Savo Zllatiç, i besuari i Titos në “lojën” kundër Enver Hoxhës për të vendosur dinarin në Shqipëri

“Marshalli” Tito e kishte skicua Shqipërinë, si vendi i shtatë Federatës së Republikës Jugosllave.


Nga Kreshnik Kuçaj, SCAN TV

Rruga për në Moskë, kalon nga Beogradi!

Kjo shprehje qarkullonte shumë nëpër Ballkan, në mesin e viteve ’40 kur sapo kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Kjo shprehje nënkuptonte se pika e kontaktit të një prej superfuqive më të mëdha botërore, Bashkimit Sovjetik, ishte Jugosllavia e drejtuar nga një marshall, Josif Broz Tito.

Nisja e konfliktit mes Titos dhe Stalinit i detyroi vendet e tjera të Ballkanit që të pozicionoheshin.

E në këtë betejë, Shqipëria mbajti anën e Stalinit, duke eleminuar një projekt të Jugosllavisë, që e skiconte Shqipërinë, si Federatë të 7-të të Republikës Jugosllave.

Ky proces distancimi mes dy vendeve të afërta, do të ishte i dhimshëm, i shoqëruar nga një shah politik, ku ushtarët dilnin nga fusha e lojës përmes ekzekutimit…

Vendi i parë me të cilin Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike pas Luftës së Dytë Botërore ishte Jugosllavia. Regjimi i ri jugosllav e njohu regjimin e Tiranës më 28 prill 1945. Në të dy vendet në pushtet ishin partitë komuniste, me një përvojë bashkëpunimi që gjatë periudhës së luftës ku ishte vendosur një mision ushtarak jugosllav.

Po ashtu, komunistët jugosllavë konsiderohen si faktor i rëndësishëm në krijimin e Partisë Komuniste shqiptare që do të merrte pushtetin. Ajo që duhet evidentuar është se Jugosllavia nuk ishte Serbia, edhe pse Beogradi ishte qendra e pushtetit.

Tito si drejtues i Jugosllavisë, ishte kroat me origjinë dhe sa ishte në pushtet, arriti të mbante nën kontroll të gjitha rrymat e grupimet që përbënin federatën e drejtuar prej tij.

Gjatë pushtetit të tij, Tito arriti të mbante larg nacionalizmin serb, pasi interesat e tij politikisht ishin të ndryshme dhe më të mëdha sesa ato që përfaqësonte republika serbe apo doktrinat që qarkullonin ato kohë.  Në periudhën ‘45-‘48 marrëdhëniet mes dy vendeve njohën bashkëpunim.

Gjatë këtyre viteve, Shqipëria u konsiderua si një satelit i Jugosllavisë.  Në periudhën 23 qershor-2 korrik 1946 kryeministri Enver Hoxha zhvilloi vizitë në Beograd, i shoqëruar nga 10 personalitete shqiptare të kohës, por gjatë kësaj vizite shmangu Kosovën.

Në korrik të vitit 1946, Jugosllavia dhe Shqipëria nënshkruan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi. Traktati u pasua nga një seri marrëveshjesh teknike dhe ekonomike që synonin integrimin e ekonomive shqiptare dhe jugosllave.

Paktet siguruan koordinimin e planeve ekonomike,unifikimin doganor, standardizimin e sistemeve monetare dhe krijimin e një sistemi të përbashkët çmimesh.

Në cilësinë e ekspertëve, të dërguarit jugosllavë u vendosën në institucionet e shtetit shqiptar.  Në Shqipëri nuk mungonin as reagimet kundër këtij bashkëpunimi, ashtu sikurse edhe mediat e huaja që nuk ngurruan që ta cilësojnë këtë marrëveshje si projekt skllavërimi për Shqipërinë.

Gazetat turke e franceze e cilësuan këtë marrëveshje si të ngjashme me politikat e Musolinit në Itali apo si një nisje të planit të marshallit Josip Broz Tito për dominimin e Ballkanit.

