Qirjako Kureta: Kënaqësia ime më e madhe, heqja e sistemit të vizave për shqiptarët nga Izraeli

I ngarkuari me punë a.i. në periudhat tetor 2006 – shtator 2007 dhe nëntor 2009 – mars 2011 në Ambasadën e Shqipërisë në Izrael.


Nga Qirjako Kureta,  ish- i ngarkuari me punë a.i. i Shqipërisë në Izrael

Gjatë një periudhe mbi 30 vjeçare të karrierës sime diplomatike, kam patur nderin që të shërbej për katër vjet e gjysmë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Tel Aviv. Gjatë këtyre viteve kam kryer funksionin e të ngarkuarit me punë a.i. në periudhat tetor 2006 – shtator 2007 dhe nëntor 2009 – mars 2011.

Ka qenë një situatë e favorshme në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Tashmë ishte kapërcyer ajo përpjekje për mbylljen e aktivitetit të ambasadës në Tel Aviv, në kuadrin e kursimit të shpenzimeve financiare, sipas një urdhri të vitit 2003, por që nuk u zbatua edhe me këmbënguljen e ambasadorit të ndjerë Bashkim Dino, i cili me anën e një letre drejtuar qendrës, analizoi dhe argumentoi qartë nevojën e mbajtjes hapur dhe shtimit të aktivitetit të ambasadës në Tel Aviv, nisur nga lidhjet historike dhe interesat politike dhe ekonomike të vendit.

Ndërkohë ishte dekretuar edhe ambasadori i ri, z. Tonin Gjuraj, i cili do të paraqiste kredencialet në 17 shtator të vitit 2007.

Në Tel Aviv arrita në orët e para të mëngjesit të datës 6 tetor 2006. Ishte hera e parë që vizitoja Izraelin. E pata të vështirë në fillim, pasi nuk kishte asnjë diplomat tjetër në Përfaqësi, veç meje.

Me ndihmën dhe kontributin e Konsullit të Nderit, z. Rafael Faust si dhe të Kryetares së Shoqatës së Miqësisë Izrael- Shqipëri, znj. Felicita Jakoel, filluam përgatitjet për kremtimin e Festës Kombëtare. Në pritjen e dhënë me këtë rast ishin ftuar bashkatdhetarë me banim në Izrael, të cilët kishin marrë shtetësinë izraelite pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të mbijetuar nga Holokausti si dhe personalitete të MPJ-së të Izraelit si dhe miq e dashamirës të vendit tonë.

Dua të theksoj se nga MPJ e  Izraelit si dhe institucionet e tjera, kam gjetur gjithmonë mbështetje dhe frymë bashkëpunimi. Në gjithë vizitat dhe takimet e mia, kam konstatuar mirënjohjen dhe admirimin për kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vizitën e parë e bëra në Yad Vashem, në memorialin e kujtimit të Holokaustit në Jeruzalem.

Desha të përmend këtu se rreth një vit më vonë u hap në Yad Vashem ekspozita e fotografit amerikan Norman Gershman: ”Besa – Kodi i Nderit”, në nderim të familjeve shqiptare që strehuan dhe shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në mungesë të Ambasadorit Gjuraj, mbajta një fjalë përshëndetëse, ku theksova ndër të tjera se hebrenjtë në Shqipëri janë parë si qënie njerëzore në nevojë për strehim dhe mbrojtje. Pavarësisht se ishin të pushtuar nga nazistët gjermanë, duke rrezikuar jetën dhe familjet e tyre, familjet shqiptare strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë, pa kërkuar as kompensimin më të vogël për shpëtimin e tyre. Shqipëria dhe Izraeli, theksova, janë dy vende të vogla, por kanë më tepër histori se gjeografi. Tingëllojnë mjaft kuptimplote, fjalët e fituesit të çmimit Nobel, Shimon Perez se të qenit një vend i vogël ose i madh, nuk matet me madhësinë e territorit dhe as me numrin e popullsisë, por nga vlerat e vendit dhe edukata e shoqërisë.

Qirjako Kureta (majtas) me Ambasadorin e Shqipërisë në Izrael, Tonin Gjuraj (në mes) dhe Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Izrael, Rafael Faust.

