Një faqe e re e historisë së demokracisë në Europë

Zgjedhjet më të rëndësishme për këtë vit në Europë ishin ato të zhvilluara në Poloni, në mesin e muajit tetor.


Nga Ditmir Bushati

Zgjedhjet më të rëndësishme për këtë vit në Europë ishin ato të zhvilluara në Poloni, në mesin e muajit tetor. Pas tetë vjetësh në pushtet, partia konservatore Ligj dhe Drejtësi u mposht nga një koalicion i shumëngjyrësh opozitar, i udhëhequr nga ish-Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk. Pjesëmarrja ishte 74%, më e larta e regjistruar që nga viti 1989, kur u rrëzua regjimi komunist. Megjithëse Polonia ka vite që është anëtare e BE-së, zgjedhjet u vlerësuan nga OSBE-ODIHR si “të lira, por jo të ndershme”.

I njëjti vlerësim si zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1989. Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 1989 ku mbizotëronte shpresa për ndërtimin e një të ardhme demokratike brenda Bashkimit Europian, në zgjedhjet e tetorit të vitit 2023, polakët u mobilizuan brenda e jashtë vendit nga frika e rrëshqitjes së Polonisë në kthetrat e autoritarizmit. Prandaj, rezultati i zgjedhjeve konsiderohet një lajm i mirë për Poloninë dhe kthimin në një sistem demokratik, më shumë sesa në kërkim të një të ardhmeje të panjohur.

Duke pasur parasysh faktin që Polonia është anëtari i pestë më i madh i BE-së, rezultatet e zgjedhjeve hapin një faqe të re për historinë e demokracisë në Europë. Projekti i së djathtës ekstreme në Europë mori një goditje. Rezultatet e zgjedhjeve në Poloni tregojnë se qeveritë si ato të Hungarisë dhe Sllovakisë nuk janë një tipar i përhershëm i politikës europiane. Që pas ardhjes në krye të punëve të vendit në vitin 2015, konservatorët u përfshin në një kurs përplasje me drejtësinë, duke shkarkuar magjistratët, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese dhe ndërhyrë në procesin e emërimeve.

Shumica qeverisëse vendosi nën kontroll të plotë median publike, administratën dhe ndërmarrjet publike. Të drejtat e grave, veçanërisht e drejta për abort, u kufizuan ndjeshëm, duke e çuar Poloninë në një drejtim konservator. Kjo solli edhe përplasjen e Polonisë me Brukselin dhe erozonin në rritje të demokracisë. Projektet kërkimore, të tilla si “Freedom House” apo Indeksi i Transformimit Bertelsmann kanë nxjerrë në pah rrëshqitjen e vazhdueshme të Polonisë në standardet demokratike që kanë të bëjnë me transformimin politik, ndarjen e pushteteve dhe performancën e institucioneve demokratike.

Teksa shumica qeverisëse promovonte një agjendë politike që denigronte në thelb shtetin e së drejtës, BE-ja e kishte të vështirë të merrte masa ndëshkuese ndaj Polonisë e njëkohësisht të mbronte e promovonte sundimin e së drejtës me shtetet kandidate për anëtarësim në BE. Përplasja me BEnë në Poloni përkthehej si ndërhyrje në çështjet e brendshme dhe në ushtrimin e sovranitetit kombëtar. Në realitet bëhej fjalë për reduktimin e llogaridhënies dhe asfiksimin e pushteteve të tjera. Periudhën e fundit BE-ja vendosi pezullimin e disbursimit të një pjese të fondit të rimëkëmbjes nga COVID për Poloninë, derisa kjo e fundit të hidhte hapa konkret drejt rivendosjes së drejtësisë së pavarur.

TEJKALIMI I NJË SISTEMI JOLIBERAL

Qeveria që pritet të formohet nga zgjedhjet në Poloni do të ketë dy përparësi të mëdha:

(i) rivendosja e besimit të publikut në institucionet demokratike;

(ii) zbutja e polarizimit politik e shoqëror në kushtet kur rreth 1/3 e qytetarëve kanë votuar për partinë konservatore në pushtet.

