Spiropali në Shkup: Korridori 8, projekt integrimi dhe sigurie në rajon
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nënvizoi sot rëndësinë e Korridorit 8 për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nënvizoi sot rëndësinë e Korridorit 8 për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa e cilësoi atë një projekt zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon dhe më gjerë.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare në Shkup, Spiropali u ndal te bashkëpunimi mes dy vendeve.
“Ne ndjehemi krenarë që dy vendet tona bashkë me Italinë e Bullgarinë kanë nisur një projekt të madh të përbashkët, Korridorin 8, një ëndërr e shqiptarëve të Shqipërisë dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha ajo.
Në aspektin e bashkëpunimit dypalësh, Spiropali ndau bindjen për nevojën e angazhimit të parlamenteve si instrumente dialogu që ndikojnë në përafrimin e mëtejshëm mes dy vendeve”.
“Parlamentet duhet të identifikojnë mjetet për zgjerimin e kontakteve dhe në mënyrë të veçantë për të ruajtur, mbrojtur dhe çuar në një nivel edhe më të lartë klimën dhe marrëdhëniet politike njerëzore mes dy vendeve”, shtoi ajo.
Spiropali shprehu bindjen se nën drejtimin e Gashit marrëdhëniet ndërmjet dy Kuvendeve do të njohin një nivel të ri bashkëpunimi.
“Në Shqipëri ka një vëmendje të posaçme për të gjitha zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Ndryshimet në ngjyrën e qeverisjes dhe rotacioni politik në Shkup nuk duhet dhe nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, por do të jetë pjesë e një cikli progresi të vazhdueshëm bashkëpunimi mes nesh. Ne jemi të gatshëm në këtë kontekst të vazhdojmë kontaktet dhe dialogun politik”, shtoi Spiropali.
Duke u ndalur te sot procesi i integrimit europian, Spiropali tha Shqipëria nxit fort dhe pa asnjë mëdyshje perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut.
“Me sy nga e ardhmja dhe busull nga Bruskeli historia e së ardhmes do të ndikojë jo pak edhe mbi projektet politike të ditës, që do të thotë se rrugëtimi i përbashkët drejt BE-së, apo edhe orientimi dhe anëtarësimi në NATO kufizojnë rolin e politikës në ndryshimin e kësaj historie që ende pret të shkruhet. Pavarësisht se kemi humbur shumë trena për fajin tonë, sot ngjan se edhe treni shkon në shina të paparashikueshme, ndalon ku nuk ka stacion dhe ecën aty ku prisnim të ndalonte për ne. Të dyja vendet tona kanë një kalvar të gjatë, por edhe kusure vetjake në përpjekjet për të siguruar integrimin europian”, shtoi ajo.
Kryeparlamentarja theksoi se për sa i takon Shqipërisë, anëtarësimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik si në politikën e brendshme ashtu edhe në politikën e jashtme.
“Ne gjykojmë se BE duhet të vazhdojë të ofrojë një rrugë të qartë dhe të arritshme drejt anëtarësimit për të dyja vendet tona, si dhe për të gjithë rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor. Duke mbajtur një politikë të besueshme zgjerimi, BE mund të stimulojë reformat e të nxisë një ndjenjë shprese dhe drejtimi për të ardhmen”, shtoi ajo.
(ATSH)