“Titans Fights 4”, boksjerë nga 10 shtete të huaja garojnë në Durrës
12 nëntor 2023! Durrësi, epiqendra e ngjarjes më të bujshme sportive të vitit në boks
Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”
Nëntori i festave historike, vjen në Durrës edhe me një ngjarje madhështore sportive. Me 12 nëntor 2023, m’u në atë që quhet pallati i sportit i qytetit, do të ketë dyluftime sportive. Nuk bëhet fjalë për basketboll, volejboll, as futsallë, as pingpong, as mundje, as manifestim gjimanstikor, as…., as….. Por prej disa muajsh Fred Shoshi dhe Enton Kikrri, kanë menduar dhe skicuar si fillim dhe zbatuar si vazhdim, ngjarje kulmore të boksit. I kanë vendosur emrin “Titans Rights 4”.
Ky Fred Shoshi është president i boksit në Durrës, por nga krysorët e drejtimit edhe të boksit shqiptar. Ndërsa ky Enton Kikrri, veç historisë si kampion i boksit, është kthyer në trajner, organizator, manaxher dhe kordinator i sportit të grushtave. Zoti i ka bashkuar si me magji dhe ja ka “falur” Durrësit dhe durrsakëve këtë dyshe mahnitëse, në përmasat e një binomi që trondit e të lëviz nga vendi, kur bëhet fjalë në organizimin e veprimtarive të formatit si “Titans Fights 4”.
Kanë kopsitur deri në detaje çfarë duhet e çfarë vlen, duke u lidhur jo pak, por me federatat e e boksit të 10 shteteve të huaja, për të sjellë në Durrës boksjerë të aftë dhe të zot. Por për çfarë? Për t’u ndeshur me boksjerë durrsakë në veçanti dhe boksjerë shqiptarë në tërësi. Ky Fred Shoshi, e ka edhe me “gjak” këtë punë. Nuk është thjesht çështje pasioni, se sa një detyrim që ka të bëjë me shpirtin, me ndjesinë maksimale, për të dhënë nga vetja boksit të qytetit.
Dhe Fred Shoshi, është unikal në këtë që do të bëj të njohur. Djali Graciano, është 7 vite me boksin. Sikur të mos mjaftonte kjo, Fredi i Shoshëve ngrihet shumë lart, duke i falur boksit edhe vajzën e vetme Kleopatrën. Cili është një i dytë, mbase jo vetëm në Durrës, që mund të hahet me Fred Shoshin!? Këtu retorika bën ligjin. Enton Kikrri së bashku me të jatin Shpëtimin, kanë “djegur” biznesin e tyre, për t’ia dhënë boksit. Dhe efektet janë prezente.
Ky është Titansi i katërt që bëjnë. Njëri më i bukur se tjetri. Edhe ky i 12 nëntorit pritet të jetë madhështor, me përmasa të fuqishme organizimi, duke i dhënë rinisë dhuratën më të çmuar veçanërisht në këtë kohë, për të ndjekur boks të mirfilltë. Reklamohet forca, karakteri, bukuria fizike, shpirti i pamposhtur, ndjenja e fituesit dhe mosnënshtrimit, dashuri për sportet, për qytetin, për njëri tjetrin.
Këta kanë marrë përsipër të bëjnë Fred Shoshi dhe Enton Kikrri. Dhe ajo që shkëlqen edhe më shumë, nuk është interesi i fitimit, që gjithkush e ka në këtë kohë. Por e gjithë lodhja dhe investimi, do ti kalojnë fëmijve jetimë. Çfarë shpirti! Çfarë zemre! Çfarë shembulli! Dhe lapsi im, dhe përkrahje ime, vjen m’u bash si shpirti dhe zemra e tyre, për t’u bashkuar e për t’i bërë jehonë, këtij Titansi të katërt të 12 nëntorit të vitit 2023.
Por kjo zemra e tyre dhe kjo zemra ime, por edhe zemra e Ardrian Reçit, na çvendoset nga gjoksi dhe fluturon dhe ulet tek shpirti i gjallë i mjeshtrave të mëdhenj të boksjerëve durrsakë, të cilët kanë rastin më të mirë të ngrihen nga varret e tyre dhe të ulen së bashku me ne, në këtë kuvend të fuqishëm të dyluftimeve fizike me rregulla sportive.
As nuk e diskutoj që kështu do të ndodhë dhe me sytë e kujtesës, do t’u flasim shembujve tanë të mëdhenj të dorezave Ilmi Rekës, Fak Allushit, Selim Bardhetit, Ymer Reçit, Martin Çetës, Hajri Pelinkut, Vlash Currit, Abazali Haxhisë. I kërkoj të falur kujtesës, në kam harruar ndonjë. Të gjithë do t’i kemi me 12 nëntor.