E në fakt, Tito, një personazh atipik i politikës së Ballkanit kishte ambicie për të qenë një lojtar i dorës së parë në politikën botërore.

Kjo “lojë” e Titos do të sillte më pas edhe përkeqësimin e marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik e si rrjedhojë do të krijonte edhe mundësinë që Shqipëria t’i shmangej projektit që e parashikonte vendin si republikë të Jugosllavisë.

Prishja e marrëdhënieve

Prishja e marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë solli edhe prishjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Në vitin 1948 Bashkimi Sovjetik përjashton Jugosllavët nga “Kominformi” dhe në këtë moment, Shqipëria nga vend satelit i Jugosllavisë arriti të siguronte kontaktin dhe mbështetjen direkte të qendrës së drejtuar nga Stalini, duke arritur të siguronte nga ky i fundit edhe zëvëndësimin e mbështetjes ekonomike të humbur nga jugosllavia.

Sovjetikët dhanë ndihmë ekonomike dhe ushqimore duke mbuluar nevojat dhe mungesat e shkaktuara nga ndërprerja e ndihmës jugosllave.

Gjithashtu ata i ofruan regjimit të Hoxhës mbrojtje ushtarake kundër Jugosllavisë fqinje dhe kundër Perëndimit në një kohë kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj.

Për arsye se Shqipëria nuk ishte në kufi me Bashkimin Sovjetik, rreziku i pushtimit ishte i vogël dhe udhëheqja komuniste shqiptare ishte shumë e përqendruar në ruajtjen e pavarësisë formale të vendit.

E përfshirë në sferën sovjetike, Shqipëria hyri një periudhë izolimi të thellë nga pjesa tjetër e botës.Në këtë moment, nis ngrica në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit.

Qeveria komuniste shqiptare pati një luftë të brendshme në vitin 1948, që përfundoi me ekzekutimin e një pjese të madhe të byrosë politike, e cila u akuzua si pro-jugosllave.

 “Joint Venture” Shqipëri-Jugosllavi

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë u konkretizua me nënshkrimin e përbashkët të një konvente ekonomike mes dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua në vitin 1946 dhe ndër të tjera, ajo parashikonte krijimin, në tokën shqiptare, të shoqërive ekonomike të përbashkëta të cilat do të vepronin si shoqëri aksionare, me pronësi shqiptare dhe jugosllave.

Në bazë të kësaj marrëveshje u parashikua krijimi i 6 shoqërive: Shoqëria për Ndërtimin dhe Shfrytëzimin e Hekurudhave, Shoqëria për Nxjerrjen dhe Prodhimin e Naftës, Shoqëria për Zbulimin e Shfrytëzimin e Mineraleve dhe Përdorimin e Metaleve, Shoqëria për Elektrifikimin dhe Shfrytëzimin e Energjisë Elektrike, Shoqëria për Lundrimin Detar, Shoqëria Tregtare e Importit dhe e Eksportit si dhe Banka Shqiptaro-Jugosllave.

Sipas marrëveshjes, shoqëritë do të organizoheshin mbi bazë barazie në krijimin e fondeve themelore e xhiruese, në përbërjen e këshillave administrative dhe në ushtrimin e veprimtarisë së tyre ekonomike për një periudhë kohe 30 vjeçare. Pala shqiptare do të merrte pjesë në këto shoqëri me ndërmarrjet që ekzistonin, me ato që po krijoheshin, me tokat, pyjet, ndërtesat e instalimet e ndryshme. Pala jugosllave, kuotën e saj do të plotësonte me furnizimin e pajisjeve e të makinerive, të materialeve të ndryshme etj. Në marrëveshjen mbi krijmin e shoqërive aksionare u parashikua që ato të gëzonin gjendjen juridike shqiptare dhe te vepronin sipas ligjeve të Shqipërisë.

