Rezoluta e PE: Mungesa e suksesit në dialogun Kosovë-Serbi dëmton besueshmërinë e BE-së

PE-ja i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog, në mënyrë që të ketë përparim.


Parlamenti Evropian (PE) miratoi të enjten një rezolutë ku thekson se besueshmëria e Bashkimit Evropian (BE) dëmtohet nga mungesa e suksesit në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Radioja Evropa e Lirë.

Sipas REL, në rezolutën e miratuar për rezultatet e politikës së jashtme dhe të sigurisë BE-së, flitet për nevojën e rritjes së ndikimit të BE-së në botë dhe për një qasje më të vendosur edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, PE-ja gjithashtu i paralajmëron Kosovën dhe Serbinë edhe për pasoja nëse mungon zbatimi i marrëveshjeve të dialogut.

Por, PE-ja i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog, në mënyrë që të ketë përparim.

“Ftojmë BE-në që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, thuhet në tekstin e këtij raporti.

Ky është një raport mjaft që përfshin temat nga raportet e BE-së me Shtetet e Bashkuara, bashkëpunimi me NATO-n, forcimi i kapaciteteve evropiane të mbrojtjes, lufta kundër fushatave të dezinformimit, e deri tek situate në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket Kosovës në këtë raport “dënohet sulmi terrorist ndaj zyrtarëve policorë më 24 shtator në Banjskë të Republikës së Kosovës, si dhe provokimet e tjera”.

Më 24 shtator, një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

Në këtë rezolutë, Parlamenti Evropian kërkon që të sillen para drejtësisë “të gjithë ata që kanë përgjegjësi për sulmet terroriste në veri të Kosovë” dhe kërkon që, nëse dëshmohet se Serbia kishte gisht në to, të ndërmerren masa kundër qeverisë së Serbisë.

Palëve u kërkohet që të punojnë për të ulur tensionet dhe për të shmangur retorikën apo veprimet të cilat mund të krijojnë tensione të reja.

Më pas, rezoluta e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e lehtëson BE-ja, dhe u bën thirrje të dyja palëve që me mirëbesim dhe frymë kompromisi t’i qasen vazhdimit të dialogut. Rezoluta, megjithatë, i bën thirrje edhe BE-së që të ketë një qasje në re në rolin e ndërmjetësuesit mes palëve.

“Ftojmë Kosovën dhe Serbinë që t’i përkushtohen dialogut me besim të mirë dhe frymë të kompromisit në mënyrë që, pa vonesa, të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, bazuar në njohjen e ndërsjellët, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” thuhet në një pikë të këtij raporti.

Rezoluta i paralajmëron Kosovën dhe Serbinë se dështimi për të shënuar përparim në normalizimin e marrëdhënieve “do të ketë ndikim negative në integrimin e të dyja vendeve në BE”.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

Marrëveshja parasheh, mes tjerash, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial, njohjen e dokumenteve, diplomave, targave, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, shëndetësisë dhe të personave të zhdukur.

Serbia, gjithashtu, mori përsipër që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova pranoi që komunitetit serb t’i sigurojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, një vit më vonë, nga të gjitha pikat e marrëveshjes u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave.

Ndërkohë, PE-ja thotë në rezolutën e saj se “ndien keqardhje për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës dhe ftojmë në heqjen urgjente të tyre”.

Raporti po ashtu përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dh kërkon nga Komisioni që të përgjigjet ndaj këtij aplikimi. Rikujton se kërkesa e Kosovës për status kandidati duhet të vlerësohet në bazë të meritave në përmbushjen e kritereve. /REL/

Lexo më shumë nga

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…

Global 360

CNN zbulon prapaskenën e tërheqjes së Biden

Vendimi përfundimtar i Presidentit Joe Biden për t’u larguar nga gara u mor në 48 orët e fundit

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…