Tek “Antoneta” e Ed Pinos, në Boboshticën magjike!

Boboshtica vendi i Eftimiut, Antoniut, Kuneshkës, Cacove, por edhe i Pinos.


Nga BUJAR QESJA, “Mjeshtër i Madh”

Vërtet drekova tek “Antoneta” e Eduart Pinos, kur mbusha 72 vite të moshës, por nuk është thjesht kjo arsyeja, që mora lapsin dhe e detyrova veten të shkruaj, për atë që do të pasqyroj më poshtë. Kisha katër vite që nuk shkelja këtu, në këtë vend që ta mban peshë një magji e brëndëshme dhe joshëse.

I thashë Vasil Hilës dhe Elsa Ekonomit, miqve tanë të ngushtë, të shkojmë në këtë 15 gusht 2023 tek “Antoneta”. Atje do të na përshëndesë Eduart Pino, violina kryesore e orkestrës gjigande, të kulinarisë së këtij fshati me histori që i nxit kryelartësinë.

Drekova vërtet tek “Antoneta”, por brenda meje flinte prej 48 muajsh, një plan ngacmues që nuk më linte të qetë. E dija, që Boboshtica është vendlindja e akademikut dhe titanit të letrave rumune Viktor Eftimiut. E dija gjithashtu, që prej këndej është këngëtari i famshëm lirik Kristaq Antoniu, apo krijuesi i katedrës së fizikës Sotir Kuneshka.

Këtu është “foleja” e përjetësisë të njeriut të madh të Boboshticës, Dhaskali nderues i kësaj treve Dhimitër Canco, “Mësuesi i Popullit” Gjergji Canco dhe shumë Canco të tjerë me fuqinë emrit dhe të punës. Këtu është vendi i shkrimtarit të njohur Dionis Bubani dhe i shumë emrave, të skalitur në memorien e qytetarisë moderne shqiptare.

Kjo Boboshticë e mbledhur si iriq, duke u mbrojtur nga trupi i fuqishëm i malit të Moravës, ku janë ngulur dy fshtarat fqinje me Mborja dhe Drenova ka shumë histori, traditë të kultit të besimit dhe kulturës integruese me pakica bullgare dhe arumune. Dhe këtu është rasti të shpjegojmë, se nga vjen emri Boboshticë, duke thyer jo pak shijen që të krijojnë emrat puro shqiptare.

“O bobo shticë” është prejardhja e emrit Boboshticë, që përshtatet në kuptimin “O bo bo sharra”. Gojëdhënat, që kanë përcjellur deri në ditët e sotme kuptimin thonë: Boboshtarët pasi u ngulën të jetojnë në mal, vendosën një sharrë të madhe për të prerë dru. Pas kësaj, do të bënin dërrasa për ndërtimin e kasolleve.

Në një çast, fshati përfshihet nga shira të mëdha dhe të pandodhura më parë. Rrëketë stërmëdha, të krijuara nga ujrat rrëmbyese, e morën sharrën sikur të ishte lodër fëmijësh dhe nuk u vu re se nga e çuan. “O bobo sharra”, është zanafilla nga rrjedh kuptimi i fjalës Boboshticë, influencë etimologjike, nga lidhjet aktive kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe bullgarëve.

Në Boboshtica erdhi dhe u vendos për 3 muaj, studiuesi me famë francez Andrea Mazoni. Ishte viti 1936. Nga dora dhe mëndja e tij kanë dalë dy libra, ku nuk lihet gjë pa përmëndur për këtë fshat, por duke mos bërë ndonjë gabim ta quash edhe një qytezë tërheqëse.

Në këtë qytezë me kulturë të hershme, janë ngritur 13 objekte kulti, ku veçohen manastiri i Shën Marisë, kishat e Shën Jovanit dhe Shën Kollit. Objektet e kultit me histori 1000 vjeçare, janë pasuri kulturore e vlefshme, për t’u ruajtur dhe trajtuar edhe si traditë.

Kisha vendosur të flisja për Boboshticën, por duke marrë prej dore dhe ta paralelizoja me zhvillimin e këtij fshati edhe Eduart Pinon. Këtë e kisha merak dhe mezi prisja rastin, që këtë ngacmim katër vjeçar, ta hiqja nga barra e ngarkesës psikologjike që më shqetësonte. Duhej të vinte 72 vjetori i lindjes, që të krijoja shkrimin që më mundonte, duke skalitur si dalta e një skulptori, portretin jo fort të lehtë të Ed Pinos.

