Komuniteti ndërkombëtar në alarm. Japonia lëshon në det ujëra toksike me mbetje bërthamore

“Ironik dhe befasues” e kanë etiketuar mediat ndërkombëtare reagimin perëndimor ndaj hedhjes së ujërave të zeza të kontaminuara me mbetje bërthamore nga ana e Japonisë.


Nga Dr. Enriko Ceko

Një tërmet i madh me magnitudë 9.0 ballë, shoqëruar më pas nga valë të mëdha cunami. goditi Japoninë verilindore në 11 mars 2021. Kjo dukuri shkaktoi shkrirjen e tre reaktorëve bërthamorë në stacionin bërthamor të Fukushimës, Daiichi, që rezultoi në shkarkim të një rrezatimi shumë të madh, klasifikuar si një aksident bërthamor i nivelit 7, më i larti në shkallën ndërkombëtare në lidhje me ngjarjet bërthamore dhe radiologjike, duke e kthyer këtë në katastrofën bërthamore më të keqe në botë, që nga shpërthimi në centralin bërthamor të Çernobilit. Si rezultat centralet, nga ftohja e karburantit bërthamor, gjeneruan një sasi masive uji të ndotur me substanca radioaktive përtej nivelit të përcaktuar, e cila deri më tani ruhej në rreth 1000 rezervuarë magazinimi.

Menjëherë pas kësaj fatkeqësie, qeveria japoneze krijoi dy nën-komitete të specializuara, përbërë nga zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë, që, fillimisht vendosën që këtë sasi uji të ndotur me mbetje radioaktive në qindra mijëra e miliona tonelata, Japonia ta depozitonte në zona të caktuara, dhe, më pas ky ujë të shkarkohej sipas procedurave të përcaktuara shkencore dhe teknike. Por, tashmë pas rreth 12 vitesh, duke filluar që në orën 13.00 të datës 24 gusht 2023, Japonia filloi shkarkimin e më shumë se 1 milionë ton të këtyre ujërave të ndotur me mbetje radioaktive në det. Lëshimi i të gjithë ujit të kontaminuar pritet të marrë dekada pas fillimit të tij dhe deri tani janë grumbulluar rreth 1.25 milion ton ujë radioaktiv dhe rreth 170 tonë shtesë grumbullohen çdo ditë. TEPCO (Operatori i centralit bërthamor të Fukushimës, Kompania e Energjisë Elektrike e Tokios) tha se “planifikon të kryejë raundin e parë të lëshimit gjatë 17 ditëve të ardhshme për të shkarkuar 7,800 ton ujë të kontaminuar nga bërthama. Në vitin aktual fiskal deri në marsin e ardhshëm, janë planifikuar për shkarkim mbi 31,200 tonë, ekuivalente me kapacitetin e magazinimit prej 30 rezervuarësh”, pra mbeten edhe 970 rezervuarë të tjerë, pa marrë parasysh 170 tonë që shtohen çdo ditë.

Kjo është hera e parë në historinë e përdorimit paqësor të energjisë atomike nga njeriu që lëshohen në det me qëllim ujërat e ndotura gjatë një aksidenti në një central bërthamor. Ekspertët parashikojnë që lëshimi i ujërave të ndotura do të zgjatë për 30-50 vjet. Studimet përkatëse tregojnë se këto ujëra do të mbërrijnë në bregdetin e Amerikës së Veriut në nëntor 2026, do të përhapen në Oqeanin Indian në shkurt 2030 dhe do ta përfshijnë tërë Paqësorin pas dhjetëve vjetëve.

Nga shumë kërkime del se ujërat e ndotura të Fukushimës përmbajnë mbi 60 elemente radioaktive, përfshirë tritiumin, karbon-14, kobalt-60 etj, dhe periudha e përgjysmimit të tyre është dhjetra, qindra e mijëra vjeçare.