Në një mënyrë a tjetër, qeveria e re do të përballet me një sfide të re. Asaj do t’i duhet të çmontojë një sistem joliberal që u krijua në vitet e fundit me mjete në dukje demokratike. Historia e Europës përmban shumë shembuj të transformimit politik drejt demokracisë, si nga autoritarizmi i krahut të djathtë (Portugali, Spanja, Greqia) ashtu edhe nga komunizmi (ish-Blloku Lindor) ose nacional-socializmi (Gjermani, Austri). Por tejkalimi i një sistemi joliberal që pretendon se është demokraci, është një territor i pashkelur që mund të sjellë sfida më të mëdha se rastet e mëparshme. Arsyeja duhet kërkuar tek fakti se tanimë nuk ekziston një organ i pavarur për të monitoruar veprimet politike.

Ndërkohë, përpjekjet qeverisë së re për reforma kanë nevojë për autoritete mbikëqyrëse, ndikimi i të cilave do të tregonte rrugën e duhur përpara për rindërtimin e rendit liberal. Në këtë kontekst janë disa pyetje që kërkojnë përgjigje: Mbi çfarë baze ligjore duhet të bëhet rindërtimi institucional? A justifikon situata e jashtëzakonshme mjete të pazakonta, apo mjete që testojnë kufijtë e legjitimitetit? Tejkalimi i joliberalizmit në një mënyrë liberale paraqet një sfidë të madhe që kërkon guxim politik dhe këmbëngulje nga qeveria e re polake, popullariteti i së cilës pritet të testohet në zgjedhjet vendore të prillit dhe zgjedhjet për në Parlamentin Europian të majit, vitin e ardhshëm.

BE-ja duhet ta ndjekë këtë betejë nga afër, pasi rezultati i saj do të formësojë ndjeshëm edhe të ardhmen politike të kontinentit. Në të shkuarën, për shkak të përplasjes me Poloninë dhe Hungarinë, BE-ja e kishte të pamundur të mbronte dhe promovonte sundimin e së drejtës brenda radhëve të saj dhe në raport me vendet kandidate. Me ndryshimin e qeverisë si pasojë e zgjedhjeve parlamentare, Polonia mund të shërbejë si katalizator i procesit të zgjerimit të BE-së dhe përcaktues i standardeve më të larta në këtë proces.

ZGJERIMI I BE-SË DHE ROLI I PRITSHËM I POLONISË

Edhe pse partia në pushtet e ka pranuar humbjen, tranzicioni i pushtetit nuk pritet të jetë i shpejtë dhe i lehtë. Presidenti aktual, i zgjedhur me mbështetjen e partisë në pushtet do të jetë në detyrë deri në mesin e vitit 2025. Ai ka mundësinë jo vetëm të vonojë formimin e qeverisë së re, por edhe të kundërshtojë reformat e kësaj të fundit, duke ushtruar veton presidenciale.

Mbetet të shihet me interes programi dhe përparësitë e qeverisë së re për drejtimin e ardhshëm të BE-së gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, veçanërisht në politikën e jashtme, mbrojtjen dhe sigurinë, sikundër ndërveprimi i Presidentit me qeverinë e re në ushtrimin e politikës së jashtme. Qeveria aktuale ka përcaktuar tri elemente të rëndësishme për drejtimin e ardhshëm të BE-së:

(i) forcimin e marrëdhënieve transatlantike;

(ii) sigurinë energjetike;

(iii) zgjerimin.

Debutimi i i qeverisë së re polake pritet të jetë në Samitin e dhjetorit të BE-së, i cili do të marrë vendime në lidhje me zgjerimin. Me gjithë mbështetjen e vazhdueshme politike dhe ushtarake të Polonisë për Ukrainën, sikundër mikpritjen për afro një milion refugjatë ukrainas, raportet e tendosura me BE-në e kanë penguar Varshavën nga ushtrimi i një roli më me ndikim në Bruksel në një kohë sfidash të paprecedentë me të cilat përballet BE-ja.