Cila është “Antoneta” e Boboshticës? Por që të dilja këtu, më mundonte të rrëmoja në rrugicat historike, për të gjetur rrugën e emrit Eduart. A do të kishte pika ngjasimi, me këtë Eduartin tim të Boboshticës? Më duket se me këtë rast, e qartësova jo pak objektivin. Ekziston Shën Eduarti, i cili kremtohet me 18 mars. Eduardi, trashëgoi fronin mbretëror të Anglisë nga i ati në vitin 975. Ishte në moshën e adoleshencës.

Si pasojë e kurtheve të ngritura nga njerka e tij, Eduardi mbret u vra disa vite më vonë. Varri i tij, u kthye në peligrinazh për shkak të shërimeve dhe mrekullive të shumta. Eduardi u shpall shenjtor në vitin 1008. Eduard është emër i përhapur ndër shqiptarët dhe veçon origjina ortodokse e tij.

Ed Pino e mbaron emrin e tij me t, që e zbut disi d –në tradicionale të prejardhjes. Por në esencë mbetet, Eduart Pino i historisë së kulinarisë së Boboshticës. Dihet fare mirë, një fakt dominues në të gjitha rastet kur bie fjala për Boboshticën. Është destinacion turistik. Ka natyrë mahnitëse, ku dominojnë ujrat dhe ajri i pastër, relievi i përshtatshëm për të ushruar sportet e vrapimit, çiklizmit, skive dhe patinazhit. Kemi zhvillim të paparë të turizmit të kultit, nga prania e shumë kishave dhe të turizmit familjar nga kulinaria e spikatur dhe tërheqëse.

Pasi e vendosëm shkrimin atje ku duhej, duke kaluar jo lehtë disa labirinthe të detyrueshme, ndodhemi përballë portretit të Eduart Pinos. Një fizik i mesëm, me energji befasuese, që nuk e beson nëse nuk i ndodhesh pranë, me sy picërrues e vështrim ëndërrues, si hëna e plotë në mes të natës, me një të folur, e ëmbëlsuar nga oksigjeni i natyrës përrallore ku ka lindur dhe ku lodhja i fshihet ngarkesës së jashtëzakonshme të punës, të çfaqet Ed Pino.

A bëjmë gabim, apo nxitohemi ta vendosim, në vlerat e spikatura të njerëzve të çquar të Boboshticës? Ed Pino, nuk duhet marrë e trajtuar thjesht si biznesmen, afarist, që shton të ardhurat apo zbaton formulat e ekonomisë së tregut. Ky është ai mundimi im, që zen hapsirat e fillimit të shkrimit.

Ed Pinon e shikoj personalitet, por që ska të bëj me famën e Eftimiut, Antoniut, Kuneshkës, Cacove, Bubanit e të tjerë, por të krijimit të një lloj kulti tjetër. Do ta vendosja si besim, i një burri të mënçur dhe të vendosur, për t’i dhënë Boboshticës së tij famë tjetër të madhe, që e bën madhështor. Në fakt thjeshtësia e tij, duke mos bërtitur për vlerat që manifeston, ia ngren karatët e vlerësimit. Ai mendon, krijon, punon, komunikon, bisedon, duke ia ngritur piacën, kostumit të turizmit dhe kulinarisë vendase.

Nga profesioni inxhinjer miniere. I ka qendruar në kokë mineralit, në minierën e Mborje Drenovës dhe veçanërisht në Pishkash. Ai përsëri është inxhinjer miniere. Por i një miniere që nxjerr mineralin më të pastër, atë të konkurencës së ndershme dhe rritjes së autoritetit të turizmit familjar dhe kulturor të Boboshticës.

Nxjerr tri libra të stërmëdha, ku janë shënuar në 24 vite, përshtypjet e vizitorëve dhe klientëve në “Antonetën” e tij, që i ka kaluar kufijtë lokalë, pse jo edhe kombëtarë. Në këto faqe, është historia e Antonetës, kësaj zonje hijerëndë, që e njihte edhe çdo gur i fshatit si infermiere dhe edukatore, e tani jeton parajsën e ndritur, duke shkëlqyer më parë në të gjallë të saj.

Kanë shkruar e firmosur shumë, shumë njerëz. Ky Ed Pino, ka krijuar koleksionin më të pasur, me personalitete të të gjitha anëve, në kulturë, sporte, shkencë, arsim, të huaj, të historisë, politikës e gjithëfare. Shënimet e tyre, janë në vazhdën e arritjeve dhe qendresës së njerëzve të këtij fshati aq të njohur dhe aq të kërkuar, preferuar e vizituar. Vinin të gjithë në emërues të përbashkët:
Ikim nga “Antoneta” duke kthyer kokën pas.

