Hasani: Shqipëria vazhdon të punojë fort për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe paqësor

Fjala e tij në takimin e 30-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi sot se, Shqipëria vazhdon të punojë fort dhe në mënyrë proaktive për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe paqësor.

Në fjalën e tij në takimin e 30-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, Hasani u shpreh se, puna e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e OSBE-së, gjatë këtij viti sfidues është prova më e mirë se besimi i kryesisë së organizatës, Maqedonisë së Veriut, në Këshillin Ministror të Tiranës në vitin 2020, ishte zgjedhja e duhur.

Hasani nënvizoi se, mënyra se si OSBE-ja i përgjigjet sfidave me të cilat përballet sot do të përcaktojë të ardhmen e saj.

Por, shtoi ministri, “për të përballuar të ardhmen, së pari, duhet të njohim burimin e sfidës me të cilën përballemi sot. Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, në të vërtetë për të gjithë arkitekturën tonë të sigurisë, duke përfshirë edhe këtë organizatë, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme e agresionit kundër Ukrainës”.

“Kjo luftë tragjike ka pasur pasoja dramatike për OSBE-në, në të tre dimensionet. Duke keqpërdorur mekanizmin unik të bashkëpunimit tonë – konsensusin – dhe duke e bllokuar atë për të gjitha vendimet e rëndësishme, Rusia ka synuar të dobësojë dhe paralizojë organizatën tonë. Të njëjtin mesazh deformues dëgjuam pak minuta më parë. Të njëjtat fjalë si në vitet 1956, 1968, 2008, 2014, 2022. Pastaj ata dërgojnë tanket e tyre”, tha Hasani.

Ndërkohë, vijoi ai, “konflikte dhe kriza të tjera, sfera e kërcënimeve transnacionale, terrorizmi, krimi i organizuar, ekstremizmi i dhunshëm dhe krimi kibernetik, si dhe efektet negative të ndryshimeve klimatike në siguri, vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje dhe vështirësi për shumë nga 1 miliard njerëz që mbulon ombrella e OSBE-së. Ato shkaktojnë një dëm të madh edhe për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, veçanërisht për gratë dhe fëmijët”.

“Zhvillimet në Afganistan, ose në Lindjen e Mesme, theksojnë sërisht domosdoshmërinë e angazhimit të zgjeruar të OSBE-së me partnerët e saj aziatikë dhe mesdhetarë për bashkëpunim. Të gjitha këto sfida kërkojnë një organizatë të fortë”, theksoi Hasani

“Në Ballkanin Perëndimor, në rajonin tonë në tërësi dhe në shumë nga vendet tona individuale, ne e dimë se çfarë impakti pozitiv mund të ketë një OSBE e fortë. Ne e dimë gjithashtu se sot nevojitet edhe një herë një OSBE e fortë, sepse pavarësisht progresit të dekadave të kaluara, kërcënimet e vjetra që kanë pllakosur historinë e rajonit tonë po ngrenë sërish kokën”, u shpreh ministri Hasani.

Dhe përsëri, shtoi ai, “pas këtyre përpjekjeve për të nxitur telashe në Ballkanin Perëndimor mund të dallojmë të njëjtën dorë që po përpiqet të dobësojë OSBE-në. Ngjarjet në Kosovë janë provë e qartë e përpjekjes për të tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë, duke nxitur konfliktin në Ballkanin Perëndimor”.

“Ne po bëjmë çmos për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve së bashku me aleatët dhe partnerët tanë. Shqipëria vazhdon të punojë fort dhe në mënyrë proaktive për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe paqësor. Ne mbetemi garantues të orientimit evropian të rajonit tonë, i sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë”, nënvizoi Hasani.

Por, shtoi ai, “nevojitet një përpjekje e bashkërenduar dhe e përkushtuar nga të gjithë miqtë dhe partnerët tanë për të neutralizuar këto përpjekje, që synojnë të na kthejnë pas në kohërat e politikave të identitetit dhe konflikteve”.

Hasani nënvizoi se, Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet me dialog, natyrisht.

“Nuk ka alternativë tjetër veç dialogut. Por ne të gjithë duhet të pranojmë se mënyra më e mirë për ta bërë Ballkanin Perëndimor, dhe rrjedhimisht Evropën, më të sigurtë, është njohja e pavarësisë së Kosovës dhe dhënia e vendit që i takon në këtë tryezë dhe në çdo forum tjetër ndërkombëtar”, tha ai.

“OSBE-ja ka një rol unik për të luajtur në promovimin e paqes dhe sigurisë në këto kohë turbulence globale. Me rezultatet e këtij Këshilli Ministror, ne kemi bërë një hap të vogël përpara. Por ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë. Dhe rruga përpara domosdoshmërisht kalon përmes rivendosjes së parimeve dhe angazhimeve tona. Nuk do të jetë e lehtë, por është e vetmja rrugë”, tha Hasani.

Ministri u shpreh se, Shqipëria vlerëson gatishmërinë e çdo shteti pjesëmarrës për t’u ngritur si Kryesuese.

“Është një përgjegjësi e madhe. Është e vërtetë. Por një përgjegjësi shumë më e madhe dhe më e rëndë për të gjithë ne do të ishte të mos kishim karrige për vitin e ardhshëm. Për fat të mirë, ky problem duket se është shmangur”, theksoi ai.

Hasani përgëzoi Maltën që u përzgjodh për të drejtuar OSBE-në vitin e ardhshëm.

“Është edhe detyra jonë të sigurojmë vazhdimësinë dhe përfaqësim të plotë për katër postet më të larta të strukturave ekzekutive. Sekretari i Përgjithshëm dhe krerët e institucioneve kanë bërë punë të lavdërueshme dhe meritojnë vazhdimin e mandatit të tyre”, tha ndër të tjera Hasani.

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…

Global 360

CNN zbulon prapaskenën e tërheqjes së Biden

Vendimi përfundimtar i Presidentit Joe Biden për t’u larguar nga gara u mor në 48 orët e fundit

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…