Bulëza

Kjo nostalgji të qëndronte akoma me grimcat që kishin ndenjur pak në jetën time!


Nga Laura Olldashi

Aspak dëshirë për t’i thirrur gjërat me emrin e tyre. As për t’i njohur timbrin. I kisha marrë në dorë disa herë dhe i kisha vendosur afër veshit. Nuk kisha konceptuar gjë, por e dija që e kishin harmoninë, përderisa ekzistonin. Inatin e kisha me veten që nuk barazohej me energjinë e tyre, për të pasur një lloj komunikimi.
T’u flisja; të më flisnin.
Më dukej e çuditshme biseda me gjërat, thua se njerëzit nuk ishin.
Por ideja vinte nga pika pezull, e varur në atmosferë. Ashtu e kisha parë veten, si bulëz të rrumbullakët dhe bulëza të tjera më vinin në lëvizje. Më shtynin në inercinë e një drejtimi.

Në fillim më ishte dukur e bukur, sepse nuk lodhesha, derisa humba gjymtyrët nga mospërdorimi. Kështu fillon transformimi. Kisha mbetur me të përditshmet. Aq sa një ditë e shoh veten bulëz, që ishte mbështetur mbi pulovrën që kisha veshur. Nuk do ta kisha njohur vetveten, sikur të mos shihja vrimën që kishte hapur dhe të ndieja lagien nga shiu.

Ishte errësirë. Ecja pa trup. Me duart futur në xhepat e pulovrës. Një nga ato mbrëmje që kisha harruar gjithçka nga vetja. Pastaj vetja ime kishte dëshiruar të rrinte në shtëpi, me ish të dashurin.
Kjo nostalgji të qëndronte akoma me grimcat që kishin ndenjur pak në jetën time!

Fliste dhe i shpjegonte atyre si do të kishin shkuar gjërat sikur…
Pikërisht ato tri pika nuk kishin dashur identifikim. Kishin mbetur të hedhura në hapësirë, për të thënë që, mund të kishin qenë, po aq sa mund të mos kishin qenë.

Ka mundësi që ish të dashurit tim t’i shpjegonte recetën e tortës me mollë. Ideja e shkrirjes në gojë që lë në mendje shijen e aludimeve për rifillime…

Pra, nuk është mirë kur s’di të gatuash, apo të kesh harresën e përhershme. Të mos kujtosh emrat; timbrin që kanë gjërat.

Bie shi.
Më kujtohet emri i shiut, zhurma, forma e tij…

I ngjan duarve të mia që nuk i shoh, sepse janë në xhepat e pulovrës, e cila është e palosur në sirtarët e komosë. E lë aty, të renditur bashkë me ngjyrat e tjera dhe vishem me trupin. Marr vetëm bulëzën, që kishte krijuar vrimë në bluzë, e fus nën lëkurë dhe shndërrohem në qartësinë që më kishte bërë zoti.
E vogla bulëz bashkohet me mijëra të tjera dhe më krijojnë mua… të krijojnë ty.

Sikur ta dinte “e vogla” që pa të nuk bëhen gjërat e mëdha, dhe ta shihte boshllëkun që do të kishte universi, po të mos ishte! Vrimën që do të tejkalonte mespërmes boshtit të botës e cila do të çahej, do humbte ekuilibrat, do binte e do shkatërrohej më për dreq…

Po ta kishte ditur, do ta kishte përsosur shkëlqimin e saj, do t’i kishte ulur barrierat, do të ishte kthyer edhe te ti.
Por nuk dinte t’i bënte.
Ikte, dilte jashtë botës. Zhdukej larg daulleve të propagandave të shtirura. Shpirti i ciflosej tek dëgjonte mure të mbushura me merimanga të reja dhe plaka që lëpinin dhe i bënin elozhe shkëlqimit të njëri-tjetrit.

Nxjerr duart nga xhepat, fshij imazhin nga truri dhe rri poshtë shiut, ulur te një stol. E rrotulloj trupin, që të laget në çdo cep. Pres që shiu, pasi të më lajë, të rrjedhë i zi në pellgun e tokës, por… ai mbetet i kthjellët.
Hezitim!
A kam jetuar…?
Bota nuk më shndërroi dot si vetja, apo nuk kam qenë këtu?!
Tek e fundit, nuk më skandalizon, sepse e di që jam e ikur. Pa një tokë që më ecën ndër këmbë. Jam ku nuk dua të jem, sepse atje kam qenë, me gjërat që më rrinë dhe u iki larg.
Kështu mund të shpjegohet dashuria e një të huaji, pa pasur të drejtën e gjykimit për çfarë ndodh jashtë tij. Me prushin e një malli që nuk i ngopet.
Ja pse kam nostalgji të rri me grimcat, që kanë ndenjur pak në jetën time.
Ndoshta “vetvetja ime” tani është me ish-atdheun tim, dhe i shpjegon recetën e tortës së mollës.
Ideja e shkrirjes në gojë, më lë në mendje shijen e aludimeve për rikthime.
Rikthimi i bulëzës që nuk ka ditur të ikë, sepse është…
E fshij lotin e mallit. Nuk është koha të ndalem.
Kërkoj të zbres dhe të krijoj diçka konkrete mbi një stol, ku bie shi dhe të gjithë presim diellin.
Ideale është që dikush të më ulet në krahë dhe të hapë çadrën. Por shiu është e vetmja gjë që ia njoh emrin, ritmin dhe identifikon gjithçka tani. Pastaj m’i fsheh mirë lotët.
Me çfarë ndodh, shoh dhe dëgjoj kam arsye të qaj, madje, çdo ditë. Shpirtrat e ndjeshëm nuk mund t’i shpëtojnë dhimbjes. Nuk di t’i zëvendësoj lotët me protestat e trupit, me klithjet e zërit apo ngritjen e flamurëve. Nuk e kam shpikur, as qëndisur flamurin e një atdheu për njerëzit që m’i vrasin.
Një mbulesë dheu mbi zogjtë e zotit!
Sa bashkë të vdekur, aq veç në jetë.
Dirigjentët e koncerteve të katastrofave hedhin mbi kokat tona pleshta, verbëri, betona. Qorra ne, që pleshti i tjetrit na duket i madh dhe i bukur.
Harrojmë që jemi bulëza. Mijëra si ato më krijojnë mua. Të bëjnë ty, shpirti im!
Si ai çast kur t’u futa në gjoks, kur të pashë në sy, kur t’i mora buzët dhe t’i putha, kur “vetveten bulëz” e lashë aty.
Ndërsa trupi ikën. Nuk është unë. Shkel mbi një tokë, mbi një atdhe, ngre flamur me emër konkret. Bën luftë. Krijon kufij. Me trimëri i mbron dhe plot budallallëqe të këtij tipi, që nuk i kam besuar dhe as idealizuar.
Është trupi, mendimi që i identifikon.
Ndërsa unë jam Bulëza. Pika, ku fillon dhe shtrihet i pafund oqeani. Jam e gjitha.
Sepse çdo gjë është një.
Forma e zemrës në pulovrën tënde…
bosh…
era lëviz shiun e vogël dhe më zbret aty.

Lexo më shumë nga

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…

Global 360

CNN zbulon prapaskenën e tërheqjes së Biden

Vendimi përfundimtar i Presidentit Joe Biden për t’u larguar nga gara u mor në 48 orët e fundit

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…