Ed Pino nuk bën poezi si Eftimiu, nuk këndon si Antoniu, nuk jep mësim si Cacot, nuk zgjidh probleme të fizikës së Kuneshka, por puna e tij është kthyer në art duke i thurur vargje, duke i kënduar, duke dhënë mësim, e duke zgjidhur të fshehtat e fizikës, me punën e tij shembullore, ku e ka ngritur në majën më të lartë se Morava e atyshme, emrin e Boboshticës, të kulinarisë dhe turizmit të saj sa ska ku të shkojë.

Kur flet me Ed Pinon, të duket se shijon mjaltin e hojeve, rakinë magjepëse të manit, ajrin e pastër të pyjeve, shijen origjinale të burimeve me ujë të ftohtë, ardhur nga thellësia e tokës, mënynë e pasur të prodhimeve të fshatit, të folurën e butë, të veshur me natyrën e tij të urtë dhe bujare. Zor se mund të gjesh një të dytë edhe nëse e ke kohën pa limit, si Ed Pino, që krahas biznesit të tij, të punojë dhe të mendojë edhe për nderin e Boboshticës.

-I mënçur vjerri im, thotë Pino. Emri dhe mbiemri i tij është Maqo Kristo. Këtë “Antonetë” që shikon, ai e ka ngritur. Këtë arkitekturë që ti shikon, ai e ka bërë. Këtë bukuri që ti po kqyr këtu, syri dhe vëmëndja e tij e kanë krijuar. Merrej me bagëti dhe ia thonte bujqësisë. Dhe krijoi lëndën e parë të kësaj “Antonete”, që po ta krahasosh është Tirana dhe simotrat tona të duken si Sauku.

Burrë e grua Maqo dhe Antoneta, kanë vite që nuk jetojnë, por nuk ndalet dhe as ka ndërmënd të ndalet, ajo çka u lanë trashigim brezit të mëpasëm. Eduarti është martuar me Almën. Artan Ngjele ka për bashkëshorte motrën e Almës, Anën. Motra tjetër Djana, me të shoqin Koço Dede ka bujtinën dhe restorantin “Tomas”. Vajza e Ed Pinos Nastila, ka lidhur unazë me Kristi Gjylapi.

Janë me Grin Kartë dhe jetojnë në Masachusten “orcester në Amerikë. Djali i Artanit, Sotiri, ka lidhur familje me Sidorela Kafexhi. Kjo është familja e vogël e Antonetës, që ka krijuar perandorinë e “Antonetës” tjetër, atë të kulinarisë origjinale dhe të pakonkurueshme të Boboshticës.

Rrëmoj në këtë që quhet Eduart Pino. Ka hobi sportet, duke qenë edhe këtu i pakonkuruar si amator në patinazhin artistik, patinazhin e shpejtë, skinë, futbollin, atletikën, gjimnastikën, vrapimet në natyrë etj. Çfaqet aq aktiv ky njeri, sikur punon me energji diellore dhe është i bindur, se angazhimet e tij nuk mbarojnë këtu.

Rrija dhe analizoja, çfarë dukurije është ky njeri, që mund të mjaftonte thjesht me ecurinë e biznesit të tij dhe ishte në rregull. Të paktën, veprojnë të gjithë kështu. Por të luan kapaku i kokës, kur ndeshesh përballë faktit, që nga 2700 banorë të Boboshticës kaq të bukur, kaq të famshme, kaq dhuratë e rënë nga qielli për vendasit dhe më gjërë, kanë mbetur 300. Më tej arsyetimi vazhdon.

Vetëm në “Antonetën” e tij, ky energjiku Pino siç po e quajmë, bën kërdinë. Se kam të saktë të dhënën, por numuri i klientëve ditorë mund të kalojë 300-shin. Mbase edhe më shumë. Pra një “Antonetë”, që thith klientë sa 3 -4 herë banorët aktualë të fshatit.

Kjo e vret, këtë patriot i vendit të tij. Çfarë mund të bëj? Në linjën e vet, po e gjen zgjidhjen. Kur pyet disa ku i keni fëmijët, të thonë me mburrje jashtë. Po Ed Pinon nuk e gëzon kjo mburrje, por në fytyrë i lexon trishtimin. Por shpresat nuk janë shuar dhe Boboshtica, duhet të rigjejë luftëtarët e ekzistencës dhe mbijetesës së saj.

-E shikon Bujar, atë djalin aty që po shërben? Hë, a e shikon? Është Kristi, i shoqi i vajzës time të vetme Nastiles. Janë në Amerikë dhe kam në plan ti sjell këtu. Po si? Duke forcuar punën, e rritur edhe më tutje, fuqinë e përqendrimit dhe të shtrirjes. Fëmijët e Maqo Kristos janë këtu, për bukuri të Zotit. E pse duhet të marrin arratinë, fëmijët tanë?!