Dhe Fred Shoshi, së bashku me Entonin e fisit të famshëm sportiv të Kikrrëve, pasi nuk do të kenë kohë të marrin frymë, do t’i gëzohen pranisë së amatorëve të flaktë të boksit. Zemra do t’i çahet nga promovimi i nivelit të lartë të boksit durrsak, me titullarë të tillë si Ardit Murja, Graciano Shoshi, Ergys Toçi, Arbër Sulejmani, Mexhit Hyseni në kickboks, Leo Xhangoli dhe të tjerëve Luis Gjolena, Ardit Boriçi, Armen Sabliqi etj. Rivalë të tyre janë boksjerë nga Rumania, Amerika, Gjermania, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Franca, Argjentina, Italia, Greqia, Kosova.
12 nëntori pritet me padurim. Janë ditët e fundit dhe me shaka Enton Kikrri thotë : “jemi full”. Nuk mund ta takosh dot. Ftesat janë konfirmuar. Vazhdojnë stërvitjet. Vrap tek pallati i sportit, për të zbukuruar ringun dhe sallën qendrore ku do të bëhen boksimet. Janë siguruar hotelet, gjyqtarët dhe i gjithë kuadri financjar. Xhepat e tyre, të Fredit dhe Entonit sidomos, mbeten gjithnjë të “grisura”, kur është fjala për të shpenzuar për boksin.
Sa me fat janë durrsakët, që kanë në gjirin e tyre binomin më fantastik, madje do ta trajtoja historik dhe më të pashembullt, me emrat që nuk do të harrohen FRED SHOSHI dhe ENTON KIKRRI!
Me gërma të mëdha meritojnë të shkruhen emrat e tyre, ashtu si puna e tyre e madhe, e përmasave të nivelit të avancuar ndërkombëtar. Asnjëherë Durrësi, nuk ka qenë kaq me fat sa tani. Pasi asnjëherë Durrësi nuk ka patur dyshe të tilla si Shoshi dhe Kikrri, që të shqyejnë gjoksin, e të heqin prej andej zemrat e tyre, për t’ia falur boksit.
Nga këtu buron siguria e vazhdimësisë, për Titansa të tjerë edhe më të bukur, edhe më të arritura, edhe më autoritare, për të na mbuluar me lavdinë e një pune, që duhet t’i falemi i madh dhe i vogël në Durrës dhe jo vetëm.
Ardit Murja, mburrja e jonë e boksit, është i vetmi që do të boksoj me 8 raunde, me nga 3 minuta secila me një boksjer të huaj. Po kështu edhe Graciano ynë, do të çfaqet më i kompletuar dhe pret sfidën me një grushtues italian. Shoshi xhunjor, është me 7 vite në boks. Fredi luan menç për Gracianon, për Kleopatrën, por nuk përjashton asnjë boksjer tjetër, që përfaqëson emrin e nderuar të qytetit të tij, të Durrësi tonë aq me tradita në boks.
Me 12 nëntor 2023, në pallatin e sportit në Durrës do të bëhet boks i nivelit të lartë. Do të ndahen kupa dhe medalje. Do të bëhet histori. Por edhe do të këndohet, që shikuesit të argëtohen dhe të zbusin shpirtin nga dylftimet në ring. Janë ftuar enkas këngëtari i njohur shkodran Luiz Ejlli dhe këngëtarja kosovare Shkurte Fejza, që po shkëlqen me këngën e Naim Gjoshit “Mora Fjalë”, kushtuar heroit të kombit shqiptar Adem Jashari.
12 nëntor 2023! Durrësi, epiqendra e ngjarjes më të bujshme sportive të vitit në boks. Durrësi që po i kthehet fuqisë së organizimeve, me djemtë e tij, me energjitë, fantazinë dhe mundësitë që të çudisin. Habia edhe më tej mund të vazhdoj, madje mund të rritë përmasat.
Sa herë që do të vendosin fuqinë e zemrës, duke harxhuar e harxhuar e aspak fituar, duke dhuruar spektakël dhe flori nga shpirti i pasur Fred Shoshi dhe Enton Kikrri, Durrësi dhe durrsakët mbeten të privilegjuar dhe të vendosur në podin e krenarisë dhe vlerave të tyre. Por këtij binomi, po i jep përkrahje edhe Bashkia e Durrësit dhe kryebashkiakja, që e ka natyrë thjeshtësinë Emiriana Sako.
Punë të mbarë dhe Zoti jua shpërbleftë këtë angazhim dhe përpjekje të këtyre përmasave Fredi dhe Enton! E ndjeja si detyrim të ndodhem pranë jush dhe t’ju shërbej me sa mundem, për t’ia dalë në këtë event përmasash të paimagjinueshme.