HIV/AIDS në Shqipëri, 15 viktima në 113 raste në 2023

Kjo sëmundje ka shkaktuar 343 vdekje gjatë 30 viteve në Shqipëri, si dhe ka prekur mbi 1 mijë e 700 persona,


Në Shqipëri sëmundja e HIV AIDS-it preku këtë vit 113 persona të tjerë, si dhe shkaktoi 15 vdekje mes tyre. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë që kjo sëmundje ka shpeshtësi të ulët dhe trajtim falas të shpejtë.

Por një përfaqësuese e pacientëve që jetojnë me HIV, i tha Zërit të Amerikës në ditën Botërore kundër HIV AIDS-it, se sëmundja ka përparuar shumë tek pjesa dërrmuese e rasteve të sapozbuluara, ndërsa janë të pakta rastet, kur sëmundja zbulohet në faza fillestare.

Në materialin nga Tirana, ekspertët theksojnë se rritja e testimeve ka zbuluar më shumë të prekur me HIV, ndaj nevojitet edhe bashkëpunimi i shoqërisë civile për të rritur testimet vullnetare.

Sëmundja e HIV AIDS u ka marrë jetën këtë vit 15 personave, 8 nga të cilët u përkasin rasteve të reja dhe 7 atyre të mbartura në vite, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.

Të prekur rishtas këtë vit nga HIV AIDS në Shqipëri janë edhe 113 persona të tjerë, ose 15 vetë më shumë se vitin e kaluar, bën të ditur ISHP-ja.

Mes të prekurve rishtas 87 raste janë meshkuj dhe 26 femra, 2 fëmijë të mitur, 18 të rinj dhe 93 të rritur.

Ndryshe nga vitet e tjerë ku mbizotëronin moshat e reja, këtë vit janë shtuar të prekurit rreth 50 vjeç.

Përfaqësuesja e shoqatës së personave që jetojnë me HIV, Olimbi Hoxha, thotë se prirja e përhapjes së HIV AIDS-it është e njëjtë si në vitet e tjera dhe pjesa dërrmuese e rasteve të reja janë zbuluar në një fazë shumë të përparuar të sëmundjes.

“Karakteristikë që vazhdon të mbetet e përhershme është diagnoza e vonë. Rreth 72 për qind e rasteve të diagnostikuara këtë vit janë zbuluar në faza të përparuara të AIDS-it. Tani 99 prej tyre, pothuaj gjithë rastet e reja janë futur menjëherë në terapi. Grupshmosha më e prekur këtë vit rezulton mosha mbi 50 vjeç”, thotë zonja Hoxha.

Ekspertët vlerësuan se shtimi i rasteve me HIV AIDS lidhet me shtimin e kontrolleve dhe analizave laboratorike, madje thanë se sa më shumë testohet aq më shumë zbulohen raste të reja.

Edhe pse quhet si sëmundje urbane me shpeshtësi të ulët, për HIV AIDS kontrollet për zbulimin e saj gjithmonë janë të pamjaftueshme.

Përdoruesit e drogës përbëjnë një popullatë të rrezikuar, edhe pse HIV nuk është e përhapur. Megjithatë rreziku për moshat e reja është i madh.

Organizata Aksion Plus ofron terapi me metadon për përdoruesit e drogës në 8 qendra në të gjithë vendin (Korçë, Elbasan, Vlorë Shkodër, Durrës, Berat, Fier dhe Sarandë).

Drejtuesi i saj, Genci Muçollari thotë se rastet e njohura të përdoruesve të drogës që janë prekur nga HIV janë të pakta, por mund të ketë edhe raste të fshehur me HIV në radhët e tyre nga seksi i pambrojtur dhe nga shkëmbimi i shiringave.

“Përdoruesit e drogës po shtohen nga viti në vit. Shqipëria ka tani afro 100 mijë përdorues të gjithë drogave së paku një herë. Mbizotëron marihuana midis të rinjve, dhe ajo i çon drejt drogave më të forta si heroina, dhe aty pastaj vijnë gjithë rreziqet nga Hepatiti C, HIV-i, overdoza”, thotë zoti Muçollari.

Instituti i Shëndetit Publik vëren se në mbi 95 për qind e rasteve HIV shpërndahet në Shqipëri përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, nga të cilët 72 për qind e rasteve nga marrëdhëniet heteroseksuale dhe 23 për qind nga marrëdhëniet homoseksuale dhe biseksuale.

Këtë vit janë kryer afro 60 mijë testime për HIV, afërsisht aq sa një vit më parë, por një rritje e ndjeshme e testimeve është shënuar tek gratë shtatzëna.

Drejtuesja e Institutit Eugena Tomini thotë se diagnozat e vonuara mund të shmangen vetëm me shtimin e testimeve vullnetare dhe nga bashkëpunimi i shoqërisë civile me sistemin shëndetësor.

“Sistemi shëndetësor do të forcohej me ndërthurjen e veprimtarive, monitorimit, raportimit me shoqërinë civile. Ajo ka një rol të jashtëzakonshëm për shfaqjen në kohë reale të rasteve, që raportohen jo vetëm nga sistemi por edhe në përkujdesjen e ndonjë rasti, që nuk arrin të kapet nga sistemi i monitorimit, sistemi shëndetësor publik dhe jopublik”, tha zonja Tomini.

Autoritetet shëndetësore kryejnë terapi falas me mjekime anti-retroviral për 837 persona aktualisht dhe për shumë të tjerë, qysh nga viti 2004.

Ekspertët pohojnë se krahas rritjes së testimeve vullnetare, nevojitet edhe kontrolli i plotë për gjithë nënat shtatzëna, parandalimi i sëmundjes dhe i stigmës për këtë grup personash, që shpesh diskriminohen në shollim dhe punësim.

Kjo sëmundje ka shkaktuar 343 vdekje gjatë 30 viteve në Shqipëri, si dhe ka prekur mbi 1 mijë e 700 persona, më shumë se dy të tretat prej të cilëve janë meshkuj dhe 473 femra, 53 fëmijë, 163 të rinj dhe 1 mijë e 500 të rritur. /VOA

Hoxha takim me ambasadoren franceze: Bashkëpunim për çështjet e sigurisë dhe migracionit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilloi sot bashkëbisedim me ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Hoxha takim me ambasadoren franceze: Bashkëpunim për çështjet e sigurisë dhe migracionit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilloi sot bashkëbisedim me ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.