Dy studiuesit që kanë analizuar këtë periudhë Iljaz Fishta e Veniamin Toçi evidentojnë se “duke përfunduar marreveshjen për krijimin e shoqërive të përbashkëta, qeveria shqiptare u nis nga qëllimi që të zbuloheshin e të shfrytëzoheshin sa më gjerë në dobi të zhvilimit ekonomik, burimet natyrore të vendit”

Ndërkohë, ata mbajnë qendrimin se udhëheqja jugosllave kishte në fakt një qëllim tjetër, e për këtë arsye, bashkëpunimi nuk funksionoi e kompanitë e përbashkëta rezultuan të dështuara.

Shoqëritë e përbashkëta u krijuan me fillimin e vitit 1947. Praktikisht shoqëritë filluan veprimtarinë e tyre kryesisht me ato fonde themelore dhe mjete që kishte vënë pala shqiptare.

Në bazë të marrëveshjeve e të protokolleve qeveria jugosllave duhej të investonte në vitin 1947 për shoqëritë e përbashkëta një shumë prej 600 milion lekësh, kryesisht makineri e pajisje.

Këto investime nuk u realizuan. Edhe ato pak fonde që u dhëna ishin kryesisht mallra konsumi të cilat pasi u shitën në rrjetin e tregtisë me pakicë u derdhën në bankë nga fundi i vitit 1947. Shoqëritë e përbashkëta praktikisht u financuan nga buxheti i shtetit shqiptar.

Kompania shqiptaro-jugosllave për naftën

Në bazës të një marrëveshje të muajit nëntor 1946 u krijua Shoqëria e Përbashkët për Kërkimin e Shfrytëzimin e Naftës. Objekti i veprimtarisë së saj ishte kërkimi dhe zbulimi I naftës dhe I gazit në vendin tonë, shfrytëzimi industrial i burimeve të naftës, të gazit dhe të bitumit si dhe përpunimi i tyre.

Pala jugosllave duhej të kontribuonte me para, me makineri e me ndihmë teknike për të zgjeruar kërkimet, për të shtuar prodhimin e për të ngritur e përsosur instalimet e nevojshme për shfrytëzimin e përpunimin të naftës në vend.

Studiuesit e njohur Fishta dhe Toçi, evidentojnë se qeveria jugosllave nuk e derdhi sasinë e parave e as nuk dërgoi sasinë e materialeve që ishin parashikuar në planet e vitit 1947 dhe 1948. Studiuesit e njohur kanë dalë në konkluzionet se materialet e dërguara kanë përfaqësuar vetëm 15 përqind të parashikimeve për vitin 1947 dhe 3.74 për qind të parashikimeve të planit të vitit 1948.

Bashkëpunimi në këtë kompani do të shoqërohej jo pak nga përplasje, të cilat do të kulmonin me përkujtesa e deklarata të shumta ku kërkohej që palës së huaj t’i tërhiqej vëmendja për mospërmbushjen e detyrimeve, për mosdhënien e fondeve për investime të parashikuara dhe për mosfurnizimin e materialeve sikurse parashikohej në marrëveshjen fillestare.

Për shkak se pala jugosllave nuk bëri investimet që i takonin, nuk furnizoi makineritë e materialet e parashikuara në plan dhe për shkak se specialistët jugosllavë u konsideruan si sabotatorë. E puna kërkimore në këto vite, ashtu sikurse edhe nxjerrja e naftës, u përballen me mosrealizime. Plani i vitit 1947 dhe 1948 për nxjerrjen e naftës nga vendburimi i Kuçovës, ai i Selenicës dhe ai i Patosit nuk u realizua dhe pati një deficit të thellë.

Kompania shqiptaro-jugosllave për mineralet

Një shoqëri tjetër e përbashkët e krijuar me një marrëveshje po të muajit nëntor 1946 ishte Shoqëria për Kërkimin e Shfrytëzimin e Mineraleve. Objekt i veprimtarisë së shoqërisë ishte kërkimi dhe shfrytëzimi i pasurive të nëntokës shqiptare: mineralet, qymyrguri, lëndët e para me origjinë minerale për industrinë kimike etj.

