Helidon Haliti, Ambasadori Monumental i Artit

“Mjeshtri i Madh”, pedagogu Helidon Haliti është një piktor me famë ndërkombëtare dhe me shumë çmime


Nga Dash Frashëri, botuesi i Tirana Diplomat.com

Shqipëri, Holandë, Kosovë, Francë, Spanjë, Monako, Turqi, Slloveni, Kinë, Indi; Itali, Bullgari Hungari, Taivan, Hong Kong, Nepal, Jordani, Sllovaki, Indonezi, Zvicër, Vietnam, Pakistan, Ukrainë, Malajzi, Finlandë, Kore, Rusi, Angli.

Nuk ka të bëjë aspak me një mësim gjeografie rreth hartës së botës, por me shtetet ku ka ekspozuar punimet e tij të bukura, piktori shqiptar me famë ndërkombëtare, pedagogu Helidon Haliti, i dekoruar së fundmi nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj, me titullin më të lartë, “Mjeshtër i Madh”.

Artist, piktor, kurator, modelist, organizator aktivitetesh kulturore, autor librash për artin. Helidon Haliti është një figurë konplekse dhe shumëdimensional. Në versionin ndërkombëtar “All in one” – “Të gjitha në një”.

55-vjeçari, i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Pikturë Monumentale, ka një lidhje gjenetike me artin dhe pikturën në veçanti.

Historia e tij me pikturën, zë fill në vitin 1981, në qytetin e Lushnjës, ku mësues të parë kishte të atin, piktorin dhe poetin Faslli Haliti, autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Faslli Haliti, i cili kishte mbaruar Liceun Artistik për pikturë, dhe më pas studimet universitare për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, ishte zbuluesi, trajneri dhe udhëheqësi i parë i rrugëtimit të gjatë dhe të suksesshëm artistik të Helidonit.

16 vjeç, Haliti “Junior” ishte një fenomen arti në Lushnjë, një “enklavë arti”. Në 1984 prezanton për herë të parë punimet e tij, në ekspozitën kolektive në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në 1985 prezantohet në nivel ndërkombëtar në “European Youth Exhibition“ në Olso të Norvegjisë dhe në 1989 vjen me ekspozitën e parë personale në Muzeun Historik Kombëtar.

Me një bilanc për tu pasur zili, Helidon Haliti a marrë pjesë në mbi 90 ekspozita, ka realizuar 15 murale dhe është autor i 11 librave.

Shumë libra në kopertinë kanë për ilustrim pikturat e Helidon Halitit.

Poliedrik, euridit dhe një enciklopedist arti, Helidon Haliti, është një artist tejet i fuqishëm, me stilin e tij unik ekstravagant, me një ego ekstreme për të sjellë gjithmonë diçka të re, për të prekur pikën kulmore, atë të cilën shumë rrallë dhe shumë pak e kanë prekur.

Rregullisht i pranishëm në media shqiptare dhe ndërkombëtare, Helidon Haliti është dhe një pikë referimi e artit të pasur shqiptar.


Hapja e dyerve të Ambasadave, e bëri popullin të kërkonte mirëqenien dhe lirinë e munguar jashtë kufijve. Edhe Helidon Haliti vendos të ikë jashtë, duke zgjedhur Greqinë për të jetuar dhe punuar për 12 vjet rresht.

Vështirësitë e përshtatjes me një vend të huaj duket se i kaloi shpejt me punë. Në vitin 1996, ishte pjesë e një grupi piktorësh shqiptarë që çelën një ekspozitë në Greqi.

Shtëpia e modës “Ifasma batik” në Greqi, mban firmën e tij si modelist. Gjithashtu, ka dhënë leksione pikture në studion “Helenik Art”. Pas 12 vitesh qëndrim në vendin fqinj, e ndiente se kishte lënë të papërmbushur ëndërrën e fëmijërisë: Të bëhej artist ndërkombëtar me identitet shqiptar. Më 2005 vendosi të kthehej dhe atë që i mungonte në Greqi, vendosi ta kërkonte në vendin e tij.

