Dashuria e Alehandrës!

Në Izrael ka nisur lufta. Nata mbretëronte aq e paqtë, por tashmë jeta e saj ka ndryshuar përgjithmonë!


Nga Dr. Monika Stafa

Në Izrael ka nisur lufta. Në një mbrëmje kërcimi atje ku do të duhej të triumfonte hëna lart në qiell dhe jeta poshtë në tokë, një masë e tërbuar njerëzish, ndoshta krejt pavetëdijen e tyre të nxitur prej një dogme që botën mban ndezur mes flakësh prej mijra vitesh, ushtruan përdhunshëm instiktin e tyre shtazarak, atë të shfarosjes së madhe.

Me përleshje të ashpra të një niveli që nuk është parë në gati gjysëm shekulli, sulmi terrorist i Hamasit i 7 tetorit shkaktoi 1,400 viktima të pafajshëm në Izrael, burra, gra e fëmijë, si dhe 150 njerëz që besohet se mbahen ende peng në Gaza.

Bilanci vazhdon. Numri i palestinezëve të vrarë prej anës tjetër të kësaj lufte ka arritur në 9,227 viktima. Edhe këta të pafajshëm. Ndërsa në Bregun Perëndimor tani të pushtuar, më shumë se 140 palestinezë janë vrarë prej sulmeve izraelite.

400 palestinezë, të plagosur dhe shtetas të huaj, vendosën të largohen në Egjipt të tmerruar nga lufta. Ata e braktisën Gazën si refugjatët e parë të përtej kufirit ndërsa vetë Egjipti po ndjen presionin ndërkombëtar për të pranuar edhe shumë të tjerë. Prej frikës nga barra afatgjatë që shkakton pritja e të ikurve nga një vend në luftë, autoritetet aty kanë mundur deri më sot t’u rezistojnë presioneve. Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë. Egjipti do të duhet të pranojë se shumë shpejt mund të presë me qindra e mijra refugjatë lufte.

A është ky një Eksod?

Pak më tutje, në të njëjtin rajon qindra mijëra afganë që jetojnë në Pakistan u përballën pak ditë më parë me kërcënimin e ndalimit dhe dëbimit të tyre nga vendi, pas një afati të fundit që qeveria pakistaneze përcaktoi për ta, për t’u larguar përfundimisht.

A është dhe ky një eksod?

Prej ditësh komunikoj me miqtë e mi në Izrael të cilët më tregojnë me dhimbje se si jeta e tyre ka ndryshuar përgjithmonë.

Njëra prej tyre është Alehandra. Ale Castellanos Bar Av të cilën e njoha 14 vite më parë në Haifa, në një prej universiteteve më të mira për media atje. Alehandra kishte ardhur nga Meksika për të marrë pjesë në kursin tim dhe ishte kthyer në vendlindjen e saj me një dashuri të re nga Izraeli.

Niri, artisti i talentuar me të cilin sot ajo gëzon 4 fëmijët e saj, 3 djem dhe një vajzë. Dhe ashtu si Niri e quan, Alehandra është një Wonder Woman e vërtetë, por kjo jo vetëm pse ajo lindi dhe po rrit kaq shumë fëmijë. Alehandra ka një fuqi tjetër. Edhe më të madhe për të cilën do ju tregoj tani.

Kur lufta plasi në atë vend, i vetmi shqetësim i imi, më i parë ishte ajo dhe Niri. Si ishin ata? A kishin pësuar gjë? Po fëmijët e tyre? Dhe nuk e di pse e pata aq të beftë këtë ndjesi kur dëgjova britmën e parë nga ai vend. Ndoshta pse unë isha bërë një kumbare e dashurisë së tyre a ndoshta pse dashuria që kishim për njëra- tjetrën nuk ishte asfare e zakonshme.

Kohë më parë Alehandra më pyeste se si do të qe dashuria me Nirin dhe dilemat e saj për të ardhmen, krejt normale për cdo vajzë si ajo. Unë krejt e pasigurt në njohjen e botës në tërësi e po aq të meshkujve në përgjithësi, megjithatë i besoja ndjesisë së jetës dhe gjithmonë e inkurajoja kur e shihja sesi ajo në fund i besonte vetëm dashurisë. Jo dashurisë për Nirin, por diçka tjetër që në gjuhën e së brendshmes quhet dashuria për jetën.

Të njëjtës dashuri që sot ajo i beson duke bërë të pamundurën të shpëtojë jetën e saj, të Nirit dhe 4 fëmijëve të saj të bukur. Për t’u dhënë atyre një të ardhme që me shumë gëzim po priste ta shijonte.
Por erdhi lufta.

Ndërsa e lexoj cdo ditë shoqen time, mendoj vetëm një gjë… Është vetëm dashuria e një nëne që mund të bëjë gjithçka. Por a mundet ajo vërtet të bëjë gjithcka? A është ajo në gjendje të kapërcejë të gjitha fatkeqësitë?

Ndodh. Po. Dhe është thellësisht e vërtetë.

Pikërisht atëherë kur ndjen se koha po mbaron, atëherë fillon një jetë e re…

Mendoni, ndërsa të gjithë atë mëngjes të 7 tetorit, ishin në gjumë dhe një pjesë prisnin që të dashurit e tyre të ktheheshin të lumtur prej saj, dikush tjetër pat menduar vetëm për një gjë…

Që koha të ishte kundër Njeriut dhe që askush, as unë dhe as Alehandra të mos mundte të bënte dot asgjë, asgjë!

Brenda pak sekondash, ai zjarr që shpërtheu aty atë mëngjes nuk kishte ndryshuar vetëm jetën e miqve të mi. Por edhe të tonën gjithashtu. .. Në ato pak sekonda nuk ka afate dhe as rrugë shpëtimi. Sepse gjithmonë koha kur ndodh një e keqe është një shok i padrejtë që nuk ka kurrë kujtesë për çfarë ke kaluar, harron gjithçka sapo të ketë ndodhur dhe ajo që mbetet është emocioni brenda qenies tënde… Tek një e keqe që ndodh nuk ka kthim prapa.

Ndoshta kishte ardhur koha të dorëzoheshe. Ndoshta ishte koha për t’u përballur me gabimet dhe për të paguar për to.

Po cilat ishin ato gabime? Dhe të kujt?

Ndonjëherë, kur ndjen se nuk ka asgjë më për të bërë, dhe se vetëm dhimbja më e thellë mbetet për të vuajtur, koha ndalon.

Ishin ndezur aq neonë në qiellin e lartëm të Tel Avivit. ca vite më parë kur ai fitoi çmimin si “Smartest City in the World” saqë drita e hënës atë mbrëmje dukej si e hedhur tutje, përtej dritareve të një kulle gjigande në qytet që lëshonte hijerëndë prozhektorin e madh shumëgjyrësh në tarracën e saj.

Nata mbretëronte aq e paqtë, megjithëse poshtë jeta lëvrinte me gjithë damarët e saj. Një natë e ndriçuar prej mijra flakësh e pikash të arta në të cilën kujtoj se mezi munda të përvjedh një copëz të rreme qielli e të mbyllur nën kube. Organot e mëdha që mbushnin atë hapësirë nate me tinguj ahmarrës, bënin të jehonte mbi kokat tona një imitim i zërit të Zotit.

Ishte mijëvjecari i tretë.

E tërë jeta ishte aty. Do doja kaq shumë që së bashku ta kthenim ate mbrapsht.

Përzgjidhet logoja e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut!

Autorja është arkitektja Ejona Karkini.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Përzgjidhet logoja e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut!

Autorja është arkitektja Ejona Karkini.