
Rama: 35 miliardë euro PBB në 2030-ën, më shumë të ardhura për t’u rishpërndarë
Kryeministri, njëherësh, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi sot në Fushë-Krujë arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.

Kryeministri, njëherësh, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi sot në Fushë-Krujë arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë në vitin 2030 do të shkojë në vlerën e 35 miliardë euro.
Rama vuri në dukje se “Shqipëria në vitin që ne kemi marrë detyrën prodhonte më pak se 10 miliardë euro në total vlerë. Në fund të vitit 2024, 25 miliardë euro vlerë. Pra, është 2 herë e gjysmë”.
Rama shtoi se, “jemi të bindur që deri në Shqipërinë 2030 do ta çojmë këtë vlerë në 35 miliardë euro. Që do të thotë, do të ketë shumë më tepër të ardhura për të rishpërndarë, do të ketë shumë më tepër të ardhura për të investuar për infrastrukturën dhe për të gjitha nevojat e tjera”.
Sa i përket rritjes së PBB-së në rajon, nga viti 2013 deri në vitin 2024 mesatarja e rajonit ka qenë 64.9%, ndërsa mesatarja e rritjes së PBB-së së Shqipërisë ka qenë 109.6%.
Rama shtoi se, “ne nuk konkurrojmë me Gjermaninë, garën me Gjermaninë e bënte bufi kur ishte në qeveri”.
Sa i përket të ardhurave për frymë, Rama u shpreh se “në 2013-ën kemi qenë 3330 euro në vit, kemi shkuar në 10 300 euro dhe do të shkojmë në 15 mijë euro në Shqipërinë 2030”.
Duke folur për borxhin publik, i cili ka qenë 70.4% në 2013-ën, teksa në fund të 2024-ës ka rënë në 54.0 %, Rama tha se, “përveç këtij borxhi zyrtar kemi pasur një situatë borxhesh ndaj kompanive që bënin punët, shërbimet, deri në pikën ku edhe shkumësa nuk kishte më nëpër shkolla se kompanitë nuk i furnizonin më pasi qeveria nuk i paguante. Sot borxhin e kemi ulur me 16.4%, pothuajse 17%, në 54% dhe në Shqipërinë 2030 do të jemi tek 50% që është norma mesatare krejtësisht e shëndetshme edhe e vendeve të BE-së”.
Kreditë e këqija në 2013-ën kanë qenë 24.8%, ndërsa në fund të 2024-ës kanë zbritur në 4.2%.
Rama u shpreh se, “njerëzit nuk paguanin dot mbrapsht interesat e kredive, rreziku ishte i madh. Çereku i kredive ishin të këqija dhe ne sot i kemi në 4.2% që është normale”.
Duke folur për përqindjen e popullsisë në rrezik për varfëri që ka qenë 23.7% në 2017-ën dhe në fund të 2024-ës ka zbritur në 19.2%, Rama tha se “është një përqindje brenda mesatares së vendeve të BE-së”.
Sa i përket pabarazisë në të ardhura, që ka qenë 7.5 në 2017-ën, ndërsa ka zbritur në 4.9 në 2024-ën, Rama tha se, “ka një shpërndarje më të arsyeshme të të ardhurave dhe ka më pak hendek sesa ç’kishte më parë edhe pse është e domosdoshme që ne të vazhdojmë edhe ta ngushtojmë këtë hendek”.
Sa i përket papunësisë që ka qenë në 17.5% në 2014-ën dhe ka zbritur në 8.8% në 2024-ën, Rama u shpreh se, “për herë të parë kemi një papunësi nën 10%. Pra e kemi papunësinë me një shifër 8.8%”.
Sa i përket të punësuarve, numri i të cilëve ishte 1 023 000 të persona që figuronin në punë, ndërsa sot janë 1 327 000”.
Rama u shpreh se, “kjo është një pasqyrë që mua më pëlqen sepse besoj e keni dëgjuar kur ata e përsërisin 300 mijë vende pune, ku janë 300 mijë vende pune. Ja sa të punësuar ka pasur Shqipëria kur ne morëm detyrën, ja sa janë sot 1 327 00 këta janë të gjithë emra dhe mbiemra dhe besoj që diferenca mes tyre është më shumë sesa 300 mijë”.
Sa i përket përqindjes së të punësuarve me pagën nën 40 mijë lekë në 2014-ën kanë qenë 59.9%, ndërsa në 2024-ën kanë zbritur në 14.4%.
Rama tha se, “60% e atyre 1 0 23 000 njerëzve që tregova më parë merrnin nën 40 mijë lekë. Sot ajo përqindje ka rënë sepse sot ne kemi një pagë minimale 400 euro, e cila në janar të vitit të ardhshëm do të bëhet 500 euro dhe në fund të këtij mandati do të jetë të paktën 650 euro”.
Për rritjen e pagave, Rama u shpreh se, “paga mesatare e përgjithshme, pra e bashkuar privat-shtet ka qenë 322 euro në 2013-ën, sot është 848 euro. Dhe në Shqipërinë 2030 do të jetë 1000 euro të paktën”.
Sa i përket pagës mesatare vetëm në sektorin publik, Rama tha se, “sot që flasim është 1000 euro në shtet dhe do të jetë 1200 euro në Shqipërinë 2030”.
Pensioni mesatar në 2013-ën ishte 111 euro, në 2024-ën është ngjitur në 300 euro, teksa projeksioni në 2023-ën është pensioni mesatar 400 euro, ndërsa pensioni minimal 200 euro.
Rama theksoi se, “ajo që është e rëndësishme për pensionet është që ne kemi në plan që brenda mandatit të katërt ta çojmë pensionin minimal në 200 euro dhe të mos ketë pension nën 200 euro”.
Rama tha gjithashtu se, “rreth 300 milionë euro shkojnë për pensionistët, për bonuse, kompensim energjie elektrike, për kompensime mujore të natyrave të ndryshme, për rimbursimin e barnave etj”.
Burimi ATSH