Dita e Pavarësisë, Begaj: Është koha për t’u bërë bashkë dhe për të ecur drejt ëndrrës evropiane

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot ceremoninë shtetërore të pritjes me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot ceremoninë shtetërore të pritjes me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë ceremoni morën pjesë autoritete të larta të Shqipërisë dhe Kosovës, pasardhës të familjeve atdhetare të firmëtarëve të Pavarësisë, përfaqësues të forcave politike shqiptare në Shqipëri dhe rajon, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të komuniteteve fetare, si dhe personalitete të sipërmarrjes, artit, kulturës dhe medias.

“Sot, ne mblidhemi për të nderuar kujtimin dhe guximin e atyre që më shumë se një shekull më parë deklaruan e jetësuan pavarësinë e kombit dhe krijimin e shtetit shqiptar”, u shpreh Presidenti Begaj.

“Në kohë të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, siç ishte fillimi i shekullit XX, në një botë kur pavarësia e një shteti të vogël dukej sa e parëndësishme, aq dhe e paarritshme, disa udhëheqës vizionarë, të drejtuar nga Ismail Qemali, nuk iu dorëzuan rrethanave, por krijuan momentin e tyre, momentin tonë, momentin e shtetit të ardhshëm të pavarur të shqiptarëve”, theksoi ai.

“Të udhëhequr nga dashuria për atdheun dhe ndjenja e përkatësisë europiane, ata vendosën që: “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë, e mosvarme”. Më 28 nëntor 1912 kombi shqiptar triumfoi pas shekujve qëndrese”, u shpreh Begaj.

“Sot dhe në nëntorët e pafund të lirisë, pavarësisë e zhvillimit të shtetit shqiptar, ne do t’u mbetemi mirënjohës atyre burrave e grave që patën guximin të ndryshojnë rrjedhën e historisë. Ata vendosën gurin e themelit më të rëndësishëm në historinë e vendit, duke u bërë arkitektët e shtetit tonë të pavarur”, theksoi Begaj.

Kreu i Shtetit nënvizoi se, “Pavarësia e shpallur 112 vite më parë ishte, njëkohësisht, realizimi i një ëndrre të hershme të një kombi që diti t’i qëndrojë si i tillë shekujve, me harmoninë e bashkëjetesën fetare, me pasurinë kulturore dhe i paasimiluar”.

“Pavarësia e Shqipërisë mbetet në çdo nëntor agimi i ri i ëndrrave dhe simboli më i qartë i vendosmërisë shqiptare. Çdo nëntor është një rifillim dhe një vijim, në të cilin vazhdojmë të ndërtojmë me vendosmëri arritjet e një vendi që është pjesë e Evropës dhe që rilindi në 1912-ën si shtet i pavarur. Është pikërisht kjo dita dhe momenti që të falënderojmë mikun e aleatin tonë historik e strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen që i ka dhënë kombit shqiptar nga deklarimi i pavarësisë së Shqipërisë, në pavarësinë e Kosovës”, tha Begaj.

“U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë për mbështetjen e pakursyer për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe forcimin e institucioneve shqiptare, e veçanërisht atyre të drejtësisë”, tha më tej Begaj.

Kreu i Shtetit u shpreh se, shqiptarët janë trashëgimtarë të amanetit për pavarësi dhe i premtimit për një Shqipëri të drejtë e të zhvilluar.

“Pavarësia mbetet përgjegjësi. Përkushtimi ynë i pakufishëm për një shoqëri të shanseve të barabarta e të shtetit të së drejtës vazhdon. Për gjithsecilin prej nesh është koha e angazhimeve të pakthyeshme, në të mirë të zhvillimit dhe begatimit të Shqipërisë”, tha ai.

Sot, shtoi Begaj, “sfidë nuk është më vetëm mbrojtja e kufijve, por edhe siguria, drejtësia, ekonomia, arsimi, shëndetësia, teknologjia, demografia, kujdesi ndaj ambientit e mbi të gjitha, mirëqenia e qytetarëve tanë”.

“Të gjitha kërkojnë përkushtim dhe qartësi për modelin e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Pavarësia jonë matet me cilësinë e jetës së qytetarëve, me mundësitë që krijojmë për të rinjtë tanë dhe me vendosmërinë për të përmirësuar të sotmen dhe krijimin e një vizioni për një të nesërme premtuese për vendin”, u shpreh Begaj.