Për këtë qëllim shoqëria do të zhvillonte punime gjeologo-kërkuese do të përgatiste për shfrytëzim industrial vendburimet e zbuluara, do të organizonte punën për shfrytëzimin e tyre, do të ngrinte ndërmarrje metalurgjike për përpunimin e mineraleve e të pasurive të tjera nëntokësore.

Ashtu si me kompanitë e tjera, edhe në këtë rast qeveria jugosllave nuk dha makineritë dhe paratë për të cilat kishte marrë angazhim, duke bërë që edhe plani i parë I qeverisë komuniste shqiptare të rezultonte me mosrealizime e praktikisht I dështuar.

Kompania shqiptaro-jugosllave për elektrikun

Me një marrëveshje tjetër po të muajit nëntor 1946 u krijua Shoqëria e Përbashkët e Elektrikut e cila nisi nga puna në fillim të vitit 1947. Shoqëria kishte misionin për studimin e mundësive për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri, ndërtimin e instalimeve për prodhimin e shpërndarjen e energjisë elektrike si dhe shfrytëzimin e instalimeve të prodhimit e të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Shoqëria mori përsipër gjithashtu ndërtimin e hidrocentralit të Selitës në Tiranë, me kapacitet prodhues sa të përmbushte nevojat e kryeqytetit për energji elektrike.

Edhe në këtë rast, studiuesit e njur shqiptare evidentojnë se qeveria jugosllave nuk i zbatoi zotimet për derdhjen e fondeve për kryerjen e investimeve dhe për furnizimin me pjesë ndërrimi e me materiale të nevojshme.

Ndërtimi i hidrocentralit të Selitës do të përballej me vonesa e vështirësi duke bërë që finalizimi i kësaj vepre të realizohej me mjete e materiale që iu morën sektorëve të tjerë të ekonomisë së vendit.

Kjo pati pasoja për ekonominë e Shqipërisë pasi pengoi zbatimin e planitt ë zhvillimit të industrisë elektrike.

Kompania shqiptaro-jugosllave për hekurudhat

Në nëntor të vitit 1946 u përfundua marrëveshje për krijimin e Shoqërisë së Përbashkët të Ndërtimit dhe shfrytëzimit të Hekurudhave.

Në fakt në atë periudhe në Beograd ishte hartuar një projekt për shtrirjen e hekurudhave jugosllave në gadishullin ballkanik, në mënyrë të veçantë në Shqipëri e Bullgari.

Studiuesit Iljaz Fishta dhe Veniamin Toçi shkruajnë se nga pala jugosllave pati sabotime për hekurudhat Durrës-Tiranë dhe Durrës-Peqin.

Edhe në këtë rast, qeveria shqiptare u detyrua të bëjë rishikime buxhetore duke alokuar fonde të tjera për të finalizuar ndërtimin e hekurudhave. E në fakt, një nga hekurudhat më të famshme të kohës, ajo Durrës-Peqin u ndërtua me pajisje të vjetra e të konsumuara fizikisht, duke qenë të papërshtatshme për të kryer funksionin e kërkuar.

Si pasojë e pasigurisë që paraqiste kjo hekurudhë, trenat qarkulluan me 50 % të shpejtësisë ndërsa 12 kilometra të saj kishin shina të pasigurta si rrjedhojë e përdorimit të materialeve të papërshtatshme.

Gazetari Kreshnik Kuçaj, SCAN TV

 

Kompania shqiptaro-jugosllave import-eksport

Një shoqëri tjetër e përbashkët ishte Shoqëria e Importit dhe Eksportit e cila u krijua me një marrëveshje të muajit tetor 1946. Ajo e kishte qendrën në Tiranë kurse në Beograd kishte një degë kryesore. Shoqëria do të merrej me importin dhe eksportin ndërmjet Shqipërisë e Jugosllavisë.

Në aktin e miratimit të shoqërisë të nënshkruar më 15 shkurt 1947 shoqëria e mësipërme nuk e kishte të drejtën e monopolit të tregtisë sonë të jashtme dhe në thelb kishte .

