Fotografi i Përmetit!

Homazh për Kristo Zison (xhaxhi Kriston), fotografin historik të qytetit të Përmetit!


Nga Ing. Ibrahim Emiri

Në DITËN BOTËRORE TË FOTOGRAFISË po sjell nje shkrim ne kujtim te fotografit të qytetit të Përmetit, shkrim ne librin tim “MOZAIK”.
FOTOGRAFI I QYTETIT

“Homazh për Kristo Zison (xhaxhi Kriston), fotografin historik të qytetit të Përmetit! Falë Kristos, jeta urbane dhe qytetare u dokumentua përmes mijëra fotografive në disa dekada dhe gjithkush gjen në fotografitë e tij çastin magjik të historisë vetjake.

Fotot e tij kishin bashkë me blicin e shkrepjes edhe dritën e veçantë njerëzore, që dilte nga sytë e tij të qeshur. Trashëgimia e tij meriton të mbrohet.”

Ky shënim në “Facebook” i bërë nga akademiku Vaso Tole në ditën botërore të fotografisë, më kujtoi Kristo fotografin e ndërmarrjes komunale, personazhin minoritar interesant në llojin e vet, “studioja e punës” e të cilit kufizohej me një ndarje çatmaje me dhomën time të fjetjes, të improvizuar në kantier, në fund të viteve 60-të.

Si fqinj të mirë, dëgjoheshim çdo darkë, kur unë kthehesha në dhomë i lodhur nga puna e stërzgjatur në objekte ndërtimi, ndërsa ai, pasi kishte bërë një pushim të mirë pasdite, punonte në darkë freskët në studio për larje filmash e stampim fotosh.

Sa dëgjonte që hyja në dhomë, më përshëndeste nga mbrapa çatmasë me minoritarçen e tij: “Miserdhi inxhineri, u lodhe inxhinieri …!” Unë ia ktheja përzemërsisht përshëndetjen, por nuk e nxisja bisedën, se Kristua atë donte, ta shtynte punën me muhabet.

Pastaj në të dy anët e çatmasë binte heshtja.

Unë lexoja deri vonë nën tingujt e muzikës klasike, që gjeja te radio “Iliria”, kurse fotografi vazhdonte punën rutinë.
Ndonjëherë ai më shqetësonte pa dashur, se bënte zhurmë, duke prerë me tranxhë fotot, ose rastiste që ia merrte një kënge me zë të lartë, tërë qejf, kur e vinte punën në terezi.

– Kristo! – i thërrisja unë e ai përmendej.
– Me fal inxhineri, se harrova. Nat e mirë!

Ndonjëherë, si amator i fotografisë artistike që e kisha pasion qysh nga fëmijëria, i shkoja në “studio” fqinjit të mirë e ai gjallërohej e s’pushonte së treguari ndodhi nga jeta. Kur bëhej ndërrimi i pasaportave, Kristua e kishte “aksion me goditja te përqendruar”. Do të fotografoheshin të gjithë personat në moshë 18 vjeç e lart në të gjithë rrethin.

Aksioni organizohej nga pushteti e udhëhiqej nga Partia, si të gjithë aksionet e, nuk bëhej shaka! Kristos nuk i zinin këmbët dhè, fshat më fshat sipas grafikut të miratuar.

Një beze e kuqe si sfond, një stol apo karrige para bezes, ku ulej personi për t’u fotografuar, shkrepja e aparatit të fotografit dhe shënimi në regjistër nga përfaqësuesi i pushtetit. Kaq duhej për çdo person. Por në një fshat i ngriu aparati në dorë fotografit e … mezi e shkrepi.

– Ngrei sitë, shiko mua ketu! – i tha Kristua, gati për të shkrepur aparatin, një nuseje të re, e cila i mbante sytë përdhe, për namuz. Përgjigja e nuses “Plasa unë të shikoj tya!” e gozhdoi Kriston. Ajo e kish marrë për keq kërkesën normale të fotografit për ta drejtuar shikimin tek aparati. E turpëroi atë në mes të fshatit, e bëri të skuqet, se … ai ishte dhe burrë i martuar e me fëmijë.
– Me fal, nuk te thom ashtu …, mos keqkupto, shiko aparati. – u shfajësua ai.
– Ja, keshtu me ka ngjarë, – kujtonte Kristua duke qeshur. – Ke parë tia, te te turperoje keshtu nje koperativistia?!

Kristos, që përgjithësisht ishte tip gazmor, i dridhej zëri kur ndodhte që përmendej revista “YLLI”, sepse shqetësohej nga një kujtim aspak i këndshëm për shkak të saj.

Revista “Ylli” ka qenë pasqyra e “sukseseve” të regjimit të kohës. Në faqet e saj, nëpërmjet fotografive e ilustrimeve u bëhej jehonë arritjeve të socializmit, jetës së lumtur në Shqipëri, gruas si një forcë e fuqishme që çonte para shoqërinë e deri edhe miqësisë së pathyeshme me vëllezërit rusë fillimisht, apo kinezë më vonë.

Që nga vitet 60-të, revista “Ylli”, vitrina e propagandës edhe nëpërmjet fotografisë shqiptare, organizonte çdo vit konkurs fotografik, i cili ishte i hapur, si për profesionistët ashtu edhe për amatorët.

Ai “i mallekuar” konkurs aq shumë ia kishte prishur gjakun Kristos, sa i kalonin mornica në trup sa herë i kujtohej. Megjithatë, duke ma treguar atë histori, të cilën po mundohem ta riprodhoj më poshtë, i dukej sikur çlirohej nga një e keqe e së kaluarës.