“Atdhetarët patriotë 112 vite më parë treguan guxim dhe vizion. Ata lanë pas ndasitë për një qëllim dhe mision të madh: Shqipërinë e pavarur”, tha ai.

Presidenti Begaj i bëri thirrje klasës politike që të jetë në një dialog të hapur me popullin

“Sot, më shumë se kurrë, politika duhet të ndjekë shembullin e tyre. Klasa politike duhet të jetë në një dialog të hapur me popullin, të dëgjojë shqetësimet, nevojat dhe ëndrrat e tij. Kthejini sytë nga ata që përfaqësoni! Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë shembull i një faqeje të re, ku interesi i qytetarit dhe shërbimi publik ndaj tij vihet mbi gjithçka tjetër”, tha Begaj.

Kjo, shtoi Begaj, “është mënyra për të nderuar ata që shpallën pavarësinë dhe për të ndërtuar një Shqipëri që e meriton vendin në Evropë”.

Kreu i Shtetit tha se, hapja e kapitujve me Bashkimin Evropian është më shumë se një proces teknik, është një test i pjekurisë tonë kombëtare.

“Ky proces kërkon të forcojmë institucionet, të mbështesim drejtësinë dhe SPAK-un, të përmirësojmë cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë dhe të ndërtojmë një Shqipëri të denjë për shqiptarët dhe për familjen evropiane. Është koha për t’u bërë bashkë dhe për të ecur drejt ëndrrës gjithnjë e më të prekshme evropiane”, tha ai.

Begaj tha se, bota e sotme po përballet me sfida të mëdha.

“Pjesë e tyre janë luftërat e konfliktet e pranishme në kufijtë e Evropës Lindore, në Lindjen e Mesme, dhe jo vetëm. Në një botë të trazuar, roli ynë nuk është më një vend i vogël që ndjek këto zhvillime, por një vend që kontribuon dhe frymëzon. Ne jemi besnikë ndaj përkatësisë sonë Euroatlantike e vlerave që ajo përfaqëson dhe do të mbetemi pakthyeshmërisht të angazhuar që Shqipëria të vazhdojë të jetë kontribuuese aktive për paqen, stabilitetin dhe dialogun në rajonin tonë dhe më gjerë”, u shpreh Begaj.

“Me qartësinë në vlerat që mbrojmë dhe të bashkuar në aleancat e popujve demokratikë, sfidat nuk janë të patejkalueshme. 112 vite më parë, të parët tanë i kapërcyen ato për të na dhënë pavarësinë që gëzojmë sot. Ne kemi sfidat tona, por kemi edhe forcën, mençurinë dhe pjekurinë për t’i përballuar ato”, tha Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi se, Shqipëria është më shumë se kufijtë e saj.

“Shqipëria është qytetarët e saj, që jetojnë në çdo cep të globit e transmetojnë vlerat e kulturën tonë. Ata tashmë janë faktorë në jetën sociale, kulturore e politike, kudo ndodhen. Ne si komb, dy shtetet tona, Shqipëria e Kosova, duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë fuqi që kemi dhe ta përdorim në shërbim të aleancave që forcojnë rolin tonë në arenën ndërkombëtare. Kosova ka patur, ka dhe do të këtë kurdoherë mbështetjen e Shqipërisë. Ajo do të ketë mbështetjen e gjithhershme për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si dhe arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë edhe anëtarësimin në BE. Republika e Kosovës është realitet që nuk ndryshon e faktor paqeje në rajon”, tha Begaj.

“Nga udhëtimi ynë për pavarësi, deri tek udhëtimi ynë drejt Evropës, sot është momenti për të nderuar të kaluarën, për të festuar të tashmen dhe për t’u angazhuar me përgjegjshmëri për të ardhmen. Në 28 Nëntor, në këtë ditë të bekuar, i uroj çdo shqiptari suksese e arritje të mëtejshme në rrugën e qëndrueshme evropiane të mirëqenies. Urime dhe Gëzuar Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë të vendit tonë të paqtë, të lirë, mikpritës e bujar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, përfundoi fjalën e tij Presidenti Begaj.

(ATSH)

Arti në luftë!

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kurator studiuesi Mehmet Gëzhilli.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Arti në luftë!

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kurator studiuesi Mehmet Gëzhilli.