Ndër disa alternativa më të mira, qeveria japoneze zgjodhi “lëshimin në det”, variantin më të keq ekologjik dhe shëndetsor, por më të mirin “ekonomikisht”, duke zhvendosur rreziqet në det, në kurriz të tërë ekosistemit dhe gjallesave, përfshirë edhe qeniet njerëzore, pasi ish kryeministri japonez Yoshihide Suga (2019 – 2021) njoftoi gjatë mandatit tëë tij se Japonia do të fillojë dhe vazhdojë për një periudhë dy vjeçare lëshimin e ujërave të ndotura të Fukushimës si një masë e pashmangshme. Duket se pas kësaj zgjedhjeje ka dhe elementë politikë. TEPCO është një ndërmarrje monopol dhe shumë zyrtarë japonezë të nivelit të lartë janë bërë këshilltarë të kësaj kompanie pas daljes së tyre në pension.

Ky veprim ka sjellë një reagim dhe kundërshtim të fortë nga organizma ndërkombëtare, vende dhe shtete të ndryshme dhe subjekte joqeveritare e qytetarë në mbarë botën.

Hiroaki Koide, ish-asistent profesor në Institutin e Reaktorit Kërkimor të Universitetit të Kiotos për këtë situatë thekson: “Fakti është se ujërat e zeza të kontaminuara janë krejtësisht të ndryshme nga ujërat e zeza të prodhuara gjatë funksionimit normal të uzinës. Qeveria japoneze planifikon të hollojë ujin e ndotur përpara se ta lëshojë atë, në mënyrë që disa substanca të dëmshme të reduktohen në nivele të lejueshme. Procesi i hollimit nuk do të largojë tritiumin nga uji, por mund të reduktojë radionuklidet e tjera në nivele të sigurta”.


CFP

Sipas të dhënave të publikuara nga pala japoneze, rreth 70% e ujit të ndotur ende nuk plotëson standardet e lëshimit pasi është trajtuar nga sistemi i trajtimit (ALPS). Vlerësimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike pohon gjithashtu se “ALPS nuk mund të heqë të gjitha radionuklidet nga uji i ndotur bërthamor”. Përveç kësaj, Japonia nuk ka dhënë përgjigje për shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare, si saktësia e të dhënave mbi ujërat e ndotura bërthamore dhe monitorimi mbi lëshimin e tyre në det.

Përgjatë mbi dy vjetëve të fundit, ligjshmëria, arsyeshmëria dhe siguria e planit të Japonisë për lëshimin e ujërave të ndotura në det janë vënë në dyshim nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa pala japoneze nuk i është përgjigjur ende shqetësimit të bashkësisë ndërkombëtare për besueshmërinë afatgjatë të pajisjeve filtruese të ujërave të ndotura bërthamore, për vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave të ujërave të ndotura, si edhe për efektshmërinë e monitorimit të lëshimit të ujërave. Palët e interesuara kanë vënë në dukje më se një herë që, nëse ujërat e ndotura bërthamore janë të sigurta, ato s’ka nevojë të lëshohen në det, ndërsa nëse janë të pasigurta, nuk duhet të lëshohen në det.

Në Japoni, grupet qytetare, përfaqësues të qeverisë lokale punëtorët e peshkimit, ekspertët dhe opinioni publik kanë qenë kundër këtij veprimi. “Kabineti i kryeministrit aktual japonez, Fumio Kishida, ka rënë në 26 për qind, duke e lënë atë nën 30 për qind për të dytin muaj radhazi”, theksuan mediat japoneze. “Rreth 40% e njerëzve të anketuar e kundërshtojnë planin, 88.1” janë të shqetësuar se ai do të dëmtojë imazhin e Japonisë dhe 81.9% mendojnë se shpjegimi i qeverisë japoneze është i pamjaftueshëm”, detajon sondazhi.

Bashkësia ndërkombëtare është gjerësisht e mendimit që vendimi i Japonisë është i pashoq dhe jo vetëm shkel ligjin ndërkombëtar, por edhe mund të sjellë katastrofë të pakthyeshme.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar qeverinë japoneze që në qershor 2020 dhe përsëri në mars 2022 që të shtyjë çdo vendim për shkarkimin e ujit radioaktiv në det derisa të përfundojë pandemia COVID-19 dhe të zhvillohen diskutimet e duhura ndërkombëtare.

