Akri Çipa, esteti i filozofisë poetike

Një estet i fjalës dhe me një kredo poetike, “Çipa i tretë”, të fut bukur “rrjetën magjike” të poezisë.


Me tre libra me poezi dhe një ekspert i gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, trashëgon në mënyrë dinjitoze gjenet poetike të gjyshit të tij, Lefter Çipa, dhe babait të tij, edhe ai një poet i mirënjohur, Aleksandër Çipa.

Një estet i fjalës së dhe me një kredo poetike, “Çipa i tretë” të fut bukur “rrjetën magjike” të poezisë.

Akri dallohet për stilin, rjedhshmërinë dhe thellësinë filozofike, por edhe shpirti i polifonisë e gjen hapësirën e tij.

Këto janë disa nga poezitë e tij, të zgjedhura rastësisht.

Në orbita anarkike

Rrezet mbaruan dhe për sot,
Si një trup i zbrazët,
Pa shpirt,
U fsheh në horizont dielli.

Lexojmë në errësirën pas-diellore,
Me endje rishtare,
Edhe pse lexues
Prej kohësh jemi.

Kemi ëndje për risi,
Ëndje për të mos perënduar,
Pas perëndimit nuk e dimë
Nëse do kemi agim.

Jetojmë absurditetin e një ditënate,
Një rreth vicioz kohëhumbjesh të shumta,
Dhe si një diell anarkik,
Humbasim në orbita të panumërta.

Grisim faqet e librave dhe shkruajmë libra të rinj,
Apoteoza të pareshtura
Për një agim pa perëndim.

——————–

Amaro


Një emër në rrugët e kryqëzuara,
Destinacion ëndrrash sy-hapur,
Përshpirtje e një ditënate endacake
Teksa kontinentin e zhbëjmë në mendje.
Kalojmë shtete, tunele, femra,
Ngjya të ndryshme flokësh,
Fije të cilat i kam shpupurisur vetë.
Europaplatz që mbetet pas,
Një mbërritje pa stacion,
Një ditë pa diell,
Një fotografi me të shumtat.
Trena, autobuzë, lëvizje qiellore,
Hepime të një stoiku të paqëndrueshëm,
Lëvizje në tokën e matshme me kilometra,
Lëvizje në mendjen kriptike.


Takim i rastësishëm dhe ndarje e pashmangshme,
Në këtë botë s’ka vend për improvizim.
Shpupurisja e flokëve të një tjetre
Të përhumb në Sallone Akujsh.


Një qiell shohim të dy,
Por yjet i vështrojmë ndryshe,
Ti si stacione të largëta,
Ndërsa unë, në zhvendosjen e jetës,
Si premtime të kota.
Në këtë jetë, i natyrshëm është vetëm zhgënjimi.
Dhimbja nuk shijon më lehtë me alkool,
Ditën tjetër do kem dhimbje shpirti, por edhe koke,
Të jesh esëll është gjëja më e vështirë,
Por dhe më pak e dhimbshme njëkohësisht.
U esëllova në momentin e largimit,
Ndarja ishte thjesht efekt estetik,
Ka ndarje, që duken më të bukura në perëndim.


Një shije kafeje më le,
Paçka se ika unë,
Fajin e ndarjes te ty do e hedh.
Në stacionet e urbanëve amorfë,
Ty do të të shoh si ikanake,
Pas humbjes, shmangia sjell shmangie.


Do të të kujtoj ditëve me diell,
Si një hije simpatike që
Kalon dy herë përpara tavolinës sime,
Paçka se ti ike e kursyer,
Ose thjesht e bukur.
Gjërat e bukura ndodhin vetëm një herë.
E bukura është soditja momentare,
Jeta është çasti, udhëtimi dhe lënia pas.
Shijen amaro që do më mbetet,
Do e tres në pellgjet
Ku do dallohet fytyra jote,
Dhe kur siluetën do kërkoj.

Je frymë,
Prandaj të shoh gjithkund.

———————

U bë një vit që nuk jemi parë

U bë një vit që nuk jemi parë,
Ditët përtypen ngadalë,
Si krahët e shpendëve të pangjashëm,
U endëm në qiej të paskaj.

U bë një vit që nuk jemi parë,
Letrat u pakësuan deri në asnjë,
Humbën trajtat në jastëkun tonë,
Dhe u zëvendësuan me boshllëk.

Kaloi dhe një vit tjetër,
Në kalendar u bënë dy,
Veç në pellgjet e shirave vjeshtakë,
Shoh bebëzat e syve të ty.

U bë shumë kohë që nuk jemi parë,
Akoma më shumë do kalojë,
Hëna do mbetet në qiell,
Por formën…do e ndryshojë.

Më shumë se një vit që nuk shihemi,
Një tjetër ditë shtohet sot,
Në pellgjet e shiut të kësaj dite,
Më vijnë, si letra të vjetra, ca lotë.

———————-

Trajtë amorfe

Kemi humbur në labirinte minoike,
Ku dhe fryma nuk gjen rrugë kthimi,
Kemi harruar të shikojmë të bukurën,
Në sy kemi thjesht një hije përçmimi,
Kemi lënë pas pjesën tonë më të mirë,
Përdore na ka marrë pasqyrimi,
Kemi lënë plot gjëra pa bërë,
Por nuk vlen ky fakt si shkak trishtimi,
Para se të niseshim nuk u përshëndetëm,
I sikletshëm do jetë ritakimi,
Humbas në trajta amorfe,
Tashmë nuk kam më pikë referimi.
———————-

E panjohura

Duke ecur rrugëve pa ide,
Shoh nje fytyrë të mbuluar me shall,
Shoh vetëm dy sy,
Të jenë sytë e dëshiruar vallë?

Ndjek protagonisten e fabulës së jetës,
Nëpër qoshka, rrugica, në çdo anë,
Lëvizja-enigmë është hipnotike,
Në sfond, për të më zgjuar, bie një këmbanë.

———————–

Nxito Helios në kupë të qiellit

Nxito Helios në kupë të qiellit,
Se pa ty dritë dielli nuk ka,
Ta ndjejmë nevojën, pa njohur meritën,
Mbi ty pesha e rëndë e shërbimit ra.

Nxito Helios në kupë të qiellit,
Më shpejt harboi kuajt-pishtarë,
Se drita e diellit është dhe e njohurisë,
Pa të injoranca na lidh me litarë.

Nxito Helios në kupolën qiellore,
(Ta kërkon detyra këtë nxitim)
Së bashku me kuajt e tu të flaktë,
Ndriçimi ynë është për ty një burgim.

23 Prilli, Dita Botërore e Librit

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave Autoriale ka kuptim simbolik për letërsinë botërore.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Fjala është e para!

Na pëlqejnë fjalët e mençura dhe i marrim me vete! Ndaj fjala mbetet e para dhe e fundit si ajri…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

23 Prilli, Dita Botërore e Librit

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave Autoriale ka kuptim simbolik për letërsinë botërore.