Aktiviteti im në muajt e parë të punës u fokusua në avancimin e çështjeve të trajtuara në Memorandumin e Mirëkuptimit mes dy MPJ-ve, nënshkruar në Tiranë, në mars 2006, si nxitja e vizitave zyrtare, realizimin e marrëveshjeve dhe projekteve dypalëshe, tërheqjen e biznesit izraelit për të investuar në Shqipëri, intensifikimin e punës me komunitetin shqiptaro-izraelit për të ruajtur lidhjet,kulturën dhe rolin e tyre si urë lidhëse midis dy vendeve etj.

Në kontaktet e para në MPJ-në e Izraelit, ndër të tjera kam argumentuar dhe kërkuar heqjen e sistemit të vizave midis dy vendeve, si nevojë për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të të dy vendeve, zhvillimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar si dhe njohjen reciproke të vlerave historike e kulturore. Dhe, në mesin e vitit 2007, ambasadorja e Izraelit për vendin tonë (rezidente në Jeruzalem), znj. Amira Arnon, më telefonon me entuziazëm dhe më njoftoi se Qeveria Izraelite kishte vendosur heqjen e sistemit të vizave, për të gjitha llojet e pasaportave për qytetarët shqiptarë( marrëveshja hyri në fuqi më 27 korrik 2008). Ky ishte një gjest që duhej vlerësuar maksimalisht, duke patur parasysh rregullat e rrepta që aplikohen për shkaqe sigurie për hyrjen në Izrael. Shumë shpejt mbërriti edhe çarteri me 100 turistët e parë shqiptarë që vizituan Izraelin.

Me ardhjen e Ambasadorit Gjuraj, për rreth dy vjet punuam së bashku në intensifikimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes reciprok. Ambasadori Gjuraj, që vinte nga një mjedis akademik, veç të tjerash spikati edhe me artikuj dhe debate në shtypin vendas dhe qarqet universitare, si për njohjen e vlerave të vendit tonë dhe mbrojtjen e imazhit pozitiv të shqiptarëve, por edhe në debatet për Kosovën.

Presidenti i Izraelit, Shimon Peres, ambasadori i Shqipërisë, Tonin Gjuraj dhe Qirjako Kureta.

Pas largimit të Ambasadorit Gjuraj, në nëntor 2009, kam bërë përpjekje për të kapërcyer disbalancën në shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë. Ndonëse personalitetet më të larta të vendit tonë kanë vizituar Izraelin, për 17 vjet, (që nga vizita e z. Shimon Peres në vitin 1993), asnjë personalitet i nivelit të lartë të Izraelit nuk kishte ardhur në Shqipëri. Me interesimin e Ambasadës dhe veçanërisht të Konsullit të Nderit, z. R. Faust, u bë e mundur vizita e Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Energjisë Atomike dhe Inteligjencës së Izraelit, z. Dan Meridor, në tetor 2010, i cili u takua me personalitetet më të larta të vendit tonë. Në këto takime u shpreh mirëkuptimi për çështjet e diskutuara dhe u theksua nevoja e gatishmëria për të zhvilluar bashkëpunimin, si në aspektin ekonomiko – tregtar, ashtu edhe në ato të turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit shkencor etj.

Kjo vizitë,u pasua në fillim të vitit 2011 nga vizita e Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto në Izrael, ku pati bisedime të frytshme me personalitetet izraelite. Në bisedimet zyrtare me homologun izraelit Avigdor Lieberman u diskutua për hapjen e ambasadës së Izraelit në Tiranë, gjë që u konkretizua pas vizitës se Liebermanit në Tiranë.

Aktiviteti tim në Përfaqësinë e RSH në Izrael, përbën një nga momentet më interesante dhe mbresëlënëse të karrierës sime diplomatike.

Marrë nga gazeta online: Izraeli Sot

Lexo më shumë nga

EU4Justice, ekipet e inspektimit të ILD-së eksperienca profesionale në Spanjë

Inspektorë dhe ndihmës inspektorë të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në dy ekipe zhvilluan dy vizita njëjavore pune…

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

EU4Justice, ekipet e inspektimit të ILD-së eksperienca profesionale në Spanjë

Inspektorë dhe ndihmës inspektorë të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në dy ekipe zhvilluan dy vizita njëjavore pune…