Greenpeace kritikoi qeverinë japoneze për shkeljen e të drejtave të njeriut të atyre që jetojnë në rajonin e Azi-Paqësorit dhe për shkaktimin e “dëmeve të pariparueshme” në Kore dhe kombe të tjera afër.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, menjëherë pasi Japonia filloi shkarkimin e ujërave të kontaminuara me mbetje bërthamore ne det deklaroi: “Qeveria kineze do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e ushqimeve dhe shëndetin e popullit kinez. Kina e kundërshton dhe e dënon ashpër këtë veprim dhe i ka paraqitur demarsh serioz palës japoneze, duke i kërkuar që të ndalojë këtë veprim të padrejtë. Largimi i ujit të Fukushimës, ndotur me mbetje bërthamore, është një çështje madhore e sigurisë bërthamore. Ndikimi i saj shkon përtej kufijve të Japonisë dhe kjo nuk është në asnjë mënyrë një çështje private e Japonisë. Fillimi me forcë i lëshimit në oqean është një veprim jashtëzakonisht egoist dhe i papërgjegjshëm, që shpërfill interesin publik botëror”. Ndërkaq, Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës njoftoi të enjten se do të pezullojë importimin e të gjitha produkteve ujore me origjinë nga Japonia që nga sot.

Koreja e Jugut dënoi ashpër vendimin e Japonisë për të lëshuar më shumë se 1 milion ton ujë të kontaminuar nga termocentrali i shkatërruar bërthamor Fukushima, duke thënë se “uji radioaktiv kërcënon sigurinë e vendeve fqinje dhe mjediset e tyre detare, vendimi për lëshimin e këtij uji në det u mor pa diskutime apo negociata me Korenë dhe ky vendim i qeverisë japoneze është plotësisht i papranueshëm”. Duket se qeveria e Koresë së Jugut do i dorëzojë zyrtarisht shqetësimet e saj qeverisë japoneze, duke iu referuar Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, sipas së cilës vendet anëtare janë të detyruara të përmbahen nga shkaktimi i dëmeve mjedisore ndaj vendeve fqinje dhe duhet të ndajnë detaje se si të minimizojnë dëmet nëse e bëjnë këtë.


CFP

Koreja e Jugut ka ndaluar importet e produkteve të peshkimit nga tetë prefektura japoneze ngjitur me uzinën e Fukushimës, ka kryer kontrolle në produkte të tjera të peshkimit nga Japonia, ka forcuar monitorimin e niveleve të rrezatimit në detet koreane dhe ka bërë komente zyrtare në diskutimet me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe Organizatën Botërore të Tregtisë mbi rrezikun e ujit radioaktiv nga centrali Fukushima dhe mbi nevojën për të kërkuar transparencë dhe kontrolle të plota se si Japonia planifikon të asgjësojë ujin e kontaminuar.

Në një artikull të publikuar të martën në gazetën amerikan “The New York Times” thuhet se vendimi i Japonisë për lëshimin e ujërave të ndotura në det “nuk është as transparent dhe as gjithëpërfshirës”.

SHBA nga ana e tyre kanë shprehur mbështetje për vendimin e Japonisë për ujërat e zeza të Fukushimës, duke deklaruar se “SHBA janë të vetëdijshme se qeveria japoneze shqyrtoi disa opsione në lidhje me menaxhimin e ujit të trajtuar që aktualisht po ruhet në vend në Fukushima dhe në këtë situatë unike dhe sfiduese, Japonia ka peshuar opsionet dhe efektet, ka qenë transparente në lidhje me vendimin e saj dhe duket se ka miratuar një qasje në përputhje me standardet e pranuara globalisht të sigurisë bërthamore”.

“Ironik dhe befasues” e kanë etiketuar mediat ndërkombëtare reagimin perëndimor ndaj hedhjes së ujërave të zeza të kontaminuara me mbetje bërthamore nga ana e Japonisë. “Përballë shkatërrimit të paprecedentë me të cilin do të përballet ekosistemi detar global në dekadat e ardhshme, politikanët perëndimorë dhe mediat, që krenohen me kujdesin për mjedisin, duket se kanë humbur papritmas aftësinë e tyre për të vënë çështjen në dyshim”, mbyllen komentet serioze në lidhje me këtë ngjarje.

Lexo më shumë nga

“Bolonja”… Universiteti i parë në botë!

Universiteti i Bolonës është themeluar në vitin 1088, ai i Parisit, në 1160.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

“Bolonja”… Universiteti i parë në botë!

Universiteti i Bolonës është themeluar në vitin 1088, ai i Parisit, në 1160.