 

***

Helidoni ka hapur ekspozita të ndryshme në disa vende të botës dhe është marrë me kurimin e tyre, organizimin e aktiviteteve të ndryshme si Bienalja e Akuarelit, apo Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit.

Ka realizuar workshope dhe ka demonstruar live në vende të ndryshme të botës, ka realizuar eksione mbi teknika të ndryshme të pikturës.

Haliti është pedagog në Universitetin e Arteve Tiranë. Gjithashtu është Anëtar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit, Anëtar i Këshillit të Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës, President i ShoqatëS  Globale të Akuarelistëve në Shqipëri; themelues i Shoqatës Kulturore VIZart; anëtar i NWS National Watercolour Society, SHBA; kryetar i Bordit Artistik në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Është nderuar me çmime 12 çmime si brenda ashtu dhe jashtë vendit konkretisht Shqipëri, Norvegji , Tailandë, Hong Kong, Republika Çeke, Bulgari, Malazi, Kinë, Kore.

Studioja gjigante e Helidon Halitit – në zemër të Komunës së Parisit – numëron disa qindra punë të shkëlqyera, të teknikave dhe formateve të ndryshme: vaj,  akuarele, pastela, akrilik.

Për një dashamirës të artit, aty gjen gjithçka. Dhe punët e tij i shijon kushdo që i ka parë, përfshirë edhe ish-ambasadorin e Shqipërisë në Francë, shkrimtarin dhe poetin Luan Rama, apo gazetarin Mustafa Nano.

***

Me Helidon Halitin më lidh një miqësi e bukur. Si mes një artisti dhe një adhuruesi të tij. E
dëgjoj me endje dhe me shumë vëmendje.

Një nga projektet më të bukura të Bashkisë së Tiranës është “MuralFest”.

Tirana është shndërruar në një qytet kozmopolit, jo vetëm sepse në kryeqytetin e Shqipërisë jetojnë banorë nga mbi 140 kombësi të ndryshme, por thuajse çdo ditë, artikujt e botuar në mediat më prestigjioze ndërkombëtare shkruajnë për transformimin epokal të metropolit më vibrant të Ballkanit Perëndimor.

Tirana e drejtuar dikur nga kryeministri aktual, Edi Rama, dhe tetë vitet e fundit nga kryebashkiaku Erion Veliaj, po fiton një tjetër status me reputacion ndërkombëtar, si “kryeqyteti i muraleve”.

Janë me disa dhjetëra muralet gjigante në pikat më dominuese të qytetit, të cilat e kanë shndërruar Tiranën në destinacionin më të kërkuar nga piktorët muralistë më të njohur botërisht.

“Mural Fest 2023”, një projekt i Dekor Tirana dhe shoqatës VizArt me drejtuese Ormira Lulani dhe kuruar nga Helidon Haliti, ka sjellë këtë vit emrat më të rëndësishëm dhe me një gjeografi globale, nga Franca në Argjentinë, nga Spanja në Danimarkë, Holanda apo Serbia.

Haliti është një akuarelist i shkëlqyer, me disa çmime ndërkombëtare dhe kisha shumë dëshirë ta shihja “live” kur pikturonte. Një dëshirë e përmbushur.

***

Pikturimi është një nga pasionet e mia më të mëdha. Një ëndërr e dikurshme. Helidoni më ka mbështetur me mesazhet publike në rrjetet sociale.

Helidoni jeton mes artit të tij unik, por studio e tij është e hapur për miqtë. Xhentëlmen në karakter, mikpritës i ngrohtë, Helidoni nuk të lë pa të dhuruar diçka. Si një shenjë respekti ndaj mikut. Akuarele “Van Gogh”, penela profesionalë “Ricard Escoda”, dy albume me piktura dhe një nga pikturat e tij me akuarelet, ndër më të bukurat. Të firmosur.

Por, kënaqësia nuk mbaron këtu!

Helidoni më jep mundësinë për t’i bërë një portret “alla prima”.

Faleminderit Gjeneral!

________________________________

Tiranë, më 26 gusht 2023

Lexo më shumë nga

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.