Muze i Artit dhe Trashëgimisë Islame, Rama: Plotësojmë mozaikun e munguar të historisë së fesë

Godina e Sarajeve të Toptanëve, një nga perlat arkitektonike në zemër të Tiranës, do të shndërrohet në një Muze të Artit dhe Trashëgimisë Islame.


Godina e Sarajeve të Toptanëve, një nga perlat arkitektonike në zemër të Tiranës, do të shndërrohet në një Muze të Artit dhe Trashëgimisë Islame.

Kryeministri Edi Rama i cili mori pjesë në aktivitetin ku u prezantua projekti, e cilësoi këtë muze si një “vlerë të shtuar për kryeqytetin” dhe një dëshmi historike që plotëson boshllëkun në interpretimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame në Shqipëri.

Rama tha se projekti synon të shërbejë si një “gjerdan arti” bashkë me Teatrin dhe Galerinë Kombëtare, duke pasuruar ofertën kulturore të Tiranës dhe duke riafirmuar lidhjen e trashëgimisë islame me kulturën evropiane dhe mesdhetare.

“Unë kam bindjen që këtu është krijuar sinergjia e duhur me djemtë e koleksionit, me arkitektin, nga ana tjetër me Bashkinë e Tiranës dhe me Ministrinë e Kulturës, kështu që janë të gjitha forcat e nevojshme për të ndërtuar më në fund një hapësirë të munguar në Tiranë, të artit dhe kulturës islame”, u shpreh Kryeministri në nisje të fjalës së tij.

“Është një hapësirë e munguar edhe për një arsye shumë të bukur që e shpjegoi arkitekti, që kultura dhe arti islam janë pjesë integrale e kulturës së Mesdheut, e kulturës së Evropës dhe pavarësisht se ky muze në përmasën e vet është modest, krahasuar me shembujt që i patë aty të muzeve shumë pompozë të artit dhe kulturës islame, por besoj që është i nevojshëm dhe është i mjaftueshëm për ta përcjellë këtë dëshmi që përndryshe, për shumëkënd, është një dëshmi e munguar dhe madje është dëshmi e pamundur sepse në mendjen dhe në idenë e shumëkujt, kultura dhe arti islam nuk kanë lidhje me Evropën, nuk kanë lidhje me këtë pjesë të kontinentit ku ne jemi dhe madje këtë pasuri kaq të çmuar të traditës dhe kulturës sonë, shumëkush e sheh si një trashëgimi të imponuar nga një periudhë e caktuar e historisë. E vërteta është krejt ndryshe dhe dëshmia e kësaj të vërtete, përmes një muzeu të tillë, është një nevojë, është një domosdoshmëri dhe është një vlerë e shtuar për kryeqytetin”, u shpreh Rama.

Rama tha se godina e Sarajeve do të restaurohet dhe do të kthehet në identitet të plotë. Godina e “Sarajeve” do të jetë bërthamë e muzeut të ri që do të përbëhet dhe nga një godinë tjetër bashkëkohore.

“Praktikisht ky muze i shtohet një gjerdani që po shkon duke u zgjatur dhe pasuruar me Teatrin e Ri Kombëtar, me Galerinë Kombëtare, me Muzeun e ri Kombëtar, me muzeun “Besa” që është fare ngjitur dhe që do t’i bëjë jehonë historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët, ku pavarësisht përkatësive fetare, shqiptarët morën në mbrojtje një popull tjetër me një besim tjetër. Dhe më tutje akoma, besoj që edhe lidhja e gjithë kësaj pjese me pjesën tjetër ku kemi Piramidën e më pas muzeun tjetër që është në ndërtim e sipër me koleksionin unikal të të ndjerit Artan Lame, na japin mundësi që ta shohim të nesërmen e Tiranës, të pasur me ‘’stacione’’ arti, me ‘’stacione’’ kulture, me ‘’stacione’’ historie, të cilat do të shkojnë duke u shtuar. Ajo që është e rëndësishme në këtë rast, është se ky është një ‘’stacion’’ kyç i historisë sonë, i historisë sonë si komb, i historisë së qytetit tonë, të kryeqytetit të Shqipërisë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se në Shkodër po punohet për një tjetër muze, kushtuar martirizimit të klerit katolik, duke synuar kështu pasqyrimin e plotë të historisë fetare në Shqipëri.

“Unë besoj që talenti i padiskutueshëm i arkitektit që është edhe autori i një tjetër muzeu shumë të bukur tanimë edhe që vizitohet shumë, muzeu Kombëtar i Fotografisë në Shkodër, që është edhe projektuesi i Muzeut të Ri Kombëtar në godinën ekzistuese por me ndryshime të rëndësishme, me ndërhyrje të rëndësishme arkitektonike, është një garanci dhe më vjen shumë mirë që Hernandes po punon paralelisht edhe për një tjetër muze në Shkodër, muzeun që praktikisht i dedikohet martirizimit të klerit katolik dhe kështu në një farë mënyre plotësojmë pak nga pak dhe një mozaik të munguar të historisë së fesë në Shqipëri që do të ketë vendin e vet pa diskutim, edhe në Muzeun e Ri Kombëtar”, tha Rama.

Rama u shpreh se muzeu nuk duhet të jetë thjesht statik që do të ketë objektet e veta dhe do të mbetet aty i pandryshuar asnjëherë.

“Fjala është për të pasur një muze të gjallë, ku krahas koleksionit të përhershëm, i cili dhe ai lëviz, të ketë edhe aktivitet ekspozitash, aktivitet performancash, aktivitet diskutimesh dhe prania e institutit në këtë iniciativë për mendimin tim është garanci për jetëgjatësinë e muzeut si një muze i gjallë”, tha Rama.

Rama tha se shpreson që muzeu të çelë dyert në vitin 2030.

Burimi ATSH

Muze i Artit dhe Trashëgimisë Islame, Rama: Plotësojmë mozaikun e munguar të historisë së fesë

Godina e Sarajeve të Toptanëve, një nga perlat arkitektonike në zemër të Tiranës, do të shndërrohet në një Muze të…

Global 360

Rutte: Shqipëria ka mbështetjen e NATO-s

Kryeministri Edi Rama u takua sot në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Humanizmi sot në shoqëri sfidë për njerëzimin!

Humanizmi sot nuk është thjesht një koncept filozofik, por një nevojë absolute shoqërore dhe morale.

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Muze i Artit dhe Trashëgimisë Islame, Rama: Plotësojmë mozaikun e munguar të historisë së fesë

Godina e Sarajeve të Toptanëve, një nga perlat arkitektonike në zemër të Tiranës, do të shndërrohet në një Muze të…