Në kohën kur agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka zhvendosur qendrën e rëndesës të BE-së në lindje, rikthimi i Polonisë në rrjedhat kryesore europiane ka një rëndësi ekzistenciale. Pas BREXIT, Gjermania ishte në kërkim të një partneri, veçanërisht në tregun e brendshëm, por Polonia nuk ishte e gatshme. Partia konservatore në pushtet në Poloni luftoi në dy fronte ndaj Rusisë në lindje dhe Gjermanisë në Perëndim. Me ndryshimet politike në Poloni, rikonceptimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve gjermano-polake sot është po aq i rëndësishëm për të ardhmen e BE-së sa ishte afrimi midis Gjermanisë dhe Francës pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Polonia po bëhet një lojtar ushtarak gjithnjë e më i fortë, kritikat e së cilës ndaj Rusisë shihen me një ndjenjë korrektësie në Gjermani. Gjermania është e angazhuar për reformimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Ndërkohë, vitet e fundit, Franca ka ndryshuar gjithashtu në mënyrë strategjike qasjen e saj për reformimin dhe zgjerimin e BEsë. Vështruar në këtë kontekst, pritet riaktivizimi i Trekëndëshit të Weimarit si një aleancë rajonale e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë e krijuar në vitin 1991, me synim nxitjen e bashkëpunimit midis tri vendeve në çështjet ndërkufitare dhe europiane. Një Poloni e kthyer në rrjedhat europiane mund të jetë një forcë kritike në rishpikjen dhe zgjerimin e BE-së.

Në vitet ‘70, me procesin e Helsinkit dhe pas fundit të Luftës së Ftohtë, objektiv ishte ndërtimi i arkitekturës europiane të sigurisë me Rusinë. Sigurisht, kjo nuk nënkuptonte se nuk do të kishte zgjerim. Zgjerimi ndodhi. Zgjerimi drejt Europës Qendrore dhe Lindore, zgjerimi i NATO-s, por gjithmonë ishte me synimin për të mbajtur Rusinë disi të angazhuar. Mbase në një rreth pak më të largët, sepse nuk mund të trajtohej si shtetet e tjera europiane, por të mbahej e angazhuar si pjesë e të njëjtit rend. Me shpërthimin e luftës në Ukrainë dhe me ndërgjegjësimin se duhet ndërtuar arkitektura europiane e sigurisë, përballë një Rusie që përbën kërcënim, çështja e zgjerimit si urgjencë strategjike është rikthyer në agjendë, sepse nuk ka më mundësi për shtete në zonë të ndërmjetme. Ose je me njërën anë, ose me anën tjetër.

Kështu që procesi i zgjerimit konsiderohet si një nevojë urgjente. Në dallim nga vendet e Ballkanit Perëndimor, procesi i zgjerimit të BE-së me Ukrainën ka të bëjë me rindërtimin e saj të shkatërruar nga lufta. Për shkak të madhësisë së Ukrainës dhe fermave të mëdha të “tipit Teksas”, anëtarësimi i Ukrainës në BE i kthen vendet e lindjes nga përfituese në kontribuuese të fondeve të BE-së. Si pasojë e zbatimit të politikës së përbashkët bujqësore të BE-së, segmente të shoqërisë polake do të ndjehen të humbura. Ndaj, është i rëndësishëm kompensimi i tyre, në mënyrë që procesi i zgjerimit të mos shkaktojë kundërshti e polarizim.

Gjatë viteve ’80, Polonia u bë inspiruese e ndryshimeve epokale në Europë. Sot, sërish Polonia mund të jetë një forcë shtytëse për konsolidimin e projektit europian dhe për hapjen e një faqeje të re të historisë së demokracisë në Europë. *Analiza është botim i fondacionit “Friedrich Ebert”.

Lexo më shumë nga

Koçiu: Njësi e lëvizshme për dhurim vullnetar të gjakut

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare…

Global 360

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj

Kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë e parakalimit të ushtarëve të FSK-së dhe policisë së Kosovës për nder të 25-vjetorit të…

Diplovista

Hasani për median vendase: Rumania vend partner në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, intervistë për median rumune “CaleaEuropeană.ro”.

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria, emigrantët dhe BE

Ndërsa procesi i votimit në vendet e BE edhe pak i afrohet fundit, pak ditë më parë kryeministrja e Italisë,…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Koçiu: Njësi e lëvizshme për dhurim vullnetar të gjakut

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare…