojtjen e vlerave natyrore, por do të përmirësojë edhe cilësinë e jetës së komuniteteve lokale përgjatë Vjosës.

“Pellgu i lumit Vjosa njihet në nivel ndërkombëtar për vlerat e tij unike të trashëgimisë natyrore, por është gjithashtu edhe një zonë me potencial të madh për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Me rastin e vizitës së Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s në Shqipëri në mars të këtij viti, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro njoftoi se së shpejti do të fillojë puna për të përgatitur dosjen për regjistrimin e Vjosës si Rezervë Biosferike e UNESCO-s”, tha Kadare.

Rezervat e Biosferës, sipas saj, “promovojnë zgjidhje të balancuara, ku mbrojtja e biodiversitetit është e ndërthurur me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore”.

Ambasadorja Kadare theksoi se roli i tyre është i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore, por edhe për sinergjinë ndërmjet mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik e turizmit të qëndrueshëm.

Ambasadorja informoi se puna për përgatitjen e dosjes do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e UNESCO-s, të cilët do të ndihmojnë autoritetet shqiptare në përcaktimin e zonës së mbrojtur dhe përgatitjen e aplikimit. “Së shpejti UNESCO do të dërgoje edhe një mision këshillues në Shqipëri”, informoi ajo.

Kadare rikujtoi se qeveria shqiptare ka garantuar ndërkaq mbrojtjen e lumit Vjosa, duke e shpallur atë Park Kombëtar në mars të këtij viti.

Ambasadorja sqaroi po ashtu edhe ndryshimet midis pasurive natyrore dhe kulturore të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore si në rastin e Butrintit, rajonit të Ohrit apo qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës dhe Rezervave Biosferike të UNESCO-s.

“Pasuritë e regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s janë vende të cilat njihen për bukurinë dhe vlerat e tyre të jashtëzakonshme universale, për shkak të veçorive të tyre natyrore (peizazhe mahnitëse ose ekosistemet unike), ose për shkak të rëndësisë së tyre kulturore dhe historike, si monumentet antike ose ndërtesat historike”, tha ajo.

Sipas Kadaresë, qëllimi kryesor i Konventës së Trashëgimisë Botërore është të mbrojë sa më mirë dhe pa i ndryshuar këto vende të jashtëzakonshme, të cilat nuk janë të rëndësishme vetëm për vendin të cilit i përkasin, por për të gjithë njerëzimin, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mund t’i shijojnë ato sa më gjatë, por dhe të mësojnë prej tyre.

Ndërsa Rezervat e Biosferës së UNESCO-s, të krijuara në kuadër të programit MAB (Man and the Biosphere), sipas ambasadores, janë zona ku mbrojtja e natyrës gërshetohet në mënyrë të ekuilibruar me jetën dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale që banojnë aty.

“Rezervatet Biosferike kanë për qëllim të gjejnë zgjidhje kreative se si njerëzit mund t’i përdorin burimet natyrore në mënyrë të qëndrueshme, gjithnjë duke mbrojtur mjedisin natyror. Pra ndryshe nga pasuritë e Trashëgimisë Botërore, Rezervatet Biosferike nuk zgjidhen gjithmonë sepse janë vende me vlera të jashtëzakonshme, por sepse mund të na mësojnë se si njerëzit të jetojnë në harmoni me natyrën”, theksoi ajo.

Kadare theksoi se “si vendet e Trashëgimisë Botërore ashtu edhe Rezervat e Biosferës synojnë të mbrojnë trashëgiminë natyrore dhe kulturore dhe dallimi kryesor qëndron në fokusin dhe qasjen e tyre”.

“Lista e Trashëgimisë Botërore thekson mbrojtjen e vlerës se jashtëzakonshme universale, ndërsa Rezervat e Biosferës integrojnë mbrojtjen me zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshijnë komunitetet lokale në proces”, shtoi ajo.

Në vitin 2014, Shqipëria regjistroi po ashtu edhe zonën e Liqeneve të Ohrit dhe Prespës, si “Rezervat ndërkufitar të biosferës” mbrojtur nga UNESCO-s, së bashku me Maqedoninë e Veriut.

Sipas ambasadores së Shqipërisë në UNESCO, liqenet e Ohrit dhe të Prespës janë nga liqenet me te lashte ne Evrope dhe zona dallohet për një biodiversitet shumë të pasur dhe një ekosistem unik.

Kadare solli në vëmendje po ashtu se ekziston ndërkaq një bashkëpunim i pasur midis UNESCO-s dhe Shqipërisë lidhur me menaxhimin e ujërave të ëmbla.

“Ka disa projekte që po zbatohen, që nga menaxhimi i ujërave nëntokësore në pellgun e lumit Drin, e deri te administrimi i akuiferëve bregdetarë dhe ekosistemeve që lidhen me zonën ujore ndërkufitare te lumit Buna “, tha ajo.

Një nismë e re rajonale për menaxhimin e ujërave nëntokësore, sipas ambasadores, u nënshkrua në janar 2023.

Ajo theksoi se me ndihmën e UNESCO-s, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi do të bashkëpunojnë për të mbrojtur dhe përdorur në mënyrë të qëndrueshme dhe të barabartë, ujërat e sistemit karst Dinarik dhe për të mbrojtur natyrën që e rrethon.

“Këto projekte nuk kanë vizibilitet për publikun e gjerë pasi janë tepër teknike, por në fakt kanë një rëndësi jetike pasi menaxhimi efikas i ujit të pijshëm është sot një prioritet global absolut, për më tepër kur parashikimet janë që deri në vitin 2025, gjysma e popullsisë së botës do të jetojë në zona që përballen me mungesë uji”, u shpreh Kadare për ATSH.

(Marrë nga ATSH)

Lexo më shumë nga

Katër marrëveshjet e arritura në Samitin Ballkani Perëndimor-BE

Na ulja e kostove të transaksioneve bankare te korsitë e gjelbra

Global 360

Rezoluta e PE: Mungesa e suksesit në dialogun Kosovë-Serbi dëmton besueshmërinë e BE-së

PE-ja i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog, në mënyrë që të ketë përparim.

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

“La dolce vita”, një kontrapunkt aktual edhe i shoqërisë sonë

Një botë kukullash, një botë teatri. Botë që duket në dritë, po që s'ka më dritë.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Katër marrëveshjet e arritura në Samitin Ballkani Perëndimor-BE

Na ulja e kostove të transaksioneve bankare te korsitë e gjelbra