SHBA përcakton grupin Wagner si Organizatë Kriminale Ndërkombëtare

Shtetet e Bashkuara do të vendosin javën e ardhshme sanksione shtesë kundër kompanisë ushtarake private ruse Wagner Group


Shtetet e Bashkuara do të vendosin javën e ardhshme sanksione shtesë kundër kompanisë ushtarake private ruse Wagner Group, për të cilën zyrtarët amerikanë thonë se ka ndihmuar ushtrinë ruse në luftën ndaj Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Departamenti i Thesarit do ta përcaktojë grupin Wagner, si një Organizatë Kriminale Ndërkombëtare.

“Përveç këtij përcaktimi, ne do të vendosim gjithashtu sanksione shtesë javën e ardhshme kundër grupit Wagner dhe rrjetit të tij në shumë kontinente. Këto masa janë në përgjigje të kërcënimit ndërkontinental që paraqet Wagner, përfshirë modelin e tij të aktivitetit të rëndë kriminal,” tha zoti Kirby në konferencën e përditshme për shtyp të Shtëpisë së Bardhë.

Përcaktimi i grupit mercenar Wagner si Organizatë Kriminale Ndërkombëtare sipas urdhrit ekzekutiv 13581 të SHBA-së ngrin çdo pasuri të tij në SHBA dhe u ndalon amerikanëve të japin fonde, mallra ose shërbime për grupin.

“Me këto veprime dhe të tjera në vazhdim, mesazhi ynë për çdo kompani që mendon që mund t’i japë mbështetje grupit është ky: Wagner është një organizatë kriminale që po kryen mizori të shumta dhe shkelje të të drejtave të njeriut, dhe ne do të punojmë pa pushim për të identifikuar, frenuar, ekspozuar dhe për t’i vënë në shënjestër ata që ndihmojnë këtë kompani,” tha zoti Kirby.

Muajin e kaluar Shtëpia e Bardhë tha se Grupi Wagner kishte marrë një dërgesë armësh nga Koreja e Veriut për të ndihmuar forcat ruse në Ukrainë, një tregues i rolit në rritje të atij grupi në konflikt.

“Ndërsa vlerësojmë se sasia e materialit që iu dha grupit Wagner nuk ka ndryshuar dinamikën e fushëbetejës në Ukrainë, ne parashikojmë që ajo të vazhdojë të marrë sisteme armësh nga Koreja e Veriut,” tha ai.
Zoti Kirby tha se presidenti rus Vladimir Putin është mbështetur gjithnjë e më shumë tek Wagner për mbështetje ushtarake, duke shkaktuar disa tensione në Moskë.

“Ne po shohim shenja, përfshirë të dhëna zbulimi, se tensionet midis Wagner-it dhe Ministrisë së Mbrojtjes ruse po rriten,” tha ai. “Wagner po bëhet një qendër fuqie rivale për ushtrinë ruse dhe ministritë e tjera ruse.”

Ai tha se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se grupi Wagner ka aktualisht rreth 50,000 pjesëtarë të tij të dislokuar në Ukrainë, përfshirë 10,000 kontraktorë dhe 40,000 të dënuar të rekrutuar nga burgjet ruse.

“Informacionet tona tregojnë se Ministria ruse e Mbrojtjes ka rezerva në lidhje me metodat e rekrutimit të (grupit) Wagner. Pavarësisht kësaj, ne vlerësojmë se ka të ngjarë që Wagner të vazhdojë të rekrutojë të burgosur rusë,” tha ai.

Grupi Wagner nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi komentet e zotit Kirby./VOA

Gonxhja: Nisin kërkimet arkeologjike me ekipin shqiptaro-zviceran në Lin të Pogradecit

Mbetjet e drurit të shtëpive të zbuluara në ujë datojnë rreth viteve 6000 deri në 5800 para Krishtit.

Global 360

CNN zbulon prapaskenën e tërheqjes së Biden

Vendimi përfundimtar i Presidentit Joe Biden për t’u larguar nga gara u mor në 48 orët e fundit

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Gonxhja: Nisin kërkimet arkeologjike me ekipin shqiptaro-zviceran në Lin të Pogradecit

Mbetjet e drurit të shtëpive të zbuluara në ujë datojnë rreth viteve 6000 deri në 5800 para Krishtit.