Edi ynë, “i bukuri i dheut”, ka plane dhe nuk i fsheh. Ka ndërmënd ti bëj të gëzuar, fidanet e familjes së tij, për të dashur jo thjesht Boboshticën, por të vijnë të punojnë këtu dhe të ndjehen të lumtur. Nuk e kam ndërprerë të qeshurën, kur më tha me një humor ta paparë ky Pino i “vogël”, por për punë të mëdha.
-Kam vendosur një premio për Kristin dhe Nasilan. Fëmija i parë do të ketë shpërblim 50 mijë euro. Për të dytin edhe më shumë. Kështu është tani, si i thonë me fjalë të mëdha: kapitalizëm.

Qeshim jo lehtë dhe jo pak që të dy. Eh mor Ed Pino, çfarë po i bën lapsit tim! Dhe ky laps edhe mua po më duket ndryshe, pasi është i lyer jo vetëm me djersën e punës të këtij shembulli, jo të zakonshëm për kohën që kalojmë, por me aromën dehëse që vjen nga Morava, me burimet mahnitëse ujore, me natyrën aq ëndërruese që është këtu ulur këmbëkryq, me manin historik të rakisë unikale, me ….. Dhe retorika nuk soset.

Pastaj nëse duhet të flas për “Anonetën”, një shkrim i dytë do t’ia vlente, për të zgjatur narracionin. Ajo mbetet e gjallë, sikur të ishte vetë Antoneta e parë. Është edhe më e shndritshme, duke u kthyer jo vetëm në një kala e biznesit, por edhe e pasqyrës më konkrete, të zhvillimit dhe progresit, për të thënë që ky vend bëhet dhe bëhet mjaft mirë madje. Në 24 vite , “Antoneta” ka pritur dhe përcjellur 2.3 milionë klientë.

Por duhet të quhesh Eduart Pino, apo siç më vjen më mbarë Ed Pino, që ta kthesh real, të prekshëm këtë realitet, i cili mban brenda, jo vetëm fuqinë e këtij individi, por dhe familjes së tij, të Almës, Anës, të baxhanakut Sotirit, të Koços dhe Djanës, të të gjithëve, të të gjithëve. Edhe të atyre kamarierëve dhe kamariereve, që shërbenin shumë më mirë nga kolegët e tyre të përtej kufirit. Të bukur, të pastër, me uniformë si bora dhe lëviznin pa u ndjerë si flutura nëpër tavolina.

Duhet të vish tek “Antoneta” i Ed Pinos, të shikosh se si thërrmohet e bëhet copa, thënia disi e mërzitshme:”nuk ka punëtorë”, ‘nuk ka personel shërbimi”, “kanë ikur që të tërë jashtë shtetit”, “kanë humbur djemtë tanë, nuk kemi ku ti gjejmë”, e të tjera e të tjera.

Hajdeni këtu dhe shikoni realitetin, që ka prodhuar dhe prodhon Ed Pino, me fuqinë e djersës së tij, që është kthyer në turbinë e fuqishme që gjeneron optimizëm, shpresë, mbijetësë po se po, por edhe mundësi se si gjërat mund të bëhen më mirë. Natyrisht nuk është e lehtë, por jo dhe aq e vështirë, duke mbjellur në vend të besimit për të ardhmen, farën e pasigurisë, hutimit, humbjen e orjentimit dhe të ecurisë.

Ja pra që nuk ishte vetëm “çapa e bukës”, apo kremtimi i një ditëlindje, ulja në sofrën e bujarisë tek “Antoneta”. Po mbetet i palqëvizur qëllimi, për ta riparë, për të ribiseduar, për t’u joshur dhe hedhur në ajër nga gëzimi këtë njeri të thjeshtë, por të madh në shpirt dhe në qëllime, këtë inxhinjer të kulinarisë dhe të mineralit të nxjerrë nga shpresa dhe besimi.

Dhe ky monument njerëzor, që kalitet e kalitet çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit ndodhet në këtë Boboshticë. Dhe quhet Eduart Pino, apo Edi im i “Antonetës” së kthyer në përjetësi nga puna dhe përpjekjet e tij gati, gati mbinjerëzore.

Ed Pino! Bukuria e lapsit tim.


Voskopojë: 19 gusht 2023

Njeriu Mevlan Shanaj!

Aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj promovoi librin e tij "Të fshehta jashtë ekranit"

Global 360

Presidentja Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Njeriu Mevlan Shanaj!

Aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj promovoi librin e tij "Të fshehta jashtë ekranit"