Veprimtaria e saj de jure shtrohej kryesisht në tregtinë e jashtme ndërmjet dy vendeve.

Banka shqiptaro-jugosllave

Zhvillimi i veprimtarisë ekonomike të shoqërive të përbashkëta kërkonte mbështetjen e nevojshme edhe me anë të kredive bankare afatshkurtëra e afatgjata.

Për këtë qëllim, në bazë të një marrëveshje të veçantë të muajit nëntor 1946 u krijua banka shqiptaro-jugosllave me qendër në Tiranë dhe me degë kryesore në Beograd. Fondi I bankës u parashikua të ishte 6 milion franga I ndarë në 600 aksione emërore të patregtueshme me vleftë emerore secili 10 mijë franga, në përpjestimin 50 për qind për secilën palë.

Në përputhje me këtë marrëveshje me 24 shkurt 1947 u bë mbledhja  parë e asamblesë dhe u themelua Banka Shqiptaro-jugosllave.

Kur kjo bankë nisi veprimtarinë e saj ajo u ndodh para presionit të shoqërive të përbashkëta për kredi dhe kjo rëndoi mbi qeverinë shqiptare.

Pala jugosllave nuk derdhi kuotat e saj edhe pse pretendonte se ishin derdhur. Deri në fund të qershorit 1947 shoqëritë e përbashkëta kanë përdorur 10 milion e 430 mijë franga kredi të dhëna nga Shqipëria.

Kreditë e përdorura deri në këtë periudhë nga shoqëritë e përbashkëta kanë qenë nga shoqëria e naftës, shoqëria e minierave dhe shoqëria e hekurudhave. Në këtë shumë kredia, pjesën më të madhe e dha banka e shtetit shqiptar, 8 milion e 530 mijë franga, kurse 1 milion e 900 mijë franga ishin kredi nga banka sghqiptaro-jugosllave.

Veprimtaria e bankës shqiptaro-jugosllave qe e kufizuar. Për më tepër duke qenë se pala jugosllave nuk e derdhi kuotën që i takonte, fondet që u dëshën për veprimtarinë e kësaj banke rënduan mbi shtetin shqiptar.

“Sakrifikimin” jugosllav i Frangut dhe vendosja e lekut

Problemi i parë që lindte në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve ekonomike shqiptare jugosllave ishte barazimi i monedhave të të dy vendeve. Pengesë ishte shkalla e ndryshme e zhvillimit ekonomik, niveli i ndryshëm i pagave të punonjësve dhe çmimi i ndryshëm i mallrave në të dy vendet.

Një ekip i posaçëm ekspertësh ekonomie ndërsa po diskutohej kjo çështje analizoi se kostoja e jeteses në një familje prej 4 vetësh në Tiranë ishte rreth 408 franga shqiptare ndërsa në Beograd rreth 5200 dinarë. Mbi bazën e këtij studimi, raporti real ndërmjet frangës dhe dinarit ishte 1 frang baraz me 12.5 dinarë.

Në fund të negociatave u la që 1 frang të ishte i barabartë me 9 dinarë jugosllavë.  Për të realizuar barazimin e dy monedhave në korrik të vitit 1947 sistemi monetar i Shqipërisë me bazë frangun u zëvëndësua me sistemin monetary me bazë lekun sipas këtyre raporteve, 1 frang baraz me 9 lekë, baraz me 9 dinarë.

Në këtë mënyrë, emri Frang i monedhës shqiptare doli nga qarkullimi duke lënë vetëm emërtesën lek.

Në të vërtetë barazimi i lekut me dinarin mbeti i rremë sepse vlera e lekut në treg ishte më e fortë se ajo e dinarit.

Dëmet që iu shkaktuan Shqipërisë nga barazimi joreal i lekut me dinarin qenë të mëdha. Vetëm si pasojë e vendosjes së raportit të këmbimit në dëm të lekut ekonomia shqiptare llogaritet që të ketë humbur 882 milionë lekë.

