Eno Koço, dirigjenti dhe muzikologu i shqiptarëve

Fjala e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi


Nga Akad. Skënder Gjinushi

I dashur miku ynë i mrekullueshëm Eno,
I nderuar akademik Eno Koço,
Të nderuar miq e kolegë, artistë e studiues pjesëmarrës.

Lejohem që, në emrin tuaj, të akademikëve, studiuesve të muzikologjisë dhe të etnomuzikologjisë, të krijuesve në këtë fushë, t’i uroj përzemërsisht mikut e kolegut tonë Enos tonë, Enos së botës së muzikës shqiptare, përfaqësuesit të denjë të saj: jetë të gjatë, shëndet të plotë, gëzime në jetë dhe krijimtari të suksesshme.

Nuk po i drejtohemi sot me ndajshtimin teknik Maestro, siç i drejtohemi shpesh me shumë meritë; as me titullin akademik; të cilit i jep nder e ndriçim; po thjesht me i dashur Eno, për të shprehur ndjenjën e afërsinë e tij njerëzore, që përcjell tek miqtë e dashamirësit e tij.

Dy mbiemrat e mëdhenj: Koço e Tashko, me siguri brenda vetes e kanë ledhatuar e krenuar tërë jetën, ashtu siç kanë qenë dhe një sfidë e vështirë për të, por sot, në këtë përvjetor, e themi me bindje se veprimtaria muzikore e Eno Koços e jeta e tij kanë qenë në lartësinë e tyre.

Për këtë flet vepra e shumanshme e tij në Shqipëri e në Europë, në Europë e në Botë, si dirigjent i orkestrave dhe filarmonive nga më të njohurat; si studiues i historisë së muzikës tradicionale shqiptare dhe të asaj qytetare; si krijues e kërkues; si ligjërues shkencor për një problematikë të larmishme të muzikologjisë në shumë universitete të botës; si përkujdesës i përzgjedhjeve, masterizimeve dhe publikimeve muzikologjike; si përgatitës dhe botues i shumë librave me karakter burimor e dëshmues.

Në krye të orkestrës simfonike të RTSH që nga viti 1978, si dirigjues i qindra koncerteve simfonike e vokale, Eno Koço ka meritën e realizimit të një repertori shumë të pasur me rekorde të muzikës instrumentale, të asaj të filmave dhe të këngëve të festivaleve në Radiotelevizion.

Veprimtaria e tij dirigjuese jashtë vendit daton që në vitin 1979, me turneun më se të suksesshëm në Kosovë, si dirigjent i orkestrës së RTSH, për të vazhduar udhëtimin, gjithnjë i mirëpritur e duartrokitur nxehtë për mjeshtërinë e tij, në ish-Jugosllavi (1979) e në Turqi (1983).

Edhe në kohën e Shqipërisë së mbyllur Eno dirigjoi Orkestrën Simfonike të Kajros, Egjipt (1986) dhe u atashua pranë Orkestrës së RAI-t dhe Operas Rèxhio” (Regio) të Torinos (Itali 1989).

Më pas, për afro dy dekada ai dirigjoi Filarmoninë e Universitetit të Lidsit (Leeds-it) dhe disa orkestra e kore të Britanisë. Eno ka bashkëpunuar si dirigjent gjithashtu me orkestrën e operas të Shkupit, me filarmoninë “George Enesku” (George Enescu) të Bukureshtit, me Akademinë Muzikore të Vroklavit (Ëroclav-it), me Filarmoninë e Kosovës etj.

Eno Koço është përkujdesës i përzgjedhjes, konceptimit dhe realizimit të tetë botimeve diskografike me repertorin e Orkestrës së RTSH. Ndër të tjera ka ringjallur në një cilësi të shkëlqyer pjesën më të madhe të repertorit të artistes së mirënjohur Tefta Tashko Koço.

Nga kontributi i tij në fushën e studimeve të botuara do të veçonim monografinë Kënga lirike qytetare shqiptare në vitet 1930, me të cilën mbrojti doktoratën në Universitetin e Lidsit (Leeds-it) në vitin 1998. Krahas botimeve me burime, tri monografi të tjera në fushën e studimeve muzikologjike të botuara nga shtëpia botuese e librit studimor në Kembrixh, pasurojnë kontributet e Eno Koços si dijetar: Udhëtim i isos vokale (2015), Shostakovich dhe Kadare (2005); si dhe Këngët dhe muzika tradicionale e krahinës së Korçës (2018). Librat dhe studimet e tij janë botuar në Shqipëri, Itali, Britani, SHBA, Gjeorgji dhe në Maqedoninë e Veriut.

Mjeshtri Eno Koço është ftuar për ligjërata universitare për zhvillimet muzikologjike, në Shqipëri e në Ballkan, gjatë periudhës bizantine dhe asaj otomane, në universitete të mirënjohur, si ai i Bolonjës, Londrës, Leeds-it, Palermos, Limerick-ut, Cagliari-t e Tbilisi-t. Njohja ndërkombëtare e veprimtarisë krijuese dhe studimore të Eno Koços është e konfirmuar në një numër botimesh enciklopedike të mirënjohura në botë.

Ka studiuar posaçërisht vendin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në muzikën europiane dhe shqiptare, duke propozuar ide origjinale, nga të cilat më vjen mirë të përmendim ndikimin e poemës simfonike të Fan Nolit prej dias motiveve të Ungjillit sipas Mateut të Bach-ut. Vitet e fundme ai i ka shtuar veprimtarisë së tij edhe botime në fushën e dokumentalistikës, nga të cilat po veçoj përmbledhjen voluminoze Athanas Tashko.

Akademik Eno Koço është një prej anëtarëve më me shpirt nismues në radhët e trupës së Akademisë së Shkencave, dhe për këtë gjej rastin ta falënderoj. Përveç shumë meritave profesionale e njerëzore, Eno Koço është një prej bashkëpunëtorëve më komodë dhe më kolegjialë në veprimtari akademike. Po sjellim ndërmend këtu sidomos rolin që luajti në Kongresin e 50-të Botëror të Studiuesve të Baladave jo vetëm si kumtues, por edhe si organizues e drejtues i shkëlqyer apo në drejtimin e njësisë Academia “Albanica” dhe të formacionit orkestral të saj, që pa dyshim e kanë gjallëruar dhe modernizuar jetën tonë akademike.

Është vështirë të paraqesësh me pak fjalë veprimtarinë e një personaliteti të dimensionit të Eno Koços, aq më tepër kur kjo veprimtari është më së pari në fushën e muzikës, pasi muzika nuk përshkruhet me fjalë. Prandaj, duke i uruar edhe një herë jetë të gjatë, shëndet të mbarë, art e krijimtari të suksesshme, gëzime në familje e në shoqërinë tonë akademike e krijuese, ia lë radhën vetë Enos të shprehet siç di ai me muzikën e tij të dashur.

www.akad.gov.al

23 Prilli, Dita Botërore e Librit

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave Autoriale ka kuptim simbolik për letërsinë botërore.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Fjala është e para!

Na pëlqejnë fjalët e mençura dhe i marrim me vete! Ndaj fjala mbetet e para dhe e fundit si ajri…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

23 Prilli, Dita Botërore e Librit

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave Autoriale ka kuptim simbolik për letërsinë botërore.