“Shok Krietari, – i ishte drejtuar gjithë ndrojtje Kristua kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, ndërsa ai ishte duke pirë kafe në klub me disa shokë të partisë. – Mund ta shikoni pak kete fotografia qe kam berë na Guri Qiteti per konkursi, per rivista “Illi”?”

“Mirë e ke bërë”, – i tha kryetari, mbasi i hodhi me indiferencë një sy fotos, që i dha Kristua, ndërsa vazhdoi të pinte kafen.

“Me fal, shok krietari, – vazhdoi ta bezdiste Kristua, me aparat të varur në qafë, duke qëndruar në këmbë përballë tij. – Kam nje meraku, se duket perpara ura mbi Vjosa e me tutje duket pak reparti ushtaraku. Prandaj kerkoj leja per ta derguar te konkursi, se mos eshtë ndonje gabimi, se e shikon edhe armiku, se rivista “ Illi” iken edhe jashte shteti.”

Ndërsa Kristua priste gjithë gëzim pjesëmarrjen për herë të parë në një konkurs fotografie e gjithë merak miratimin nga Dega e Brendshme, kryetari u ngrys në fytyrë e i tha prerë: “Fotografinë shko dorëzoje tani në Degë dhe më prit atje!” – “Si urdheron, shok krietari!” – u përgjigj Kristua, i cili u prish në fytyrë e u largua i hutuar.

“Edhe kjo duhej. E pesova si breshka. Shejtani flinte e unë, si budalla, vajta e zgjova. Ç’pata qe cingrisa folea te arzave?!! E kerkova vetë: “Koka ben, koka peson!” Tani s’mbetet tjeter, veç te pres sulmi te egra te arzave. Apo s’jam edhe minoritari. Kristo greku me thonë, si per ta kujtuar kombesia.”

Me këto mendime, që i turbullonin e i rëndonin kokën, shkoi drejt te Dega e Brendshme. Me porosinë e kryetarit filloi menjëherë procedura dhe, pasi u regjistruan hollësisht gjeneralitetet e të dyshuarit Kristo Ziso, e sulmuan me pyetje për fotografinë: Pse dhe kur e kishte bërë? Si e kishte zgjedhur atë pamje? Për kë punonte? Nga kush i merrte porositë? Si?! Qysh?! … Po qarqet reaksionare Vorio-Epirote?!!! …
Pas pyetjeve të fundit, Kristua e kishte humbur fare, e kishin mbuluar djersët nga sikleti e mezi përgjigjej, duke bëlbëzuar: “Une … shqipetari, … jo greku, … jo armiku, … gabimi, … me falni, … kam femija … .”
“Na sill urgjent të gjithë fotot e filmat, ku janë të fotografuara vënde strategjike, që përbëjnë sekret shtetëror!” – urdhëroi prerë operativi i Degës.

Kristos iu prish gjaku: “Kaq e pata. Do me rrasin brenda per veprimtaria armiqesore te qarqeve Vorio-Epirote. Do kalbem ne burgu, po perse? Ç’qe kjo rrufe ne qielli te hapur? Pse mallekoi Zoti? S’kam bere ndonje mekati, qe te denohem si mekatari.” Instiktivisht bëri kryqin e mërmëriti një lutje në greqisht. “Fatziu!! Ziso e kam mbiemrin, e si Ziso francezi po e pesoj. Ai i ziu, njeri pa njeri, kishte qene kurbetçiu ne Amerika e Franca dhe erdhi ne Permeti per pleqeri. E rrasen ne burgu, i bene nje gjyqi te hapura dhe e denuan 20 vjet si agjenti te imperializmit, se dilte mbi qiteti e shikonte nga reparti ushtaraku. Ai vetem shikonte e bente vjersha, s’bente as fotografia! Po une?!!”

“Nuk do largohesh nga qyteti e do paraqitesh në Degë çdo ditë në orën 8 të mëngjesit, kuptove?!” – e sqaroi operativi i sigurimit, pasi Kristua dorëzoi të gjithë fotot e filmat me pamje të vendeve që ai vetë i kishte klasifikuar si “strategjike”.

“Kane frika mos arratisem ne Greqia. – mendonte Kristua, i lehtësuar që nuk po e rrasnin akoma brenda. – Kot kane frika, mua s’ma mban bitha. Apo te ha nje koqe plumbi ne kufiri! Jo. Jo. S’ma mban!” – mërmëriste me vete.

Kështu vazhdoi Kristua i shkretë të paraqitej çdo ditë në Degë, duke pritur gjithë ankth arrestimin. “Me mire ta kishin rrasur brenda ne burgu, ta mblidhte mendja, se sa e mbanin keshtu varur. Me mire nje fundi i tmerrshme, se sa nje tmerri pa fundi!” – kishte lexuar dikur diku.

“Nuk do paraqitesh më çdo ditë, – i thanë në Degë pas ca kohe. – Po të kemi nevojë, të thërresim vetë.”
“Efcharistó ton Theó!” (Falemnderit Zotit!) – mendoi greqisht i lehtësuar dhe instiktivisht bëri kryqin. – “Shpetova nga burgu. Mos e degjofsha me emrin rivista “Illi”!”

“Shpëtoi” mbasi kishte humbur ca kile në peshë e ishte shfytyruar.

Akoma nuk i besohej e të nesërmen në orën 8 e çuan vetë këmbët afër Degës.
“Me bere gjisem njeriu, vlasfimía!” (e mallëkuar) – shau nëpër dhëmbë dhe i ktheu krahët ndërtesës se zymte të Degës së Brendshme.

Tirana mikpret ceremoninë e hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri, plot me surpriza dhe stacione të reja

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Tirana mikpret ceremoninë e hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri, plot me surpriza dhe stacione të reja