Boshatisja e tregjeve shqiptare e mbushja me dinarë pa vlerë

Problemi i dytë i madh që u krijua në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë ishte njësimi i çmimeve mes dy vendeve. Në Shqipëri kishte disa produkte që për shkak të lëndës së parë kushtonin më lirë se në Jugosllavi ndërsa disa mallra që do të vinin nga Jugosllavia nuk mund të shiteshin me të njëjtin çmime sepse kostos i shtohej edhe transporti.

Kjo do t’i sillte humbje vetëm ekonomisë shqiptare. Duke njësuar çmimet, qeveria shqiptare u detyrua që të subvenciononte nga buxheti i saj humbjet që rezultonin nga diferenca e çmimeve.

 

Njësimi i çmimeve do të bënte që vendi ynë të hiqte dorë nga politikat e pavarur në caktimin e çmimeve duke pasur në këtë mënyrë edhe një krizë të re, atë të inflacionit.

Një masë tjetër e konventës ekonomike ishte edhe unifikimi doganor. Në këtë kohë, në tregun e lirë kishte shumë produkte manifakture, lëndë ndërtimi, pije alkoolike e produkte bujqësore.

Heqja e kufijve doganore dhe qarkullimi i lirë i dinarit në Shqipëri krijoi mundësinë që spekulantë të ndryshëm jugosllavë të kishin akses në produkte dhe të boshatisnin në një kohë të shkurtër tregun shqiptar. Si rrjedhojë kjo solli një rritje të menjëhershme të çmimeve dhe përkeqësimin e jetesës në Shqipëri. Arka e shtetit shqiptar u mbush me dinarë pa vlerë e vendi u prek nga një krizë e thellë inflacioni.

Përballë kësaj situate që kiste krijuar pakenaqësi të mëdha në vend. Sinjalet ishte se Shqipëria po rrezikonte të përsëriste historinë e mëparshme me Italinë, ku depërtimi ekonomik dhe varësia u finalizuan me pushtimin e vendit në 1939. Edhe në këtë rast, zyrtarët shqiptarë të kohës evidentojnë se projekti ishte që Shqipëria të ishte Republika e 7-të e Jugosllavisë.

Në fund të këtij bashkëpunimi, Shqqipëria pësoi humbje nga barazimi i monedhave, deficite në sektorët më të rëndësishën të ekonomisë, mosrealizim planesh ekonomike, etj.

Ndarja e madhe në kampin komunist me Stalinitdhe Titos, do të sillte si rrjedhojë një ndryshim kursi, ku rruga e Tiranës për në Moskë, nuk do të kalonte më përmes Beogradit.

Savo Zllatiç

 

Një lojtar shahu, gur në lojën Tito-Enver

Projektin e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë, Tito ia besoi Savo Zllatiç, një lojtari të njohur shahu, por që në politikë, do të rezultonte se do të ishte më shumë një gur në shahun Tito-Enver sesa një lojtar.

Zlatiç lindi në vitin 1912 dhe u nda nga jeta në vitin 2007. Ai ishte një mjek me origjinë kroate duke qenë ndër mjekët e parë që u bë partizan në Jugosllavi gjatë luftës së dytë botërore.

Duke qenë një funksionar i lartë politik gjatë luftës, në periudhën e pasluftës atij iu besua detyra e komisarit për çështjet ekonomike në Shqipëri. Praktikisht, në vitin 1946 ai u emërua si i dërguari kryesor i Titos në zbatimin e Konventës Ekonomike që ishte nënshkruar me Shqipërinë.

Në librin e tij Titistët, të publikuar në vitet ’80, Enver Hoxha e cilëson atë si një dhelpër dhe si një mbështetës të fortë të interesave të Titos në Shqipërinë që duhej të zgjidhte mes tij dhe Stalinit.

