Kisha 1472-vjeçare e “Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit

Kisha mendohet se është ndërtuar në vitin 551.


Nga Andrea Llukani

KISHA E “SHËN MËRISË”, LABOVË E KRYQIT

Kisha e “Shën Mërisë” është në mes të fshatit Labovë. Sipas një mbishkrimi që gjendet i shkruar rreth pjesës së poshtme të timbanit të kubesë, kisha mendohet se është ndërtuar në vitin 551.

Ktitor i kishës ka qenë perandori bizantin, Justiniani I (527-565).

 

Këtë e vërteton mbishkrimi i shkruar rreth pjesës së poshtme të timbanit të kubesë së kishës: Ετος 55α ησοδημα ηγε Ιουστινιανου του μεγαλου βασιλεο ηπερ σιν-δρομης επητροπου Κονσταντινου Λαδοβου της χορας ταυτης εκτισθη ο πανσεπτος θηος ναος…(της υπεραγίας Θεοτόκου καί) αηπαρθενου Μαριας. 1806 Μαρτηο…..“Ky tempull i gjithnderuar dhe hyjnor i së mbishenjtës Hyjlindëse dhe gjithmonë virgjëreshës Mari u ndërtua (në) vitin 551 me shpenzimet e Justinianit, mbretit të madh dhe (u meremetua) me kontributin e epitrop Kostandinit të këtij katundi, Labovë (në vitin) 1806, mars”.

Ky fakt përmendet edhe në Kronikën e Dropullit (Το χρονικο της Δροπολης), e cila ka pasur disa botime. Kronika e Dropullit është botuar së pari në vitin 1821 nga Pukëvili; në vitin 1871 është botuar nga Athanasios Petridhi, më 1906 nga Nikolaos Mistiakidhis dhe në vitin 1913 nga Dh. Evangjelidhis. Gjithnjë sipas burimeve të traditës, thuhet se kryemjeshtri që ndërtoi kishën ishte nga Pirsojani i Konicës. Kisha është ndërtuar ndërmjet viteve 527-565, pra për 38 vjet.

Në lidhje me datimin e saktë të kishës, studiuesit kanë mendime të ndryshme. Në vitin 1916, kisha e Shën Mërisë është vizituar nga Frederikos Versakis, i cili ka bërë një planimetri hipotetike të gjendjes fillestare. Peter Megav, Moutsopoulos dhe Guntram Koch mendojnë se kisha daton në shek. X. F. Versakis e daton kishën në shek. XII. Velenis propozon fundin e shek. XII dhe fillimin e shek. XIII. Meksi dhe Pallas e datojnë kishën në shek. XIII. Duke u nisur nga forma e narteksit, Panayotis Vokotopulos është i mendimit se kisha daton në gjysmën e parë të shek. XI. Sipas Aleksandër Meksit, e parë në aspektin e vlerave arkitektonike, kisha është monument i arrirë. Duke gjykuar në tërësi vlerat arkitekturore të këtij monumenti, si ato të brendësisë, ashtu dhe të anës së jashtme, kisha bart vlera arkitektonike të dorës së parë.

Kisha është e tipit në formë kryqi me një kube cilindrike. Nga ana e jashtme është e zbukuruar me dekoracione tullash. Në anën jugore të kishës, mbi dritaren bifore gjenden dy tulla të mëdha. Në pjesën e sipërme kanë vrima katrore. Këto janë koshere bletësh. Përdorimi i kësaj simbolike paleokristiane është një gjetje e përkryer e arkitektit që ka ndërtuar kishën. Besimtarët futen në kishë ashtu si bletët në koshere. Bleta përfaqëson Shpirtin e Shenjtë, ndërsa mjalti evokon zemërgjerësinë dhe pasionin e Krishtit. Bletët janë përdorur gjithashtu në kishën e hershme si simbol i ringjalljes. Etërit e kishës e krahasonin kishën me bletërritësin dhe komunitetin e krishterë me bletët.

Motivin e bletëve e hasim edhe në teknikën strukturore të kishës; Ndërmjet gurëve të baraslarguar nga njëri-tjetri është aplikuar një motiv paleokristian >I<. Një tullë është e vendosur vertikalisht, ndërsa katër copa tullash sa gjysma e saj drejtohen diagonal për në qendër, duke simbolizuar monogramën paleokristiane >I<. Përdorimi i motivit të bletëve në teknikën strukturore ka kuptim simbolik paleokristian. Kisha përfaqëson kosheren, ndërsa besimtarët si bletët vijnë rrotull saj. Si përfundim, mund të themi se prania e një koshereje bletësh në hyrjen e vjetër të kishës “Lindja e Hyjlindëses” në Labovën e Kryqit, na shtyn të mendojmë se dekori strukturor >I<, që zbukuron muret e kishës, është një përfytyrim figurativ i bletëve, të cilat futen në koshere, ashtu siç futen besimtarët në kishë.

Në qendër të kupolës së kishës është pikturuar “Pandokratori” dhe poshtë tij, skena me “Liturgjinë e engjëjve”. Në harkadën perëndimore, përballë me ikonostasin gjendet skena “Deisis”, e cila daton në shek. XII. Në harqet e brendshme të harkadave janë skenat: “Zbritja nga Kryqi”, “Krishti para Pilatit”, “Fjetja e Hyjlindëses”, “Vënia e kurorës me gjemba” etj. Të gjitha skenat e sipërpërmendura datojnë në shek. XIII. Të gjitha janë të dëmtuara nga lagështira. Në qendër të harkadës veriore është skena e “Trinisë së Shenjtë”, ndërsa në apsidën e kishës, “Platitera”, e cila paraqitet me krahët e hapur dhe Krishin në prehër.

Kisha e “Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit është meremetuar disa herë. Një restaurim është bërë në vitin 1776 nga papa Zoto. Apsida qendrore dhe apsidat anësore të kishës janë rrënuar dhe janë rindërtuar në vitin 1776. Ky fakt vërtetohet nga mbishkrim, që gjendet i gdhendur në mesin e apsidës jashtë kishës: Ι(ησου)σ Χ(ριστό)σ Νικα. Ετους 1776. Παπα Ζωτω. “Jezu Krishti fiton, viti 1776, papa Zoto”. Bamirësi Vangjel Zhapa në testamentin e tij ka lënë shumën e 1700 florinjve, me të cilën do të paguheshin epitropët e kishës, dy priftërinjtë dhe dy psaltët. Kisha e “Shën Mërisë” është shpallur monument kulture në vitin 1963. Në vitin 1990 kisha e Labovës së Kryqit iu nënshtrua një restaurimi tërësor me fondet e labovites Eftimi Petridhi, e cila banon në Amerikë. Rikonstruksioni i jashtëm dhe i brendshëm kapi shifrën e 100 mijë dollarëve amerikanë. Restaurimi i ikonave dhe i afreskeve u realizua nga restauratori Gazmend Muka.

 

Buxheti 2025, Veliaj: Nisim ndërtimin e pesë shkollave të reja

Numri i shkollave të reja të ndërtuara në 10 vitet e fundit do të jetë mbi 50.

Global 360

”Politico”: Meloni personi më i fuqishëm në Evropë në 2025

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka fituar titullin e personit më të fuqishëm në Evropë të dhënë nga gazeta ”Politico” në…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Buxheti 2025, Veliaj: Nisim ndërtimin e pesë shkollave të reja

Numri i shkollave të reja të ndërtuara në 10 vitet e fundit do të jetë mbi 50.