Goditjen e re, që njihet në histori si akuza e parë e Titos kundër Partisë sonë, udhëheqja jugosllave e drejtoi në fund të qershorit 1947 nëpërmjet të dërguarit të saj kryesor në Shqipëri, famëkeqit Savo Zllatiç. Kishte disa kohë që ky misionar i lartë jugosllav kishte ardhur te ne, si i deleguar i Komitetit Qendror  të Partisë Komuniste Jugosllave, i rekomanduar nga Titoja e njerëzit e tij, si një shok «shumë i mirë», «me eksperiencë të madhe në punët e Partisë», «ekspert në çështjet e ekonomisë», «organizator e koordinues i kualifikuar» etj.

Shkurt, ky na qenkësh një person me veti kaq të gjithanshme, sa neve na mbetej të mendonim se Jugosllavia do të dobësohej e do të sakrifikonte shumë që e dërgonte këtë «mrekulli» te ne, por, ama, do të na forcohej Shqipëria!

Në të vërtetë, Savo Zllatiçi u dërgua të drejtonte të gjithë veprimtarinë jugosllave në Shqipëri. Ai erdhi të merrte krejt frenat në dorë për sulmin përfundimtar që po përgatitnin titistët kundër lirisë e integritetit tonë, dhe, me siguri, në përfytyrimet e udhëheqjes jugosllave, luante rolin e mëkëmbësit perandorak në «provincën shqiptare».

De jure ai merrej me lidhjet zyrtare në Shqipëri, por de facto ai merrej me çështjet politike, ekonomike, ushtarake, agjenturore etj. Të gjithë nënshtetasit jugosllavë, të cilët punonin në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, ishin nën urdhrat e tij. Ai ishte «përgjegjësi» për çdo punë partie e për çdo veprimtari tjetër të anëtarëve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë që punonin te ne.

Të mos ia hamë hakun, ishte dhelpër. E filloi punën e tij me shumë takt dhe diplomaci. Dinte të tregohej si një shok që nuk do të trazohej në çështjet e Shqipërisë dhe të Partisë sonë Komuniste.

— Por, — na tha, — do të jem gjithmonë në dispozicionin tuaj për t’ju ndihmuar, kur dhe sa herë do ta ndieni nevojën. Tregohej i qetë, autoritar, serioz, fliste ngadalë dhe fjalët e tij ishin të matura, shumë të studiuara dhe tërë xhentilesë” shkruante Hoxha.

Zllatiç, nga Hoxha cilësohet si mbështetës i zjarrtë i Titos, e në fakt, pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, ai rikthehet në Jugosllavi me një detyrë shumë të lartë, atë të Ministrit të Industrisë. Por në këtë detyrë do të qendronte shumë pak.

Ndryshe nga Shqipëria që e akuzonte si mbështetës të Titos, në vendin e tij ai akuzohet si mbështetës i hapur i Stalinit e për këtë përjashtohet nga partia e funksionet politike dhe dënohet me 2 vite burg, që i kryen në një burg të fshehtë në Goli Otok, një ishull i shkretuar që përdorej për këtë qëllim.

Kundrejt një pendese publike pas kryerjes së dënimit, ai u rikthye në aktivitetin publik, por tashmë jo si politikan por si mjek dhe shahist.

Krahas karrierës së shquar në mjekësi në Jugosllavi, Zllatiç filloi të ushtrojë sportin e tij të preferuar, shahun, ku nga amator u bë profesionist duke arritur të fitojë 4 medalje ari dhe duke u bërë lojtar ndërkombëtar, duke braktisur përjetësisht shahun politik, tek i cili kishte mbetur vetëm në stadin e amatorit…

Marrë nga emisioni “DOSJA E” në SCANTV

Rama në samitin “Ukraina-Europa Juglindore” në Kroaci

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dubrovnik, Kroaci ku do të marrë pjesë në Samitin “Ukraina-Europa Juglindore”.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama në samitin “Ukraina-Europa Juglindore” në Kroaci

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dubrovnik, Kroaci ku do të marrë pjesë në Samitin “Ukraina-Europa Juglindore”.